Fokusimi në një zonë ose subjekt specifik brenda fotos së ushqimit lejon më shumë kreativitet. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv EF 100mm f/2.8L Macro IS USM në 1/200 sek, f/6,3 dhe ISO250. © Yasmin AlBatoul
Fotografia e ushqimit mbetet aq popullore sa kurrë më parë, duke u shfaqur në miliona buletine në Instagram çdo ditë. Por me kaq shumë përmbajtje në qarkullim, është duke u bërë më e vështirë për fotografët e ushqimit që të dallohen nga turma e gjerë. Zbuloni si mund të bëni që edhe pjatat më të thjeshta të krijuara në shtëpi të duken të denja për një yll Michelin.
Një fotografe që kaloi me sukses nga amatore në profesioniste është dhe përfaqësuesja e nderit e Canon, Yasmin AlBatoul. Autodidakte dhe me banim në Batna, Algjeri, Yasmin-a ka një stil që dallohet menjëherë, duke përdorur lëvizjen dhe energjinë për të veçuar shkrepjet e saj. "Ajo që më duket më interesante është sfida për të kthyer diçka normale, diçka që ne e shohim çdo ditë, siç është ushqimi, në diçka të bukur dhe artistike," - thotë ajo.
Yasmin-a e nisi fotografinë në adoleshencën e saj të hershme, e frymëzuar nga katalogët francezë të interierit të gjyshit të saj. "Disa prej tyre kishin më shumë se 4000 faqe dhe unë kaloja kaq shumë kohë duke i shfletuar, duke dashur të mund të bëja ato lloj fotografish."
Disa vjet më vonë, Yasmin-a hyri në rrjetet sociale, duke përdorur udhëzuesit nëpër YouTube për të mësuar komandat manuale të modelit të saj Canon EOS 600D (tani i pasuar nga Canon EOS 850D). Ndërsa përvoja e saj rritej, po ashtu u rrit edhe audienca e saj dhe shumë shpejt ajo u bë një fotografe e mirëfilltë profesioniste e ushqimeve. Sot ajo ka një numër ndjekësish në Instagram që po i afrohet 50,000 dhe ka shumë punë profesionale tanimë në CV e saj.
Yasmin-a është në një pozitë të shkëlqyeshme për të reflektuar mbi arritjet e saj dhe këtu ajo zbulon mësimet kryesore që ka marrë në rrugën drejt suksesit.