FOTOGRAFIA E NATYRËS

Loja me dritëhijen: fotografia e natyrës në bardhezi

Përfaqësuesja e nderit e Canon, Helen Bartlett, shpjegon se si ka shkrepur imazhe bardhezi të natyrës me aparatin e saj PowerShot G7 X Mark III.
Pikat e ujit kapin dritës në një cergë.

A keni menduar ndonjëherë se si do të ishte vallë po ta shikonit botën në bardhezi? Për fotografen e portreteve të familjes, me qëndrim në Londër dhe përfaqësuese nderi e Canon, Helen Bartlett, ky është stili që ka zgjedhur në fotografinë e saj. Helen e ka bërë monokromin markën e saj që nga fillimi i punës së saj në 2003, duke punuar me thellësitë e dritëhijeve teksa këto bien mbi fytyrat dhe skenat para saj.

Gjatë shkëputjes së saj me kufizimet e lëvizjes për shkak të Covid-19 në Angli, Helen i ka këmbyer portretet e familjes me eksperimentimin e fotografimit të natyrës në bardhezi, gjatë shëtitjeve të saj pranë shtëpisë në Londrën Veriore. Ajo tregon fotot që ka realizuar, që janë një ndërthurje relievesh të fshehura, gjethes me ndriçim të pasmë, cergash të njoma dhe siluetash dramatike nga drurët, në Instagram Highlights të saj nën emërtimin "Off Duty". Shumica e tyre janë shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III.

Shkrepja me kamerë kompakte e ka ndihmuar Helen-ën të zhvillojë stilin e saj dhe e ka nxitur të luajë ca me teknikat e reja. Këtu ajo shpjegon se si ka evoluar procesi dhe ofron këshilla për shkrepjen e pozave tuaja mahnitëse të natyrës në bardhezi.

1. Gjeni një perspektivë të re

Një plan nga afër bardhezi i pesë luleve identike me siluetë përkundër diellit.

Përfaqësuesja e nderit e Canon, Helen Bartlett, përdori aparatin kompakt Canon PowerShot G7 X Mark III për të shkrepur foto të natyrës në bardhezi gjatë kufizimit të lëvizjes në Londër dhe gjatë kësaj kohe zbuloi një botë krejt të re. Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/800 sek f/10 dhe ISO320. © Helen Bartlett

Të mirat e kamerës kompakte për fotografët janë madhësia, fleksibiliteti dhe mundësia për t'i ndarë fotot shpejt e lehtë – por mund të jetë dhe një përjetim relaksues pasi ka më pak trysni për të nxjerrë foto ideale.

"Kam kërkuar gjithnjë për diçka mes telefonit dhe kamerës profesionale, pasi Canon EOS-1D X Mark III s'mund ta fus dhe në xhep," - thotë Helen-a. "Përgjithësisht aparati im i punës është shumë i madh për ta marrë me vete në shëtitje. Ndërsa me fotot e telefonit nuk isha e kënaqur kur i hapja në kompjuter apo kur doja të nxirrja printime, pasi cilësia thjesht mungonte.

"Kështu bleva një Canon PowerShot G7 X Mark III gjatë kufizimit të lëvizjes dhe fillova ta marr me vete gjatë shëtitjeve tona ditore, kur dhe pata rastin të njihem me të.

"Po më bën të nxjerrë më shumë foto, t'i shikoj gjërat ndryshe dhe t'i dalloj gjërat ca më mirë. Kam mësuar të relaksohem ca dhe të mos shqetësohem për çdo gjë – këto foto i kam për vete dhe jo për klientët, ndaj dhe nuk ka ndonjë rëndësi nëse jo të gjitha realizohen siç duhet. Tashmë s'e imagjinoj dot të mos e kem kamerën kompakte me vete."

Canon PowerShot G7 X Mark III ka një sensor të madh 1.0-type, e sjell më pranë kamerës DSLR ose pa pasqyrë sesa të përdorësh smartfonin.

2. Mësoni sa më shumë për dritën

Një foto bardhezi kërcejsh majdanozi të egër përkundër një sfondi të errët.

Canon PowerShot G7 X Mark III ka rezultuar një gjetje jetike në kompletin fotografik të Helen-ës. "Aparati kompakt nuk është njëlloj me kamerat e shtrenjta DSLR apo pa pasqyrë, por për mua është pika ideale e mesit midis tyre dhe telefonit tim," - thotë ajo. Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/500 sek f/3.2 dhe ISO160. © Helen Bartlett

Një plan nga afër bardhezi i dritës së diellit që krijon dritëhije mbi fijet e barit.

"Kur njerëzia nis rrugëtimin e vet me fotografinë, më e vështira është të mësosh si të shikosh dritën," - thotë Helen-a. "Por në thelb, nëse fillon ta shikosh dritën dhe të marrësh një çast për ta nxjerrë në foto, atëherë do të fillosh ta dallosh edhe më shumë." Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/2000 sek, f/2.8 dhe ISO320. © Helen Bartlett

Nëse jeni fotografë të dhënë pas natyrës në monokrom, Helen-a këshillon të mësoni për dritën. "Provoni të shkrepni foto çdo ditë, qoftë jashtë apo brenda me aparatin tuaj," - thotë ajo. "Mund t'ju tregojë thjesht se si bie drita mbi një gotë uji në kuzhinë, por do të vëreni gjithnjë e më shumë gjëra sa herë që e bëni."

Loja me dritën krijon thellësi dhe interes kur shkrepni në bardhezi dhe ka shumë mënyra se si mund të eksperimentoni. "Shikoni për ndriçimin e pasmë, që punon vërtet mirë me bardhezinë dhe mos kini frikë të luani me kontrastin dhe ekspozimin," - thotë Helen-a. "Mund ta rrisni ekspozimin për të shkrepur diçka në tone të larta dhe pastaj ta ulni për të marrë vetëm pikat e forta për pamje theksuara e dinamike."

3. Fokusohuni tek ajo që ndodhet në kuadër

Një plan i afërt bardhezi i një fijeje bari kallamishteje, me fije të tjera të ngjashme të turbulluara në sfond.

"Më ka tërhequr gjithnjë fotografia bardhezi pasi më pëlqen thjeshtësia e saj," - thotë Helen-a. "Më pëlqen fakti që është abstrakte dhe të të bën të ndalosh një copë herë e t'i shikosh më nga afër format dhe relievet." Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/400 sek, f/2.8 dhe ISO640. © Helen Bartlett

Një pamje bardhezi e tri pemëve të larta me gjethe në një pyll.

Një nga gjëra që i pëlqen më shumë Helen-ës për Canon PowerShot G7 X Mark III janë përmasat kompakte që ka. "Është e rëndësishme që të mund ta mbaj në xhep," - shpjegon ajo. Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/800 sek f/2.8 dhe ISO400. © Helen Bartlett

Bardhezia e ndihmon Helen-ën të fokusohet te subjekti i saj në kuadër, duke eliminuar ngjyrat apo elementet shpërqendruese, çka është gjithashtu një arsye e mirë për të provuar shkrepjen e natyrës urbane pa ngjyra.

"Aparati ka aperturë të shpejtë maksimale prej f/1.8 dhe lidhje me Wi-Fi, kështu që mund thjesht ta çoj foton në telefon e ta procesoj," - vijon ajo. "Nuk kam pse merrem me kompjuterin nëse nuk jam në punë."

Një objektiv fleksibël, modaliteti makro dhe kapaciteti për Wi-Fi janë vetëm disa prej funksioneve që çmon Helen-a në aparatin e saj Canon PowerShot G7 X Mark III. "Madhësia dhe pesha, si dhe fakti që është vërtet fleksibël, të gjitha janë fantastike," - thotë Helen-a e cila shkrep nga kamera në modalitet bardhezi që të ketë mundësi ta "shikojë" dritën në monokrom. "Funksioni makro është gjithashtu fantastik nëse ke dalë për të shkrepur foto të pemëve, luleve dhe natyrës.

"E gjithë bota ime është monokrome dhe më pëlqen," - thotë Helen-a. "Fotot me ngjyra shpesh theksojnë ngjyrat, por fotoja bardhezi përqendrohet te subjekti, qoftë ky person, ndërtesë apo pemë. Kur je duke shëtitur në park, kjo të heq edhe shpërqendrimet e mundshme me ngjyra të forta në sfond. Më ka tërhequr gjithnjë bardhezia, përndryshe në natyrë mbizotëron e gjelbra!"

4. Eksperimentoni me teknika të ndryshme

Një shteg mes një pylli është inkuadruar nga pemët e mbuluara me dëborë në këtë foto bardhezi.

"Eksperimentoni me të gjitha cilësimet në PowerShot G7 X Mark III, edhe me gjëra që nuk do t'i kishit përdorur vetë," - thotë Helen-a. "Provoni t'i shkrepni fotot me blicin e integruar, nga kënde të ndryshme ose duke përdorur kapacitetet makro. Luani disi dhe shikoni se si bie drita." Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/500 sek, f/2.8 dhe ISO400. © Helen Bartlett

Një plan i afërt bardhezi i një cerge që vezullon nën vesën e mëngjesit.

"Mundësia e lidhjes me Wi-Fi të integruar në aparat është vërtet e rëndësishme nëse dëshironi t'i publikoni fotot në rrjetet sociale," - thotë Helen-a. "Fotot mund t'i dërgoni në telefon shpejt, pa u lodhur tej mase." Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/2000 sek, f/3.5 dhe ISO800. © Helen Bartlett

Përdorimi i kamerës kompakte e ka inkurajuar Helen-nën të provojë teknika të ndryshme dhe t'i qaset fotografisë së saj me një shikim të ri. "Ka qenë një mënyrë e mirë për të eksperimentuar," - thotë ajo. "Për shembull, fotografia me blic nuk është pjesë e repertorit tim, por kur binte borë për Krishtlindje shkrepa një tufë fotosh me blicin e integruar të Canon PowerShot G7 X Mark III.

"Ishte zbavitëse ta provoje me kënde të ndryshme, të uleshe duke shkrepur nga bari, që mund të bëhet shumë lehtë me ekranin e rrotullueshëm 180-gradësh. Plus Canon PowerShot G7 X Mark III ka modalitetet Auto (A), Aperture Priority (Av) ose Manual (M) të plotë, çka u mundëson fillestarëve të mësojnë dhe zhvillohen me fleksibilitet, me komanda të përdoren lehtë. Ka gjithashtu dhe një P Mode (Programmed Automatic) – një modalitet shkrepjeje që është diku mes automatikes dhe manuales – si dhe Intelligent Auto, përveçse një larmi modalitetesh skenash krijuese që u mundësojnë fillestarëve të nxjerrin foto të arrira pa pasur njohuri teknike."

Për të mësuar më shumë për funksionet e aparatit tuaj dhe si t'i përdorni ato, shkarkoni Canon Photo Companion App.

Një foto bardhezi e një rrethi të valëzuar në një pellg, me pika uji që bien të fiksuara në ajër përreth.

"Nëse dilni e nisni të nxirrni foto, nuk jeni të shqetësuar se për çfarë po i nxirrni fotot, pas pak javësh do të shikoni se ju kanë tërhequr në fakt gjëra të ngjashme," - thotë Helen-a. Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/1600 sek, f/2.8 dhe ISO3200. © Helen Bartlett

Gjethet e holla të një bime të ngjashme me fierin mund të shikohen në detaje të imëta në këtë plan të afërt fotoje bardhezi.

Helen-a përshkruan fotografinë e saj personale të natyrës me kamerën e saj kompakte si "fotoskicim" - duke mprehur aftësitë e saj profesional ndërsa edhe zbavitet. Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/640 sek f/2.8 dhe ISO200. © Helen Bartlett

Një aktivitet i frymëzuar nga artistët, "fotoskicimi" është një teknikë tjetër eksperimentale që e ka ndihmuar Helen-ën të vrojtojë natyrën. Ajo ka krijuar një video në YouTube për këtë subjekt, duke ravijuar fuqinë e kësaj mënyrë zbavitëse shkrepjeje, që është më e shpejtë por dhe pa trysni.

"Ideja e fotoskicimit ka ardhur pjesërisht nga kushëriri im që është artist," - shpjegon Helen-a. "Kur një artist krijon një punim, me gjasë i skicon shumë prej ideve apo detajeve që mund të dojë të përfshijë në vepër. Kushëriri im e përshkruan këtë si ta çosh lapsin për shëtitje. Mendova se kjo do të ishte një gjë vërtet e mirë për ta bërë dhe nga aspekti i fotografisë.

"Për shembull mund të gjej disa pikëvështrime interesante në park që do të doja t'i përfshija në pozat e portreteve. Ose mund të dua të luaj me një teknikë që kam parë në Instagram, si p.sh. motivet në pellgje, për të parë se i bëhet dhe si të nxjerrësh rezultate optimale."

Një foto bardhezi e një hijeje të një peme në një mur guri.

"Projekti im 'Off Duty' është pikërisht siç e thotë dhe emri, fotot që shkrep kur nuk jam në punë," - thotë Helen. Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/125 sek, f/5 dhe ISO125. © Helen Bartlett

Mes një qielli të përshkuar nga retë, dielli ndriçon pemët e mëdha me silueta në këtë foto peizazhi bardhezi.

"Nuk e kisha menduar që 'Off Duty' të ishte projekt personal, po me ç'duken gjërat ashtu qenka," - thotë Helen-a. "Është thjesht një vend ku vendos frymëzimet që më vijnë me kamerën." Shkrepur me Canon PowerShot G7 X Mark III në 1/2000 sek, f/10 dhe ISO125. © Helen Bartlett

"Nëse fotografon në një park pak a shumë të rëndomtë, do të të duhet drita për ta lartësuar disi pamjen," - vijon Helen-a. "Shikoni se ku drita kap skajet e gjërave duke u dhënë formë dhe dramatizëm. Provoni të shkrepni në fillim ose në fund të ditës kur keni ndriçimin më të ulët. Sa më shpesh e bëni, aq më shumë do të shihni sa emocionuese bëhet."

Me kalimin e kohës stili do t'ju evoluojë dhe mund edhe të rezultojnë në projekt personal si p.sh. seria "Off Duty" e Helen-ës. "Interesat tuaja do t'ju orientojnë se çfarë fotosh të shkrepni dhe sa më shumë foto nxirrni, aq më shumë filloni të dalloni lajtmotivet," - thotë ajo. "Mos e stërmendoni, thjesht dilni rrotull dhe zbavituni."


Shkruar nga Lorna Dockerill

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

  • Një imazh bardhezi i një balerine në lëvizje në një sallë të madhe e pompoze. Drita e diellit kalon përmes një dere të hapur.

    Fotografia bardhezi

    Këshilla të fotografisë bardhezi

    Nga dasmat dhe peizazhet deri te sportet dhe portretet, mësoni se si të shkrepni imazhe mahnitëse në bardhezi.

  • NË TERREN

    Si i fotografon peizazhet malore Munroe Moonwalker

    Nga fotografitë makro plot ngjyra e deri te majat e mjegulluara të maleve, ja se si e përdor Alan Rowan kamerën Canon PowerShot SX740 HS për të realizuar fotografinë e përsosur të natyrës.

  • FOTOGRAFIA E NATYRËS

    Me zemër të lirë

    Pesë arsyet përse PowerShot SX740 HS është ideal për fotografinë e natyrës.

  • Një pozë plani të afërt bardhezi e një nëne që puth një foshnjë që fle të cilën e mban në sup.

    MAKROFOTOGRAFIA

    Përhumbuni në detaje me makro

    Katër këshilla krijuese për t'ia nisur mbarë me makrot, duke përdorur artikuj të zakonshëm për të krijuar foto të jashtëzakonshme.