Në qendrën e shpëtimit, Cat-a dhe Michael-i zgjodhën të mos i fotografonin kafshët në kafazet e veta. “Synimi është ta shmangni fotografimin e tyre ‘pas hekurave’”, - thotë Michael-i. "Duke zgjedhur një histori të veçantë të një kafshe, mund t'i bëni njerëzit të lidhen pas këtij rasti shpëtimi dhe me gjasë të kenë interes për të gjitha kafshët e strehimores."
Zgjedhja e një këndi që nxjerr në pah tiparet tërheqëse të karakterit është gjithashtu një ide e mirë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kafshët e shpëtuara, pasi mund t'i ndihmojë të gjejnë një shtëpi të përhershme. “Vendosini të qëndrojnë në një kënd të lehtë dhe lërini të shikojnë mbi supe nëse mundeni”, - vazhdon Michael-i.
Poza në të cilën dëshironi të kapni kafshën do të varet tërësisht nga madhësia e saj. "Nëse jeni duke punuar me një qen të vogël, për shembull, mund të përpiqeni t'i vendosni sipër diçkaje," - thotë ajo. "Nëse është një qen me të vërtetë aktiv që nuk e zë vendi, mund të nxirrni disa poza aksioni, por unë zakonisht fotografoj qen si të lidhur." Këshillohet që qentë të fotografohen të zgjidhur vetëm nëse mund t'u binden komandave dhe të qëndrojnë në vend.
Afrimi i planeve mund të krijojë gjithashtu imazhe mahnitëse. Cat-a inkurajon shkrepjet nga poshtë në dysheme, në mënyrë që të jeni në nivelin e syve për të mos frikësuar kafshën. Nëse mundeni, përpiquni t'i vini sytë e tyre në fokus, pasi kjo do t'u shtojë emocionet fotove tuaja. Eye AF në Canon EOS R6 është fantastik për këtë.
Përndryshe, nëse po synoni pozë dinamike, shkrepni nga një kënd i lartë mbi kafshën. Kjo nuk rekomandohet gjithmonë për kafshët e shpëtuara që mund të jenë disi nervoze për t'u fotografuar nga lart, por është ideale për kafshët tuaja shtëpiake, nëse ato janë të sigurta nga natyra.
“Pasi të keni krijuar një farë raporti, nëse mbani një ushqim pranë objektivit, ose nëse vini dikë të lëvizë një top atypari, mund të përkuleni mbi to dhe t'i fotografoni duke ju parë juve. Kjo mund të krijojë një pamje vërtet tërheqëse”, - thotë Cat-a.
Nëse nuk keni ndihmës apo nëse këndi është veçanërisht kompleks, provoni të shkrepni nga distanca, por mos e sforconi kurrë shkrepjen nëse ndjeni se subjekti juaj po shqetësohet ose acarohet. "Nëse kafsha sikletoset apo stresohet së tepërmi, mos vazhdoni më tej," - shtjellon Cat-a. “Edhe nëse ju duhet ta humbisni pozën për të kaluar në diçka tjetër, thjesht kaloni në diçka tjetër. Kafsha duhet të ndihet e qetë që të nxjerrë në pah personalitetin e vet."