Edhe nëse Krishtlindja është e rrënjosur në traditë, çdo stinë festash është unike. Prandaj është e rëndësishme të siguroheni që të fotografoni momentet fluturake të argëtimit në familje dhe organizimet e Krishtlindjes. Fotografja ruse e familjeve, Lena Petrova, ka perfeksionuar mënyrën e saj të fotografimit të kësaj periudhe të veçantë të vitit, si për fotografitë spontane ashtu edhe për fotografitë e planifikuara në grup - por përsëri argëtuese dhe të thjeshta.
Metoda e Lenës për fotografinë familjare mund të përmblidhet me një fjali: “Do të realizoni fotografi të bukura kur të gjithë harrojnë se po dalin në fotografi dhe thjesht shijojnë kohën që kalojnë me njëri-tjetrin.” Kjo do të thotë të ngrini muzikën, të bëni shaka dhe të luani me fëmijët - të kaloni një kohë gazmore ndërkohë që krijoni kujtime të përjetshme.
Pavarësisht nëse planifikoni të regjistroni fotografitë për kartolinat tuaja familjare të Krishtlindjes për këtë vit, ose thjesht dëshironi të kapni atmosferën dhe frymën e pushimeve, 10 këshillat e Lenës më poshtë do t'ju japin shumë ide për fotografinë e Krishtlindjes dhe do t'ju tregojnë se si të nxirrni fotografi familjare në shtëpi. Pasi të keni fotografitë tuaja të përsosura familjare të Krishtlindjes, drejtohuni te Creative Park për opsione të pafundme për t'i printuar, duke përfshirë shabllonet e kartolinave të Krishtlindjes, kornizat e printueshme të fotografive dhe librat fotografikë, për t'ua dhënë të dashurve tuaj si dhurata.
"Për fotografitë tuaja spontane, kini parasysh se cilat elemente të pushimeve janë të rëndësishme për ju dhe për familjen tuaj. Përveç dekorimit të pemës së Krishtlindjes dhe hapjes së dhuratave, ka udhëtime në dyqane për Krishtlindje, përgatitje për darkën, nënshkrimi i kartolinave, emocioni i pritjes së Babagjyshit dhe pa dyshim shumë gjëra të tjera që kanë domethënie për ju dhe të dashurit tuaj. Prandaj sigurohuni që ta keni gjithmonë kamerën gati..."
"Gjërat që krijojnë një atmosferë të rehatshme në jetën reale nuk janë gjithmonë të përshtatshme për një fotografi të pastër, prandaj kur realizoj portrete të njerëzve në shtëpitë e tyre, shpesh lëviz mobiliet dhe dekoret e tepërta për t'i larguar nga kuadri, duke përfshirë edhe fotografitë në mure. Nuk e bëj këtë për fotografitë spontane, por fatmirësisht ka shumë mënyra të tjera për ta rregulluar sfondin duke përdorur vetëm kamerën. Jo vetëm që mund të zgjidhni një kënd të mirë dhe të inkuadroni fotografinë, por mund të krijoni po ashtu një sfond të turbullt me efektin bokeh duke fotografuar me një hapje të gjerë të diafragmës, si p.sh. f/1.8."
"Për një portret familjar, unë kërkoj një sfond që është i qetë, në mënyrë që të mos tërheqë vëmendjen nga njerëzit në fotografi. Por nuk ka pse të jetë i thjeshtë - mund të përfshini një pemë Krishtlindjeje ose drita dekoruese për të krijuar një atmosferë festive."