PROJEKTE PËR SHTËPINË

Si të krijoni studion tuaj në shtëpi

Bëhuni krijues me fotografinë me blic dhe mësoni si të bëni portrete mahnitëse pa shpenzime.
Një portret i një gruaje që mban një gjerdan të madh të gjelbër dhe një beretë blu në një sfond vjollcë.

Nuk keni gjithmonë nevojë për një hapësirë ​​të dedikuar në studio apo ndonjë grup blicesh të shtrenjta për të krijuar foto cilësore në studio, me pamje profesionale. Me disa aksesorë të thjeshtë dhe një hapësirë ​​për të fotografuar, çdokush mund të krijojë një studio bazike në shtëpinë e vet. Këtu shpjegojmë se si t'ia arrijmë kësaj me minimumin e aksesorëve dhe të shpenzimit. Në vijim do të shqyrtojmë gjithashtu disa nga bazat e fotografisë në studio, si përdorimi i modifikuesve të dritës dhe konfigurimi i ekspozimit të blicit. Me aftësi të thjeshta dhe aksesorët e duhur, mund të krijoni çfarëdo imazhi mahnitës, nga portretet e niveleve të larta deri te shkrepjet profesionale të produkteve, arti i natyrës së vdekur etj.

1. Lista e aksesorëve bazë

Një Canon EOS RP, me dy Speedlite të Canon, një stativ dhe një çadër të bardhë të shtruar në një tryezë prej druri.

Hapat e parë me fotografinë e studios në shtëpi kërkojnë disa aksesorë të thjeshtë të kompletit - këtu kemi dy Canon Speedlite – një 470EX-AI dhe 600EX II-RT, një kamerë Canon EOS RP me një objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM, një mbajtëse llambe, një çadër të bardhë fotografimi dhe një mbajtëse çadre.

Një burrë që shikon përmes inkuadruesit të një Canon EOS RP me një blic Speedlite të vendosur.

Për ta shkrehur blicin jashtë kamerës, përdorni ose një blic të dytë Canon Speedlite, një shkrepës me valë ose (nëse përputhet) blicin kërcyes të kamerës suaj.

Një studio e thjeshtë shtëpie si kjo nuk ju kushton shumë dhe mund të paketohet për të kursyer hapësirë. Në thelb, përveç kamerës suaj, keni nevojë për një ose dy Speedlite që mund t'i poziciononi dhe t'i ndizni jashtë kamerës. Një mbajtëse e lehtë është ideale, por mund të përdorni edhe një stativ të dytë (mbajtësja plastike që vjen me shumicën e Speedlites mund të vidhoset në filetimet e stativit) për ta mbajtur blicin. Një çadër e thjeshtë e bardhë është një tjetër aksesor ekonomik por efikas për arritjen e një ndriçimi optimal. Do t'ju duhet një mjet për të bashkuar çadrën me mbajtësen, p.sh. një mbajtëse çadre. Së fundi do të duhet të jeni në gjendje ta ndizni blicin jashtë kamerës duke përdorur shkrepësit me valë. Përndryshe nëse keni dy Speedlite të pajtueshme, mund ta rregulloni njërin në folenë përkatëse të kamerës dhe ta përdorni për të shkrepur tjetrën. Kjo ka avantazhin e mëtejshëm se mund të kontrolloni fuqinë e blicit jashtë kamerës në distancë. Nëse kamera juaj Canon ka blic kërcyes të pajtueshëm, mund ta përdorni gjithashtu për t'i shkrepur dhe kontrolluar Canon Speedlite jashtë kamerës.

2. Zgjedhja e një hapësire

Një burrë që shkrep portrete në një studio shtëpie, me sfond gri dhe një çadër të bardhë për të zbutur blicin.

Zgjidhni një hapësirë ​​me një mur të madh të çelët ose përdorni një sfond të improvizuar, të thjeshtë dhe të pastër.

Një dhomë me një mur të thjeshtë ngjyrë të bardhë ose qumështi është ideal për organizimin e studios në shtëpi. Nëse muret nuk janë njëngjyrësh, mund t'u mbërtheni në çdo rast ndonjë fletë të bardhë ose, edhe më mirë, të investoni në një sfond special si ky. Kur zgjidhni një dhomë për shkrepje, tavani i lartë bën punë pasi ju lejon ta ngrini dritën për ndriçim nga lart poshtë në fytyrën e subjektit - e cila ka tendencë të jetë më e këndshme për syrin. Vini re se drita merr pak nga ngjyra e çdo sipërfaqeje ku reflektohet, kështu që nëse muret kanë ngjyrë të fortë ato mund të ngjyrosin dhe dritën që bie mbi subjektin tuaj.

Megjithatë mos u kufizoni në një lloj dhome. Nëse keni shkallë fotozhenike, këto mund të funksionojnë më së miri si vend për shkrepje në grup, ndërsa fotografimi duke shikuar nga lart subjektin tuaj mund të japë portrete vërtet të këndshme dhe të relaksuara.

3. Zgjidhni një objektiv portretesh

Një Canon EOS RP me një objektiv 85mm të vendosur.

Një objektiv 85mm, si RF 85mm F2 Macro IS STM i përdorur këtu, është ideal për portrete pasi gjatësia fokale ofron një perspektivë të këndshme për fytyrat.

Objektivat me gjatësi të ndryshme fokale mund të kenë një efekt të dukshëm në pamjen e subjektit tuaj. Një objektiv me kënd të gjerë mund t'i ekzagjerojë tiparet e fytyrës së një personi duke e zgjatur në mënyrë të panatyrshme hundën dhe ballin - veçanërisht nëse përdoret për nga afër. Perspektivat e ekzagjeruara ndonjëherë mund të shfrytëzohen mirë, por në përgjithësi gjatësitë fokale më të gjata priren të jenë më të këndshme për syrin. Pra, nëse jeni duke përdorur një objektiv zmadhues, tërhiquni mbrapa dhe zmadhoni në skajin më të gjatë të objektivit. Nëse planifikoni të bëni shumë portrete, në rast të tillë merrni parasysh një objektiv të dedikuar për portrete. Një gjatësi fokale prej 85mm (ose një objektiv 50mm në kamerë me sensor prerjeje) konsiderohet si objektiv i ideal për portrete për shkak të mënyrës si e shkrep një fytyrë në përmasat më të këndshme.

4. Zgjeroni burimin tuaj të dritës

Një burrë me triko të gjelbër që mban një blic Canon në një stativ duke treguar drejt një çadre të bardhë.

Një çadër e bardhë fotografimi, është ekonomike, praktike dhe ideale për fillestarët që duan të zbusin dritën kur bëjnë portrete.

Ashtu si llambat e zhveshura, blici Speedlite është një burim relativisht i vogël drite. Ndaj drita që nxjerr të jetë me konture të forta, duke rezultuar në hije të forta dhe kontrast të theksuar. Shpesh me portretet e mira është ta shpërndani dritën në mënyrë që të bjerë më butë nëpër fytyrë - një modifikues do t'ju ndihmojë t'ia arrini kësaj. Ashtu si me një dritare të madhe, një modifikues i thjeshtë si çadra apo kutia zbutëse jua zmadhojnë burimin e dritës duke e bërë të mundur që të mbështillet rreth subjektit tuaj dhe t'i mbushë butësisht hijet.

Çadrën mund ta ktheni ose në drejtim të subjektit ose në drejtimin e kundërt për t'ia reflektuar dritën nga pas. Shpesh me portretet më e mira është që drita të sillet pranë fytyrës, pasi kjo e zmadhon burimin e dritës në krahasim me subjektin.

Një portret i një gruaje me flokë gështenjë, fytyra e saj është ndriçuar nga një blic.

Hijet janë më të vështira në këtë foto pasi Speedlite është përdorur pa aksesorë. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/11 dhe ISO100.

Një portret profili të një vajze në bluzë të hirtë me jakë rrethore duke parë drejt kamerës.

Mendoni për burimin tuaj të dritës – për shembull, dielli i drejtpërdrejtë, hija, ambient i mbyllur apo nga një dritare. Pozicionojeni subjektin për ta shfrytëzuar në maksimum ndriçimin natyral. Nëse drita është shumë e fortë, thjesht ulni aperturën ose rrisni shpejtësinë e shkrehësit. Nëse moti është me re, përse të mos provoni të përdorni një burim artificial drite në ambiente të mbyllura ose mësoni më shumë për teknika ndriçimi shtëpie. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 85mm F2 Macro IS STM në 85mm, 1/100 sek, f/5.6 dhe ISO100.

5. Caktimi i ekspozimit dhe i energjisë së blicit

Ekrani i cilësimeve i Canon EOS RP.

Caktoni fillimisht ekspozimin tuaj manual dhe përshtatini fuqinë e blicit.

Një person që rregullon cilësimet në pjesën e pasme të një blici Canon Speedlite për të shkrepur një portret.

Vendoseni blicin Canon Speedlite në modalitet Manual (M) - mund t'ju duhet të eksperimentoni me fuqi të ndryshme, por filloni me ¼.

Përdorimi i blicit ju jep një liri të jashtëzakonshme mbi ekspozimin tuaj. Mund ta caktoni blicin që ta mposhtë ndriçimin e ambientit ose t'i bëni të dyja të funksionojnë në harmoni. Ja një konfigurim i thjeshtë ekzistues për ekspozimin e blicit: caktojeni blicin në Manual (M) dhe zgjidhni një energji - fuqia ¼ është një pikë e mirë fillestare. Sa u përket cilësimeve të ekspozimit, kalojeni kamerën në modalitet ekspozimi manual dhe caktoni shpejtësinë e shkrehësit në 1/160 sek, ose cilado qoftë shpejtësia maksimale e sinkronizimit të blicit.

Caktojeni ISO në 100 dhe aperturën në f/8. Bëni një shkrepje provë dhe pastaj thjesht rregulloni fuqinë e blicit derisa drita mbi fytyrë të duket siç duhet. Mund ta ndryshoni fuqinë e blicit ose duke rregulluar fuqinë ose duke e lëvizur dritën më pranë apo larg subjektit.

6. Pozicionimi i blicit

Një portret i një gruaje të veshur me një golf gri , në sfond po gri, të ndriçuar nga ana.

Vendosja e dritës në njërën anë krijon ndriçim "të ndarë" dhe e zhyt anën e tjetër në hije. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/8 dhe ISO100.

Një portret i një gruaje të veshur me një golf gri në sfond po gri, ndriçuar nga majtas lart për të krijuar një trekëndësh drite në faqen e djathtë.

Vendosja e blicit me kënd për poshtë nga majtas lart rezulton në "ndriçim alla Rembrandt", me një trekëndësh tërheqës drite në faqen e djathtë. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/8 and ISO100.

Një portret i një gruaje të veshur me një golf gri në sfond po gri, të ndriçuar nga lart.

Ndezja e blicit drejtpërdrejt mbi fytyrë na jep ndriçim "flutur" dhe thekson mollëzat. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/8 dhe ISO100.

Një portret i një gruaje të veshur me një golf gri, të ndriçuar nga poshtë.

Nënndriçimi nga poshtë duket i panatyrshëm, pasi jemi mësuar të shohim dritën e ditës që vjen nga lart. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/8 dhe ISO100.

Një nga më të mirat me përdorimin e blicit jashtë kamerës për portrete është kontrolli që ju jep. Se ku e vendosni ka impakt dramatik në pamjen e fytyrës.

7. Eksperimentoni me raportet

Një portret anësor i një gruaje në një sfond gri.

Ndriçimi i një subjekti nga prapa ju lejon të krijoni një portret atmosferik, me tonalitet të ulët. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/8 dhe ISO100.

Një portret i një gruaje që mban një gjerdan të madh të gjelbër në një sfond gri me një dritë të bardhë në sfond.

Me një blic të dytë të vendosur pas subjektit tonë, mund të krijoni një qendër të vëmendjes në sfond. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/5 dhe ISO100.

Nëse doni ta shpini fotografinë tuaj me blic në tjetër shkallë, përdorni një blic të dytë dhe eksperimentoni me raportet. Provoni të përdorni njërin blic mbi sfond dhe tjetrin mbi subjektin. Kur e caktoni në fuqi të ulët, blici i pasmë krijon dritë skenike në sfond. Anasjelltas, kur e caktoni në fuqi të lartë, drita e sfondit mund ta përforcojë sfondin për një pamje me tonalitet të lartë. Natyrisht që mund ta përdorni edhe blicin e dytë për të theksuar pjesë të subjektit tuaj. Për shembull nëse e ktheni me kënd nga mbrapa subjektit dhe vetes, mund të krijoni një dritë tërheqëse me kontur përgjatë konturit të figurës.

Një portret i një gruaje të veshur me një gjerdan të madh të gjelbër dhe një triko e bardhë, në sfond po të bardhë.

Një blic i dytë i vendosur pas subjektit tuaj mund ta përforcojë blicin për një pamje më të theksuar. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/5 dhe ISO100.

Një portret i një gruaje të veshur me një gjerdan të madh të gjelbër dhe një triko e bardhë, në sfond gri të errët.

Duke përdorur një blic të dytë të vendosur prapa subjektit, mund ta ktheni blicin me kënd te subjekti për të ndriçuar flokët ose konturet. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/4.5 dhe ISO100.

8. Përdorni xhel

Një blic Canon Speedlite me një xhel rozë të vendosur.

Një Speedlite i pajisur me xhel rozë vendoset në një mbajtëse direkt prapa subjektit këtu dhe kthehet me kënd drejt sfondit.

Një portret i një gruaje të veshur me një beretë blu, me një sfond vjollcë.

Përdorimi i një xheli me ngjyrë është një mënyrë e thjeshtë dhe efikase për të futur pak vibrancë në shkrepjen tuaj. Mund dhe të shtojë kontrastin e një imazhi, nëse përdorni ngjyra që bien ndesh me subjektin tuaj. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv RF 85mm F2 Macro IS STM në 1/100 sec, f/5 dhe ISO100.

Për ngjyra të theksuara, provoni të shtoni xhel në blicin tuaj. Këta aksesorë ekonomikë acetatit të ngjyrosur mund të mbërthehen para blicit tuaj dhe të përdoren ose për të ngjyrosur dritën që godet subjektin tuaj, ose për të krijuar sfonde të forta për fotografitë tuaja në studio. Kur eksperimentoni me ngjyrat, mendoni se si mund të përdorni rekuizita dhe veshje për të plotësuar skemën e ngjyrave dhe përdorni një rrotë ngjyrash për të përcaktuar se çfarë mund të duket më mirë. Këtu, një beretë në blu të fortë hedh një dorë të dytë ngjyrash në pozë. Shumë rekuizita dhe aksesorë është e sigurt që mund t'i gjeni nëpër shtëpi të cilat mund t'i përdorni për t'u dhënë interes dhe karakter portreteve, ndërsa do të jeni gjithashtu në gjendje të modifikoni edhe modifikuesit e dritës. Artikulli ynë Teknika aksesorësh fotografikë të bërë vetë ju tregon si të bëni një kuti zbutëse dhe tub drite skenike me kuti kartoni dhe rul të veshur me fletë alumini. Më thjesht akoma, mund të krijoni dhe reflektorin tuaj me disa kartona dhe fletë kallaji që mund t'i përdorni për ta reflektuar dritën nga Speedlite dhe për të ngritur hijet e subjektit tuaj.



Shkruar nga James Paterson

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

  • PROJEKTE PËR SHTËPINË

    3 fotoaksesorë për t'i bërë vetë

    Krijoni kutinë tuaj të fotografimit, tubin e ndriçimit për dritë të fokusuar dhe një qeskë me fasule për stabilizimin e kamerës.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Shkrepni portrete abstrakte

    Eksperimentoni me ekspozime të ndryshme, pikturë me drita, lojë me hije etj.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Si të nxirrni tonalitete perfekte të lëkurës në portretet tuaja

    Zotëroni artin e ndërlikuar të nxjerrjes së ngjyrave natyrale të lëkurës me profesionisten e modës, Jade Keshia Gordon.

  • KOMPLETI

    Pse EOS R System është një përmirësim që të ndryshon karrierën

    Kamerat dhe objektivët Canon EOS R kanë përmirësuar punën e fotografëve për pesë vjet. Zbuloni personalisht se pse profesionistët e kanë bërë këtë ndryshim.