Ása-s i pëlqen të shtojë një dorë ngjyra në imazhet e saj të peizazheve, zakonisht në formën e rrobave ngjyrëndezura – siç shihet në këtë fotografi. "Vajta bashkë me shokun tim për alpinizëm në Senjë dhe shkrepa këtë foto të mrekullueshme të tij duke qëndruar në buzë të shkëmbit," - thotë ajo. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM në 16mm, 1/1250 sek, f/2.8 dhe ISO200. © Ása Steinars
Ása Steinars nuk e konsideronte gjithnjë kaq mbresëlënëse Islandën. Kur vajti atje nga Norvegjia në moshën 7-vjeçare, iu duk më shumë si një fshat i vogël sesa një shtet. Por me t'u kthyer vite më vonë pas punës së saj jashtë shtetit, ajo filloi ta shikonte tokën e zjarrit dhe të akullit në një mënyrë të re të mrekullueshme.
Sot fotot dhe videot e Ása-s për aventurat e saj në vendlindje dhe jashtë saj i kanë sjellë një audiencë prej 700 mijë ndjekësish në rrjetet sociale. Përmes zotërimit të saj të "autoportretit skenik" që i kthen autoportretet modeste në poza monumentale të peizazheve skandinave llogaritë e saj në Instagram dhe TikTok janë si përkushtime gjithnjë e në rritje ndaj mrekullive të përtejbotshme të Islandës – nga gufrat, vullkanet dhe plazhet rërëzeza deri te fjordet, akullnajat dhe ujëvarat.
Fotografia e saj e peizazheve përfshin shpesh njerëz, zakonisht atë vetë. Këto nuk janë autoportrete të thjeshta; por e ftojnë shikuesin ta vërë veten në pozitat e saj – diçka që duket veçanërisht e rëndësishme kur poston në rrjetet sociale. "Dua të krijoj ndjesinë te shikuesi që ta përfytyrojë veten e tij apo të saj në figurë, ndjesinë e dashjes për të vajtur atje dhe për të përjetuar natyrën, jo thjesht duke e parë nga larg," - thotë Ása.
Për ta bërë këtë, fotot e Steinars-ës zakonisht përfshijnë një a më shumë shqisa: thuajse e ndjen ngrohtësinë e zjarrit ditëve të ftohta; e dëgjon zhurmën e ujëvarës në stërkala; e shijon kafen e ngrohtë pas një ecjeje të gjatë. "Për mua," - thotë Steinars, - "fotografia qëndron te krijimi i kësaj ndjesie – një ndjesi dëshire të shfrenuar për të bredhur ose thjesht frymëzim për të dalë jashtë e për të ecur malit. Fotografia e natyrës lidhet gjithnjë me eksplorimin e natyrës, ndaj më pëlqen të shtoj një person për të treguar historinë e plotë pas gjësë."
Këtu, Ása shpjegon se si vepron, duke ndarë këshilla për ta shpënë fotografinë e peizazheve një shkallë më tej, që edhe ju të mund ta shikoni botën natyrore në një dritë krejt tjetër.