Inkuadroni më shumë: Objektivë ekonomikë për të kapur një panoramë më të madhe

Nëse ju nevojitet një fushëpamje e gjerë, për të kapur një peizazh masiv, një skenë rruge plot gjallëri, një ambient të madh të brendshëm, ose edhe një grup miqsh, ju vjen në ndihmë objektivi me kënd të gjerë për të inkuadruar gjithçka.
Një fotografi e një peizazhi të gjerë, shkrepur në Lake District të MB-së nga Verity Mulligan, duke përdorur një objektiv me kënd të gjerë Canon RF 15-30mm F4.5-6.3 IS STM. © Verity Mulligan

Natyra fantastike, udhëtimet familjare, pushimet në qytet; disa momente janë tepër të mëdha për t'u inkuadruar. Nëse ndonjëherë ju duket sikur objektivi i kompletit nuk mund të shtrihet mjaftueshëm larg, ndoshta ka ardhur koha të eksploroni gamën e objektivëve me kënd të gjerë të Canon që janë projektuar për t'ju ndihmuar të përfshini më shumë në kuadër. Qoftë panorama e një peizazhi malor, arkitektura e ndërlikuar e një katedraleje, apo energjia e një tregu të populluar në rrugë, objektivët me kënd të gjerë dhe ultra të gjerë ju mundësojnë të kapni panoramën e plotë, ashtu siç e shihni me sytë tuaj.

Përfitimet e objektivëve me kënd të gjerë

Kur fotografët flasin rreth "këndit të gjerë", ata u referohen objektivëve që kapin më shumë nga panorama brenda një kuadri të vetëm. Një gjatësi më e vogël fokale në milimetra nënkupton një fushëpamje më të gjerë, ndaj objektivët 16 mm përfshijnë më shumë nga panorama sesa objektivët 50 mm kur fotografoni nga i njëjti vend. Në përgjithësi, objektivët me gjatësi fokale deri në përafërsisht 35 mm zakonisht konsiderohen si objektivë me kënd të gjerë. Objektivët me gjatësi fokale nën 24 mm ndonjëherë njihen si objektivë "ultra të gjerë".

Krahasoni një fotografi peizazhi të shkrepur me objektivin e kompletit tuaj me të njëjtën panoramë të kapur nga një objektiv me kënd të gjerë dhe ndryshimi vihet re menjëherë: më shumë shkallëzim, më shumë atmosferë dhe më shumë histori në çdo kuadër. Me gamën në rritje të objektivëve kompaktë e të lehtë me kënd të gjerë të Canon, nuk ka qenë kurrë më e lehtë se tani për të udhëtuar lehtë dhe për të fotografuar momente të mëdha.

Pamje nga një pikë e lartë vrojtimi drejt detit të hapur mbi gjelbërimin e harlisur dhe një rrugë të ngritur që çan përmes tij. Fotografuar me një objektiv kompleti Canon RF 24-105mm F4L IS USM.

Një skenë e fotografuar me objektivin e kompletit. Ju do të ishit tejet të lumtur që ta kishit këtë pamje si kujtim të udhëtimit... por a është aq bindëse sa vetë panorama reale? Shkrepur me Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4L IS USM në 24 mm, 1/160 sek., f/11 dhe ISO 200.

E njëjta skenë, me pamje drejt detit mbi gjelbërimin e harlisur dhe një rrugë të ngritur që çan përmes tij, por me një perspektivë dukshëm më të gjerë. Fotografuar me një objektiv me kënd të gjerë Canon RF 15–30mm F4.5-6.3 IS STM.

E njëjta skenë e fotografuar me një objektiv me kënd të gjerë të Canon. Vini re se si objektivi kap më shumë nga mjedisi përreth dhe përmirëson thellësinë dhe atmosferën, duke ju dhënë një ndjesi më reale të ambientit. Shkrepur me kamerën Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 15-30mm F4.5-6,3 IS STM në 15 mm, 1/160 sek., f/11 dhe ISO 200.

Për më tepër, një objektiv me kënd të gjerë do të prodhojë një imazh dukshëm më të mprehtë të panoramës, pasi në thelb, ka rreze më të madhe qartësie krahasuar me objektivët standardë ose telefoto në të njëjtën aperturë. Kjo nënkupton se, kur fotografoni ambiente të brendshme, ju mund të përdorni një aperturë më të gjerë për të kapur më shumë dritë ndërkohë që vijoni të mbani në fokus subjektin.

Kamerat pa pasqyrë EOS R System të Canon kanë mundësuar një gjeneratë të re të objektivëve me kënd të gjerë. Dizajni i tyre ndihmon në reduktimin e përthyerjes së rrezeve të dritës kur kalojnë përmes objektivit, sidomos në pjesën periferike të kuadrit, gjë e cila redukton devijimet dhe rrit cilësinë e përgjithshme të imazhit, duke përmirësuar mprehtësinë nga këndi në kënd dhe duke minimizuar zbehjen e dritës.

Përveç kësaj, kjo nënkupton gjithashtu se objektivët kërkojnë më pak elemente korrigjuese, çka mundëson projektimin e objektivëve më të thjeshtë e më kompakt me kënd të gjerë, të cilët janë të një cilësie më të lartë. Gjithashtu, falë gjerësisë së brezit të të dhënave dhe shpejtësisë së mbërthyeses RF, të gjitha kamerat EOS R System dhe objektivët RF/RF-S mund të komunikojnë në kohë reale për të aplikuar korrigjime brenda kamerës në bazë të profilit specifik optik të objektivit, duke minimizuar çdo deformim të mbetur për t'ju dhënë pamje të gjera dramatike që duken të pastra, reale dhe të gjalla.

Një peizazh deti në një ditë me diell në një plazh ranor, ku lart ndodhet qielli i shndritshëm blu, ndërsa ishujt me gjelbërim të dendur shtrihen në ujë. Fotografuar me objektivin me kënd të gjerë Canon RF 16mm F2.8 STM.

Pavarësisht nëse po fotografoni një bregdet të gjerë ose një kafene të vogël, objektivat me kënd të gjerë të Canon ju ndihmojnë të theksoni ndjesinë e hapësirës dhe të perspektivës. Shkrepur me Canon EOS R6 me objektivin Canon RF 16mm F2.8 STM në 1/250 sek., f/11 dhe ISO 100.

Një grua e re që filmon veten me një kamerë Canon me objektiv Canon RF 16mm F2.8 STM, duke qëndruar në cepin e një barke të ankoruar pranë një skele druri.

Videoblogerja e udhëtimeve, Chloe Gunning, zbuloi se objektivi ekonomik ultra i gjerë RF 16mm F2.8 STM ishte ideal për kapjen e mjedisit përreth saj ndërkohë që ajo eksploronte qytetin e Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar. "Mund të tregoj histori vërtet fantastike nga ana vizuale kur shikuesit mund të shikojnë kaq shumë nga destinacioni rreth meje ndërsa jam duke folur për të", komenton ajo. Gjithashtu, është shumë i thjeshtë për ta marrë me vete pasi peshon vetëm 165 g.

Kur duhen përdorur objektivët me kënd të gjerë

Ashtu siç shpjegon Menaxheri i Produktit për Evropën i Canon, Mark Kendrick, objektivët me kënd të gjerë janë mjete shtesë veçanërisht të fuqishme për fotografimin e udhëtimeve dhe të aventurave. "Kur ju udhëtoni, shpeshherë mbani me vete çanta të rënda dhe nuk dëshironi peshë shtesë", thotë ai. "Objektivët si Canon RF 16mm F2.8 STM dhe RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM janë të dy shumë të vegjël dhe të lehtë, ndaj mund t'i merrni me vete kudo.

"Objektivi 16 mm është i shkëlqyer për kapjen e ambienteve të brendshme dhe peizazheve masive, ndërsa nëse po përdorni një kamerë APS-C, objektivi 10–18 mm ju lejon të kapni pamje edhe më të gjera ose të zmadhoni pamjen gradualisht deri në 18 mm, gjë e cila është e dobishme për të gjitha llojet e panoramave, nga rrugët e qytetit e deri te tregjet vendase."

Qoftë në ambientet e brendshme, në fotografinë arkitekturore apo të mjediseve të brendshme, objektivi me kënd të gjerë i Canon ju ndihmon të ruani vija të drejta dhe ndriçim të balancuar për të shmangur shtrembërimin e perspektivave ose prerjen e momenteve kryesore që ndodhin rëndom tek objektivët e telefonave.

Një fotografi në grup e njerëzve të mbledhur rreth një skulpture të madhe në formë bananeje në një shesh të shtruar ku bien rrezet e diellit dhe me detin që duket në sfond. Fotografuar me objektivin me kënd të gjerë Canon RF 16mm F2.8 STM.

Objektivët me kënd të gjerë i bëjnë fotografitë në grup të duken të hapura dhe të relaksuara, duke inkuadruar këdo pa i shtyrë fytyrat nëpër cepa dhe pa deformuar përmasat. Shkrepur me Canon EOS R6 me objektivin Canon RF 16mm F2.8 STM në 1/500 sek., f/8 dhe ISO 200.

Një grua duke u stërvitur me një shirit rezistence për ushtrime ne një ndërtesë të braktisur me mure, shufra dhe shtylla prej betoni. Fotografuar me një objektiv me kënd të gjerë Canon RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM.

Dizajni i avancuar optik i Canon siguron detaje të qarta në kuadër, duke i bërë objektivët me kënd të gjerë si RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM idealë për arkitekturën, ambientet e brendshme, ose për çdo fotografi, ku kapja e detajeve të mjedisit përreth është po aq e rëndësishme sa personi që po fotografoni. Shkrepur me Canon EOS R50 me objektivin Canon RF-S 10-18mm F4.5-6.3 IS STM në 17mm, 1/640 sek, f/6.3 dhe ISO 800.

Për fotografitë në grup, objektivët me kënd të gjerë krijojnë një ndjesi më të natyrshme përfshirjeje, duke i inkuadruar të gjithë pa i detyruar që të shkojnë nëpër cepa, aty ku objektivët e smartfonëve kanë tendencën t'i zgjerojnë fytyrat.

Madje edhe për qiellin gjatë natës dhe astrofotografinë, aperturat e shpejta dhe sensorët më të mëdhenj të Canon e bëjnë vërtet dallimin, duke reduktuar zhurmën dhe zbuluar më shumë detaje, ndërsa imazhet e telefonit mund të turbullohen ose të humbasin fokusin.

Një grua duke qëndruar sipër shkallëve të pjerrëta, me ndërtesa pranë njëra-tjetrës dhe të dekoruara plot ngjyra që shtrihen në distancën poshtë saj. Fotografuar me një objektiv me kënd të gjerë Canon RF-S 10–18mm F4.5-6.3 IS STM.

Objektivi RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM ofron fleksibilitet për fotografitë e udhëtimeve dhe të përditshme, duke ju mundësuar që të tregoni historinë e plotë të një vendi pa qenë e nevojshme të bëni hapa pas, ose pa prerë detajet që e bëjnë atë të veçantë. Shkrepur me Canon EOS R50 me objektivin Canon RF-S 10-18mm F4.5-6.3 IS STM në 10mm, 1/125 sek, f/5.6 dhe ISO 200.

Një skenë e rrugëve natën që tregon rrugën me kalldrëm, ndërtesat me fasada guri dhe një kopsht që përmban koka të skalitura me gjelbërim në vend të flokëve, të gjitha këto të kapura në detaje të mprehta. Fotografuar me objektivin Canon RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM.

Stabilizimi optik i imazhit në objektivin RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM ju ndihmon që ta kapni panoramën edhe nëse po fotografoni dorazi në ndriçim të ulët. Shkrepur me Canon EOS R50 me objektivin Canon RF-S 10-18mm F4.5-6.3 IS STM në 10mm, 1/20 sek, f/4.5 dhe ISO 6400.

Objektivët kryesorë për përfshirje më të madhe

Me objektivët me kënd të gjerë të Canon, ju nuk po kapni thjesht pamjen, ju po kapni ndjesinë e të qenit aty të pranishëm.

Objektivi më i mirë ekonomik me kënd të gjerë për peizazhe dhe udhëtime: Canon RF 16mm F2.8 STM

Nëse dëshironi diçka të thjeshtë dhe inteligjente, objektivi Canon RF 16mm F2.8 STM është një objektiv fiks kompakt dhe i lehtë (gjatësi fokale fikse) që funksionon në mënyrë perfekte në ndriçim të ulët dhe prodhon rezultate mahnitëse në hapësira të ngushta. Për peizazhet dhe udhëtimet, objektivi RF 16mm F2.8 STM mundëson kapjen e një pjese më të madhe të panoramës pa qenë e nevojshme të bëni hapa pas, ndërsa apertura e tij e shndritshme e mban qiellin të qartë dhe ngjyrat të gjalla, të cilat shpeshherë sheshohen nga një kamerë smartfoni përmes kompresimit digjital.

Objektivi më i mirë ekonomik me kënd të gjerë për situata të gjithanshme: Canon RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM

Për fleksibilitet, objektivi zmadhues RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM mbulon një diapazon të gjatësisë fokale nga ultra të gjerë deri në mesatarisht të gjerë, duke ju dhënë fleksibilitetin për të kaluar nga peizazhet e gjera te pamjet nga afër. "Për shkrepje krijuese, si p.sh. detajet e tregjeve, të ushqimeve, ose të rrugës, ky objektiv ka një modalitet makro 0.5x, gjë që nënkupton se ju mund të kapni më shumë detaje brenda panoramës më të gjerë ose të synoni perspektiva unike nga afër. Është vërtet i gjithanshëm", thotë Mark.

Objektivi më i mirë ekonomik me kënd të gjerë për kamerat me kuadër të plotë: Canon RF 15–30mm F4.5-6.3 IS STM

Nëse po fotografoni me një kamerë me kuadër të plotë, objektivi Canon RF 15–30mm F4.5-6.3 IS STM është i duhuri për pamjet e gjera dhe të detajuara. Ky objektiv ofron një fushëpamje të ngjashme me atë të objektivit RF-S 10–18mm F4.5–6.3 IS STM në kamerat APS-C, por akoma edhe më të gjerë, përmes optikës së avancuar të Canon, duke siguruar mprehtësi dhe deformim minimal përgjatë gamës së zmadhimit, pavarësisht nëse po fotografoni peizazhe, arkitekturë, ose panorama të udhëtimeve të përditshme.

Ndonëse objektivi RF 15–30mm F4.5-6.3 IS STM është projektuar për aparatet me kuadër të plotë, ai gjithashtu funksionon lehtësisht me kamerat APS-C, në të cilat realizon një fushëpamje të barasvlershme me objektivat me kuadër të plotë 24-48 mm. Kjo është ideale për shumë prej kompozimeve nga të gjera në standarde.


Me pak fjalë, një objektiv me kënd të gjerë jo vetëm që inkuadron më tepër, por ju jep më shumë liri për të treguar historinë e plotë të një vendi. Në vend që të prisni pjesë të një panorame ose të bëni hapa pas derisa të inkuadroni çdo gjë, ju mund të qëndroni aty ku ndodh momenti dhe sërish të përfshini ndjesinë e plotë të përmasës, hapësirës dhe atmosferës që ju tërhoqi fillimisht për ta bërë atë fotografi.

Artikuj të ngjashëm

Objektivat më të mirë për peizazhe

I gjithë informacioni që ju nevojitet për t'ju ndihmuar të zgjidhni objektiva ekonomikë fiksë dhe zmadhues.

Këshilla kryesore për peizazhet

Zbuloni teknikat e fotografimit për t'ju ndihmuar t'i shpini fotot tuaja të peizazhit në nivel tjetër.

Kamerat dhe objektivët më të mirë për udhëtime

Pavarësisht nëse jeni duke eksploruar rrugët e qytetit ose terrenet e thyera rurale, apo nëse po niseni për në anën tjetër të botës, ia vlen të udhëtoni pa shumë bagazhe. Ja kompleti më ideal i Canon për të kapur përvojat, pa e tejkaluar buxhetin tuaj.

Këshilla për fotografinë e peizazheve detare

Mësoni se si të shkrepni foto mahnitëse të peizazheve detare me këshillat tona profesionale për realizimin e fotografive më cilësore të peizazheve detare.