Objektivat më të mira për Canon EOS R100: Përmirësime ekonomike për fotografët premtues

Katër objektiva që ju ndihmojnë të përfitoni më shumë nga kamera juaj: realizoni portrete me sfond të turbulluar e të butë, kapni aksione sportive jashtë fushës sportive, përfshini më shumë nga skena në kuadër dhe jo vetëm.
Kamerë Canon EOS R100 mbi një sipërfaqe betoni, me një objektiv telefoto Canon RF 75–300mm F4–5.6 dhe një objektiv zmadhues RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM përkrah saj.

Canon EOS R100 jo vetëm që është i lehtë për t'u përdorur, por është edhe një nga mënyrat më ekonomike për të hyrë në sistemin e fuqishëm pa pasqyra të EOS R System. Objektivi i kompletit që vjen me kamerën është një pikënisje e shkëlqyer për të mësuar bazat, duke ju ndihmuar të kuptoni se si zmadhimi, drita dhe kompozimi punojnë së bashku për të krijuar lloje të ndryshme imazhesh dhe efektesh.

Megjithatë, mund të dëshironi të hidhni hapin e radhës. Siç shpjegon Menaxheri i Produktit për Evropën i Canon-it, Mark Kendrick, “Një objektiv kompleti ju ndihmon të zbuloni se çfarë ju pëlqen të fotografoni, por kur filloni të mendoni në mënyrë më krijuese dhe doni ta sfidoni veten, një objektiv shtesë ju ndihmon vërtet.”

Pasi të keni mësuar bazat me EOS R100, shtimi i një objektivi të dytë është mënyra më e thjeshtë për të parë një përmirësim të menjëhershëm në fotografinë tuaj. Ai zhbllokon potencialin e plotë të sensorit APS-C, duke ju lejuar të eksploroni efekte krijuese si sfondet e turbulluara lehtësisht, peizazhet masive ose veprimet në distancë.

Ja katër objektiva ekonomike RF dhe RF-S të Canon-it që do t'ju ndihmojnë të përfitoni më shumë nga EOS R100.

Objektivi më i mirë i përmirësuar për portrete: Canon RF 50mm F1.8 STM

Fotografi portreti e një gruaje në ambient të jashtëm me stil flokësh afrikan, me një majë mali të thepisur, gjelbërim dhe gjethe të një peme palme jashtë fokusit në sfond, e shkrepur me objektivin Canon RF 50mm F1.8 STM.

Objektivi fiks RF 50mm F1.8 STM i sjell portretet në jetë me një sfond të turbulluar bukur dhe lehtë, dhe detaje të qarta, duke ju ndihmuar të krijoni imazhe që duken natyrale, por njëkohësisht profesionale. Shkrepur me Canon EOS R50 me objektivin Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/1.600 sek, f/2 dhe ISO 100.

Kompakt, ekonomik dhe shumë i mprehtë, RF 50mm F1.8 STM shpesh është përmirësimi i parë për këdo që është gati të kalojë përtej objektivit të kompletit. Apertura e ndritshme f/1.8 lejon hyrje më të madhe të dritës, duke e bërë të përsosur për portrete në ambiente të brendshme në ndriçim të ulët, duke shkrepur me shpejtësi më të ulët të obturatorit, si dhe krijon sfondin e turbulluar butësisht.

Kjo e bën atë një zgjedhje të pëlqyer nga fillestarët që kanë dëshirë që fotografitë e tyre të spikatin pa shpenzuar shumë para. Siç shpjegon Marku, "Ju ofron shumë më shumë mundësi krijuese. Është një gjatësi fokale tejet e njohur për portrete dhe, madje edhe nëse e prisni për të qenë në plan më të afërt, do të merrni një pamje të qartë dhe profesionale.”

Përveç portreteve, RF 50mm F1.8 STM funksionon më së miri edhe për fotografi ushqimesh, kafshësh shtëpiake dhe fotografi të natyrës së qetë, duke ju ofruar imazhe me një thellësi kinematografike që i sjell ato në jetë.

Objektivi më i mirë i përmirësuar me kënd të gjerë: Canon RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM

Një grua veshur me fustan rozë të çelët që pozon mbi një rrugë të lagur, përpara një ndërtese në formën e një breshke gjigante. Fotografuar me një objektiv me kënd të gjerë Canon RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM.

Me fushëpamjen e tij ultra të gjerë, objektivi RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM kap historinë e plotë, nga peizazhet masive dhe arkitektura mbresëlënëse te skenat dinamike të udhëtimit plot thellësi dhe perspektivë. Shkrepur me Canon EOS R50 me objektivin Canon RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM në 10 mm, 1/60 sek, f/5.6 dhe ISO 100.

Pamje me kënd të gjerë e një gruaje që qëndron në një akuarium nënujor në formë tuneli, me shumë peshq që notojnë në sipërfaqe, e shkrepur me objektivin zmadhues me kënd të gjerë Canon RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM.

Kapni përvojën e plotë të vendeve që vizitoni, me stabilizim të integruar të imazhit për të patur një fotografi të qartë edhe kur fotografoni dorazi në dritë të ulët. Shkrepur me Canon EOS R50 me objektivin Canon RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM në 10 mm, 1/50 sek, f/5.6 dhe ISO 6400.

Nëse ju pëlqen të fotografoni skena udhëtimesh, peizazhe qytetesh ose ambiente të brendshme, RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM është me të vërtetë revolucionar. Me peshë të lehtë dhe ekonomik, ai ofron një fushëpamje të gjerë, që përfshin gjithçka. Mund të fotografoni katedrale të larta, tregje plot gjallëri ose fotografi familjare në grup, me perspektivë natyrale dhe qartësi mahnitëse.

Për shumë përdorues EOS R100, ky është objektivi që shpalos një këndvështrim të ri rreth botës. "RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM ju jep një pikëpamje tjetër për gjërat," shprehet Marku. “Ju lejon të fotografoni kaq shumë dhe, madje përfshin një modalitet gjysmëmakroje kështu që mund të afroheni për të fotografuar detaje të imta në subjekte si lulet ose ushqimi.”

Për më tepër, stabilizimi i integruar i imazhit (IS) bën që fotografitë tuaja të jenë të qëndrueshme kur fotografoni dorazi, duke e bërë ideale për fotografitë e udhëtimeve dhe ato spontane në rrugë.

Objektivi më i mirë zmadhues për përdorim të përditshëm: Canon RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM

Një grua veshur me fustan të verdhë që ecën përgjatë një shtegu të shtruar me palma që shtrihet në distancë, me një kështjellë guri në sfond. Fotografi udhëtimi e shkrepur me objektivin zmadhues Canon RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM.

Kompakt dhe fleksibël, objektivi RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM është projektuar për aventurat e përditshme, ideal për të zotëruar kompozimin dhe inkuadrimin pa i shtuar peshë çantës suaj. Shkrepur me Canon EOS R10 me objektivin Canon RF-S 18-45mm F4.5-6.3 IS STM në 18mm, 1/1 000 sek, f/5.6 dhe ISO 100.

Dy valltarë flamenkoje pozojnë përpara një shatërvani në një oborr me dysheme me pllaka dhe kolona me ngjyrë portokalli të ndezur pas tyre. Fotografi udhëtimi e shkrepur me objektivin zmadhues Canon RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM.

Kur fotografoni dorazi dhe duhet të lëvizni shpejt për të kapur momentin, stabilizimi optik i imazhit në objektivin RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM do të ekuilibrojë dridhjet e kamerës dhe do t’ju ndihmojë të shkrepni fotografi të qarta. Shkrepur me Canon EOS R10 me objektivin Canon RF-S 18-45mm F4.5-6.3 IS STM në 18mm, 1/250 sek, f/4.5 dhe ISO 1250.

Mund ta keni marrë këtë objektiv së bashku me aparatin tuaj EOS R100 dhe ndonëse shumë fotografë shtojnë objektiva të tjera me kalimin e kohës, objektivi RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM mbetet një zgjedhje jashtëzakonisht fleksibël, që do të vazhdoni ta përdorni. Ai mbulon gjithçka, nga peizazhet e gjera deri te portretet e rastësishme, duke e bërë objektivin ideal për shkrepje të përditshme.

Në vend që ta zëvendësojnë, objektivat tuaja të ardhshme do ta plotësojnë atë, duke ju dhënë më shumë rreze, kënde më të gjera ose thellësi më të cekët fushe kur ju nevojitet. Të projektuar posaçërisht për kamerat APS-C si EOS R100 dhe me stabilizim të integruar të imazhit, RF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM ofron rezultate të qarta dhe të besueshme, në paketim me peshë të lehtë që balancohet në mënyrë të përsosur me kamerën.

Nëse ende jeni duke zbuluar stilin tuaj të fotografimit, ky objektiv është shoqëruesi juaj më fleksibël për ditët me familjen, pushimet dhe krijimtarinë e përditshme.

Objektivi më i mirë për afërsi më të madhe: Canon RF 75–300mm F4–5.6

Fotografi e një futbollisti të ri në aksion, veshur me uniformë të kuqe, që është gati për të goditur topin në lartësinë e kofshës, me lojtarë të tjerë të dukshëm në fushë, e shkrepur me objektivin zmadhues Canon RF 75–300mm F4–5.6.

Afroni subjektet e largëta me objektivin telefoto RF 75–300mm F4-5.6: është i përsosur për të fotografuar ditët sportive, faunën e egër ose çaste nga udhëtimi me detaje që kamera e smarfonit tuaj nuk mund t’i kapë. Shkrepur me Canon EOS R100 me objektivin Canon RF 75–300mm F4–5.6 në 155 mm, 1/800 sek, f/5,6 dhe ISO 400.

Për subjekte të largëta, si ditët sportive, fauna e egër, udhëtimet ose ngjarjet në shkollë, RF 75–300mm F4-5.6 ju lejon ta mbushni kuadrin me detaje nga larg, duke kapur imazhe të qarta dhe të mprehta në të gjithë diapazonin e tij. Ai është “hapi i ardhshëm” për zotëruesit e EOS R100, të cilët dëshirojnë të fotografojnë subjekte, të cilave nuk mund t’u afrohen fizikisht.

“Nëse e keni tashmëRF-S 18–45mm F4.5–6.3 IS STM, që është objektivi standard i kompletit për EOS R100, atëherë RF 75–300mm F4–5.6 sjell kapërcimin më të madh në atë që mund të fotografoni, vetëm me një objektiv shtesë,” thotë Marku. "Ai shpalos vërtet potencialin tuaj krijues, veçanërisht për subjektet në distancë."

Është gjithashtu një nga mënyrat më ekonomike për të eksploruar fotografinë telefoto, duke e bërë ideale për përdoruesit EOS R100, të cilët thjesht duan të eksperimentojnë me zmadhimin telefoto për herë të parë.

Rrezja e gjatë e këtij objektivi e bën të përsosur për të kapur ndeshjet sportive të fëmijëve ose faunën e egër në dritë të fortë natyrale, kur nuk mund të afroheni fizikisht me subjektin. Edhe pa stabilizimin e imazhit, ai performon në mënyrë mbresëlënëse në ndriçim të mirë dhe shpalos një botë të tërë të re për inkuadrim dhe kompozim krijues nga distanca.

Gjeni objektivin tuaj të ardhshëm

Një grua e buzëqeshur veshur me këmishë të bardhë që mban një Canon EOS R100, duke e drejtuar drejt dy personave që janë jashtë fokusit në plan të parë dhe duken nga mbrapa.

Ndërrimi i vetëm i një objektivi mund të transformojë atë që fotografoni dhe çdo objektiv në gamën RF/RF-S të Canon-it është projektuar për t’ju mundësuar të eksploroni stile të reja krijuese, nga fotografitë e gjera të peizazheve te portretet shprehëse dhe për t’u sjellë më pranë aksionit.

Fotografia është më shumë sesa vetëm të regjistrosh atë që sheh - ka të bëjë me kapjen e ndjesisë. Dhe, me objektivin e duhur, EOS R100 mund t’i shndërrojë çastet e përditshme në diçka vërtet të paharrueshme. Qoftë shkëlqimi i efektit bokeh të dritave të qytetit përmes një objektivi me kënd të gjerë, shprehia në fytyrën e fëmijës suaj përmes një objektivi 50 mm apo një zog në fluturim i inkuadruar nga një objektiv telefoto, çdo objektiv ju ofron një mënyrë të re për të rrëfyer historinë tuaj.

“Investimi në një objektiv të dytë është një investim më i mirë sesa përmirësimi i trupit të kamerës, nëse për momentin keni vetëm një objektiv,” shpjegon Marku. Është një hap i vogël që mund të ndryshojë mënyrën se si e shihni botën, si dhe mënyrën si e fotografoni atë.

Artikuj të ngjashëm

Objektivat më të mirë për t’u përmirësuar nga një objektiv standard

Dëshironi të përmirësoheni nga objektivi standard që ka ardhur bashkë me kamerën tuaj? Ja çfarë të keni parasysh dhe pesë objektiva të shkëlqyer zmadhimi për opsione më krijuese.

Kamerat dhe objektivët më të mirë për udhëtime

Pavarësisht nëse jeni duke eksploruar rrugët e qytetit ose terrenet e thyera rurale, apo nëse po niseni për në anën tjetër të botës, ia vlen të udhëtoni pa shumë bagazhe. Ja kompleti më ideal i Canon për të kapur përvojat, pa e tejkaluar buxhetin tuaj.

Këshilla të fotografisë me efekt Bokeh: një udhëzues për fillestarët

Çfarë është me saktësi efekti “Bokeh” dhe si mund ta bëni që të funksionojë për ju? Hidhini një sy udhëzuesit tonë për kompletet, teknikat dhe cilësimet më të mira.

Këshilla për fotografimin e shpendëve për fillestarët

Hidhni hapat e parë në fotografimin e shpendëve me kompletin Canon të përshtatshëm për fillestarët dhe teknikat e thjeshta për poza më të mira.