8. Çfarë cilësime duhet të përdor për të fotografuar fishekzjarrët?
Çfarëdo kamere që përdorni, cilësimi i ISO më të ulët (ndjeshmëria e dritës) jep imazhe më të mprehta me ngjyra më të mira dhe më pak zhurmë. Ndaj filloni me një cilësim si p.sh. ISO100 ose ISO125 dhe pastaj rregullojeni aperturën dhe shpejtësinë e shkrehjes për të marrë një ekspozim të mirë.
Nëse shkrepni dorazi, filloni me shpejtësinë më të ulët të shkrehjes që mund të përdorni pa shkaktuar turbullimin e papranueshëm nga lëkundja e kamerës apo lëvizja e fishekzjarrëve. Një shpejtësi shkrehjeje prej rreth 1/10 sek shpesh funksionon mirë – mjaftueshëm e shpejtë për të fiksuar lëvizjen e fishekzjarrëve, por mjaftueshëm e gjatë për të kapur dhe dritën. Nëse përdorni kamerë në stativ, mund të përdorni shpejtësi shumë më të ulët, si p.sh. një apo dy sekonda si pikënisje.
Kur doni të ruani njëfarë qartësie gjatë skenës, filloni me një cilësim aperture rreth f/8. Nëse doni të lini më shumë dritë, por s'mund të përdorni shpejtësi më të ulët shkrehjeje pa turbullim, atëherë mund të provoni ta zgjeroni aperturën në f/5.6 ose f/4 – por sa më të gjerë ta bëni aperturën (d.m.th. sa më i vogël numri f), aq më e ngushtë bëhet dhe qartësia e thellësisë, duke bërë që të ketë më pak nga skena në fokus.
Mund të duhen ca pësime e mësime për të gjetur ekuilibrin e duhur të shpejtësisë së shkrehjes sa të kapni detajet aq qartë sa dëshironi, kombinuar me një aperturë që jep ekspozim të mirë dhe qartësinë e thellësisë që kërkoni. Nëse s'mund të nxirrni ekspozim të mirë pa turbullim duke përdorur aperturën dhe shpejtësinë e shkrehjes, atëherë provoni të rregulloni ISO. Kamerat me sensorë më të mëdhenj – si p.sh. kamerat kuadërplota pa pasqyra si p.sh. EOS RP apo EOS R6 – ofrojnë rendiment më të mirë në ISO të lartë dhe do të japin rezultatet optimale, por mbetet gjithsesi rregull i mirë që të ruani ISO të ulët dhe ta rrisni vetëm nëse është e nevojshme.