PROJEKTE PËR SHTËPINË

Gjeni frymëzim në përditëshmëri kur shkrepni portrete në shtëpi

Michaela Efford zbulon këshillat e saj kryesore për fotografimin e portreteve që tërheqin shikime në ambientin tuaj të ndenjjes.
Një grua me kapëse flutur në flokë vendos dhe kapëse të tjera flutur në fije që varen nga një shufër gri.

Fotografja profesionale e portreteve dhe e modës, yll në ngritje në TikTok dhe postuese e zellshme në Instagram, Michaela Efford, ka ngritur një audiencë mbarëbotërore në rrjetet sociale. Suksesi i saj vjen pjesërisht nga ndarja e videove udhëzuese që ofrojnë frymëzime krijuese dhe udhëzime për fotografët me nivele të ndryshme ekspertize.

Ashtu si shumë prej nesh, Michaela ndjeu një farë ngurtësimi për shkak të kufizimit masiv të lëvizjes dhe kishte interes të gjente forma për ta lënë krijimtarinë e saj të lirë. Ajo i ktheu kufizimet mbi punën e saj në një avantazh, duke përdorur artikuj të përditshëm dhe pika të ndryshme të shtëpisë për t'u dhënë një dell krijues pozave gjatë qëndrimit në shtëpi.

"Mendoja si të krijoja foto ëndërrimtare në shtëpi dhe si të eksperimentoja me ndriçimin," - thotë ajo. "Përdora Pinterest si frymëzim për llojin e fotove që doja të krijoja dhe pashë se çfarë kishin bërë fotografët e tjerë për t'i shkrepur. Videot muzikore janë gjithashtu një tabelë e mirë frymëzimi për ide krijuese."

Ja disa nga këshillat e saj më të mira për shkrepjen e portreteve krijuese në shtëpi.

1. Lëreni të shpaloset aspektin tuaj krijues

Gjetja e ideve krijuese është shpesh sfida më e madhe kur shkrepni në shtëpi. "Zakonisht përpiqem të kem një imazh në mendje se si dua të dalë poza," - thotë Michaela. "Mendoj çfarë ngjyrash do të shkonin së bashku, çfarë materialesh duhen përdorur dhe nëse duhet përfshirë apo jo prapafusha. Më pëlqen të përdor materiale të zakonshme, si p.sh. qelqi dhe fleta e aluminit."

Michaela thotë se i qaset shkrepjes me një ide, por nuk është e thënë që duhet detyrimisht ta ndjekë deri në fund. Ajo këshillon të tjerët të jenë të hapur ndaj evoluimit të planeve gjatë një shkrepjeje dhe të mendojnë jashtë kornizave. "Edhe kur shkrep në shtëpi, nuk e lë veten të kufizohem nga katër muret. Dhoma të ndryshme nëpër shtëpi mund të japin pamje dhe ndjesi të ndryshme për imazhet, ndaj ju këshilloj të mos fiksoheni tek i njëjti vend."

Një portret gruaje që buzëqesh përkundër një sfondi rozë. Flutura letre rrethojnë kokën dhe i zbukurojnë flokët.

Ia vlen të provosh duke eksperimentuar. Ky portret ka një pamje ëndërrimtare që u krijua në skenën e fotografimit dhe jo në pasproduksion. Efekti krijohet thjesht duke tendosur ca celofan rreth periferisë së objektivit. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 67mm, 1/160 sek, f/3.5 dhe ISO320.

Një portret i një gruaje të re përkundër një sfondi të gjelbër. Flutura letre rrethojnë kokën dhe i zbukurojnë flokët.

Këtu Michaela ka përdorur të njëjtin konfigurim, por ka transformuar atmosferën e imazhit duke ndryshuar ngjyrën e sfondit dhe pozën e saj. "Krijimtaria çon peshë kur redakton imazhet po aq sa dhe gjatë shkrepjeve," - shton ajo. "Më pëlqen të luaj me nivelet e së bardhës dhe të të zezës për kontrast të përgjithshëm, si dhe të theksoj ngjyrën që imazhet të jenë tërheqëse." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 67mm, 1/160 sek, f/3.5 dhe ISO320.

Ajo i këshillon të tjerët të fokusohen në llojin e atmosferës që duan të përcjellin kur mendojnë një koncept për një foto. "Pinterest rezulton praktik për të parë stilet alternative dhe shpesh bëj një minitabelë atmosferash që më ndihmon të gjej çfarë rekuizitash, materialesh dhe ngjyrash të përdor," - thotë ajo. "Është e rëndësishme të jesh fleksibël dhe i hapur ndaj alternativave, dhe jo shumë formulaik."

2. Gjeni frymëzimin tek e përditshmja

Një portret i një gruaje të re duke përdredhur flokët dhe duke fryrë diçka që duket si flluskë çamçakëzi.

"Desha të tregoj se mund të përdorni një rekuizitë të rastit për ta manipuluar që të duket si diçka tjetër," - shpjegon ylli i TikTok, Michaela Efford, për këtë autoportret të goditur që ka nxjerrë gjatë kufizimit të përgjithshëm të lëvizjes. "Duket si çamçakëz rozë, por në fakt është tullumbace e fryrë përgjysmë." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III (tejkaluar tani nga Canon EOS 5D Mark IV) me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 42mm, 1/100 sek, f/2.8 dhe ISO400. © Michaela Efford

Një portret gruaje të re duke mbajtur një tufë luledielli. Ajo ka veshur një fustan me motive luledelesh dhe qëndron përpara një sfondi blu të mbuluar me re të mbushura me lule.

Ky portret ishte frymëzuar nga veshja me motive luledelesh e Michaela-s. "Bleva veshjen dhe kështu e gjeta tematikën e luleve për fotografimin," - thotë ajo. "Bëra një sfond me re prej poliesteri dhe e ngjita në karton, pastaj u vura miniluledele përsipër." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 26mm, 1/125 sek, f/3.2 dhe ISO640. © Michaela Efford

Tek kishte mbetur në shtëpi, Michaela kuptoi se sendet dhe dhomat përreth mund të funksiononin si studio, me pak dorë krijuese. "Kam disa sende dhe stoli të bukura nëpër shtëpi, të cilat më parë i merrja për të mirëqena përpara kufizimit të përgjithshëm të lëvizjes," - thotë ajo. "Teksa i shikoja përditë, ishin bërë tanimë të padukshme. Qëndrimi në shtëpi më bëri t'i shoh me sy të ri dhe nisa të mendoj se si mund t'i përfshija me krijimtari në foto."

3. Drita dhe vendndodhja

Një grua e re shikon kamerën, me syze të vëna dhe me konture të ndriçuara blu dhe një parukë rozë, një rreth drite blu menjëherë pas saj.

"Nuk ka më mirë se rekuizitat cilësore," - thotë Michaela. "Këto syze me dritë i kam blerë dhe sapo i vura m'u duk vetja si ndonjë personazh në filmat e fantashkencës, çka diktoi dhe tematikën e fotove. Atmosfera përmirësohet duke përdorur një fletë alumini për sfondin." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 70mm, 1/160 sek, f/3.5 dhe ISO640. © Michaela Efford

Një grua e re anon kokën anash duke e pushuar në një dorë, duke parë një gotë uji përpara vetes me dy peshq të kuq, që janë shtuar digjitalisht, duke notuar në të.

"Kjo pozë është shkrepur në oborrin tim me një çarçaf si sfond për të vepruar si difuziv," - thotë Michaela. "Përdora një gotë uji si rekuizitë kryesore. Fillimisht isha duke shkrepur foto për të deformuar fytyrën, por përfundova duke shtuar imazhe peshqish në gotë në formë digjitale, pasi më dukej se pozës i mungonte elementi krijues." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 33mm, 1/1000 sek, f/3.2 dhe ISO100. © Michaela Efford

Michaela beson fort se fotografia e mirë fillon me cilësinë e dritës. "Unë përdor dhomën e ndenjjes ose të gjumit për shumicën e shkrepjeve në shtëpi, pasi kanë dritën më të mirë në mëngjes, por dhoma të ndryshme funksionojnë më mirë në orë të ndryshme të ditës," - thotë ajo. Nëse shkrepni në shtëpi, hidhuni një sy këtyre këshillave për ta bërë shtëpinë tuaj studio.

Për autoportrete dhe për video që i poston në TikTok, Michaela preferon të fokusohet në pozat e bustit. "Përgatitja e pozave me të gjithë trupin mund të jetë e vështirë me kaq shumë gjymtyrë dhe mendoj se planet e afërta janë gjithsesi më tërheqëse," - shton ajo.

"Kur bëj autoportrete, përdor një pult ose vetëkronometrin e kamerës. Shumë prej kamerave të fundit të Canon kanë ekrane rrotulluese që janë fantastike për përfshirjen e vetes nëpër foto. Nëse po shkrep dikë tjetër, shpesh filloj me autoportretet për të gjetur ndriçimin optimal dhe se si kombinohen rekuizitat e sfondi, pastaj vazhdoj prej aty."

4. Zgjidhni kompletin e duhur

Një Canon EOS 5D Mark IV, një stativ dhe disa artikuj të ndryshëm kancelarikë të vendosur mbi një syprinë tryeze.

Michaela përdor një larmi mjetesh, teknikash dhe pajisjesh për shkrepjet e saj. "Imazhet mund të përçojnë mesazhe të fuqishme, ndaj mos kini kurrë frikë të thoni atë që mendoni përmes pamjeve," - thotë ajo.

Një grua me fustan të bardhë, me flutura letre në flokë dhe mbi gojë.

Përveç setit, Michaela ka përdorur edhe rekuizita, si dhe artikuj të thjeshtë shtëpiakë, si p.sh. celofan për të krijuar pamjen e saj përfundimtare. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 67mm, 1/160 sek, f/3.5 dhe ISO320.

Michaela shkrep me një Canon EOS 5D Mark IV, pas rënies në dashuri me kamerat e serisë EOS 5D, kur nisi hapat e parë si fotografe. "Por tani ama më tërheq së tepërmi modeli Canon EOS R6 pa pasqyra. Kam parë fotografët tek e përdorin për fotografimet e "Fashion Week". Është kaq kompakt e peshëlehtë dhe kam vënë re rezultate spektakolare edhe në foto, edhe në video."

Nuk keni pse shpenzoni deri në blerjen e një kamere kuadërplotë për të arritur rezultate të goditura ama. Edhe Canon EOS M50 Mark II me mundësi ndërrimi të objektivave, edhe modeli kompakt Canon PowerShot G7 X Mark III ofrojnë performancë mahnitëse si në foto, ashtu edhe në filmime 4K UHD.

"Jam krejtësisht e dhënë pas kamerave të Canon, pasi më pëlqen se si punojnë me ngjyrën," - vijon Michaela. "Është diçka që e kam studiuar përpara se të bleja dhe që më ka shpaguar vërtet në punën time. Kur vjen puna te objektivat për portrete, zgjedhjet e mia janë Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM dhe EF 35mm f/1.4L II USM. Perspektiva natyrale i përshtatet më së miri mënyrës se si shkrep vetë dhe apertura e gjerë më jep kontroll të madh mbi thellësinë e qartësisë."

Michaela mezi pret të provojë objektivin Canon RF 35mm F1.8 IS Macro STM. Ashtu si trupat e kamerave Canon EOS RP dhe EOS R6, është kompakte e praktike, por sjell cilësi figure dhe performancë fantastike të përgjithshme, ndërsa mundëson dhe fotostabilizimin optik hibrid, si dhe fleksibilitetin e makrozmadhimit 0.5x për plane të afërta ekstreme.

5. Bashkëpunimi dhe shpërndarja

Një grua me një rimel blu të ndezur dhe bizhuteri në formë pikash loti e futur në ujë vibrant blu. Mund të dallohen vetëm koka dhe krahët e saj.

Një imazh nga fotografimet e një klienteje të Michaela-s. "I kemi shtuar ngjyrim blu ujit që të jetë super vibrant," - thotë ajo. "Ngjyra mund të jetë ingredient themelor. Mendoni se si ngjyrat bëhen bashkë në vend që t'ju duhet të merreni me rekuizita lloj-lloj." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 63mm, 1/125 sek, f/3.2 dhe ISO320. © Michaela Efford

Përkundër një sfondi pushator rozë, një bionde e re e veshur me bluzë të ngushtë lilak bën si e habitur teksa mban një telefon rozë në vesh.

"Donim të kapnim atë stilin pop super-girly të viteve 90," - shpjegon Michaela për këtë imazh që tërheq shikime, të cilin e ka shkrepur si pjesë të një fotografimi mode në maj 2021. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 61mm, 1/160 sek, f/8 dhe ISO125. © Michaela Efford

Nëse shkrepni portrete të një të njohuri, Michaela rekomandon t'i jepni udhëzime efikase se si të pozojë. "Unë jam më e mirë me gjuhën e trupit se me fjalë, ndaj dhe për poza u tregoj të tjerëve duke e bërë vetë pozën me trup, se sa t'ua them me fjalë," - thotë ajo. "Është më e natyrshme dhe më bashkëvepruese. Dhe është vërtet e rëndësishme që njerëzit të ndihen sa më natyrshëm dhe sa më komodë të jetë e mundur."

"Kur shkrep video për TikTok, përpiqem gjithnjë të shkrep dhe filmime 'pas kuintave' për t'i redaktuar më vonë. Kjo shton një nivel krejt tjetër interesi dhe njerëzit shpesh kënaqen kur shikojnë se si përgatiten pozat."

Nëse eksperimentoni me shkrepjen e portreteve, do të gjeni dhe stilin tuaj. "Jini konfident dhe mos kini frikë të shprehni vetveten," - thotë Michaela. "Ndiqni fotografët e tjerë për frymëzim, por, ndërsa zhvilloni stilin tuaj, qëndrojini besnik këtij dhe festoni të qenit unikë."


Shkruar nga Matthew Richards

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Kompleti më i mirë i nivelit fillestar për portrete

    Kamera dhe objektiva për çdo lloj fotografie portreti.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Përmirësoni autoportretet

    Përdoruesja e TikTok, Nina Collins, shpjegon se si të bëni autoportrete krijuese në shtëpi.

  • PROJEKTE PËR SHTËPINË

    Krijoni studion tuaj në shtëpi

    Zbuloni se si të bëheni krijues me blicin dhe të shkrepni portrete mahnitëse pa shpenzime.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Shkrepni portrete abstrakte

    Eksperimentoni me ekspozime të ndryshme, pikturë me drita, lojë me hije etj.