FOTOGRAFIA E NATYRËS

Fotografimi i të fshehtave të natyrës: historia e një projekti ripërtëritës

Një fotografe e faunës së egër tregon udhëtimin e saj duke dokumentuar një projekt ripërtëritjeje, duke festuar biodiversitetin e natyrës përmes objektivit.
Një kukuvajkë hambari, e fotografuar si pjesë e një projekti ripërtëritjeje të natyrës, kalon mbi majat e pemëve me krahët e hapur.

Majat e shkëmbinjve të rrahura nga era, kënetat buzë liqeneve dhe pyjet paqësore – habitatet natyrore i tërheqin fotografët e faunës së egër dhe të peizazheve që kanë durimin për të dokumentuar ndryshimin dhe zhvillimin gradual gjatë stinëve. Sidoqoftë, ndonjëherë fotografia mund të regjistrojë dhe festojë një ndryshim edhe më të thellë me kalimin e kohës, siç është ripërtëritja e natyrës në një gurore të braktisur që është rivendikuar nga natyra.

Gayle, fotografja pas Natured Secrets, ka një pasion për biodiversitetin dhe ripërtëritjen e hapësirave të gjelbra. Ajo ka dokumentuar rritjen e ngadaltë të një projekti ripërtëritjeje natyrore në Mbretërinë e Bashkuar pranë vendbanimit të saj dhe shpreson se puna e saj mund të frymëzojë të tjerët që t'i japin natyrës një zonë të vogël të oborreve të tyre.

Një projekt fotografik ripërtëritës me histori

Tufa shumëngjyrëshe shqope lidhin një kopsht me shpatin e kodrës përtej, me qiellin blu në sfond.

"Për të bashkuar kopshtin me peizazhin dhe për të lidhur shpatin e kodrës, mbollëm tufa shqopash," - shpjegon Gayle. “I përziem ato me barëra dhe thupra për të pasqyruar baltovinën përreth, ndaj u bë një me peizazhin. I gjithë shkëmbi që ndihmoi në ndërtimin e shkallëve, pendave të shqopës, shtigjeve dhe mureve është nga toka." Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 24-105mm f/3.5-5.6 IS STM në 45mm, 1/1000 sek, f/4.5 dhe ISO 160. © Natured Secrets

Historia filloi 20 vjet më parë kur Gayle mbolli një pyll të vogël pranë shtëpisë së saj në vargmalin Pennine në Anglinë Veriperëndimore, duke e kthyer një gurore të pashfrytëzuar dhe ish-fermë vizoni në një strehë të lulëzuar të kafshëve të egra.

Tani, ndërsa peizazhi ka mirëpritur kafshët dhe jetën bimore, po përmbush dhe ambicien e Gayle - një "udhëtim shprese" - për të mos pasur kufij midis oborrit të saj dhe kësaj zone të ripërtërirë, duke krijuar një vend vërtet të egër.

"Kur mbërritëm, doja t'i jepja këtij kantieri të hapur 'ndjesinë e të qenit vend më vete', për të lidhur marrëdhënien time me këtë vend me mjedisin," - thotë Gayle, e cila ka dhe master në Shkencën e Konservimit dhe Ekologji nga Universiteti i Lancaster. “Peizazhi fillestar ishte transformuar nga aktiviteti industrial, duke e lënë tokën të djerrë. Por që kur veprimtaria gurore mori fund, vendi ka përjetuar hapat e parë të një rikthimi në natyrë. Një rilindje.

"Ne filluam duke simuluar këtë transformim dhe duke lidhur çfarëdo oborri që mund të krijonim brenda peizazhit, ku nuk kishte asnjë kufi të dukshëm mes tyre. Nuk e kisha menduar kurrë se do të kishim një oborr të tillë. Ne thjesht po "zbusnim natyrën".

Ndërsa toka po fillon ngadalë të rimëkëmbet, Gayle e sheh udhëtimin si të përsosur për një projekt fotografik afatgjatë. "Kam studiuar në Fakultetin e Arteve Botanike të Chelsea për disa vjet dhe gjithmonë kam ndjerë se [toka] meriton të dokumentohet," - thotë ajo. “Kjo mund të jetë në revista të ndryshme dhe në një mikrofaqe interneti, por për mua është një dyzim midis shkencës dhe krijimtarisë. Aty shpresoja që fotografitë e mia të ishin pak më ndryshe.

“Gurorja jonë e braktisur mbart plagët e së kaluarës sonë industriale, por qëndrueshëm toka po rikapet nga natyra. Si kujdestarë të një zone me një ndërthurje mahnitëse të historisë, industrisë, gjeologjisë, florës dhe faunës së egër, unë jam e prirur të regjistroj rrugëtimin e tokës, zhvillimin dhe rritjen e biodiversitetit, duke përdorur fotografinë si regjistër."

Lidhja me natyrën përmes objektivit

Një kaproll i ri është pjesërisht i fshehur mes barishteve të gjata.

“Jo shumë kohë përpara se të bëhej kjo foto, ne zbuluam se kishim humbur drerin nga tufa jonë e kaprojve,” - thotë Gayle. “Vendosëm që ky kaproll i ri, i cili u shfaq papritur në objektivin e kamerës, të ishte pretendenti ynë i ri për të udhëhequr tufën. Kaprolli sapo ka ndjerrë dy brirët e tij të parë." Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 600mm f/4L IS III USM në 1/800 sek, f/4.5 dhe ISO 200. © Natured Secrets

Një zogth i ri i sokoli qëndron në një degë peme, rrethuar nga gjelbërimi.

Gayle ka një kuti me zogj sokoli të vendosur në një shtyllë në një kullotë pranë një pylli të vogël. "Ky është zogu ynë i parë i sokolit që ikën nga kutia e folesë aty pranë," - thotë ajo. "Një nga prindërit i jepte ushqim në këto maja pemëshe, pasi zogu nuk ka mësuar ende si të gjuajë vetë." Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 600mm f/4L IS III USM në 1/1250 sek, f/4.5 dhe ISO 640. © Natured Secrets

Zona tani është plot me kafshë të egra, duke përfshirë lepujt e murrmë, grerëzat, laureshat, gjelacët, vrapuesit, pilivesat blu, sokolat e kaprojt, duke e bërë të lehtë të kuptosh pse është kthyer në një parajsë për fotografë. Larmia shumëngjyrëshe e ligatinave, livadheve dhe shkurreve pyjore së bashku me një livadh të pasur me lule ka tërhequr shumë kafshë të egra të ndryshme.

"Gjatë 20 viteve të fundit, ne kemi ndihmuar në rigjenerimin e tokës, duke ekspozuar burimet e ujërave të ëmbla për të përmirësuar luginat e mëdha ligatinore dhe për të lidhur pellgjet ekzistuese me faqe shkëmbi me një seri pellgjesh të reja të parreshtuara," - thotë Gayle.

"Ne kemi mbjellë pyje gjetherëna vendase, teksa i kemi parë të rriten e të pushtohen ngadalë në kadifenë e myshqeve për të dhënë një ndjesi të harlisjes dhe të gjelbërimit gjatë gjithë vitit duke mbështetur gjallesa nga më të ndryshmet. Degët dhe trungjet janë të mbushura shumë me myshk i cili u ngjan botëve të përhumbura në miniaturë kur e shihni të zmadhuar nga afër."

Nëse zgjidhni të dokumentoni projektin tuaj, ndoshta një cep të oborrit tuaj që ia keni kthyer natyrës, sigurohuni që të keni kamerën dhe objektivin e duhur. Gayle përdor Canon EOS 6D Mark II, së bashku me një nga makroobjektivat e saj, për të kapur këto botë të vogla. "Kamera na jep mundësinë për t'u bërë një me gjallesa të caktuara, qofshin plane të afërta të një luleje, insekti apo sporet në pjesën e pasme të gjetheve të fierit," - thotë ajo. "Fillon të dallosh gjëra që nuk i ke vënë re kurrë më parë, dhe kjo më ka bërë më të vetëdijshme se si mund të lidhesh më fort me natyrën përmes objektivit."

Mësoni të "shikoni" me kamerë

Pilivesat blu mbështeten mbi barërat e pellgut, me nuancat blu dhe të gjelbra të reflektuara në ujin poshtë.

Fotografuar në pellgun e madh të sipërm të gurores, pilivesat blu shihen këtu duke u pushuar mbi barërat e rralla të kuqe të pellgjeve, Potamogeton alpinus. Barërat e pellgut konsiderohen në rrezik në Angli pasi zakonisht gjenden më në veri në malësitë skoceze. Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 100-400mm f/4.5-5.6L IS USM (të tejkaluar tani nga Canon EF 100-400mm f/4.5-5.6L IS II USM) në 330mm, 1/320 sec, f/6.3 dhe ISO 200. © Natured Secrets

Dy kukuvajka në dritaren e një hambari prej guri, ndërsa një e tretë qëndron në çatinë sipër tyre.

"Ky është hambari i kukuvajkave në fushën e sipërme - është një ndërtim i restauruar prej guri të thatë," - thotë Gayle. "Hambari gjendet në shpatin e kodrës, që të vegjëlit e tyre të mund të hidhen lehtësisht në pendat me bar." Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 600mm f/4L IS III USM në 1/800 sek, f/4.5 dhe ISO 2500. © Natured Secrets

Kjo lidhje është forcuar që kur një familje kukuvajkash hambari është shfaqur pas punimeve të restaurimit në një hambar, të cilin Gayle dhe muratorët e gurit të thatë e rindërtuan duke përdorur gurin e gjetur në ish-gurore. Tani është një shtëpi e re për jetën e shpendëve.

"Duke mësuar të 'shikoj' përmes kamerës dhe duke pritur në heshtje që të dalin kukuvajkat e hambarit më mundëson të vrojtoj edhe më shumë," - thotë Gayle. “Vërej lëvizjen e barërave, ndryshimin e dritës, fluturat e natës, zogjtë dhe lulet që prekin. Për momentin, bëhem unë preja kur objektivi kap kthetrat që më fluturojnë përsipër, mandej historia merr tjetër kënd kur lëviz nga vendi. Unë bëhem gjuetarja”.

Gayle përdor një kamerë të dytë DSLR kuadërplotë me një përzgjedhje objektivash EF më të gjatë. Duke mbajtur një trup të kamerës për makroobjektivat dhe një tjetër për telefotot e saj, ajo nuk humb asnjë moment ndërsa i duhet të ndryshojë objektivin. Këto mjete e ndihmojnë të kapë qiej dramatikë dhe zogj në fluturim, si kukuvajkat, me fotostabilizimin që bëhet veçanërisht i rëndësishëm pasi ajo nuk përdor stativ.

"Më duhet rrezja e objektivit tim mahnitës EF 600mm f/4L IS III USM për t'iu afruar kukuvajkave," - thotë ajo. "Unë jam shumë larg këtu dhe nuk kam mbulim, ndaj nuk mund të ulem duke menduar se do të shoh nga afër ndonjë dre apo zog. Është madje e vështirë të fotografosh gushkuqët sepse pemët janë shumë të mëdha. E di që do të kapësh foto optimale me 600 mm sepse janë të qarta, pasi është objektiv fiks, ndërsa Canon EF 100-400mm f/4.5-5.6L IS II USM më jep mundësinë të zmadhoj dhe zvogëloj që ta kap zogun nëse lëviz apo ëse vjen drejt meje. E zotëroj distancën”.

Dokumentimi i ripërtëritjes tani dhe në të ardhmen

Një pamje nga afër e kokave të luleve të gjelbra dhe të bardha të një bime karote të egër, një livadh jashtë fokusit në sfond.

“Këto bimë po rriten në pirgjet tona me mbetjet e gurëve brenda dhe rreth gurores. Ne na pëlqejnë çadrat e bardha si dantellë të karotës së egër në pikun e verës”, - thotë Gayle. "Por më vonë nga mesi i gushtit, bishtajat e farave të vogla të gjelbra, të ngjashme me fasulet përmbysen teksa thahen dhe kokat e luleve mbështillen fort në një fole të mysët për zogj." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 100mm f/2.8 Macro USM në 1/640 sek, f/2.8 dhe ISO 320. © Natured Secrets

Një pamje nga afër e një grerëze që rri pezull mes gjembave dhe barit.

"Gjithçka që mund të bëj është ta lë këtë tokë në një gjendje më të mirë sesa e gjeta", - thotë Gayle. “Kjo është sfida ime, të vazhdoj ta përmirësoj. Unë jam i prirur të ndjek ecurinë, në mënyrë që të shohim ndryshimin." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 100-400mm f/4.5-5.6L IS II USM në 153mm, 1/1000 sek, f/5 dhe ISO 640. © Natured Secrets

Gayle e ka dokumentuar gjithashtu projektin e ripërtëritjes përmes sondazheve, presimit të luleve, ruajtjes së bimëve në alkool dhe skicimit e pikturës me akuarel. Në fund të fundit ama, ajo shijon momentet e vogla me faunën e egër që është mbledhur drejt këtij vendi dhe është e apasionuar me të mirat e bashkëveprimit me natyrën për shëndetin mendor të njeriut. "Shikimi përmes kamerës atyre mëngjeseve herët të mundëson përthithjen e një paqeje dhe qetësie," - shpjegon ajo. "Unë mund ta skalit atë gjendje shpirtërore duke ndarë këtë imazh në rrjetet sociale, duke ndihmuar të tjerët me përvojën e shikimit të bukurisë që na rrethon."

Ajo inkurajon këdo që mendon të krijojë një projekt të ngjashëm që të nisë si fillim me disa pemë ose shkurre për të tërhequr zogjtë dhe insektet. “Mbillni gjithmonë pemë nëse mundeni”, - këshillon ajo. "Nuk ju duhet shumë hapësirë ​​- në gjashtë apo shtatë vjet do të keni një pyll dhe do të jeni në gjendje të ecni përreth duke e ndjerë hapësirën."

Shkruar nga Lorna Dockerill

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • FOTOGRAFIA E NATYRËS

    Këshilla për fotografimin e faunës së egër

    Fotografja profesioniste, Dani Connor, tregon këshillat e saj më të mira për sukses profesional me një aspirant të ri të fotografisë së faunës së egër.

  • FOTOGRAFI PEIZAZHI

    Objektivat më të mirë për peizazhe

    I gjithë informacioni që ju nevojitet për t'ju ndihmuar të zgjidhni objektiva ekonomikë fiksë dhe zmadhues.

  • FAUNËN E EGËR

    Si të fotografoni zogjtë

    Këshilla dhe kompleti më i mirë fillestar për fotografinë e shpendëve.

  • MAKROFOTOGRAFIA

    Bëni makrofoto të pabesueshme të bletëve

    Si të bëni makrofoto të arrira të insekteve të vogla që lëvizin shpejt.