Një nga sfidat më të vjetra të fotografisë është kapja e ekuilibrit të përsosur midis dritës dhe errësirës. Qoftë një perëndim dielli rrëzëllues, një portret me ndriçim të pasmë apo horizonti i një qyteti në muzg, skenat me kontrast të lartë shpesh i vënë fotografët përballë zgjedhjes midis dritave të djegura ose hijeve të mugëta. Fotografia me diapazon të lartë dinamik ose HDR shërben si një urë lidhëse, duke ju lejuar të zbuloni më shumë detaje në të gjithë diapazonin e ndriçimit. Dhe në kamerat më të fundit të Canon, HDR ka evoluar nga ajo që dikur ishte një teknikë komplekse, e bazuar në përdorimin e tripodit, në diçka që çdokush mund ta provojë, drejtpërdrejt nga kamera.
“HDR-ja ka qenë pjesë e kamerave Canon prej më shumë se një dekade”, shprehet Tibor Szövetes, Menaxher Produkti pranë Canon Europe. “Që kur u shfaq për herë të parë në EOS 5D Mark III, arritja më e madhe ishte se kamera arrinte të kombinonte automatikisht disa ekspozime, ndaj njerëzit nuk kishin më nevojë t’i përpunonin ato manualisht. Tani, me HDR PQ dhe formatin e skedarëve HEIF, gjithçka që dinim për formatin e skedarëve JPEG është pasuruar në të gjitha drejtimet: skedarë më të vegjël, më shumë ngjyra, më shumë detaje dhe një diapazon dinamik më i gjerë.”
Shpjegimi i fotografisë me HDR
Kuadrot me ekspozim të ulët, normal dhe të tepruar zbulojnë detajet e ndriçimit, tonaliteteve të mesme dhe hijeve. Bashkimi i tyre prodhon imazhin e plotë me diapazon të lartë dinamik ose HDR, të paraqitur në krye të këtij artikulli.
Evolucioni i HDR-së në kamerat Canon
Brenda gamës së kamerave Canon EOS, Canon prezantoi për herë të parë modalitetin e dedikuar HDR brenda kamerës në vitin 2012, me EOS 5D Mark III, i cili ishte në gjendje të bashkonte tre ekspozime në një JPEG të vetëm, me detaje të përmirësuara të ndriçimit dhe hijeve. Tetë vite më vonë, Canon EOS-1D X Mark III shënoi një tjetër arritje si kamera e parë Canon që realizonte imazhe HDR PQ (me kuantizim perceptual), duke ofruar të njëjtin diapazon të lartë dinamik në një imazh të vetëm HEIF 10-bitësh.
Sot, pothuajse të gjitha kamerat e serisë EOS R përfshijnë një formë të HDR-së, nga shkrepjet e shumta me ekspozime automatike (AEB) te mbivendosja e imazheve në kamerë dhe shkrepja e një imazhi të vetëm HDR PQ.
Cilësimi HDR PQ në menynë e shkrepjes së EOS aktivizon shkrepjen me një shkrepje të vetme HDR në formatin HEIF 10-bitësh, alternativën moderne të Canon ndaj HDR-së tradicionale me ekspozim të shumëfishtë.
HDR-ja tradicionale dhe shkrepjet e shumta me ekspozime automatike (AEB)
HDR-ja tradicionale përfshin shkrepjen e disa ekspozimeve, zakonisht një ekspozimi të ulët, një ekspozimi normal ose të njëtrajtshëm dhe një ekspozimi të tepruar, dhe bashkimin e tyre në një imazh të vetëm, që ruan detaje si në hije, ashtu edhe në drita. Modaliteti AEB i Canon e automatizon këtë proces, duke e bërë të lehtë shkrepjen e njëpasnjëshme të imazheve të grupuara që janë gati për t’u bashkuar në Digital Photo Professional (DPP) të Canon ose në një softuer tjetër.
Mbivendosja HDR brenda kamerës e çon këtë proces një hap më tej, duke eliminuar nevojën për softuerë dhe duke kombinuar ekspozimet e shumta drejtpërdrejt në kamerë për të prodhuar një JPEG të gatshëm për t’u ndarë. Kjo qasje është ideale për subjekte statike si peizazhe, ambiente të brendshme ose arkitekturë, ku synimi është kontrolli maksimal i tonalitetit.
HDR-ja tradicionale fillon me një grupim kuadrosh me pak ekspozim, me ekspozim normal dhe ekspozim të tepruar. Secili shkrep një pjesë të ndryshme të gamës së tonaliteteve. Kur bashkohen, ato krijojnë imazhin përfundimtar HDR të shfaqur më pas, me detaje të rikuperuara të ndriçimit, hije të ndriçuara dhe ngjyra të balancuara në të gjithë skenën.
HDR-ja tradicionale mbetet zgjedhja më e mirë kur dëshironi diapazonin dinamik më të gjerë të mundshëm, pasi bashkimi i disa ekspozimeve RAW ofron diapazonin dinamik më të gjerë që mund të prodhojë sensori i kamerës.
“Nëse dëshironi të kapni çdo detaj të mundshëm, nga hijet më të thella e deri te dritat më të forta”, - shpjegon Tibor, - “mbivendosja tradicionale HDR ju ofron fleksibilitetin më të madh dhe diapazonin më të gjerë dinamik për të punuar.”
Për ekspozimet e gjata, një tripod është gjithsesi i dobishëm gjatë shkrepjes së një skene statike (kur subjektet janë në lëvizje, mund të ketë probleme me hijezimin, siç shihet në imazhin më poshtë), por me vënien në përdorim të fotostabilizimit të integruar (IBIS) dhe objektivëve të stabilizuar, HDR-ja e shkrepjes dorazi është bërë shumë më e realizueshme.
Grupimet e HDR-së tradicionale zbulojnë detaje të ndriçimit, tonalitetit mesatar dhe hijeve duke shkrepur imazhet me ekspozim të ulët, ekspozim të saktë dhe ekspozim të tepruar. Por çdo lëvizje, si lëkundja e frutave të pyllit midis ekspozimeve, bën që jo të gjitha kuadrot të përputhen në të njëjtën mënyrë. Kjo shkakton hijezim, të cilin modaliteti HDR PQ i Canon e shmang duke kapur një diapazon më të gjerë dinamik në një skedar HEIF.
“Edhe HDR-ja tradicionale është më e lehtë tani”, - shprehet Tibor. "Në të shkuarën, tripodi ishte absolutisht i nevojshëm për të mbajtur gjithçka në pozicionin e duhur, por me punën e përbashkët të fotostabilizimit të integruar dhe stabilizimit optik, mund të bëni shkrepje dorazi që zgjasin një, dy ose madje edhe tre sekonda. Mund të bëni shumë më tepër dorazi në vend që të jeni të kufizuar nga tripodi, për sa kohë që nuk ka subjekte që lëvizin në kuadër.”
Meqenëse frutat e pyllit lëviznin nga flladi midis shkrepjeve të grupuara, imazhi me HDR i bashkuar nga seria e imazheve të grupuara më sipër tregon hijezim, i cili shfaqet në formën e kontureve të dyfishta e të zbehta rreth frutave.
HDR PQ: HDR moderne me një shkrepje (format HEIF)
Ndërsa HDR-ja tradicionale bashkon disa kuadro, HDR PQ arrin një rezultat të ngjashëm në një imazh të vetëm. Kamera regjistron informacion shtesë për ndriçimin dhe hijet në një skedar HEIF 10-bitësh, duke dhënë gradacion më të butë ngjyrash, tonalitete më natyrale dhe një diapazon dinamik dukshëm më të madh. Dhe, për shkak se nevojitet vetëm një shkrepje, HDR PQ eliminon turbullimin e lëvizjes dhe hijezimin, gjë që përbën një avantazh të madh kur fotografoni subjekte në lëvizje.
“Me HDR PQ, ju përfitoni një diapazon dinamik më të gjerë nga një imazh i vetëm”, - shpjegon Tibor. "Kjo e bën atë të shkëlqyer për gjithçka që lëviz, si kafshët shtëpiake, fëmijët, madje edhe kalimtarët. Nuk ka hijezim, nuk ka nevojë për tripod dhe madhësia e skedarit është më e vogël, kështu që ju mund të bëni më shumë fotografi pa e mbushur kartën tuaj.”
Skedarët HEIF mund të shihen drejtpërdrejt në monitorë që mbështesin HDR-në ose në televizorë modernë (përmes një kablloje HDMI me madhësi standarde, drejtpërdrejt nga kamera), duke shfaqur gamën e plotë të tonaliteteve pa pasur nevojë për modifikim shtesë. Ata mund të konvertohen gjithashtu në JPEG ose TIFF brenda kamerës ose në DPP për t’u ndarë lehtësisht.
Pavarësisht cilësisë së tyre të lartë, skedarët HEIF janë më të vegjël se RAW, TIFF dhe madje edhe JPEG, duke ofruar një ekuilibër efikas midis detajeve dhe hapësirës së ruajtjes. Paraqitja e tyre natyrale dhe reale bën që ngjyrat tuaja të duken më të buta dhe më pak artificiale, me kalime të lehta që i përafrohen shumë asaj që percepton syri i njeriut.
Mbivendosja tradicionale HDR (e paraqitur në të djathtë) bashkon disa ekspozime në një JPEG të vetëm, ndërsa HDR PQ (e paraqitur në të majtë) arrin një diapazon të ngjashëm dinamik në një skedar HEIF 10-bitësh. Në DPP, versioni HDR PQ tregon tonalitete më reale dhe thellësi më të madhe të ngjyrave.
Kur të përdorni HDR-në tradicionale dhe kur të përdorni HDR PQ
Të dyja metodat HDR kanë pikat e tyre të forta dhe zgjedhja më e mirë varet nga ajo që po fotografoni dhe sa kontroll dëshironi të keni mbi imazhin përfundimtar. HDR-ja tradicionale ju ofron fleksibilitet të plotë dhe është e shkëlqyer nëse ju pëlqen të kryeni modifikime ose dëshironi të krijoni një atmosferë të veçantë. HDR PQ, nga ana tjetër, është krijuar për thjeshtësi dhe realizëm. Ajo ju ofron të njëjtën gamë të zgjeruar tonalitetesh në një shkrepje të vetme, në mënyrë që të mund ta kapni skenën ashtu si e shihni, pa humbur kohë në pasproduksion.
“HDR PQ është për ata që thjesht duan rezultate të shkëlqyera direkt nga kamera,” - shpjegon Tibor. “Nuk keni nevojë të mendoni për grupimin ose bashkimin, pasi diapazoni dinamik është tashmë i pranishëm në një imazh të vetëm. Por, nëse dëshironi të eksperimentoni ose të theksoni stilin tuaj krijues, mbivendosja tradicionale HDR mbetet një opsion i vlefshëm.”
Situata
Modifikime krijuese ose të stilizuara
Realizëm i përditshëm dhe ndarje e shpejtë
Fotografi dorazi ose gjatë udhëtimeve
Peizazhe ose ambiente të brendshme me kontrast të lartë
Subjekte në lëvizje (njerëz, kafshë shtëpiake, pemë, gjethe, pamje nga afër të degëve të pemëve kur fryn erë)
Tani, le të shohim se si krahasohet diapazoni dinamik midis llojeve të ndryshme të skedarëve.
Njohja e diapazonit dinamik
Diapazoni dinamik mat sa detaje mund të regjistrojë një kamerë midis hijeve më të errëta dhe dritave më të forta. Sa më i gjerë të jetë diapazoni, aq më shumë informacion kap kamera juaj në të dyja ekstremet, që do të thotë se mund të shihni detaje të imëta në zona si retë e ndritshme pa humbur teksturën në zonat në hije.
Ky diapazon shpesh përshkruhet në nivele drite. Një nivel përfaqëson dyfishimin ose përgjysmimin e dritës, kështu që një ndryshim prej dy ose tre niveleve mund të jetë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për ruajtjen e detajeve të ndriçimit ose hijeve.
Me pak fjalë, një imazh i kapur me 18 nivele diapazoni dinamik mund të mbajë shumë më shumë informacion tonalitetesh sesa një me 11 nivele, që do të thotë thellësi më realiste, kalime më të buta dhe kontroll më të mirë gjatë modifikimit.
Ky krahasim tregon ndryshimin midis HDR PQ dhe hartimit SDR: versioni HDR (në të majtë) ruan më shumë detaje në ndriçim dhe ngjyra më të buta, ndërsa paraqitja SDR (në të djathtë) kompreson diapazonin dinamik për ekranet standarde.
JPEG
RAW i vetëm
HDR PQ (HEIF)
Mbivendosje HDR me 3 imazhe
Mbivendosje HDR me 5 imazhe
Këto shifra janë ilustruese, por tregojnë se sa shumë e zvogëlon HDR PQ hendekun midis punës me një shkrepje të vetme dhe asaj me HDR me shumë kuadro. Sa më i lartë të jetë numri i niveleve, aq më shumë fleksibilitet keni për të rikuperuar dritat dhe hijet gjatë përpunimit të imazheve më vonë.
Canon EOS R8 përballon lehtësisht ndryshimet e shpejta të dritës së jashtme, duke ju lejuar të përqendroheni te kompozimi ndërsa kamera ruan një gamë të gjerë tonalitetesh në çdo shkrepje.
Cilat kamera Canon EOS mbështesin fotografitë HDR?
Pjesa më e madhe e gamës aktuale të kamerave pa pasqyrë të Canon përfshin opsione HDR. EOS R10, R50, R6 Mark II dhe R8 së bashku ofrojnë si mbivendosje HDR, ashtu edhe fotografi HDR PQ, ndërsa modelet më të avancuara si EOS R5, R5 Mark II dhe R3 ofrojnë aftësi HDR të nivelit profesional për fotografi dhe video. Madje edhe modelet e nivelit fillestar, si EOS R100, ofrojnë modalitete skene me stil HDR që balancojnë automatikisht subjektet e ndriçuara nga pas.
Modeli gjysmëprofesional Canon EOS R6 Mark III mbështet gjithashtu si fotografitë, ashtu edhe videot HDR, duke përdorur një ekspozim të vetëm për të krijuar rezultatin e videos së vërtetë HDR. Ai pozicionohet midis gamës për entuziastët dhe asaj profesionale të Canon, duke ofruar aftësi të avancuara HDR në një trup kompakt dhe të gjithanshëm.
Kamera Canon
EOS R100
EOS R10 / EOS R50 / EOS R7
EOS R8
EOS R6 Mark II
EOS R6 Mark III
EOS R5 / EOS R5 Mark II / EOS R3
(HDR-ja e parë brenda kamerës: Canon EOS 5D Mark III - 2012; HDR PQ i parë: Canon EOS-1D X Mark III - 2020)
Canon EOS R10 mbështet fotografitë me HDR PQ, duke ofruar gradacion të butë ngjyrash dhe diapazon të zgjatur dinamik në një trup të lehtë APS-C.
Këshillat më të mira për shkrepje të shkëlqyera me HDR
Fillimi me HDR-në është më i lehtë se sa mund ta mendoni. Pavarësisht nëse po fotografoni peizazhe, ambiente të brendshme apo subjekte që lëvizin me shpejtësi në ambiente të jashtme, disa teknika të thjeshta mund t’ju ndihmojnë të shfrytëzoni maksimalisht kapacitetet HDR të kamerës suaj. Ja disa këshilla për fillimin:
- Aktivizoni prioritetin e theksimit të tonaliteteve (D+): ky cilësim rrit detajet e ndriçimit pa e tepruar ngopjen me ngjyra. Është një mënyrë e shkëlqyer për të mbrojtur qiellin dhe zonat e ndritshme, duke ruajtur kontrastin natyral.
- Përdorni IBIS (fotostabilizimin e integruar) dhe objektivët IS (me fotostabilizues): kombinoni stabilizimin e trupit të kamerës dhe të objektivit për rezultate më të mprehta dorazi, si në modalitetin HDR, ashtu edhe në HDR PQ. Kjo është veçanërisht e dobishme në dritë të ulët ose kur fotografoni pa tripod.
- Provoni DPP ose DPP Express: softueri i Canon e bën të lehtë bashkimin e ekspozimeve, modifikimin e mbivendosjeve HDR ose rregullimin me imtësi të imazheve HEIF, në mënyrë që të mund të eksperimentoni me hartimin e tonalitetit për të gjetur pamjen që preferoni (shënim: DPP Express është shërbim me abonim).
- Kontrolloni rezultatet tuaja në një ekran HDR: pjesa më e madhe e televizorëve dhe monitorëve modernë e mbështesin HDR-në dhe mund të shfaqin imazhe HDR PQ së brendshmi, kështu që mund të shijoni menjëherë gamën e plotë të ngjyrave dhe kontrastit drejtpërdrejt nga kamera juaj.
- Konvertoni skedarët HEIF në JPEG ose TIFF: nëse planifikoni t’i ndani fotografitë në rrjetet sociale ose t’i shikoni në ekrane standarde, konvertoni skedarët HEIF në kamerë ose në DPP, duke ruajtur intensitetin HDR të imazhit.
- Kini kujdes me ekspozimin: kur fotografoni me HDR, shpesh është më mirë të ulni pak ekspozimin sesa të rrezikoni djegien e dritave, veçanërisht në qiellin e ndritshëm.
Një shembull i modalitetit HDR në kamerën e Canon në veprim: disa ekspozime bashkohen në kamerë për të prodhuar një imazh të balancuar me detaje të qarta të hijeve dhe drita të kontrolluara përgjatë vijës bregdetare shkëmbore.
Pse duhet ta provoni HDR-në
Në thelb, HDR-ja ka të bëjë me pasqyrimin e fotografive ashtu siç sytë tuaj shohin botën. Me kamerat më të fundit EOS të Canon, kjo është më e thjeshtë dhe më fleksibël se kurrë më parë, qoftë nëse dëshironi kontroll të plotë krijues duke përdorur mbivendosjen tradicionale, ose rezultate reale dhe të menjëhershme me HDR PQ. Mund të fotografoni dorazi, t’i ndani menjëherë dhe t'i shijoni imazhet tuaja HDR në teknologjinë që tashmë zotëroni.
“Fotografia me HDR ju ndihmon të kapni të gjithë skenën ashtu si e keni përjetuar”, - shprehet Tibor. “Por nëse keni përdorur deri më tani mbivendosjen tradicionale HDR, HDR PQ është hapi tjetër, pasi është më i shpejtë, më i pastër dhe i integruar në kamerat më të fundit të Canon për rezultate mbresëlënëse pa mundim të tepërt.”
Me gamën më të fundit të kamerave pa pasqyrë EOS R të Canon, fotografia me HDR nuk ka qenë kurrë më e lehtë ose më shpërblyese për t’u eksploruar.
Shkruar nga Jeff Meyer
Produkte të ngjashme
-
EOS R10
Kryeni hapat tuaja të radhës në fotografi dhe video me një kamerë pa pasqyra EOS R System të krijuar rreth një sensori madhësie APS-C. -
- Produkt shumë i pëlqyer nga krijuesit
EOS R50
Krijoni përmbajtjen më tërheqëse me këtë kamerë EOS R pa pasqyrë, nga fotot e mprehta deri te filmat 4K dhe transmetimet e drejtpërdrejta. Të gjitha në një pajisje të dedikuar. -
-
- Produkt shumë i pëlqyer nga krijuesit
EOS R8
Kaloni në fotografinë dhe videon kuadërplotë dhe realizoni ambiciet tuaja krijuese. -
-
- Risi
EOS R6 Mark III
Kapni aksionin me ekuilibrin optimal të rezolucionit, shpejtësisë dhe prakticitetit – ideal për faunën e egër, sportet dhe portretet. -