Këshilla për fotografimin e shpendëve për fillestarët: Si të filloni

Shkrepni fotografi të mrekullueshme të shpendëve pranë shtëpisë duke përdorur teknika të thjeshta dhe kompletin Canon të thjeshtë për t’u përdorur.
Një patë kanadeze ecën përmes një fushe me lule, e shkrepur me Canon EOS R100 dhe objektivin telefoto Canon RF 75-300mm F4-5.6.

Fotografimi i shpendëve nuk do të thotë domosdoshmërisht objektivë të mëdhenj, kamuflim nga koka te këmbët dhe qëndrim për orë të tëra në një strehë vëzhgimi. Të qëndroni në zonën tuaj dhe të udhëtoni pa u ngarkuar me një kamerë pa pasqyrë Canondhe një objektiv telefoto kompakt RF si objektivi Canon RF 75-300mm F4-5.6, ju lejon të reagoni më shpejt. Siç e shpjegon Ollie Olanipekun, bashkëthemeluesi i kolektivit të vrojtimit të shpendëve “Flock Together”: “Jemi mjaft aktivë në mënyrën se si i qasemi gjërave. Duke qenë se jemi vazhdimisht në lëvizje, nuk kemi edhe aq kohë të mbajmë objektivë të gjatë dhe të rrimë në pritje si fotografët tradicionalë të faunës së egër.”

"Flock Together" organizon ecje në natyrë çdo muaj për personat me ngjyrë në Londër dhe në zonat përreth. Janë të gjithë të mirëpritur, nga fillestarët e vrojtimit të shpendëve në qytet, entuziastët e shpendëve e deri te fotografët amatorë. “Përveç kësaj, kemi ngjarje që janë të hapura për të gjithë,” shpjegon Ollie. “Aktualisht, na bashkohen rreth 300 persona në muaj.

“Duam të sjellim krijimtari në vrojtimin e shpendëve, që për mua është një hap i rëndësishëm drejt vlerësimit të natyrës. Mjafton të dalësh jashtë dhe të shikosh lart, ose edhe thjesht të hedhësh sytë nga dritarja.”

Ollie zakonisht përdor smartfonin e tij për të shkrepur fotografi të shpendëve, por së fundi pati mundësinë të provojë kamerën pa pasqyrë Canon EOS R100 të përshtatshme për fillestarë, e kombinuar me objektivin zmadhues Canon RF 75-300mm F4-5.6, një objektiv fantastik për fillestarët.

“Ishte vërtet e lehtë për t’u përdorur, por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte mundësia për të përdorur një inkuadrues përsëri,” thotë ai. “Si fillim përdora ekranin e kamerës, por pasi kalova te inkuadruesi, mund të shikoja shumë më tepër detaje, veçanërisht kur bllokohej drita e diellit. Mendoj që, si gjenerata e re, kemi harruar sa të dobishëm janë inkuadruesit sepse përdorim gjatë gjithë kohës telefonat tanë.”

Këtu, Ollie shpjegon se si ishte kalimi nga një smartfon në një kamerë pa pasqyrë, dhe jep këshillat e tij më të mira për fotografimin e shpendëve për fillestarët.

Entuziasti i shpendëve, Ollie Olanipekun ecën në një shteg pylli, duke mbajtur një Canon EOS R100 dhe objektiv RF 75-300mm F4-5.6.

Nëse vizitoni parqet publike, ku shpendët janë më të mësuar me praninë e njerëzve, mund të rrisë shanset të afroheni për të fotografuar sjelljet e shpendëve në natyrë.

Pula e ujit ecën drejt fotografit. Shkrepur duke përdorur një Canon RF 75-300mm, objektiv zmadhues F4-5.6 dhe kamerë EOS R100.

Nuk keni pse të shkoni larg ose të kërkoni për specie të rralla për të shijuar fotografimin e shpendëve. “Detajet janë aq të mprehta sa që edhe gushëkuqi, pëllumbi, ose papagalli i zonës suaj, ose çfarëdo që shikoni zakonisht me këtë kamerë, do të duket si diçka që nuk keni parë kurrë më parë,” thotë Ollie. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 260mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 416 mm), , 1/1000 sek, f/5,6 dhe ISO 3200. © Ollie Olanipekun

1. Mësoni si të parashikoni sjelljen e shpendëve

Një mjellmë me xhungë hap krahët në një liqen, e shkrepur mes fijeve të turbullta të barit duke përdorur një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 dhe kamerën Canon EOS R100.

Ollie ndryshoi shpejt pikën e fokusit për të kapur këtë mjellmë me xhungë pas një shtrati bari. “Mundësia për ta lëvizur fokusin në ekran ishte e jashtëzakonshme, pasi falë kësaj arrita të shkrepja përmes një hapësire të vogël mes fijeve të barit dhe t’i turbulloja.” Shkrepur me një kamerë Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 300mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 480 mm), 1/1300 sek, f/5.6 dhe ISO 320. © Ollie Olanipekun

Kaloni pak kohë duke vëzhguar shpendët, në mënyrë që të arrini të njiheni me sjelljen e tyre. Kjo do t’ju ndihmojë të parashikoni çfarë mund të bëjnë më pas dhe t’ju japë më shumë mundësi të afroheni mjaftueshëm për një fotografi të mirë.

“Me shpendët, gjëja më e rëndësishme është të shmangen lëvizjet e papritura,” thotë Ollie. “EOS R100 është e shkëlqyer për të qëndruar diskretë kur përpiqeni të afroheni për një fotografi me këtë objektiv zmadhues, por duhet edhe të respektoni shpendin. Përpiquni të lëvizni në të njëjtin drejtim me të, dhe qëndroni të gatshëm për t’u zmbrapsur dhe për t’i dhënë hapësirë nëse duket i shqetësuar.”

Objektivi Canon RF 75-300mm F4-5.6 është krijuar për kamerat me kuadër të plotë, por kur e përdorni në një kamerë APS-C si EOS R100, ju jep shtrirje më të madhe, pamja është e ngjashme sikur të përdorni një objektiv 120-480 mm. Kjo ndodh sepse kamerat APS-C e presin pak imazhin, duke e bërë subjektin tëduket më i madh në inkuadrim nga një distancë më e largët, kështu që nuk do t’ju duhet të afroheni aq shumë për të shkrepur një fotografi të shkëlqyer.

Shikoni për shenja që tregojnë se një shpend është gati të bëjë diçka interesante. Për shembull, shumë shpend kryejnë nevojat në momentin para se të ngrihen në fluturim, pra kjo mund të jetë shenja juaj për t’u përgatitur dhe për të filluar të bëni një seri fotografish. “Nëse shikoni një shpend që thjesht po qëndron ulur, përgatituni për shkrepjen dhe kini durim,” thotë Ollie. “Shpesh ky është momenti përpara se të bëjnë diçka interesante!”

2. Si të fotografoni shpendët me një objektiv të gjatë

Një fotograf mban në dorë një objektiv zmadhues telefoto Canon për fotografimin e shpendëve në një zonë pyjore.

Shpesh herë objektivi më i mirë për fotografët fillestarë të shpendëve është një objektiv zmadhues telefoto. Këtu, Ollie po përdor Canon RF 75-300mm F4-5.6, që e lejon të zmadhojë ose zvogëlojë pamjen për të riinkuadruar shkrepjen e tij pa lëvizur. Kjo nuk është e mundur me një objektiv telefoto fiks, që ka vetëm një gjatësi fokale dhe nuk mund të zmadhojë.

Një rosë egjiptiane e fotografuar përballë një sfondi me shkurre dhe pemë, duke përdorur një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 dhe kamerë Canon EOS R100.

Përdorni fleksibilitetin e një objektivi zmadhues për të përfituar sa më shumë nga çdo mundësi për fotografimin e shpendëve, nga pozat panoramike për të treguar shpendin në peizazhin e tij, deri te portretet e shpendëve në plan nga afër. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 300mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 480 mm), 1/500 sek, f/5,6 dhe ISO 5000. © Ollie Olanipekun

Objektivi telefoto është si të përdorni një teleskop vrojtimi ose dylbi për vrojtimin e shpendëve. Ai ka një kënd shikimi më të ngushtë se një objektiv standard kamere, që do të thotë se kap më pak peizazh por e bën shpendin të duket më i madh në fotografi. Kini parasysh që kur e keni zmadhuar kaq shumë, mund të jetë më e vështirë të ndiqni subjektin tuaj.

“I kemi ndihmuar njerëzit me këto këshilla gjatë ecjeve tona,” thotë Ollie. “Ne themi gjithmonë të përdorim sytë për të gjetur shpendin përpara se të nxjerrim dylbitë, dhe unë po përdorja të njëjtën teknikë me kamerën.”

Puna me një objektiv zmadhues si Canon RF 75-300mm F4-5.6 e bën këtë më të lehtë, sepse mund të fillosh nga një pamje e gjerë për të gjetur shpendin përpara se ta zmadhosh për të inkuadruar fotografinë.

“Ishte shumë e shpejtë,” thotë Ollie. “Në telefon zmadhojmë me dy gishta, por zmadhimi me RF 75-300mm F4-5.6 është shumë ergonomik, thjesht e rrotullon dhe afrohet menjëherë.”

3. Shkrepni fotografi më të mprehta të shpendëve

Entuziasti i shpendëve, Ollie Olanipekun mbështet kamerën Canon EOS R100 me objektivin Canon RF 75-300mm F4-5.6 nga një parvaz dritareje i fshehur në një strehë vëzhgimi për shpendët.

Përveçse të ofron një pamje të shkëlqyer për fotografimin e shpendëve, një strehë vëzhgimi për shpendët siguron edhe një mbështetje të qëndrueshme ku të mbaheni për qëndrueshmëri shtesë. Mbani rripin e kamerës të vënë për të qëndruar të sigurt dhe lëreni kamerën të ndezur që të jeni gati të shkrepni çdo lëvizje sapo të ndodhë.

Një objektiv i gjatë ju ndihmon të zmadhoni shpendët që janë larg, por mund t’i bëjë edhe dridhjet e kamerës më të dallueshme. Për ta mbajtur kamerën të qëndrueshme dhe shkrepur imazhe më të mprehta, provoni ta kaloni rripin rreth krahut dhe ta tendosni, të mbani bërrylat e mbledhur, dhe të mbështeteni në diçka të qëndrueshme, si për shembull një mur ose një trung peme.

Nëse shkrepni seri të shkurtra fotografish në vend që të shkrepni çdo herë nga një fotografi, mund të përmirësoni mundësitë tuaja për të kapur një fotografi të mirë. “Mund të kaloni kamerën tuaj në modalitetin "Sport" dhe të mbani shtypur butonin e obturatorit për të shkrepur shumë fotografi,” rekomandon Ollie. “Pastaj, më vonë thjesht zgjidhni të preferuarën tuaj.”

4. Kompozoni fotografi shpendësh si një profesionist

Siluetat e dy zogjve mbi një degë, në qiell të ndritshëm, shkrepur me një kamerë Canon EOS R100 dhe objektiv RF 75-300mm F4-5.6.

Kompozimet e thjeshta ju ndihmojnë të shkrepni fotografi më tërheqëse. Për të krijuar një siluetë zogu si kjo, zmadhoni pamjen dhe fotografoni subjektin tuaj përballë një pjese të ndritshme qielli. Më pas përdorni cilësimin për kompensimin e ekspozimit në kamerë për ta errësuar imazhin, kjo do ta shndërrojë shpendin në një formë të theksuar të zezë. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 300mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 480 mm), 1/500 sek, f/7,1 dhe ISO 200. © Ollie Olanipekun

Një pulëbardhë duke qëndruar në një shtyllë me një peizazh ligatinash, me qiell të vrenjtur në sfond, e fotografuar duke përdorur një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 dhe kamerë Canon EOS R100.

Edhe shpendët që duken të vegjël në kuadër mund të dalin në pah nëse fotografia është e kompozuar mirë. Në këtë rast, sfondi i thjeshtë, mungesa e ngjyrave shpërqendruese dhe konturi i qartë i pulëbardhës ndihmojnë për ta tërhequr vëmendjen te shpendi. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 205mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 328 mm), 1/1300 sek, f/5 dhe ISO 100. © Ollie Olanipekun

Edhe nëse lëvizni me kujdes dhe përdorni një objektiv të gjatë në kamerën tuaj, mund të jetë përsëri e vështirë që t’u afroheni mjaftueshëm shpendëve të egër për të mbushur kuadrin. Por, mund t’i bëni fotografitë tuaja të shpendëve më tërheqëse duke përdorur disa marifete të thjeshta të kompozimit të fotografisë.

Një këshillë e dobishme është të përdorni rregullin e të tretave. Mund të aktivizoni një rrjet 3x3 në inkuadruesin e kamerës suaj, më pas thjesht drejtoni shpendin afër njërës prej pikave ku kryqëzohen një vijë vertikale dhe një horizontale. Kjo shpesh e bën fotografinë të duket më e balancuar se sa vendosja e shpendit në mes.

Përfshirja e elementeve nga mjedisi i shpendit mund t’u japë gjithashtu shikuesve një ndjesi më të mirë të habitatit të tij natyror, sugjeron Ollie. “Kam shkrepur shumë fotografi ku shpendët janë të ulur në degë dhe trungje pemësh. Më pëlqen vërtet ta përfshij këtë kontekst në fotografitë e mia,” thotë ai.

5. Bëhuni krijues me këndet e kamerës

Një tufë bibash të mbledhura së bashku në tokë pranë bregut të një liqeni, shkrepur me një Canon EOS R100.

Nëse uleni në nivelin e tokës mund të shkrepni fotografi emocionuese sy më sy të shpendëve. Thjesht sigurohuni që sfondi direkt pas shpendëve të mos jetë shumë shpërqendrues. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 150mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 240 mm), 1/1300 sek, f/5 dhe ISO 1600. © Ollie Olanipekun

Një patë e egër e fotografuar duke ecur buzë një liqeni, me dallgë të vogla nga pas.

Nëse sfondi mbrapa një shpendi duket i rrëmujshëm ose shpërqendrues, provoni ta ngrini kamerën për ta vendosur shpendin përballë një zone më të pastër. Këtu, pata është vendosur jashtë qendrës me ndihmën e rregullit të të tretave, dhe vijat diagonale e bëjnë gjithashtu fotografinë të duket më dinamike. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 155 mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 248 mm), 1/1300 sek, f/5 dhe ISO 320. © Ollie Olanipekun

Nuk keni pse të fotografoni shpendët nga lartësia në këmbë. Provoni të uleni ose të shtriheni për të qenë sy më sy me shpendët në tokë. Do të përfshini më shumë pjesë të sfondit në fotografinë tuaj, kështu që kontrolloni që të mos ketë degë shpërqendruese ose objekte me ngjyra të ndezura që tërheqin vëmendjen e shikuesit.

“Jam shumë i mësuar që të shkrep nga lartësia në këmbë me telefonin tim,” thotë Ollie, “por kur po përdorja EOS R100 për të fotografuar disa pata kanadeze, po ulesha në gjunjë ose po kërrusesha dhe këndi i ulët i bëri fotografitë të dukeshin shumë më mirë.”

6. Fotografimi i portreteve të shpendëve

Portreti i një pate egjiptiane me një sfond me efekt bokeh të butë që ndihmon duke nxjerr në pah shpendin, shkrepur me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 dhe kamerë EOS R100.

Pata egjiptiane spikat nga sfondi i butë falë cilësimit të zmadhimit të gjatë dhe aperturës së gjerë që ka përdorur Ollie. Kjo krijon një sfond të mrekullueshëm me një efekt bokeh natyral që e ndihmon shpendin të dalë në pah. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 280mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 448 mm), 1/1000 sek, f/5,6 dhe ISO 3200. © Ollie Olanipekun

Nëse mund të afroheni mjaftueshëm për të fotografuar portretin e një shpendi, ia vlen të fokusoheni te detajet e vogla që mund të bëjnë një diferencë të madhe për fotografinë tuaj.

Provoni të përdorni një thellësi të cekët të fushës në mënyrë që shpendi të dalë në pah ndaj sfondit. Për ta bërë këtë, konfigurojeni kamerën tuaj në modalitetin “Aperture Priority ”(Av), më pas zgjidhni numrin më të ulët f të disponueshëm, si për shembull f/4 ose f/5.6. Kjo ju jep aperturën më të gjerë për të ndihmuar që sfondi të turbullohet. Zmadhojeni sa më shumë të mundeni që të mund ta izoloni shpendin në një zonë të vogël të ambientit përreth tij.

Në shumë objektivë zmadhues, apertura më e gjerë e disponueshme ndryshon në varësi të sa larg zmadhoni. Për shembull, me Canon RF 75-300mm F4-5.6, do të keni f/4 në 75 mm dhe f/5,6 në 300 mm. Mos u shqetësoni, nëse po përdorni "Aperture Priority" kamera juaj do të rregullojë cilësimin e aperturës më të gjerë automatikisht teksa zmadhoni.

Sigurohuni që të fokusoheni te syri i shpendit. Kamerat Canon EOS R System si Canon EOS R7 janë të pajisura me fokusimin automatik për zbulimin e syve të kafshës, që mund të zbulojë dhe fokusohet automatikisht te syri i shpendit, edhe kur shkrepni fotografi të shpendëve në fluturim. Nëse po përdorni një nga modalitetet e avancuara të fotografimit të kamerës, mund të lëvizni gjithashtu pikën e fokusimit manualisht për ta drejtuar me syrin.

“Zakonisht pika e fokusimit është e kyçur në mes,” thotë Ollie, “por nëse mund ta lëvizni në kuadër, do të thotë që mund ta mbani fokusin te shpendi pa e lëvizur kamerën.” Kjo ju jep më shumë liri krijuese: “Nëse doni të fokusoheni në një shpend në pjesën e sipërme majtas të fotografisë, mund ta bëni pa qenë nevoja që të riinkuadroni të gjithë fotografinë.”

7. Shkrepja e fotografive të shpendëve në lëvizje

Dy zogj të vegjël duke ecur teksa hanë bar, fotografuar me një kamerë Canon EOS R100 dhe objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6.

Kur kamera juaj është caktuar në "Continuous shooting", mund të mbani butonin e obturatorit të shtypur për të shkrepur një seri fotografish. Kjo përmirëson mundësitë tuaja për të shkrepur fotografinë e mprehtë të përsosur. Shkrepur me Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF 75-300mm F4-5.6 në 250mm (gjatësia fokale ekuivalente me 35 mm: 400 mm), 1/800 sek, f/5,6 dhe ISO 2500. © Ollie Olanipekun

Në mënyrë që të ruani mprehtësinë në fotografitë e zogjve duke vrapuar, duke ngrënë ose duke fluturuar provoni të lëvizni ose panoramoni kamerën në të njëjtën shpejtësi me shpendin. Do ju duhet gjithashtu të përdorni vetëfokusimin e vazhdueshëm në mënyrë që kamera të mund të ndjekë shpendin teksa lëviz. Modaliteti "Sports" kujdeset për këtë automatikisht për ju, por nëse po përdorni "Aperture Priority" ose një modalitet tjetër të avancuar për fotografimin e shpendëve, sigurohuni që ta caktoni vetëfokusimin në Servo AF.

Ollie rekomandon që të fotografoni në mënyrë të vazhdueshme, do ju duhet ta caktoni modalitetin “Drive” të kamerës në “Continuous shooting” për ta bërë këtë, pavarësisht se modaliteti "Sports" e bën këtë si parazgjedhje. “Mos u shqetësoni që të arrini menjëherë fotografinë e përsosur, thjesht vazhdoni të shkrepni,” këshillon ai. “Mund të habiteni nga shkrepjet që keni bërë kur keni qenë të gatshëm të shkrepni pa pushim. Kur kam parë përsëri fotografitë e mia kam vënë re detaje që i kam humbur plotësisht kur kam qenë duke shkrepur.”



Shkruar nga Marcus Hawkins

Produkte të ngjashme

  • EOS R100

    Krijoni kujtime të përsosura vizuale në cilësi të jashtëzakonshme me këtë kamerë intuitive EOS R që është gjithnjë gati.
  • EOS R10

    Kryeni hapat tuaja të radhës në fotografi dhe video me një kamerë pa pasqyra EOS R System të krijuar rreth një sensori madhësie APS-C.
  • EOS R7

    Eksploroni natyrën me një kamerë që vjen me shpejtësi dhe cilësi sensacionale figure në një trup portativ APS-C të projektuar për të ardhmen.
  • RF 75-300mm F4-5.6

    Objektiv zmadhues me telefoto, ekonomik dhe me peshë të lehtë për faunën e egër, sportet dhe aventurat me familjen.
  • RF 100-400mm F5.6-8 IS USM

    Një objektiv fleksibël, kompakt dhe peshëlehtë RF 100-400mm me fotostabilizim 5.5-nivelësh për shkrepjen e natyrës dhe të aksionit pa u rënduar nga pesha.
  • RF 600mm F11 IS STM

    Një objektiv revolucionar supertelefoto që është kompakt e peshëlehtë, ideal për natyrën e egër, udhëtimet në natyrë apo fotografët që gjurmojnë trenat.

Artikuj të ngjashëm

Këshilla për fotografimin e faunës së egër

Fotografja profesioniste, Dani Connor, tregon këshillat e saj më të mira për sukses profesional me një aspirant të ri të fotografisë së faunës së egër.

Objektivat optimalë ekonomikë për fotografinë e natyrës

Shkrepni fotografi mahnitëse të kafshëve dhe shpendëve të egra me këta objektivë ekonomikë zmadhues Canon RF dhe RF-S, me gjatësi fokale fikse.

Realizoni fotografi të mrekullueshme të faunës së egër dhe frymëzoni ruajtjen e natyrës

Këshilla nga ekspertë për të përmirësuar fotografinë e faunës së egër dhe për të promovuar ruajtjen e natyrës.

Fotografimi i shpendëve me RF 200-800mm F6.3-9 IS USM

Një fotograf profesionist dhe një amator bashkohen për të testuar RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në terren.