Këshillat kryesore për video dhe fotografi rruge unike

"Fotografia e rrugës ka evoluar në dekadat e fundit – në ditët e sotme është më shumë eksperimentale, duke e marrë frymëzimin nga zhanre të tjera", thotë Andres McNeill.
Fotografi i rrugës Andres McNeill kap një fotografi rruge të një figure që ecën përgjatë një ure të gjatë varëse.

Fotografia e rrugës ka ekzistuar për aq kohë sa kamerat kanë qenë mjaftueshëm portative sa për t'u transportuar me lehtësi. Është një zhanër që përfshin një gamë të gjerë stilesh, por përkufizohet lirisht si "imazhe spontane të shkrepura në publik". Shumica e njerëzve mendojnë se fotografia tipike e rrugës i ngjason stilit të Nju-Jorkut të viteve '60 deri në '80 – shkrepje me ritme të shpejta, ndonjëherë të bëra drejtpërdrejt në fytyrat e njerëzve. Megjithatë, edhe ajo ka evoluar si të gjitha llojet e fotografisë.

Në një epokë kur të gjithë kanë një telefon inteligjent në xhep, fotografët e mirëfilltë të rrugës dallohen për cilësinë e pamjeve të shkrepura me kamerën e tyre dhe krijimtarinë e tyre. Ata mund t'i përmbahen stilit të lartpërmendur, por integrojnë konceptin unik të tyre në fotografinë e rrugës.

Të marrim si shembull Andres McNeill. Me vendndodhje në Glasgou, MB, ai ka arritur një numër të konsiderueshëm ndjekësish në rrjetet sociale për shkrepjet e tij dramatike, me temë arkitekturën e qyteteve skoceze. Për Andresin, ndërtesat janë të parat, pastaj vijnë njerëzit.

Këtu ai jep këshillat e tij për fotografimin në rrugë.

Vëzhgoni botën rreth jush

Fotografi i rrugës Andres McNeill kap një fotografi rruge të dy figurave që mbajnë çadra duke ecur përpara një ndërtese të madhe mbresëlënëse.

Megjithëse Andres e merr frymëzimin nga arkitektura, atij i pëlqen të përfshijë edhe njerëz në fotografitë e tij urbane për të shtuar nuanca lëvizjeje, personaliteti dhe për ta gjallëruar shkrepjen. Shkrepur në Canon EOS R6 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 70-200mm f/4L IS USM në 200 mm, 1/800 sek, f/4 dhe ISO 400. © Andres McNeill

Fotografi i rrugës Andres McNeill kap një fotografi rruge të një burri të moshuar që ecën në trotuar me një shkop, i vogëluar përballë mureve me tulla të kuqe të një ndërtese shumëkatëshe.

Shenjat rrugore dhe punimet prej metali në pjesën e jashtme të kësaj ndërtese bëjnë që sytë e shikuesit të fokusohen te silueta e të moshuarit që po ecën me bastunin e tij përgjatë mureve mbresëlënëse me tulla të kuqe. Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/800 sek, f/2.8 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Kur Andres del për të bërë shkrepjet e ditës, ai nuk e mendon paraprakisht se ku do të shkojë, por thjesht reagon ndaj gjërave që sheh. Thënë kjo, ai e ka një ide se çfarë po kërkon. "​​Do të thosha se jam pak ndryshe nga shumë fotografë rruge, pasi unë marr në konsideratë arkitekturën urbane", shpjegon ai. "Më pëlqen të tregoj shkallën e madhësisë. Dëshiroj të kem në fokus një ndërtesë të madhe dhe njerëz në plan të parë për të krijuar kontrast."

Andres endet rrotull derisa gjen një vendndodhje që mendon se mund të përbëjë një kompozim të fuqishëm dhe më pas bën gati kamerën e tij dhe pret. "Unë zgjedh një ndërtesë të bukur si sfond dhe personi që kalon përpara saj është thuajse dytësor", thotë ai. Ajo çka e bën ideal subjektin shpesh bazohet në një kopje vizuale ose rastësi, për shembull "një person i veshur me një bluzë jeshile duke qëndruar pranë një tabele afishimi ku del fotoja e një personi të veshur me një bluzë të gjelbër. Pra, gjëra të këtilla".

Kur fotografoni njerëz në një skenë, është e rëndësishme të keni në mendje pikën e fokusimit, pavarësisht nëse janë sytë e subjektit kryesor, fytyra e një personi qendror në një turmë apo dikush që ecën me nxitim në rrugë.

Gjeni një stil që ju frymëzon

Dy ndërtesa të zbukuruara në kuadër me hije, një ndërtesë e tretë e mbuluar nga rrezet e diellit në këtë fotografi rruge të shkrepur nga poshtë.

Avantazhi i përdorimit të ndërtesave të larta si kuadër brenda një kuadri është se mund të fotografoni në çdo kohë. "Nuk ka rëndësi nëse shkrepni në mes të ditës, që është zakonisht makthi i një fotografi, pasi dielli priret të jetë më i fortë, por mund të gjeni gjithsesi një kontrast të këndshëm ndërmjet dritës dhe hijes", thotë Andres. Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/250 sek, f/2.8 dhe ISO 200. © Andres McNeill

Fotografi rruge e një personi që sheh dhe pret në stacion ndërsa treni i kalon përpara me shpejtësi. Personi është plotësisht në fokus ndërkohë që vagoni i trenit është i mjegulluar.

Arsyeja përse Andresit i pëlqen të krijojë pamje që duken si poza filmi është sepse kjo krijon një "imazh nostalgjik, pothuajse si Glasgou i fëmijërisë sime", thotë ai. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105 mm F4-7.1 IS STM në 1/6 sek, f/4.5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Kinemaja është një pikë e rëndësishme reference për Andresin, i cili e kompozon pamjen "pothuajse si një pozë kontekstuale të një filmi".

Ai thekson se nuk ka "një qasje përgjithësuese" kur bëhet fjalë për fotografinë e rrugës në ditët e sotme. Gjërat që ia tërheqin vëmendjen Andresit më shumë janë format dhe modelet e ndërtesave, qofshin godina të epokës viktoriane të shekullit të 19-të ose strukturat e rastit të arkitekturës "brutaliste", që i gjeni në rrugët e Glasgout. Ai thotë: "Jam një adhurues i madh i vijave orientuese, që ju drejtojnë te një subjekt. Ndonjëherë, fotografoj një ndërtesë në secilën anë të kuadrit dhe më pas shkrep një foto me një person në mes, apo mbase edhe një taksi duke ardhur drejt meje".

"Ka plot mënyra për ta provuar", shton Andres. "Mënyra e vjetër konsistonte gjithmonë në përdorimin e gjatësisë fokale 35 mm, ndonjëherë duke shkrepur nga lartësia e ijëve, nga afër. Ndërsa tani përdorim një larmi gjatësish fokale. Nëse ndiheni disi introvertë, mund të përdorni një gjatësi fokale 85 mm ose 200 mm dhe të shkrepni nga ana tjetër e rrugës e të fotografoni një çast që mund t'ju humbasë nëse shkrepni nga gjatësia fokale 35 mm."

Tregoni respekt

Në një fotografi rruge të shkrepur nga Andres McNeill, një çiklist po nget biçikletën në një rrugë me kalldrëm përpara një ndërtese madhështore prej guri.

Në fillesat e tij Andres përpiqej të ecte në gjurmët e fotografëve të rrugës të mëparshëm, që u afroheshin subjekteve sa më shumë të mundeshin. Që nga ajo kohë, ai ka arritur në përfundimin se "Nuk më pëlqen të cenoj hapësirën e njerëzve". "Nuk është në stilin tim". Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/500 sek, f/4.5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Këshillohet të kontrolloni gjithmonë ligjet për fotografinë e rrugës të vendit ku planifikoni të bëni fotografi, por përgjithësisht shumica e shteteve e lejojnë fotografinë në vende publike, nëse nuk specifikohet ndryshe. Kjo përfshin fotografimin e këmbësorëve në rrugë dhe të njerëzve në vende publike, siç janë parqet.

Megjithatë, fotografimi i të panjohurve mund të jetë intimidues. "Thjesht tregohuni të drejtpërdrejtë për atë që po bëni dhe lejoni pasionin tuaj të rrezatojë", këshillon Andres, i cili zakonisht e shkrep foton dhe më pas, kur është e mundur, shkon e flet me subjektin dhe ia tregon se si duket në kamera. Mund të ofroni që gjithashtu t'ua tregoni pamjet, ose t'i jepni subjektit rrjetet tuaja sociale në mënyrë që t'i shohë pamjet në internet.

Shumica e njerëzve e mirëkuptojnë, por Andresi e fshin pamjen pa ngurruar nëse ia kërkojnë.

Kinematografia e rrugës

get-inspired-street-photography-tips-andres-mcneill-video.mp4

Nuk është çudi që dashuria e Andres për pamjen kinematografinë e ka shtyrë atë të realizojë video tërheqëse, krahas fotove të rrugës. Ai shpesh përdor një Canon EOS R5 (pasuar tani nga EOS R5 Mark II) kur dëshiron të kalojë midis fotografive dhe videove, por kalon në një kamerë kinematografike EOS C70 kur fokusohet vetëm te videot, falë filtrave të saj revolucionarë të integruar ND për kontrollin e ekspozimit.

Kur bëhet fjalë për kinematografinë e rrugës, Andres këshillon të jeni më të qëllimshëm me mënyrën e inkuadrimit të skenës. “Fotografia e rrugës lejon më shumë fleksibilitet. Edhe pse duhet ta inkuadrosh pamjen me kujdes, ajo mund të pritet më vonë. Me videon, nëse diçka nuk duket mirë ose bllokon kuadrin, është më e vështirë ta rregullosh. Megjithëse, me kamerat 8K Canon mund të presësh skenën për të krijuar një kuadër 4K ose Full HD.”

Ai gjithashtu sugjeron që të zhvilloni një mendësi si ajo e fotografit të natyrës së egër, për të qenë më të durueshëm me skenën e rrugës: “Kur mendon se asgjë nuk po ndodh dhe je gati të shkosh në një vend tjetër, qëndro atje dhe regjistro për 10 sekonda të tjera – gjithmonë atëherë ndodh diçka!”

Ai thotë se qasja e tij për filmimin e videove është “shumë e ngjashme por edhe shumë e ndryshme” nga ajo e shkrepjes së fotove. “E di që është një paradoks total! Më pëlqejnë videot spontane në stil dokumentari, të cilat janë të ngjashme me fotografinë e rrugës, pasi ti thjesht vëzhgon atë që ndodh. Por ato janë gjithashtu disiplina të ndryshme. Me fotografinë e rrugës fokusi është te njerëzit që do të shfaqen në foto, ndërsa me kinematografinë e rrugës njerëzit janë pothuajse dytësorë. Ajo ka më shumë të bëjë me dritën dhe ndërtesat dhe në thelb me pikturimin e një skene të plotë.”

Kjo qasje piktoreske shtrihet deri në procesin pas prodhimit: “Më pëlqen shumë të shoh rezultatin përfundimtar, të luaj me ngjyrat dhe të shoh se çfarë imazhesh të çmendura mund të krijoj. Jam adhurues i madh i gjërave të tilla si Blade Runner, që ndonjëherë i ekzagjeron ngjyrat.”

Gjatë modifikimit të sekuencave për rrjetet sociale, thotë Andres, “Kërkoj kompozim të mirë me arkitekturën dhe më pëlqen të përfshij njerëz që ecin brenda dhe jashtë kuadrit ose mes turmës me fokusin në një ndërtesë. Më pëlqen gjithashtu t’i ndjek njerëzit duke ecur me këmbë ose biçikletë për të krijuar pak lëvizje.”

Shkrepje për rrjetet sociale

Fotografi rruge nga Andres McNeill e një rruge të ngushtë me kalldrëm në muzg, me dritat e llambave të reflektuara në pellgje.

Shpeshherë, të bësh "shkrepjen e duhur" është çështje kohe. Andres mund të qëndrojë për gjysmë ore në një njëjtin vend pa arritur të shkrepë pamjen që dëshiron, si për shembull të dikujt që afrohet drejt kuadrit. Por pasi gjeni një vendndodhje interesante, mund të ktheheni atje një ditë tjetër. Shkrepur në Canon EOS R6 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 70-200mm f/4L USM në 1/250 sek, f/4.5 dhe ISO 3200. © Andres McNeill

Një kamerë Canon EOS R50 V, me një objektiv Canon RF-S 14-30mm F4-6.3 IS STM PZ, të montuar vertikalisht në një stativ Canon HG-100TBR.

Canon EOS R50 V ka një fole stativi vertikal, duke e bërë më të thjeshtë shkrepjen në orientim vertikal për platformat e rrjeteve sociale. Këtu po përdoret me stativin fleksibël Canon HG-100TBR.

Të ndash video dhe fotografi rruge në rrjetet e tua sociale është një mënyrë e shkëlqyer për të arritur audienca të reja dhe më të mëdha. Andres thotë se rrjetet sociale kanë qenë thelbësore në fillimet e tij: “Ato ishin gjithçka, pasi nuk dija asgjë për faqet e internetit dhe SEO.”

Ai thotë se videot po dominojnë në rrjetet sociale, prandaj tani krijon klipe të dedikuara posaçërisht për kanalet e tij. “Një purist me siguri do të thoshte se gjithçka duhet të filmohet horizontalisht, por kjo nuk është ideale për rrjetet sociale, përveçse për YouTube. Kështu që, ndonjëherë i shkrep qëllimisht skenat e rrugës vertikalisht. Megjithatë ia vlen, pasi angazhimi në TikTok është shumë më i madh kur shkrep vertikalisht.” E dizajnuar fillimisht për video, Canon EOS R50 V është e pajisur me një fole stativi vertikal për të ndihmuar në shfrytëzimin maksimal të këtyre mundësive.

Shpeshherë, një kompozim vertikal i përshtatet mirë fotografisë së rrugës me fokus arkitekturën, por Andres preferon të shkrepë horizontalisht. “Në Instagram mund të bësh gjëra të tilla si p.sh. të vendosësh tre skena të ndryshme horizontale njëra mbi tjetrën brenda një kuadri 4x5. Ndonjëherë, këtë mund ta përdorësh edhe për të treguar një histori vizualisht.”

Kur bëhet fjalë për të zgjedhur cilat foto të postosh në rrjetet sociale, Andres këshillon që të mos përpiqesh të kënaqësh të tjerët, por veten: “Kam mësuar të mos shkrep më për të tjerët dhe përpiqem të kap atë që është interesante për mua.”

Megjithëse panorama e rrjeteve sociale po ndryshon vazhdimisht, Andres ka një këshillë të vlefshme për të rritur audiencën e ndjekësve për fotografinë e rrugës dhe për ta mbajtur atë të angazhuar: ji interaktiv. “Nuk jam si ata krijues që vetëm postojnë dhe injorojnë mesazhet. Kam një audiencë solide që ndërvepron me mua çdo ditë, dhe edhe pse nuk kam një numër të lartë ndjekësish, gjithmonë gjej kohë t’u përgjigjem të gjitha komenteve dhe të flas me të gjithë ata që duan të angazhohen. Natyrisht, nëse ke një milion ndjekës, nuk mund ta bësh këtë, por mendoj se rrjetet sociale duhet të jenë një rrugë me dy kalime.”

Përsosni kompletin tuaj për fotografi rruge

Dy duar që mbajnë një Canon EOS R8, me një objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM, i cili përdoret zakonisht për fotografi rruge.

Shkrepja e çasteve spontane dhe e skenave të pazakonta është një prej gëzimeve më të mëdha të fotografisë së rrugës, ndaj të kesh një kamerë me modalitet të shpejtë shkrepjeje në seri është ideale. EOS R8 mund të shkrepë deri në 40 fps me shkrehësin elektronik dhe ka gjithashtu një modalitet prej 30 fps RAW në seri me pararegjistrim, që ju mundëson të filloni të shkrepni skedarë RAW me një shtypje deri në gjysmë të obturatorit.

Duke përdorur një stativ, një përdorues mban një kamerë Canon PowerShot V1 në një kënd të ulët me një ekran me kënd të ndryshueshëm të kthyer lart, të përshtatshëm për fotografi rruge.

Shumë kamera Canon EOS kanë një ekran me kënd të ndryshueshëm, çka e bën më të thjeshtë kompozimin e një imazhi gjatë shkrepjes nga kënde të pazakonta. Canon PowerShot V1 gjithashtu e ka këtë veçori, krahas një game të gjerë opsionesh për video.

Madhësia kompakte dhe performanca e shkëlqyer në dritë të ulët e kamerave pa pasqyrë EOS R System të Canon, nga EOS R8 dhe EOS R6 Mark II me kuadër të plotë deri tek APS-C EOS R10 dhe EOS R50, i bëjnë ato një zgjedhje ideale për fotografi rruge. Nëse dëshironi diçka më praktike, merrni parasysh një kamerë kompakte si Canon PowerShot V1, e cila kombinon cilësinë e lartë të imazhit me veçoritë e avancuara për foto dhe video për krijuesit e përmbajtjeve.

Zakonisht Andres fotografon me shpejtësi të lartë shkrepjeje, në modalitetin e vazhduar në seri. "Dua ta fiksoj veprimin dhe nuk dua ta humbas shkrepjen", shpjegon ai.

Zakonisht, fotografët e rrugës përdornin objektivë 35 mm ose 50 mm, ngaqë janë më afër mënyrës se si syri i njeriut e sheh botën dhe, për rrjedhojë, krijojnë një perspektivë natyrale. Canon RF 50mm F1.8 STM dhe RF 35mm F1.8 MACRO IS STM mund të japin efekt të lëmuar Bokeh dhe aperturat e tyre të gjera ndihmojnë gjithashtu të krijohet një efekt kinematografik, duke e izoluar subjektin ndërkohë që e mbajnë sfondin të mjegulluar.

Megjithatë, nëse sfondi është po aq i rëndësishëm sa subjekti juaj, një objektiv me kënd të gjerë mund të jetë një opsion më i mirë. Modeli superkompakt Canon RF 28 mm F2.8 STM ka një gjatësi fokale të ndryshueshme dhe një aperturë të shpejtë për të eksperimentuar me mjegullimin e sfondit, duke e bërë atë një objektiv ideal për fotografi rruge. Modeli universal Canon RF 28-70mm F2.8 IS STM vjen me IS optike për të zvogëluar dridhjet e kamerës dhe gjithashtu ju jep fleksibilitetin për të fotografuar skena urbane me kënd të gjerë, si dhe portrete rruge më intime. "Ndonjëherë më pëlqen të zmadhoj dhe të krijoj perspektiva të ndryshme", thotë Andres.

Shkrepja me një objektiv telefoto do të thotë të ruani njëfarë distance ndërmjet vetes suaj dhe subjektit, në mënyrë që të mos të detyroheni të shkelni privatësinë e tij. Modeli Canon RF 24-240mm F4-6.3 IS USM ka një objektiv zmadhues 10x tepër fleksibël, i cili është ideal nëse dëshironi një objektiv me gjatësi fokale për çdo skenar.

Pesë këshilla kryesore për fotografi rruge krijuese

1. Integroni perspektiva krijuese

Shkrepur nga fotografi i rrugës Andres McNeill, nga poshtë një ure, një ndërtesë dhe pemët reflektohen në një pellg të madh uji në rrugë.

Andres e ka bërë të duket interesante një pamje të rëndomtë, duke përdorur terrenin dhe pjesën poshtë urës si kuadro natyrorë dhe duke u siguruar që ndërtesa dhe pemët të jenë të reflektuara në pellgun e madh në rrugë. Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/1000 sek, f/3.5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Një rrugë gjarpëruese me kalldrëm në Glasgou e shkrepur nga lart. Midis ndërtesave në të dyja anët varen flamuj shumëngjyrësh. Shkrepur nga fotografi i rrugës Andres McNeill.

Shtojini larmi fotografisë suaj urbane duke shkrepur një rrugë nga lart, ose nga toka me fokus për lart. Shkrepur në Canon EOS R6 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 16-35 mm f/2.8L III USM në 16 mm, 1/160 sek, f/5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Për të krijuar pamje të veçanta, provoni të shkrepni nga kënde apo nga pika jo të zakonta. Një nga gjërat që i pëlqen Andresit në Glasgou janë perspektivat dhe rrafshet e ndryshme që mund të përfshijë në një kuadër për shkak se është peizazh tepër kodrinor. Relievi është gjithashtu fantastik për të fotografuar perëndimet e diellit.

Një tjetër teknikë e dobishme është të kërkojë pasqyrime në dritare apo sipërfaqe të tjera të shndritshme. Përveç dritareve, mund të provoni të eksperimentoni edhe me pellgje e lumenj për të krijuar kompozime interesante.

Nëse po shkrepni pamje në rrugë, merrni parasysh pikat unike të qytetit tuaj dhe përdorini ato për t'i bërë pamjet tuaja interesante dhe karakteristike tuajat.

2. Shkrepni turbullimin e kamerës

Një fotografi rruge me mjegullim të rëndë vertikal; këmbësorët janë të dukshëm midis vijave të dritave rozë, të gjelbra dhe të verdha.

Kur shkrepni për turbullim me kamerë, shikoni për objekte interesante që do të krijojnë motive të forta, si p.sh. çadra shumëngjyrëshe që qëndrojnë mbi rrugën këtu. Një lëvizje lart-poshtë e kamerës së bashku me një gjatësi ekspozimi 1/15 sek e transformon një skenë të zakonshme rruge në një foto të bukur me turbullim. Shkrepur në një Canon EOS RP (pasuar tani nga EOS R8) me një objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 35 mm, 1/15 sek, f/22 dhe ISO100.

Dridhja e kamerës është zakonisht diçka që fotografët përpiqen ta shmangin, por lëvizja e qëllimtë gjatë ekspozimit mund të sjellë abstrakte interesante të rrugëve, dhe kjo është një mënyrë e qëlluar për të përcjellë një ndjesi të ambientit.

Thelbi qëndron te caktimi i shpejtësisë së shkrehësit që të jetë mjaftueshëm i ngadaltë për të krijuar turbullim, por dhe mjaftueshëm i shpejtë për të lënë gjurmën e njerëzve dhe të formave. Provoni ta vendosni kamerën në modalitetin Shutter Priority (Tv) me shpejtësi shkrehësi prej 1/15 sek. Caktojeni ndjeshmërinë e kamerës në ISO100 si pikënisje, duke e rregulluar në bazë të nivelit të ndriçimit të ambientit në rrethinat tuaja derisa të keni një ekspozim me të cilin të jeni të kënaqur. Pastaj, teksa shtypni butonin e shkrehësit, bëni një lëvizje të shkurtër e të fortë me kamerë. Lëvizja lart-poshtë del mirë për skenat që përmbajnë njerëz, pasi ruan formën e figurave, por mund dhe të provoni lëvizjen anash, një rrotullim të beftë, një zmadhim të shpejtë.

Në modalitetin Shutter Priority (Tv) mund dhe thjesht ta caktoni ISO në auto – që ofrohet në shumicën e kamerave – çka ju lejon të përqendroheni vetëm te shpejtësia e shkrehësit.

3. Ekspozoni pjesët e shndritshme

Një fotografi rruge e shkrepur në një nënkalim, me dritën që depërton përmbi një mur me grafiti.

Kur krijoni imazhe abstrakte, mund të jetë e dobishme të shkrepni zonat me ndriçim dhe ngjyra të forta ose me kontrast – ky kontrast e bën më të lehtë që bota të shikohet si një sërë formash. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 39mm, 1/160 sec, f/8 dhe ISO100.

Një ekran LCD ku dikush ul ekspozimin e kamerës për të krijuar një imazh më të errët.

Shfrytëzoni kompensimin e ekspozimit dhe ulni ekspozimin me një apo dy nivele, për të ekspozuar pjesët e shndritshme në ditët me diell të fortë. Kini parasysh se për t’ia arritur kësaj duhet të përdorni cilësimet e ekspozimit të automatizuar si p.sh. Aperture Priority ose Shutter Priority.

Fotografët shpejt e shmangin shkrepjen në dritën e drejtpërdrejtë të diellit gjatë ditës, pasi krijon një kontrast të fortë me hijet e thella. Por kur vjen puna te fotografia e rrugës, ky kontrast mund t’ju lejojë thjeshtimin e skenave të ngarkuara, duke i kthyer në forma të qëlluara abstrakte. Kur ekspozoni për pjesët e shndritshme, hijet në imazhet tuaja bëhen thuajse e zezë e pastër, duke formuar hije pa detaje.

Mënyra më e lehtë për t’ia arritur kësaj është të përdorni Exposure Compensation. Thjesht uleni ekspozimin me një apo dy nivele për të errësuar skenën në mënyrë që hijet të thellohet dhe pjesët e skenës në dritë të fortë të dielli të mbeten të forta.

4. Shkrepni me ekspozim të dyfishtë

Një fotografi rruge me dopjoekspozim të një horizonti qyteti përkuar mbi njëri-tjetrin, të shfaqur përmbys.

Kur jeni në modalitet multiekspozimi, kamera ju jep një pamje paraprake të imazhit të kombinuar teksa shkrepni foton, çka e bën të lehtë kompozimin e ekspozimit të dytë që të dalë në harmoni me të parin. Shkrepur në Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 18-55mm f/3.5-5.6 IS STM në 55mm, 1/160 sec, f/7.1 dhe ISO100.

Një ekran LCD i kthyer përmbys mbi një kamerë Canon duke shfaqur dopjoekspozimin e ndërtesave që duken të varura në qiell.

Duke e kthyer kamerën përmbys për kuadrin e dytë të një dopjoekspozimi, mund të krijoni peizazhe surreale urbane.

Teknikë e njohur që në vitet 1800, dopjoekspozimi ju mundëson mbivendosjen e një imazhi tek tjetri për rezultate të goditura. Canon EOS R8, EOS R7 dhe kamera të tjera të reja ofrojnë një modalitet të dedikuar multiekspozimi që ju mundëson krijimin e efektit teksa shkrepni. Thjesht aktivizojeni modalitetin, caktoni numrin e dëshiruar të ekspozimeve dhe filloni me shkrepjen. Në ndihmën tuaj, mund të shihni paraprakisht efektin teksa shkrepni kuadrin e dytë (ose të tretë, të katërt – modaliteti lejon deri në nëntë), që të mund ta rregulloni pozën për kombinimin më interesant prej tyre.

Kur kërkoni subjektet dhe skenat për dopjoekspozimin tuaj, kini parasysh që zonat më të çelëta të mbeten po njësoj ose edhe më të shndritshme, por jo më të errëta. Kjo nën që ndërtesat dhe format e errëta përkundër një sfondi të çelët, si qielli, të japin imazhe të forta.

5. Përzgjidhni detajet

Një fotografi rruge e anës së një rrokaqielli të shkrepur nga poshtë, me xham shumëngjyrësh që mbulon njërën anë.

Kur jeni jashtë me kamerën me vete, shikoni për pika interesante kontrasti, motive harmonike, forma gjeometrike, zgjatje të forta të ngjyrave apo detaje abstrakte arkitektonike. Shkrepja e planeve të afërta të tipareve të ndërtesave, si ky imazh i nxjerrë me kënd, është një mënyrë e mirë si t’i bëni strukturat arkitektonike të duken abstrakte.

Një nga gëzimet e mëdha të fotografisë së rrugës është larmia e bollshme e detajeve interesante që gjeni rrotull, nga vijat abstrakte arkitektonike deri te tabelat shumëngjyrëshe, relievet, shkrimet dhe pasqyrimet. Shpesh fotot më të mira abstrakte janë ato që kanë kompozime të thjeshta. Duke u përqendruar te një apo dy detaje dhe duke përjashtuar çdo gjë tjetër, mund të krijoni foto të bukura që e japin vetë idenë e ambientit përreth. Pamjet e tilla mund të dalin dhe si punime të bukura artistike, ndaj përse të mos i printoni të preferuarat tuaja?

Fotografia e rrugës është lloji më i arritshëm i fotografisë. Nuk ju nevojitet një konfigurim i ndërlikuar dhe i kushtueshëm për të filluar. Nuk është nevoja të udhëtoni përtej detit, të ngjiteni nëpër male ose të uleni me javë të tëra brenda një strofke derisa të shfaqet një krijesë e rrallë. Gjithçka që ju nevojitet është të merrni kompletin tuaj, të dilni në rrugët pranë vendit ku banoni dhe të filloni të fotografoni. Kjo është një aftësi që përmirësohet me praktikë. "Nëse nuk i stërvitni sytë, nuk e kuptoni që gjatë gjithë kohës ndodhin çaste të pabesueshme", thotë Andres. "E rëndësishme është të jeni të duruar."

Subjekte të mahnitshme gjenden përpara jush, në pragun e derës suaj. Dilni jashtë, bëhuni gati dhe shtypni obturatorin.



Shkruar nga Rachel Segal Hamilton, James Paterson dhe Marcus Hawkins

Produkte të ngjashme

  • PowerShot V1

    Një kamerë kompakte që i jep përparësi videove me regjistrim 4K, fokus automatik preciz dhe tingull të qartë si kristali - ideale për krijuesit e përmbajtjes në lëvizje.
  • EOS R10

    Kryeni hapat tuaja të radhës në fotografi dhe video me një kamerë pa pasqyra EOS R System të krijuar rreth një sensori madhësie APS-C.
  • EOS R8

    Kaloni në fotografinë dhe videon kuadërplotë dhe realizoni ambiciet tuaja krijuese.
  • EOS R50 V

    Shfaqni krijimtarinë me një kamera me objektiva të ndërrueshëm që i jep përparësi videos, me shumë veçori të përparuara të filmimit, për të përmirësuar përmbajtjen tuaj.
  • RF 28-70mm F2.8 IS STM

    Një objektiv zmadhimi i vogël, i shpejtë dhe i lehtë f/2,8 28-70 mm për kamerat me korniza të plota, me IS dhe izolim termik. E shkëlqyer për udhëtime, portrete dhe krijimtari çdo ditë.
  • RF 50mm F1.8 STM

    Një objektiv kompakt, i qetë dhe peshëlehtë 50mm RF fiks, me aperturë të gjerë f/1.8, ideal për shfrytëzimin e vizionit tuaj krijues.

Artikuj të ngjashëm

Sfida e lenteve për fotografi rruge

Përse Canon RF 28 mm F2.8 STM është një element i domosdoshëm në çantën e pajisjeve për fotografi rruge.

Këshilla për fotografinë e arkitekturës

Përfshihuni në fotografinë e arkitekturës me teknika dhe njohuri nga një profesionist i fushës.

Këshilla për portretin e rrugës

Këshilla më e mirë për portretet e rrugës që tërheqin shikimin, nga fotografi profesionist, Julian Love.

Objektivat më të mirë për t’u përmirësuar nga një objektiv standard

Dëshironi të përmirësoheni nga objektivi standard që ka ardhur bashkë me kamerën tuaj? Ja çfarë të keni parasysh dhe pesë objektiva të shkëlqyer zmadhimi për opsione më krijuese.