FOTOGRAFIA E RRUGËS

Shkrepni ndryshe: këshilla të fotografisë abstrakte

Dilni rrugëve për të shkrepur pamje abstrakte, detaje virtuale dhe dopjoekspozime surreale me kamerën tuaj të Canon.
Canon Camera
Një imazh abstrakt është ai që me shikimin e parë nuk të jep përshtypjen e diçkaje tjetër në botën reale. Duke krijuar imazhe që kanë veçse një lidhje të papërcaktuar me realitetin, ne mund të shprehim një ide apo emocion që është i shkëputur nga objektet dhe skenat e përditshmërisë. Ne shpesh na mësohet se fotot duhet të jenë të qarta, të drejtpërdrejta dhe në fokusi, por me fotografinë abstrakte këto rregulla mund t’i shkelim sipas dëshirës. Kjo u jep fotografëve liri të madhe për ta angazhuar shikuesin në një nivel më të thelluar ndërsa eksplorojnë me pamje mahnitëse dhe eksperimentojnë me teknikat e kamerës.

Tema abstrakte shkon krah për krah me fotografinë urbane dhe dokumentare. Ambientet e rrugëve janë përplot me detaje, gjeometri dhe lëvizje që, me pak aftësi me kamerën, mund të vrojtohen dhe kapen në forma konceptuale, duke zbuluar pamje interesante edhe në skenat më mondane dhe të zakonshme.

Jo vetëm që abstraktja mund të japë një shikim të ri të atraksioneve emblematike dhe ndërtesave që janë shpesh objekt fotografimi, por dhe na mundëson të përcjellim një përshtypje të gjallë të mjedisit urban që na rrethon, qoftë ky në aktivitet vibrant apo në një diskordancë melankolike. Kështu pra përse të mos e kapni kamerën tani dhe të bëni një xhiro nëpër qytet duke mprehur sytë drejt abstraktes? Nuk i dihet se me çfarë rezultatesh do të ktheheni.

1. Shkrepni turbullimin e kamerës

Një imazh i një rruge me shkallë të lartë turbullimi vertikal. Kalimtarët janë ende të dukshëm, por pjesa më e madhe e skenës ka përfunduar në vija me drita ngjyrë rozë, të gjelbër dhe të verdhë.

Kur shkrepni për turbullim me kamerë, shikoni për objekte interesante që do të krijojnë motive të forta, si p.sh. çadra shumëngjyrëshe që qëndrojnë mbi rrugën këtu. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 35mm, 1/15 sek, f/22 dhe ISO100.

Një burrë kthen kamerën tij Canon lart e poshtë me të shpejtë.

Një lëvizje lart-poshtë e kamerës së bashku me një gjatësi ekspozimi 1/15 sek e transformon një skenë të zakonshme rruge në një foto të bukur me turbullim.

Dridhja e kamerës është zakonisht diçka që fotografët përpiqen ta shmangin, por lëvizja e qëllimtë gjatë ekspozimit mund të sjellë abstrakte interesante të rrugëve, dhe kjo është një mënyrë e qëlluar për të përcjellë një ndjesi të ambientit.

Thelbi qëndron te caktimi i shpejtësisë së shkrehësit që të jetë mjaftueshëm i ngadaltë për të krijuar turbullim, por dhe mjaftueshëm i shpejtë për të lënë gjurmën e njerëzve dhe të formave. Provoni ta vendosni kamerën në modalitetin Shutter Priority (Tv) me shpejtësi shkrehësi prej 1/15 sek. Caktojeni ndjeshmërinë e kamerës në ISO100 si pikënisje, duke e rregulluar në bazë të nivelit të ndriçimit të ambientit në rrethinat tuaja derisa të keni një ekspozim me të cilin të jeni të kënaqur. Pastaj, teksa shtypni butonin e shkrehësit, bëni një lëvizje të shkurtër e të fortë me kamerë. Lëvizja lart-poshtë del mirë për skenat që përmbajnë njerëz, pasi ruan formën e figurave, por mund dhe të provoni lëvizjen anash, një rrotullim të beftë, një zmadhim të shpejtë.

Në modalitetin Shutter Priority (Tv) mund dhe thjesht ta caktoni ISO në auto – që ofrohet në shumicën e kamerave – çka ju lejon të përqendroheni vetëm te shpejtësia e shkrehësit.

2. Ekspozoni pjesët e shndritshme

Një pozë e shkrepur në një nënkalim duke shfaqur dritën që depërton përmbi një mur me grafiti.

Kur krijoni imazhe abstrakte, mund të jetë e dobishme të shkrepni zonat me ndriçim dhe ngjyra të forta ose me kontrast – ky kontrast e bën më të lehtë që bota të shikohet si një sërë formash. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 39mm, 1/160 sec, f/8 dhe ISO100.

Një ekran LCD ku dikush ul ekspozimin e kamerës për të krijuar një imazh më të errët.

Shfrytëzoni kompensimin e ekspozimit dhe ulni ekspozimin me një apo dy nivele, për të ekspozuar pjesët e shndritshme në ditët me diell të fortë. Bëni kujdes që për t’ia arritur kësaj duhet të përdorni cilësimet e ekspozimit të automatizuar si p.sh. Aperture Priority, Shutter Priority ose Automatic ISO.

Fotografët shpejt e shmangin shkrepjen në dritën e drejtpërdrejtë të diellit gjatë ditës, pasi krijon një kontrast të fortë me hijet e thella. Por kur vjen puna te fotografia urbane, ku kontrast mund t’ju lejojë thjeshtimin e skenave të ngarkuara, duke i kthyer në forma të qëlluara abstrakte. Kur ekspozoni për pjesët e shndritshme, hijet në imazhet tuaja bëhen thuajse e zezë e pastër, duke formuar hije pa detaje.

Mënyra më e lehtë për t’ia arritur kësaj është të përdorni Exposure Compensation. Thjesht uleni ekspozimin me një apo dy nivele për të errësuar skenën në mënyrë që hijet të thellohet dhe pjesët e skenës në dritë të fortë të dielli të mbeten të forta.

3. Shkrepni me dopjoekspozim

Një dopjoekspozim i një horizonti qyteti përkuar mbi njëri-tjetrin, por përmbys.

Kur jeni në modalitet multiekspozimi, ekrani LCD i kamerës jep një pamje paraprake të imazhit të kombinuar teksa nxirrni pozën, çka e bën të lehtë kompozimin e ekspozimit të dytë që të dalë në harmoni me të parin. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 55mm, 1/160 sec, f/7.1 dhe ISO100.

Një ekran LCD i kthyer përmbys mbi një kamerë Canon duke shfaqur dopjoekspozimin e ndërtesave që duken të varura në qiell.

Duke e kthyer kamerën përmbys për kuadrin e dytë të një dopjoekspozimi, mund të krijoni peizazhe surreale urbane.

Teknikë e njohur që në vitet 1800, dopjoekspozimi ju mundëson mbivendosjen e një imazhi tek tjetri për rezultate të goditura. Canon EOS 90D dhe shumë kamera të tjera të reja ofrojnë një modalitet të dedikuar multiekspozimi që ju mundëson krijimin e efektit teksa shkrepni. Thjesht aktivizojeni modalitetin, caktoni numrin e dëshiruar të ekspozimeve dhe filloni me shkrepjen. Në ndihmën tuaj, kur aktivizohet Live View ekrani ju jep një pamje paraprake të efektit teksa shkrepni kuadrin e dytë (ose të tretë, të katërt – modaliteti lejon deri në nëntë), që të mund ta rregulloni pozën për kombinimin më interesant prej tyre.

Kur kërkoni subjektet dhe skenat për dopjoekspozimin tuaj, kini parasysh që zonat më të çelëta të mbeten po njësoj ose edhe më të shndritshme, por jo më të errëta. Kjo nën që ndërtesat dhe format e errëta përkundër një sfondi të çelët, si qielli, të japin imazhe të forta.

4. Mbivendosni kuadro të ndryshme

Një multiekspozim bardhezi i një rrokaqielli.

Kur krijoni imazhe shumëkuadërshe mund të zgjidhni midis modalitetit Additive ose Average. Additive mbivendos zonat më të shndritshme mbi njëra-tjetrën, ndërsa Average ndihmon në parandalimin e mbindriçimit të zonave. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 21mm, 1/640 sec, f/11 dhe ISO100.

Një pozë e mbivendosur e një horizonti të pasqyruar të Londrës.

Kur mbivendosni disa kuadro bashkë, provoni ta pasqyroni pozën si ky imazh, duke krijuar një horizont abstrakt. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 47mm, 1/250 sec, f/9 dhe ISO100.

Përse të ndaloni te dopjoekspozimi? Modaliteti i multiekspozimit që ofrohet në kamerat si Canon EOS 90D dhe Canon EOS RP ju mundëson shkrepjen dhe kombinimin e një sërë kuadrosh në një imazh atmosferik. Për një imazh arkitektonik që tërheq shikimin, provoni ta caktoni në pesë kuadro dhe të shkrepni një ndërtesë, ndërsa i bëni variacione të lehta këndvështrimit apo zmadhimit të objektivit. Kuadrot do të mbivendosen teksa shkrepni, duke rezultuar në një efekt të qëlluar multiekspozimi.

5. Përzgjidhni detajet

Një burrë që mban një kamerë duke qëndruar në një rrugë qyteti, duke parë ndërtesat me panele të mëdha xhami.

Kur jeni jashtë me kamerën me vete, shikoni për pika interesante kontrasti, motive harmonike, forma gjeometrike, zgjatje të forta të ngjyrave apo detaje abstrakte arkitektonike.

Ana e një rrokaqielli të shkrepur nga poshtë, me xham shumëngjyrësh që mbulon njërën anë.

Shkrepja e planeve të afërta të tipareve të ndërtesave, si ky imazh i nxjerrë me kënd, është një mënyrë e mirë si t’i bëni strukturat arkitektonike të duken abstrakte. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 30mm, 1/250 sec, f/9 dhe ISO100.

Një nga gëzimet e mëdha të fotografisë urbane është larmia e bollshme e detajeve interesante që gjeni rrotull, nga vijat abstrakte arkitektonike deri te tabelat shumëngjyrëshe, relievet, shkrimet dhe pasqyrimet. Shpesh fotot më të mira abstrakte janë ato që kanë kompozime të thjeshta. Duke u përqendruar te një apo dy detaje dhe duke përjashtuar çdo gjë tjetër, mund të krijoni foto të bukura që e japin vetë idenë e ambientit përreth. Pamjet e tilla mund të dalin dhe si punime të bukura artistike, ndaj përse të mos i printoni të preferuarat tuaja?

6. Luani me hijet

Një shkallë në hije të thellë, ku duken vetëm pjesë të vogla të secilës shkallare.

Me pak mendim krijues, hijet e krijuara nga shkalla mund të krijojnë një imazh të fuqishëm abstrakt. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 21mm, 1/250 sec, f/10 dhe ISO250.

Një imazh bardhezi i një ndërtese betoni, shkrepur nga poshtë, duke krijuar forma gjeometrike me hijet.

Fokusimi në kapjen e hijeve dhe të siluetave është një mënyrë e thjeshtë për t’i bërë imazhet tuaja të duken më abstrakte. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 31mm, 1/250 sec, f/8 dhe ISO100.

Kur dielli bie poshtë në qiell, hijet në rrugë zgjaten dhe ky mund të jetë rast i mirë për të shkrepur skena abstrakte me hije. Kërkoni për hije që krijohen në forma interesante këndore përgjatë rrugës, dhe shikoni të përfshini dhe ato që krijohen nga njerëzit dhe ndërtesat. Provoni të ekspozoni pjesët e shndritshme, siç përshkruhen në këshillën 2, për të thjeshtuar imazhin që zonat e errëta të reduktohen në të zeza.

Fotografia abstrakte ju jep një liri që pak zhanre i vijnë afër, dhe është një mënyrë e mirë për të eksploruar komandat krijuese të kamerës, pa e ndjerë veten të kufizuar nga rregullat e zakonshme të fotografisë. Nuk ka mënyra të sakta e të gabuara, thjesht mundësi të pafundme për foto tërheqëse abstrakte.

Shkruar nga James Paterson

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur