VIDEOBLOGIMI

Është një botë e gjerë: videobloguesja, Chloe Gunning, vë në provë Canon RF 16mm F2.8 STM

Mësoni se çfarë i bën objektivat RF idealë për videoblogimin e udhëtimeve, në një udhëtim nëpër qytet me Wanderlust Chloe.
Canon Camera

Chloe Gunning është një nga videoblogueset më të njohura të udhëtimeve në Britani. Ajo punonte dikur në sektorin e muzikës për një radiostacion të pavarur dhe në prapaskenë për një emision televiziv talentesh, por në vitin 2014, vendosi se kishte ardhur koha për një ndryshim. Ajo ka qenë duke eksploruar botën me kamerën e saj dhe duke videobloguar si Wanderlust Chloe që prej atëherë, duke ndarë histori, këshilla dhe pamje nga anembanë botës.

Deri më tani Chloe ka përdorur Canon EOS M50 (i tejkaluar tanimë nga Canon EOS M50 Mark II). "Më ka pëlqyer gjithnjë ta përdor për blogun tim të udhëtimit," - thotë ajo. "Është një komplet fantastik i përgjithshëm me cilësi të mirë dhe i lehtë për t'u përdorur. E preferuara ime është se sa kompakt është për udhëtime - plus ka ekran të kthyeshëm që është ideal për videoblogim dhe autoportrete."

Përpara filmimit të një guide udhëtimi në anglisht për qytetin e Bristolit, Chloe eksploroi EOS R System nga Canon. Projektuar për krijuesit që janë gjithnjë në kërkim të mënyrave të reja për të ekspozuar përmbajtjet e tyre, R System u jep videobloguesve një larmi në rritje objektivash cilësorë RF, duke përfshirë ardhjen e fundit në familjen e objektivave Canon RF, Canon RF 16mm F2.8 STM. Me kapacitetin për të shkrepur në perspektivë ekspansive dhe me aperturë të shpejtë maksimale prej f/2.8, objektivi i ri RF ultra i gjerë mundëson një sërë mundësish krijuese.

Chloe e filmoi videoblogimin e saj në qytet në kuadërplotin Canon EOS R6 por Canon RF 16mm F2.8 STM, që peshon vetëm 165g, do të përbënte gjithashtu një partner kompakt ideal për një kamerë EOS R System të nivelit fillestar si modeli peshëlehtë Canon EOS RP.

Pamje ultra e gjerë

Ka shumë avantazhe në përdorimin e Canon RF 16mm F2.8 STM për videoblogim. Si fillim pamja ultra e gjerë e bën shumë më të lehtë të shkrepni ambientet rreth jush kur shkrepni autoportrete. "Më pëlqen vërtet të përdor një objektiv super të gjerë për videoblogime, pasi mund të regjistrojë kaq shumë në vetëm një pozë," - konfirmon Chloe. "Mund të tregoj histori kaq fantastike nga ana vizuale kur shikuesit mund të shikojnë kaq shumë nga destinacioni rreth meje ndërsa jam duke folur për të.

"Ishte ideal për pozat në udhëtimin me barkë në Bristol sidomos," - shpjegon ajo. "Kishte disa raste kur isha ulur në anë të barkës dhe filmoja veten duke parë jashtë dhe duke folur. Objektivi ultra i gjerë kishte mundësi të shkrepte kaq shumë nga ambienti rrethues, duke përfshirë radhët shumëngjyrëshe të shtëpive, SS Great Britain dhe barkat e tjera që kalonin atypari."

Një grua e re duke qëndruar në buzën e barkës dhe duke mbajtur një Canon EOS R6 në një mbajtëse stativi, me lumin dhe një radhë shtëpish në sfond.

Chloe-it i pëlqen të ketë mundësinë të përfshijë kaq shumë elemente në një skenë në pozat e saj. "Mendoj se e bën më tërheqëse për ata që e shikojnë, duke u mundësuar ta përfshijnë veten në pozë gjithashtu," - thotë ajo.

Kjo pamje e gjerë është gjithashtu e dobishme kur punoni në hapësira relativisht të ngushta, si p.sh. videoblogimi nga një dhomë gjumi apo kuzhina, dhe nuk keni ku tërhiqeni për të hapur më tej perspektivën. Një objektiv këndgjerë si Canon RF 16mm F2.8 STM përfshin sa më shumë të jetë e mundur nga skena.

Objektivi këndgjerë shpeshherë është zgjedhja e parë për fotografinë e peizazheve, që është një aspekt të cilin Chloe e ka eksploruar gjatë filmimit të pamjeve panoramike të Bristolit. "Ishte fantastike kur shkrepja nga observatori Clifton dhe rreth urës së varur në Clifton," - thotë ajo. "Kisha mundësinë t'i përgatisja pozat për të shfaqur të gjithë urën, grykën Avon, dhe peizazhin e qytetit të gjitha në një pamje. Është një pamje masive, ndaj fakti që objektivi e ka këtë perspektivë është vërtet mahnitëse!"

Modelim i përshtatshëm për udhëtime

Një pamje mbi supe e një gruaje të re duke ecur përgjatë një tregu të mbuluar, duke filmuar veten me një kamerë Canon EOS R6.

Me ekranin rrotullues me prekje, sensorin kuadërplotë, videon 4K/60p, fotostabilizimin cilësor dhe modelimin kompakt, Canon EOS R6 është një kamerë videoblogimi praktike për udhëtime që mund të realizojë video dhe foto të cilësisë më të lartë. "Përdora stativin Canon Tripod Grip HG-100TBR dhe një mikrofon të jashtëm DM E-100 Stereo Microphone, thjesht për të krijuar një konfigurim praktik videoblogimi për të lëvizur nëpër qytet," - thotë Chloe. "Në përgjithësi, shumë nga cilësimet e kamerës i mbajta në automatike."

Një grua e re duke qëndruar në një tryezë, duke buzëqeshur dhe duke mbajtur një trastë plot me perime para kamerës, që ndodhet në në tryezë mbi një stativ Canon Tripod Grip HG-100TBR në formë ministativi.

Canon Tripod Grip HG-100TBR kryen dy role, edhe si dorezë ergonomike njëdorëshe me komanda të integruara për kamerën, edhe si stativ që ofron stabilitet kur ju duhen të dyja duart të lira. Vjen edhe me kllapë të hapshme për montimin e një mikrofoni të jashtëm, si p.sh. Canon Stereo Microphone DM-E100.

Për fotografimin e Bristolit, Chloe e pajisi aparatin e saj EOS R6 me një Canon Tripod Grip HG-100TBR, që e bëri më të lehtë filmimin e vetes me një dorë, si dhe mund të hapet më tej për të ofruar mbështetje të mirë si stativ.

Canon RF 16mm F2.8 STM vjen i pajisur me teknologji vetëfokusimi motori gradual (STM) thuajse të heshtur, duke e bërë një opsion të shkëlqyer kur kërkoni të regjistroni në kamerë apo të inçizoni zhurmat e ambientit. Për cilësinë më të mirë të mundshme të audios, Chloe montoi mikrofonin kompakt Canon Stereo Microphone DM-E100 në mbërthyesen aktive të kamerës. Ky mikrofon lidhet me folenë 3.5mm audio të kamerës dhe nëse do të ishte e nevojshme mund të montohet dhe në stativin Tripod Grip HG-100TBR, që vjen me kllapë të dedikuar mikrofoni për ta mbajtur mbërthyesen aktive të kamerës të lirë për aksesorë të tjerë.

Edhe me kuadërplotin EOS R6, Chloe vuri re se konfigurimi me Canon RF 16mm F2.8 STM ishte shumë i lehtë në manovrim. "Më pëlqeu të shikoja shumë funksione të ngjashme me EOS M50 për sa i përket konfigurimit," - shton ajo. "I gjeje lehtësisht cilësimet nëpër meny, pasi shfaqeshin në të njëjtën formë."

Për sa u përket funksioneve, Chloe thotë se EOS R6 ishte "një përmirësim i dukshëm nga ajo që përdorja deri tani". Kamerat EOS R System nga Canon përfitojnë të gjitha nga mbërthyesja e gjerë RF që mundëson komunikim më të shpejtë mes kamerës dhe objektivit, duke minimizuar lëkundjen e kamerës dhe duke ofruar më shumë mundësi krijuese. Objektivat RF të gjeneratës së re ofrojnë gjithashtu performancë të përmirësuar në ndriçim të ulët dhe kapacitete të avancuara vetëfokusimi, çka do të thotë se është e mundur të shkrepen pamje mahnitëse në të gjitha llojet e vendeve dhe në çfarëdo ore të ditës apo të natës.

I shpejtë dhe i gjithanshëm

Një grua e re duke qëndruar përpara një horizonti urban filmon veten me një Canon EOS R6 me objektivin Canon RF 16mm F2.8 STM.

"Ishte kryesisht ndërrim mes dy konfigurimeve: shkrepje në 30fps dhe në 60fps, të dyja në 4K," - shpjegon Chloe. "Më duheshin filmimet dytësore për të pasur një ndjesi kinematografike, ndaj me 60fps e dija se mund t'i ngadalësoja fragmentet për t'u dhënë një efekt vërtet të bukur."

grua e re duke qëndruar përpara një pamjeje të gjerë të një gryke të thellë që përshkohet nga një urë e varur.

Chloe e shfrytëzoi më së miri perspektivën këndgjerë të objektivit Canon RF 16mm F2.8 STM për të shkrepur panorama të arrira si p.sh. ura e varur në Clifton dhe gryka Avon. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 16mm F2.8 STM.

Chloe shkrepi një kombinim pamjesh në kamerë, si dhe shumë filmime dytësore për të treguar historinë e ditës. "Bristoli është një qytet shumë i bukur për seanca të tilla, pasi ka një larmi të gjerë vendesh, duke përfshirë skelën, grafiti shumëngjyrëshe, tregje gumëzhitëse, vende ushqimi i dhe natyrisht pamjet e famshme të grykës rreth Clifton. Unë desha të krijoj një videoblogim që do të ishte prezantim i mirë për këdo që do të vizitonte qytetin për herë të parë."

Disa nga ambientet e brendshme që Chloe kishte shkrepur ishin relativisht të errëta, por apertura e shpejtë maksimale e Canon RF 16mm F2.8 STM kombinuar me performancën mahnitëse në ndriçim të ulët të EOS R6 i dhanë asaj më shumë opsione këtu. "Pasja e mundësisë së shkrepjes në f/2.8 bëri që filmimet të ishin më të shndritshme, të qarta dhe pa zhurmë. Ndihmoi gjithashtu me disa nga fotot që nxora atë ditë. Nëse ka më pak zhurmë në foto, kjo ma bën punën më të lehtë gjatë retushimit."

Një grua e re duke drejtuar një kamerë Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 16mm F2.8 STM drejt një bime në një dyqan.

Për të krijuar kompozime të pastra mes tregjeve dhe dyqaneve të frekuentuara të Bristolit, Chloe shpesh zgjodhi të fokusohej te detajet. Kapaciteti i objektivit Canon RF 16mm F2.8 STM për t'u fokusuar deri në 13cm i dha asaj më shumë opsione krijuese.

Një grua e re e fotografuar nga pas, duke drejtuar një kamerë Canon EOS R6 drejt një banaku sallatash të mbushur me tasa me sallata shumëngjyrëshe.

Objektivi i hollë dhe ekonomik Canon RF 16mm F2.8 STM ofron cilësi të jashtëzakonshme mbi një fushëpamje të zgjerueshme.

RF 16mm F2.8 STM fokuson deri në 13cm, një funksion që mund të shtojë fleksibilitet në shkrepjet për videoblogim. "Edhe pse objektivi është super i gjerë, më pëlqen që mund të fokusojë kaq pranë," - pohon Chloe. "Ishte praktike kur filmoja tregun St Nicholas Market të Bristolit, pasi desha të nxirrja plane të afërta të disa prej ushqimeve aty. Me këtë objektiv mund të nxirrja detajet, si p.sh. teksturën dhe dinamizmin e sallatës me karota. Ishte gjithashtu fantastike të kisha mundësinë ta ndërroja me shpejtësi fokusin nga plani i parë në planin e sfondit, pa humbur cilësinë."

Cilësia e figurës është natyrisht primare. Është diçka që ndihmon në lartësimin e videove dhe të pamjeve tuaja nga një det i tërë përmbajtjesh të shkrepura nga telefonat. Me nëntë elementet e veta, duke përfshirë një objektiv josferik për imazhe të qarta dhe me kontrast, Canon RF 16mm F2.8 STM i sjell vendet në jetë dinamike, qoftë kur shkrepni në rrugët vibrante të Bristolit apo në plazhet sensacionale të Sardenjës. Çiftojeni me Canon EOS R6 ose EOS RP dhe keni konfigurimin ideal për të nisur udhëtimin tuaj në botën e videoblogimeve cilësore të udhëtimit.



Shkruar nga Marcus Hawkins

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur