FOTOGRAFIA ARKITEKTURORE

Rrisni nivelin: si të përmirësoni fotografinë tuaj të arkitekturës

Zbuloni bukurinë e ndërtesave, përmendoreve dhe shumëçka tjetër me këto këshilla dhe teknika kryesore nga Fernando Guerra, përfaqësues nderi i Canon i nderuar me çmime të shumta.
Përkundër një qielli të kaltër të shndritshëm, një burrë qëndron në buzën e një platforme të madhe të harkuar që është e ngritur disa metra nga toka.

Përfaqësuesi i nderit i Canon, Fernando Guerra, di diçka më shumë për ndërtesat. Ai është diplomuar si arkitekt në vendlindjen tij, Portugali, përpara se të kalonte disa vite të suksesshme duke punuar për një kompani arkitekture në Makao. Pavarësisht se i pëlqen puna, ai kurrë nuk mund ta linte mënjanë dashurinë e tij të fëmijërisë për fotografinë.

Pasioni i Fernando-s për të shkrepur ndërtesa u rrit edhe më, derisa bashkë me të vëllanë, Sergio, nisën të fotografojnë arkitekturë për revista të njohur dhe klientë personalë. Tani me një seri çmimesh në emrin e tij, ai nuk e ka kthyer më kokën pas.

Këtu Fernando tregon disa nga njohuritë, këshillat dhe teknikat që ka mësuar me kalimin e viteve.

Në vendndodhje: gjetja e ndërtesë ideale

Një burrë qëndron në galerinë e gjerë të betonit në projektin Saya Park në Korenë e Jugut.

"Nuk desha të bëja çfarë po bënin të gjithë fotografët e tjerë arkitekturorë," - thotë Fernando për trajektoren e karrierës së tij. "Desha të zbavitesha. Fillova t'i shkrep ndërtesat me njerëz në skenë dhe ishte kjo që i solli tamam në jetë. Ndjej se kur shkrep arkitekturë, më duket vetja si lajmëtar. Fotografia ime e sjell ndërtesën nga arkitekti te publiku." Shkrepur në Canon EOS 5DS R me një objektiv Canon TS-E 17mm f/4L në 1/8 sek, f/10 dhe ISO200. © Fernando Guerra

Një grua dhe disa fëmijë luajnë me litar nën rrezet e diellit pranë një ndërtese në të bardhë të fortë. Të gjithë përveç njërit prej fëmijëve shihen në siluetë.

"Unë nuk është se mendoj për gjeometrinë apo vijat që orientojnë syrin në figurë," - thotë Fernando. "Thjesht kërkoj për forma që më tërheqin estetikisht dhe se si luan drita me to. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III (tejkaluar tani nga Canon EOS 5D Mark IV) me objektiv Canon TS-E 24mm f/3.5L II në 1/2500 sek, f/8 dhe ISO200. © Fernando Guerra

Fotografia e arkitekturës nuk është thjesht me blloqe imponuese zyrash apo kisha me ornamente. Ndërsa këto të japin imazhe spektakolare, cilado ndërtesë mund të jetë e bukur sipas Fernando-s – nëse e shikon mjaftueshëm fort, ose thënë më mirë nëse nuk e shikon dhe aq fort!

"Mos u mendoni për gjetjen e vendit të duhur," - këshillon ai. "Mund të gjeni ndërtesa të pabesueshme edhe në vende të tmerrshme. Mendoni për ndërtesa individuale dhe çfarë i bën ato interesante. Mund të jetë çfarëdo, nga një haur karakatinë apo shtëpi modeste deri në një muze madhështor apo katedrale. Unë as nuk mendoj se ka ndërtesa "të këqija" për fotografim. Sekreti është te pritja për dritën e duhur dhe çastin e duhur. "

Pasi të keni gjetur e jeni fiksuar me një ndërtesë, diçka tjetër që rekomandon Fernando është t'i shtoni nivele imazhit tuaj. Është një teknikë që ka marrë nga një prej frymëzuesve të tij më të mëdhenj, fotografi i "Magnum", Alex Webb, dhe që – siç shpjegon më poshtë Fernando – do të ndihmonte për t'i shtuar një dimension tjetër fotografisë suaj.

"Fotografia e tij më ka bërë për vete, në mënyrën se si përdorte nivele përmbi nivele për të ndërtuar më shumë elemente në pozë,” - thotë Fernando për Webb-in. “Për shembull, mund të kesh ca njerëz këtu, një qen aty, dikë që ecën atypari me çadër. Pozat e tij janë të kompozuara me disa nivele dhe ashtu merr ndjesinë e vërtetë të jetës dhe kontekstin.

"Si arkitekt unë përpiqem të gjej raportet e duhura, materialin ideal dhe ngjyrat e finiturën optimale. Si fotograf, përpiqem ende të përcjell pikërisht këtë – për t'i bërë gjërat të duken të bukura," - vazhdon Fernando. "Nuk është se kërkoj për gjeometrinë që 'funksionon', por thjesht përpiqem t'i bëj ndërtesat të duken të mrekullueshme. Ky është mesazhi që përpiqem të përcjell."

Fotografia e lirë: harrimi i "rregullave"

Katër njerëz janë turbulluar në lëvizje teksa ecin përgjatë një korridori të madh brenda një ndërtese të madhe të bardhë me dritare dhe mure futuristike.

Fernando beson se fotografia duhet të jetë gjithnjë një shprehje e "vetvetes", edhe nëse kjo do të thotë të thyesh rregullat tradicionale të zhanrit. "Shumë vetë mendojnë se fotografia e arkitekturës është si muzika klasike," - thotë ai. "Gjithçka të është hedhur në partiturë dhe thjesht duhet të luash atë që është shkruar. Për mua, është më shumë si xhazi. Harroji rregullat dhe thjesht përdor sytë." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon TS-E 17mm f/4L në 0.4 sek, f/9.5 dhe ISO200. © Fernando Guerra

Studentë që ecin përgjatë rruginave shumëngjyrëshe të EPFL Quartier Nord në Lozanë të Zvicrës.

Fernando shkrep dorazi për t'i dhënë vetes fleksibilitet maksimal krijues, duke shfrytëzuar ekranin rrotullues me prekje të kamerës së tij për t'i parë imazhet në kohë reale, pavarësisht këndit të shkrepjes. "Nuk i kam përdorur fare inkuadruesit e kamerës sime, për vite të tëra," - thotë vetë talenti. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me një objektiv Canon TS-E 45mm f/2.8 në 1/13 sek, f/2.8 dhe ISO640. © Fernando Guerra

Një nga rregullat e para që do të mendonit për fotografinë e arkitekturës, do të ishte mbase gjetja e një stativi. Jo dhe aq, sipas Fernando-s.

"Mua më pëlqen të kem liri lëvizjeje, ndaj preferoj të mos përdor stativ, gjë që shumë të tjerë mendojnë se është një mjet thelbësor për fotografimet arkitekturore," - sqaron ai. "Për mua më mirë të lëviz përreth, duke eksploruar një ndërtesë nga kënde të ndryshme, kështu që unë shkrep dorazi. Nga çasti që mbërrij në një vend, jam gjithnjë në lëvizje derisa largohem.

"Një avantazh tjetër i mospërdorimit të stativit është se nëse je në ndonjë vend me shumë njerëz, mund të shkrepësh pa tërhequr shikimet te vetja. Përndryshe, njerëzit në skenë shfaqin interes dhe rrinë e shikojnë se çfarë je duke bërë, në vend që të kenë sjelljen e tyre të natyrshme për vendin. Ekranet rrotulluese të shumë kamerave Canon janë ideale për këtë. Mund të shkrepni nga kënde të ndryshme dhe madje as nuk duket sikur je duke nxjerrë foto."

Në fakt, për sa i përket Fernando-s, kur vjen puna te çfarë duhet e s'duhet bërë në fotografinë e arkitekturës, ka në fakt vetëm një rregull që duhet të ndiqni.

"Vertikalet duhet të jenë drejt, ndaj mos e drejtoni kurrë kamerën për lart apo për poshtë, përveç nëse jeni duke përdorur objektiv me anim-zhvendosje që mund t'ju korrigjojë perspektivën," - shpjegon ai. "Mund ta korrigjoni perspektivën në stadin e redaktimit me softuer, por nuk mendoj se duket në rregull. Ka shpesh shumë rregulla të tjera që diskutohen, por un them se është e nevojshme që rregullat të thyhen për të krijuar punën tuaj të veçantë që bie në sy. Thjesht mbajini vertikalet drejt dhe shkrepni sikur asgjë tjetër s'ka rëndësi."

Në dritë: zgjedhja e kohës për të shkrepur

Një ndërtesë e gjatë dhe e ngritur druri gjatë natës. Pemët rrethuese ndriçohen nga dy drita të forta.

"Vazhdo punën dhe mos ndalo me perëndimin e diellit," - këshillon Fernando. "Disa ndërtesa marrin një jetë krejt tjetër në mbrëmje. Dritaret e një ndërtese mund të jenë si sytë e saj dhe natën, kur brenda ndizen dritat, është sikur shikon brenda atyre syve. Disa ndërtesa transformohen në kuti magjike me xhame vezulluese që janë të bukura natën." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon TS-E 17mm f/4L në 30 sek, f/7.1 dhe ISO1600. © Fernando Guerra

Zogj fluturojnë në muzg mbi një ndërtesë me ballinë ujore dhe formë ekstravagante.

"Një gjë që kam mësuar është të mos përdor kurrë blic," - thotë Fernando. "Kur fotografoj ambiente të brendshme, nëse mund ta shikoj me sytë e mi, kamera Canon mund ta shkrepë. Nëse ka diferenca ekstreme mes hijeve dhe zonave të mirëndriçuara, mund të nxjerr dy ekspozime me seri ekspozimi dhe i bëj së bashku, ose përdor modalitetin HDR të kamerës, por nuk e përdor kurrë blicin për ndriçim shtesë." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon TS-E 17mm f/4L në 1/80 sek, f/5 dhe ISO800. © Fernando Guerra

Diçka tjetër që është keqkuptuar sipas Fernando-s është dhe se drita më e mirë për fotografinë e arkitekturës është herët në mëngjes apo pasditja e vonë, që shpesh quhet dhe "ora e artë".

"Nëse do të më duhet të shkrepja një ndërtesë, preferoj të shkoj në mëngjes herët dhe të qëndroj derisa të dalin yjet në mbrëmje. Në një farë mënyre është e njëjta qasje që mund të përdorë një fotoreporter. Unë ndjek dritën nëpër ndërtesë dhe aspekte të ndryshme duken më bukur në orë të ndryshme të ditës. Plus që mund të shikosh dhe se si e përdorin njerëzit ndërtesën, duke shtuar sërish atë elementin e jetës. Është si të shkrepësh "një ditë në jetën e një ndërtese". Unë kërkoj të shkrep më shumë sesa vetë ndërtesën.

"Nëse drita është e vrazhdë, mund të luani me hije. Së fundi kam nxjerrë ca poza të mira të një shtëpie në mesditë me diellin mu në majë të qiellit. Drita hynte nga dritaret e çative dhe ndriçonte të gjithë pjesën e brendshme të ndërtesës dhe thjesht dukej e mrekullueshme. Kur dielli është më poshtë në qiell, një ndërtesë mund të duket keq nga njëra anë por e mrekullueshme nga një tjetër. Thjesht duhet t'i vini rrotull e të kërkoni. Edhe nëse gjërat janë gri e me mjegull, mund të nxirrni poza interesante me butësinë natyrore. Një prezumim tjetër i gabuar është se nëse e ke nxjerrë ndërtesën nga një këndvështrim, kaq e pat nga ajo pamje. Kthehuni sërish më vonë gjatë ditës dhe shikoni se çfarë ndryshimi i ka sjellë ndryshimi i dritës.”

Në çantë: zgjedhja e objektivit të duhur

Një instalacion i madh drite me fytyrën e një gruaje të re mund të shihet nga dritarja e një ndërtese teksa atypari kalon një makinë e verdhë.

Canon EOS R System është ideal për ata që janë në hapat e parë të fotografisë arkitekturore dhe që kërkojnë të avancojnë. Kombinimi i një kamere të fuqishme kuadërplotë pa pasqyrë si Canon EOS R me një objektiv autentik RF si Canon RF 24-105mm F4L IS USM – kombinimi që ka përdorur Fernando për të shkrepur këtë foto – ose Canon RF 16mm F2.8 STM do t'ju japë lirinë krijuese për t'u zhvilluar më tej. Shkrepur në 56mm, 1/100 sek, f/9 dhe ISO160. © Fernando Guerra

Listela të mëdha druri varen vertikalisht nga një ndërtesë e madhe e lyer në ngjyrë kremi të errët. Në një dhomë në katin përdhes të ndërtesës mund ta shihen siluetat e dy personave.

Kur të bëheni më me përvojë si fotograf, Fernando rekomandon të kaloni në objektiv me anim e zhvendosje. "Objektivat e mi të zgjedhjes janë Canon TS-E 17mm f/4L dhe Canon TS-E 24mm f/3.5L II," thotë ai. "Këta janë të shtrenjtë, por nuk kanë të zëvendësuar për funksionin e zhvendosjes. Ky të mundëson të kontrollosh perspektivën dhe t'i ruash vertikalet e ndërtesave drejt për lart." Shkrepur në Canon EOS 5DS R me një objektiv Canon TS-E 17mm f/4L në 1/100 sek, f/11 dhe ISO100. © Fernando Guerra

Kur jeni në hapat e parë, Fernando rekomandon objektiva që japin ekuilibër të mirë mes një fushëpamjeje relativisht të gjerë dhe një distorsioni të ulët të imazhit. "Më pëlqejnë Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM dhe Canon RF 50mm F1.8 STM," - pohon ai. "Janë të vegjël dhe jopengues, ndaj mund të shkrepësh pa rënë në sy. Cilësia është fantastike, si dhe janë relativisht ekonomikë. Unë përdor dhe Canon EF 24-240mm F4-6.3 IS USM thjesht sepse është aq praktik. Nuk mund të pranoj asnjë lloj distorsioni në pozat e mia arkitekturore, por, falë korrigjimeve të vetë kamerës në kamerat e serisë EOS R, ky bëhet praktikisht objektiv pa distorsion."

Një objekti tjetër për fillestarët që bën sidomos punë në fotografinë e arkitekturës është Canon RF 16mm F2.8 STM. Ky objektiv fiks me gjatësi fokale 16mm nuk është vetëm ultra ekonomik, por dhe ultra i gjerë, duke ju mundësuar të përfshini më shumë në pozë, për shembull, një urë të tërë. Entuziastëve të arkitekturës do t'u pëlqejnë dhe efektet interesante në vijat dhe këndet që ofron objektivi.

Pasi të keni gjetur kamerën dhe objektivin që ju vjen më për shtat dhe t'i keni marrë dorën gjërave bazë të zhanrit, Fernando këshillon të eksperimentoni më tej me fotografinë tuaj të arkitekturës, gjithçka që nga këndi i pozës deri te filtrat e objektivit.

"Një filtër densiteti neutral është fantastik për mundësimin e ekspozimeve të gjata edhe nën ndriçim të fortë,” - shpjegon Fernando. “Për shkrepjen e arkitekturës në një vend me shumë njerëz, ekspozimi i gjatë i bën praktikisht të gjithë njerëzit dhe trafikun që lëviz atypari të zhduken, duke i hequr fare nga pamja. Një filtër polarizues rrethor është ideal për heqjen e refleksioneve nga xhamat e dritareve. Ai bën po aq mirë punë në ndërtesat me lustër të jashtme. Më është dashur të fotografoj një ndërtesë betoni që ishte lyer në të kuqe dhe ishte super shkëlqyese. Thjesht i bëra një xhiro polarizuesit rrethor dhe gjithë shkëlqimi vate, duke nxjerrë në pah krejt ngjyrën."

Për Fernando-n, shkrepja e arkitekturës është më shumë se thjesht një punë, është një mision. Dhe si i tillë i frymëzuar nga zemrat që rrahin, po aq sa dhe ndërtesat.

"Në fund të fundit, unë fotografoj arkitekturën se e kam profesion, por ende mendoj se njerëzit që ndodhen brenda apo që e përdorni ndërtesën janë dhe elementi i saj më interesant," - e përmbyll ai. "Për mua, fotografi e arkitekturës do të thotë të fotografosh jetën."

A jeni gati për të filluar?

Shkruar nga Matthew Richards

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • FOTOGRAFIA URBANE

    Shfrytëzojini në maksimum shanset e fotografisë urbane nëpërmjet këshillave tona

    Shkrepni peizazhe urbane mahnitëse dhe skena të detajuara. Lexoni për të gjitha këshillat, rekomandimet, teknikat dhe frymëzimin që ju duhet.

  • FOTOGRAFIA URBANE

    Këshilla për kompozimin urban

    Udhëzimet e Paula Stopka-s për kompozimin e fotove të spikatura të ndërtesave dhe peizazheve të qytetit.

  • FOTOGRAFI RRUGE

    Zbuloni fotografi rruge abstrakte

    Krijoni art mahnitës nga e zakonshmja me këto teknika të thjeshta për imazhe urbane surreale.

  • FOTOGRAFI RRUGE

    Sfida e lenteve për fotografi rruge

    Përse Canon RF 28 mm F2.8 STM është një element i domosdoshëm në çantën e pajisjeve për fotografi rruge.