Fotografia e natyrës nuk është luks vetëm për ata që jetojnë në zonat rurale. Shikoni në kopshtin tuaj, në rrugë, nën shkëmbinj, rreth pellgjeve dhe në parket e qytetit, dhe do të gjeni mundësinë e përsosur për fotografinë e natyrës në qytet, pikërisht në pragun e derës suaj.
Fotografi i ri finlandez Ossi Saarinen ka siguruar një numër ndjekësish me gjashtë shifra në Instagram, duke fotografuar natyrën në qytet - ketrat e adhurueshëm, minjtë dhe dhelprat që shikojnë drejt e te inkuadruesi i kamerës, si dhe zogj të rrumbullakët dhe gazmorë plot karakter. Këtu ai ndan këshillat e tij kryesore për fotografimin e natyrës në qytet, duke përfshirë edhe vendet më të mira për të gjetur dhelprat, parametrat e tij të preferuara të kamerës dhe kompozimin që i kap më mirë personazhet e çuditshme në jetën reale.
Në Helsinki, Ossi ndonjëherë përballet rastësisht me kafshët, por duke e kuptuar se si sillen kafshët që përpiqet të fotografojë, ai e di se ku dhe kur duhet të shikojë. "Në pranverë, përpiqem të gjej foletë e dhelprave në vendet që nuk janë pikërisht në qendër të qytetit, por që përsëri janë afër njerëzve. Unë përpiqem të gjej vrima në tokë ku mund të kenë folenë dhe më pas kërkoj për gjurmë të qimeve dhe për erën e tyre të fortë", - thotë Ossi.
"Mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme në fotografinë e kafshëve është të njohësh zakonet e kafshëve. Nëse gjej një fole dhelpre me këlyshë të vegjël në të, e di se ata kalojnë të gjithë kohën aty, kështu që mund të shtrihem aty pranë dhe të fotografoj këlyshët duke luajtur. Dhelprat e rritura dalin gjatë natës dhe ndonjëherë, edhe në pasdite. Zakonisht ato përdorin të njëjtën rrugë gjithmonë, kështu që mund t'i ndjek për të parë se cilat rrugë përdorin - dhe herën tjetër mund të shkoj në mes të asaj rruge dhe të pres që të vijë dhelpra."
Rrugët e qytetit plot lëvizje, rruginat plot gjallëri dhe zhurmat e qytetërimit janë në kontradiktë me fotografimin e natyrës - por kjo nuk do të thotë se nuk është aty, duke pritur të shfaqet me largimin e njerëzve. "Nuk fotografoj asnjëherë në mes të ditës", - thotë Ossi. "Shumë kafshë janë më aktive gjatë natës, por është më e vështirë të fotografosh në errësirë, kështu që regjistroj rreth lindjes dhe perëndimit të diellit. Drita është më e mirë në atë kohë, kështu që fotografitë janë më tërheqëse."
Megjithëse një kamerë me kuadër të plotë (si Canon EOS 6D) do të ketë rendiment më të mirë në parametrat e larta të ISO-s, mund të bëni përsëri fotografi të shkëlqyera të natyrës me një kamerë me sensor të prerë APS-C (si p.sh. Canon EOS 7D Mark II), - thotë Ossi. "Për zogjtë dhe bletët, nëse nuk mund të ofroheni shumë, sensorët e prerë mund t'ju ndihmojnë po ashtu ta bëni kafshën të duket më e madhe në kuadër", - falë fushës së kufizuar të pamjes me një sensor me kuadër të prerë.