Portretet janë fotografi që u rikthehemi herë pas here. Ato regjistrojnë momente të rëndësishme familjare, pushimet dhe çaste nga përditshmëria që kanë domethënie të madhe për ne. Pavarësisht nëse është buzëqeshja e një fëmije, e qeshura e një gjyshi ose gjysheje, apo një autoportret spontan në një udhëtim jashtë vendit, portretet janë thelbi i rrëfimit përmes fotografisë.
E megjithatë, për shumë përdorues të rinj kamerash, portretet mund të jenë fotografitë më të vështira për t’u shkrepur siç duhet. Dallimi ndërmjet një “fotografie të mirë” dhe asaj që spikat vërtet qëndron shpesh tek objektivat që përdorni.
Në këtë pikë, objektivat e Canon-it për portrete mund t'ju ndihmojnë të përmirësoni fotografitë tuaja. Të projektuara për të kapur dritën, detajet dhe emocionet me qartësi mbresëlënëse, ato ju ndihmojnë të kaloni nga fotografitë e çastit te rrëfimi mbresëlënës. Pavarësisht kamerës së sistemit Canon EOS R që përdorni, objektivat e duhur mund të përmirësojnë në çast mënyrën se si e shihni dhe e fotografoni botën.
Fokusohuni: Objektiva të përballueshme për t’u dhënë gjallëri portreteve tuaja
Fuqia e aperturës
Një nga përmirësimet më të mëdha që mund t’u bëni fotografive tuaja të portretit është të kaloni nga objektivat e kompletit te objektivat me aperturë më të gjerë (numri më i ulët f). Këto objektiva lejojnë më shumë ndriçim sesa një objektiv zmadhues standard, çka mundëson shkrepje portretesh në ndriçimin më të ulët. Me këto objektiva, mund të kapni poza të qarta dhe të ndriçuara pa blic, si në ambiente të brendshme, ashtu edhe në perëndimin e diellit.
Çka është më e rëndësishme, apertura e gjerë krijon sfonde të zbehta dhe të mjegulluara, që i përshtaten subjektit tuaj dhe e tërheqin syrin pikërisht aty ku ju dëshironi. Cilësia e mjegullimit të sfondit ose e efektit “bokeh” është tërheqëse në vetvete dhe nëse e veçoni subjektin nga sfondi, do të zbuloni se çdo fotografi duket më e qëllimshme dhe më profesionale.
Në këtë fotografi portreti joformale, të shkrepur me një objektiv kompleti me aperturë prej f/5, fytyra është në fokus të theksuar, por fjalët në sfond dhe muri prej tulle mbeten detaje shpërqendruese. Shkrepur me Canon EOS R5, me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM, në 50mm, 1/60 sek, f/5 dhe ISO 200.
Me të njëjtën gjatësi fokale prej 50 mm, fushëpamja është e njëjtë, por apertura e gjerë f/1.8 e objektivit fiks Canon RF 50mm F1.8 STM krijon një sfond më të mjegulluar, duke e ndihmuar subjektin të dalë në pah. Shkrepur me Canon EOS R5, me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM, në 1/500 sek, f/1.8 dhe ISO 200.
Objektivi fiks në krahasim me objektivin zmadhues: gjeni fokusin tuaj
Nëse jeni mësuar me fleksibilitetin e objektivit zmadhues të kompletit tuaj, kalimi tek objektivat fikse, objektivat me gjatësi fokale fikse, mund të duket si kufizues në fillim. Por, kjo thjeshtësi është pjesa që e bën më tërheqëse. Objektivat fikse ju lejojnë të lëvizni përqark subjektit tuaj, për të eksploruar kënde të ndryshme që u përshtaten qëllimit. Ju e kontrolloni zmadhimin duke lëvizur me këmbë, duke iu afruar dhe larguar subjektit. Objektivat fikse janë më të lehta, më të mprehta dhe më të përballueshme sesa shumë objektiva zmadhuese.
“Objektivat fikse janë objektivat më të përballueshëme për t’u përditësuar”, shprehet Menaxheri i Produktit për Evropën i Canon-it, Mark Kendrick. “Nëse keni buxhet të kufizuar, por doni të fotografoni diçka ndryshe që spikat, një zgjidhje e shkëlqyer do të ishin objektivat 50 mm ose 35 mm.”
Me një objektiv me aperturë të gjerë, siç është RF 50mm F1.8 STM, thellësia e cekët e fushës dhe mjegullimi i lehtë i sfondit e lejojnë subjektin tuaj të spikasë bukur prej sfondit, duke u dhënë fotografive të portretit një ndjesi intimiteti dhe thellësie. Shkrepur me Canon EOS R50, me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM, në 1/3 200 sek, f/1.8 dhe ISO 100.
Objektivi Canon RF 45mm F1.2 STM siguron më shumë kontroll krijues, me aperturën e tij ultra të gjerë prej f/1.2, që shton veçim kinematografik të subjektit në çdo shkrepje, pa lënë pa përmendur kapacitetin më të madh për të shkrepur edhe në ndriçimin më të zbehtë. Shkrepur me Canon EOS R6 Mark III, me objektiv Canon RF 45mm F1.2 STM, në 1/100 sek, f/1.2 dhe ISO 200.
Vetëfokusim që mund t’i besoni
Portretet janë kalimtare. Shprehitë mund të ndryshojnë në çast, sidomos në rastin e fëmijëve ose në çaste spontane. Vetëfokusimi i shpejtë dhe i saktë i Canon-it me pikasjen e fytyrës dhe syve në kamera, siç janë EOS R50, EOS R10 dhe EOS R100, mundësuar nga Dual Pixel CMOS AF II, komunikon në çast me objektivat për të siguruar mprehtësinë e subjektit tuaj edhe kur fotografoni në ambient të hapur në rreze prej f/1.8, ose në rrezen e jashtëzakonshme prej f/1.2 nëse përdorni objektiva të përshtatshme për këtë rreze.
Në ndërthurje me teknologjinë e gjurmimit të subjektit, që është pjesë e sistemit të vetëfokusimit, mund të fokusoheni tek inkuadrimi dhe lidhja, jo te cilësimet teknike.
“Kjo pjesë e mprehtë dhe e qartë e imazhit është ajo që ju tërheq vërtet vëmendjen”, shprehet Marku. “Dhe sfondi i mjegulluar dhe i zbutur i shtohet fotografisë dhe nuk është shpërqendrues. Vetëfokusimi ju ndihmon të siguroheni që pika e mprehtë ndodhet pikërisht aty ku ju e doni.”
Kur momentet e jetës janë të paparashikueshme, nga fryrja e qirinjve të tortës së ditëlindjes te përqafimet spontane, kamerat dhe objektivat Canon veprojnë së bashku për të siguruar rezultate të besueshme dhe të qarta. Vetëfokusimi me pikasje i fytyrës dhe syve e mban në fokus subjektin tuaj, ndërsa njohja e subjektit e mundësuar nga AI-ja parashikon lëvizjen dhe stabilizimi i imazhit në objektivat e përzgjedhura, si RF 35mm F1.8 IS MACRO STM mundëson që shkrepjet dorazi të mos kenë mjegullime. Për zgjedhjen e objektivave të Canon-it me stabilizim imazhi, kërkoni për germat IS në emrin e objektivave.
Objektivi RF 35mm F1.8 IS MACRO STM ofron një fushëpamje më të gjerë, duke e bërë të përsosur për portrete të ambientit ose për fotografi udhëtimesh, ku njerëzit vendosen brenda kontekstit. Shkrepur me Canon EOS R100, me objektiv Canon RF 35mm F1.8 IS MACRO STM, në 1/800 sek, f/1.8 dhe ISO 100. © Gary Morrisroe
Fatmirësisht, vetëfokufsimi në kamerat Canon, siç janë ato EOS R10, mund të njohë si kafshët, duke përfshirë qentë, macet dhe shpendët, ashtu dhe njerëzit. Shkrepur me Canon EOS R10, me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM, në 1/200 sek, f/1.8 dhe ISO 100.
Objektiva kryesore për fotografi portreti të bukura
E bukura e objektivave të portreteve më të mira është se ata i shndërrojnë situatat e përditshme në kujtime afatgjata. Me sistemet e vetëfokusimit të shpejtë dhe intuitiv të Canon-it, nuk do të humbisni kurrë asnjë çast, pavarësisht nëse jeni në shtëpi, jashtë vendit apo gjetkë.
Objektiva më të përballueshme për portrete familjare spontane: Canon RF 50mm F1.8 STM
Në mbledhjet familjare, çastet e natyrshme vijnë dhe ikin brenda pak sekondash. Duke përdorur RF 50mm F1.8 STM, mund të fotografoni të dashurit tuaj duke qeshur në tryezë, ose fëmijët tuaj duke luajtur nën dritën e ngrohtë të mbrëmjes. Apertura e gjerë f/1.8 krijon një veçim ëndërrimtar nga sfondet e ngarkuara, ndërsa funksioni i vetëfokusimit me pikasjen e syve i kamerës fiksohet në çast te sytë e subjektit tuaj, madje edhe nëse ata lëvizin, duke u siguruar që çdo shprehi të jetë e theksuar deri në përsosmëri.
Objektiva më të përballueshme për portrete udhëtimesh: Canon RF 35mm F1.8 IS MACRO STM
Nëse udhëtoni, objektivi RF 35mm F1.8 IS MACRO STM është ai që ju duhet. Fushëpamja e tij disi e gjerë ju lejon t’i vendosni njerëzit në kontekstin e mjediseve të tyre, si p.sh. një shitës ambulant i rrethuar nga stenda shumëngjyrëshe, ose një shok që qëndron përpara një objekti historik ikonik. Falë kapacitetit makro të objektivave, mund ta kaloni fokusin te detajet nga afër, si për shembull ushqim vendas ose një mur me reliev, të gjitha këto duke shijuar vetëfokusimin e shpejtë dhe të qetë.
Objektiva më të përballueshme për portrete krijuese: Canon RF 45mm F1.2 STM
Për ata që janë gati të ndërmarrin një hap tjetër, objektivi Canon RF 45mm F1.2 STM hap një dimension tërësisht të ri. Apertura e tij ultra e gjerë f/1.2 krijon mjegullim të jashtëzakonshëm të sfondit dhe performancë të shkëlqyer në ndriçim të ulët, duke e bërë ideal për fotografim në ambiente të brendshme, ose në çastet e arta të diellit. Ndërthurur me sistemin Dual Pixel CMOS AF II në kamerat më të fundit të Canon-it, objektivi e gjurmon subjektin tuaj me lehtësi dhe në heshtje, çka e bën të përsosur për poza kinematografike ose portrete video që duken të gjallëruara.
Pavarësisht nëse është objektivi juaj i parë i dedikuar për portrete apo hapi juaj i radhës në kontrollin krijues, ky objektiv ju ndihmon të fokusoni atë çka është vërtet e rëndësishme: njerëzit përballë kamerës suaj.
ZBULONI MË SHUMË
Gjithçka që duhet të dini rreth objektivave
Zbuloni kamerat dhe objektivat më të mira të Canon-it për fotografi portreti dhe shihni se si një objektiv mund të transformojë çdo fotografi që shkrepni
Përdorni zbuluesin e objektivit të Canon-it për të zbuluar objektivat ideale për nevojat dhe konfigurimet tuaja