Të qëndrosh jashtë natën duke parë yjet është një eksperiencë vërtet magjike. Ditët e sotme, falë avancimeve në teknologjinë e kamerave, është më e lehtë se kurrë të dilni në natyrë dhe të shkrepni mrekullinë e qiellit të natës.
Këtu eksplorojmë se si funksionon astrofotografia, pajisjet e nevojshme për fotografinë e natës, duke përfshirë imazhet me interval dhe imazhet me gjurmë yjore, si dhe teknikat dhe cilësimet më të mira të kamerës për fotografinë e natës.
Astrofotografia: këshilla për fotografinë e qiellit të natës dhe të yjeve
1. Kontrolloni parashikimin e motit
Astrofotografia kërkon durim dhe pak kërkim. Për të arritur rezultatet më të mira, duhet të gjeni kombinimin ideal të motit, vendit, orës dhe datës. Shkrepur në Canon EOS R5 (pasuar tani nga EOS R5 Mark II) me një objektiv Canon RF 15-35mm F2.8L IS USM në 22mm, 8 sek, f/3,5 dhe ISO1250. © Ulla Lohmann
Para se të dilni për të fotografuar, mos harroni të kontrolloni motin pasi ju duhet një qiell i pastër gjatë natës për të realizuar fotografi të pastër të yjeve. Duke pasur parasysh këtë, mbulimi i pjesshëm me re mund të shtojë në fakt atmosferë në fotot tuaja të qiellit të natës, ndaj jini krijues dhe përdoreni motin në avantazhin tuaj. Mbani një sy nga era: nëse retë janë relativisht të palëvizshme nuk do të duken shumë të turbullta në poza ku përdorni ekspozim të gjatë.
Merrni bateri dhe karta memorieje rezervë, një elektrik koke dhe rroba të ngrohta. Mos harroni t'i mbani bateritë në xhepa pasi shkarkohen më shpejt kur ekspozohen ndaj të ftohtit.
2. Gjeni vendndodhjen e duhur dhe zgjidhni orën e duhur
Yjet dhe Udha e bukur e Qumështit sidomos, shikohen me vështirësi në vende që kanë dritë. Udhëtimi në periferitë apo zonat me natyrë atypari ju jep një avantazh të madh kur fotografoni qiellin e natës. Shkrepur në Canon EOS R5 Mark II me një objektiv Canon RF 14mm F1.4L VCM, 140 sek, f/1.4 dhe ISO5000. © Radoslav Sviretsov
Për të realizuar fotografitë më të mira të qiellit të natës, do të duhet t'i drejtoheni natyrës dhe larg nga ndërhyrjet e dritave. Një gamë burimesh në internet, si hartat e ndriçimit të qiellit nga drita artificiale dhe shkalla Bortle, mund të përdoren për të identifikuar zonat që janë të përshtatshme për fotografi. Kërkoni për një vend të qetë pa ndriçim artificial. Dritat e qytetit ua kalojnë yjeve, por kështu ndodh edhe nëse ka hënë të plotë apo edhe gjysmë, ndaj kontrolloni kalendarin tuaj hënor kur planifikoni shkrepjen tuaj të yjeve.
Koha më e mirë për të fotografuar Udhën e Qumështit në hemisferën veriore është midis marsit dhe shtatorit, kur shfaqet më lart në qiell. Synoni të shkrepni mes mesnatës dhe 5 të mëngjesit, idealisht netëve me hënë të re. Sezoni i Udhës së Qumështit zgjat më shumë në hemisferën jugore, nga shkurti në fund të tetorit. Kontrolloni faqet e internetit dhe aplikacionet për orët e sakta të ngjarjeve astronomike, në mënyrë që të mund të planifikoni se ku të qëndroni dhe kur të shkrepni.
3. Provoni cilësime të ndryshme të kamerës
Do t'ju duhet t'u merrni dorën cilësimeve të kamerës për t'ia dalë mbanë me shkrepjen e yjeve natën. Guxoni të eksperimentoni dhe të provoni kombinime të ndryshme ekspozimi për të parë çfarë efektesh kanë këto në fotografitë tuaja të qiellit të natës.
Për të fotografuar qiejt me yje do të duhet të keni kontrollin e kamerës, ndaj zgjidhni modalitetin Manual (M) dhe provoni disa parametra të ndryshëm siç përshkruhen më poshtë:
- Shpejtësia e obturatorit: Yjet lëvizin ndërsa Toka rrotullohet, prandaj nëse dëshironi të kapni pika drite precize, caktojeni shpejtësinë e obturatorit midis 6 dhe 20 sekonda. Nëse e bëni më gjatë do të nxirrni gjurmë yjore.
- Apertura: Gjithashtu do t'ju duhet të përdorni një cilësim më të gjerë të aperturës (idealja është çdo vlerë nga f/1.4 deri në f/2.8, por edhe f/4 është e pranueshme nëse nuk keni një objektiv të shpejtë). Kjo do të bëjë të mundur të lejoni sa më shumë dritë në kamerë ndërkohë që koha e ekspozimit qëndron relativisht e shkurtër. Mos harroni se një aperturë e gjerë do të sjellë thellësi të ulët qartësie, që do të thotë se çdo gjë që është menjëherë në plan të parë do të jetë e shfokusuar.
- ISO: Faktori i tretë që ndikon në ekspozimin e fotografive tuaja është parametri juaj ISO. Sa më i lartë të jetë numri ISO, aq më i ndjeshëm do të jetë sensori ndaj dritës që hyn në aperturë. Nëse e çoni shumë ama, imazhet tuaja do të fillojnë të duken me zhurmë. Sigurohuni që të jeni të kënaqur me aperturën dhe shpejtësinë e shkrehjes përpara se të eksperimentoni me cilësimet ISO. Provoni një ISO prej 1600 në fillim dhe rregulloni prej aty për të parë se si i ndikon kjo rezultatet tuaja.
Kalimi në një sensor kuadërplotë ju mundëson kapjen e imazheve të arrira në ndriçim të ulët. ISO-t e larta maksimale të Canon EOS R8, të EOS R6 Mark III dhe EOS R5 Mark II mundësojnë ruajtjen e detajeve dhe të ngjyrave me zhurmë minimale. Shkrepur në Canon EOS R5 Mark II me një objektiv Canon RF 14mm F1.4L VCM, 13 sek, f/1.4 dhe ISO3200. © Radoslav Sviretsov
4. Qëndroni të fokusuar kur i shkrepni yjet natën
Fotografia e qiellit të natës mund të jetë sfiduese për aftësitë e vetëfokusimit të cilësdo kamerë. Kini parasysh të kaloni në fokus manual duke anasjellë çelësin AF/MF në grykën e objektivit tuaj Canon. Nëse objektivi juaj nuk e ka këtë çelës, zgjidhni MF në menynë e kamerës. Kamerat pa pasqyrë, si p.sh. Canon EOS R6 Mark III dhe EOS R8 ofrojnë një pamje paraprake të zmadhuar të skenës si në inkuadruesin elektronik ashtu edhe në ekranin e pasmë, duke mundësuar fokusim manual tejet preciz. Një e mirë tjetër është se ndriçimi i inkuadruesit përforcohet automatikisht.
Kamerat me numër të lartë megapikselësh, si p.sh. Canon EOS R5 Mark II, mund të kenë një impakt të madh në fotografinë e qiellit të natës, duke ju mundësuar të ruani detajet tejet të imëta kur fotografoni yjet. Mund të përbëjnë diferencën mes shfaqjes ose jo të yjeve më të vegjël dhe më të zbehtë. Ky nivel detaji është veçanërisht i rëndësishëm nëse doni të realizoni printime të imazheve tuaja të qiellit të natës me yje*.
5. Zgjidhni astroobjektivin më të mirë
Objektivi Canon RF 10-20mm F4L IS STM mbulon një gamë të gjerë të gjatësive të njohura fokale për astrofotografi dhe peshon vetëm 570 g. Ai ofron performancë të shkëlqyer dhe dizajn profesional, duke e bërë ideal për aventura nën yje.
Kërkohet një kënd shikimi ultra i gjerë dhe një aperturë e shpejtë për kapjen e shtrirjes së gjerë të Udhës së Qumështit në kamerë. Kjo në përgjithësi do të thotë nevojë për një objektiv të madh, të rëndë dhe shumë të shtrenjtë, por Canon RF 16mm F2.8 STM është relativisht peshëlehtë, kompakt dhe ekonomik duke e bërë ideal për astrofotografi me efikasitet kostoje. Shkrepur në Canon EOS R6 (pasuar tani nga EOS R6 Mark III) me një objektiv Canon RF 16mm F2.8 STM në 25 sek, f/2.8 dhe ISO6400.
Objektivat me specifikim "të shpejtë" aperture janë gjithnjë të preferuar për fotografinë e yjeve dhe nuk ka pse të kushtojë sa qimet e kokës. Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM prodhon p.sh. objektiva fantastike për astrofotografi. Fushëpamja relativisht e gjerë e këtij objektivi mbulon një pjesë të madhe të qiellit të natës, ndërsa apertura e shpejtë tërheq shumë dritë, teksa stabilizimi optik i imazhit mundëson poza dore gjatë natës. Për të kapur pamje edhe më të gjera të Rrugës së Qumështit, objektivat Canon RF 16mm F2.8 STM, Canon RF 24mm F1.8 MACRO IS STM ose objektivi super i hollë Canon RF 28mm F2.8 STM janë idealë, duke kombinuar një fushëpamje të gjerë dhe aperturë të shpejtë me dizajn kompakt.
Nëse preferoni fleksibilitetin e një objektivi zmadhues, Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM kalon nga një fushëpamje me gjerësi të bollshme në gjatësi fokale telefoto, që do të thotë se ky objektiv mund të përdoret për portrete dhe për faunën e egër. Ai vjen dhe me fotostabilizim, duke ju mundësuar të ngadalësoni shkrehësin gjatë shkrepjes dorazi. Për fotografët që kërkojnë cilësi edhe më të lartë në këtë rreze fokale, Canon RF 24-105mm F4L IS USM ofron optikë profesionale të serisë L dhe izolim të plotë termik.
Canon RF 28-70mm F2L USM është një zmadhues standard spektakolar për astrofotografi, me një aperturë maksimale jashtëzakonisht të shpejtë f/2. Për ekstra gjerësi në anën e gjerë, ku ato pak milimetra ju japin shumë, provoni Canon RF 24-70mm F2.8L IS USM.
Canon RF 15-35mm F2.8L IS USM, një zmadhues ultrakëndgjerë ju mundëson të shkrepni shtrirjet e pamasa të qiellit të natës, ndërsa vijoni të përfitoni nga apertura e shpejtë dhe rrezja fleksibël e zmadhimit. Objektivat më portativë Canon RF 10-20mm F4L IS STM dhe Canon RF 14-35mm F4L IS USM janë alternativa të mira, secili vetëm me një f/stop më të ngadaltë dhe që ofron një fushëpamje maksimale edhe më të gjerë, ndërsa Canon RF 16-28mm F2.8 IS STM është një tjetër opsion i ndritshëm dhe me peshë të lehtë.
Ndoshta objektivi më i mirë Canon për astrofotografi, Canon RF 14MM F1.4L VCM kombinon një pamje panoramike me një aperturë shumë të shpejtë, duke e bërë më të lehtë fiksimin e lëvizjes së yjeve. Ashtu si objektivat e tjerë hibridë RF të ndritshëm dhe me kënd të gjerë, ai përdor teknologjitë optike të avancuara të Canon për të prodhuar fotografi të bukura dhe të qarta të qiellit të natës, dhe është çuditërisht me peshë të lehtë për një objektiv kaq mbresëlënës. Mësoni më shumë përse objektivat RF ju japin optimumin kur shkrepni natën në udhëzuesin tonë për kompletin më të mirë të Canon për fotografinë në ndriçim të ulët*.
Nëse po kërkoni një zmadhues me peshë të lehtë, ekonomik për një kamerë pa pasqyrë APS-C siç është Canon EOS R100 ose EOS R50, Canon RF-S 10-18mm f/4.5-6.3 IS STM ofron një pamje ultra të gjerë që funksionon shumë mirë për shkrepje dramatike të qiellit të natës, ndërsa peshon vetëm 150 g.
6. Përmirësoni kompozimin e qiellit të natës
Një qiell plot yje mund të përforcohet shpesh nëse përfshini peizazhin rrethues në fotografinë tuaj. Kjo shton një element unik në imazhet tuaja dhe e bën punën tuaj të dallohet nga fotografitë e tjera të qiellit të natës. Shkrepur në Canon EOS R5 (pasuar tani nga Canon EOS R5 Mark II) me një objektiv Canon RF 10-20mm F4 L IS STM, 15 sek, f/4 dhe ISO8000.
Provoni ta inkuadroni pozën në mënyrë që, ndërsa kamera është e drejtuar nga qielli, një element i lartë në planin e parë, si p.sh. një formacion shkëmbor ose një pemë, të tërheqë vëmendjen lart. Imazh i përbërë i shkrepur në Canon EOS R (pasuar tani nga EOS R6 Mark III) me një objektiv Canon RF 14mm F1.4L VCM. Plani i parë: 1/100 sek, f/5.6 dhe ISO2000. Qielli: Dhjetë imazhe të mbivendosura në 10 sek, f/1.4, dhe ISO3200. © Radoslav Sviretsov.
Përmirësojeni fotografinë e qiellit të natës duke përfshirë elemente të tjera për të ngjallur më shumë interes vizual – ndërtesat, pemët, malet ose liqenet pasqyruese janë të gjitha opsione të mira. Ndonjëherë yjet e fotografuara më vete mund të japin imazhe të cilave u mungon perspektiva ose personaliteti, ndaj kërkoni për diçka unike që mund të shkrepni për t'ia shtuar imazhit tuaj.
Një teknikë tradicionale për të ruajtur mprehtësinë në të gjithë skenën, nga plani i parë deri në sfond, është ta caktosh objektivin në distancën e tij hiperfokale. Ka shumë aplikacione për smartfon që mund ta llogarisin këtë distancë për ju. Shumë objektiva modernë nuk kanë shkallë distance fokusi, por shumica e kamerave Canon EOS R System mund të shfaqin distancën e fokusit në inkuadrues kur përdoren objektivat RF.
Kontrolli i zonave të ndryshme të ekranit të pasmë të kamerës me një shqyrtim të zmadhuar mundëson fokusim të saktë manual, por duke pasur parasysh thellësinë e ulët të qartësisë në apertura të gjera, mund të jetë e pamundur të futet e gjithë skena në fokus. Një alternativë është të bëhen dy ose më shumë poza në cilësime të ndryshme fokusi dhe ekspozimi, të përshtatura veçmas për zonat në plan të parë dhe për qiellin e largët me yje, dhe më pas të bashkohen në një imazh të vetëm me një program modifikimi që ka maska shtrese, si p.sh. Adobe Photoshop1.
Nëse preferoni të kapni gjithçka në një pozë të vetme, por zonat e planit të parë janë shumë të errëta, provoni t'i ndriçoni me blic, si p.sh. Canon Speedlite EL-10, duke shkrepur një a më shumë pulse drite gjatë një ekspozimi të gjatë. Mund të bëheni dhe krijues duke hedhur dritë mbi sende të caktuara dhe zona interesi në plan të parë gjatë një ekspozimi të gjatë me një elektrik dore ose edhe me fenerët e makinës suaj nëse jeni me makinë në vendin e shkrepjes.
7. Shkrepja e imazheve me gjurmë yjore
Shkrepja e vijave fantastike të dritës që tregojnë lëvizjen e yjeve është sfidë më vete, por zotërimi i teknikës është i mundur duke ndjekur pak hapa të thjeshtë. Filloni duke pikasur polin e veriut, që arrihet lehtë duke përdorur një aplikacion hartografik në celular. Duke e pozicionuar veten që poli i veriut (ose i jugut, nëse jeni në gjysmërruzullin jugor) të jetë pika fokale e fotos suaj dhe duke përdorur një ekspozim të gjatë do të rezultojë në formimin e një motivi rrethor përreth një pike qendrore. Mos harroni, për çfarëdo poze me ekspozim të gjatë është e rëndësishme të përdorni një stativ për të evituar turbullimin e lëvizjes.
Yjet nuk lëshojnë shumë dritë, kështu që përdorni një ISO të lartë (800, 1600 ose më shumë) për të nxjerrë gjurmë të qarta të tyre. Bëni disa shkrepje eksperimentale para se të provoni një ekspozim të gjatë pasi, sa më e lartë ISO, aq më shumë mundësi ka t'ju shfaqet "zhurmë" në foto.
Ndonëse duhen 24 orë që yjet të kryejnë një rrotullim të plotë në qiell, paraqitja e një efekti rrethplotë të gjurmës së yjeve mund të arrihet me ekspozim të gjatë prej rreth 60-90 minutash. Nëse shkrepni në gjysmërruzullin verior, pikasja e yllit polar në qiellin e natës ju jep një pikëreferim se ku do të fillojnë të duken se rrotullohen yjet.
Shpejtësia maksimale e shkrehësit e disponueshme në shumë kamera është 30 sekonda, kështu që do t'ju duhet të përdorni cilësimin e ekspozimit Bulb në modalitetin Manual (M). Kjo ju lejon ta mbani shkrehësin të hapur për sa kohë që dëshironi. Caktojeni fokusin në pafundësi dhe kur të jeni gati, provoni një ekspozim prej rreth 30 minutash. Më pas rishikojeni përsëri fotografinë tuaj. Mund të duhen disa përpjekje - dhe pak durim - por në fund do t'i arrini rezultatet që kërkoni.
Një opsion tjetër është të krijoni një video interval të qiellit të natës. Kjo mund të bëhet manualisht duke shkrepur një seri fotografish të njëpasnjëshme dhe më pas duke i përpunuar në një video, por shumë kamera Canon, duke përfshirë Canon EOS R6 Mark III, EOS R8 dhe EOS R50, kanë një modalitet të filmimit me interval. Kjo përdor një intervalometër të integruar për të kapur automatikisht imazhet dhe për t'i kombinuar në një skedar të vetëm videoje që është gati për t'u ndarë.
Vendoseni kamerën në një stativ dhe kaloni në ekspozimin manual në modalitetin e videos. Caktoni një shpejtësi obturatori rreth 20 sekonda ose më pak, më pas rregulloni aperturën dhe ISO-n për të arritur një ekspozim të mirë (p.sh., f/4 dhe ISO 640 shpesh funksionojnë mirë si pikënisje). Bëni një shkrepje provë dhe shikoni rezultatet, duke u bërë ndryshimet e mundshme të nevojshme cilësimeve tuaja të ekspozimit.
Më pas, zgjidhni modalitetin e filmimit me interval në meny dhe caktoni intervalometrin që të bëjë poza të njëpasnjëshme çdo disa minuta. Koha totale e xhirimit për sekuencën do të varet nga sa të gjatë e dëshironi videon me interval të qiellit të natës, si dhe nga shpejtësia e kuadrove që zgjidhni. Për shembull, një prej 60 pozash me shpejtësi kuadrosh 30fps do të krijojë një video me interval dysekondëshe.
Një videointerval i realizuar bukur me yje mund të jetë mahnitës ku qielli duket sikur rrotullohet gradualisht përpara syve tuaj. Nëse jeni me fat apo e planifikoni pozën që të drejtohet sipas një stuhie meteorësh, meteorët do të kalojnë nëpër kuadrin tuaj duke i shtuar edhe më shumë mrekullisë galaktike. Mësoni se si e kanë shkrepur profesionistët këtë shfaqje mahnitëse qiellore në udhëzuesin tonë për fotografimin e stuhive të meteorëve*.
Shkruar nga Matthew Richards dhe Marcus Hawkins
* Ofrohet vetëm në gjuhë të zgjedhura.
1. Adobe dhe Photoshop janë marka të regjistruara tregtare ose marka tregtare të Adobe në Shtetet e Bashkuara dhe/ose në vende të tjera.