FOTOGRAFIA E AUTOPORTRETEVE

8 këshilla për autoportrete mahnitëse

Fotografja Amaal Said ndan teknikat e saj si eksperte për transformimin e një autoportreti të zakonshëm në autoportret krijues.
Një portret i fotografes dhe poetes Amaal Said me sytë mbyllur, me një shami të kuqe të hedhur së gjeri mbi supe.

Autoportretet janë bërë një mënyrë instiktive dhe krijuese për të regjistruar jetën tonë, qoftë ky një moment i çmuar që ia vlen të festohet apo si një formë e vetëshprehjes. Por si mund ta lartësoni më tej një autoportret të zakonshëm në autoportret cilësie profesionale?

Fotografja e autoportreteve dhe poete, Amaal Said, me qëndrim në Londër, ka tërhequr më shumë se 23 mijë ndjekës në rrjetet sociale dhe thotë se autoportretet e saj artistike kanë qenë një mënyrë e shkëlqyeshme për të dokumentuar rrugëtimin e saj - si personal ashtu edhe fotografik. "Autoportretet kanë qenë gjithmonë një portal drejt vetes sime të kaluar,” - thotë ajo. "Mund të shoh se si ndihesha në një kohë të veçantë në jetën time - dhe më pëlqen që, me kalimin e viteve, jam bërë më e mirë në fotografimin e vetvetes."

Këtu, Amaal ndan teknikat e saj si eksperte, se si të krijoni autoportrete që dëshironi t’i shpërndani, printoni e ruani përgjithmonë. Ajo gjithashtu tregon se sa e lehtë mund të jetë të kapësh momentet e tua të veçanta duke ia dhënë kamerën së motrës dhe duke e udhëhequr atë dhe burrin e saj përmes një fotogrami joformal autoportreti në park.

1. Filloni në Auto dhe vijoni më tej

Fotografja dhe poetja, Amaal Said, me një shami koke me motive të kuqe. Një vazo me lule të kuqe i errëson pjesërisht fytyrën.

Shumica e kamerave të nivelit fillestar kanë një modalitet Portrait - rezultatet do të varen nga kamera, por pamjet zakonisht janë më pak të mprehta që të mund të ruajnë sipërfaqen e lëkurës të këndshme dhe të zbutur. Shkrepur në Canon EOS M6 Mark II me objektiv Canon EF-M 32mm f/1.4 STM në 1/60 sek, f/1.4 dhe ISO200. © Amaal Said

Modaliteti Auto është gjëja e parë nga mund të nisni, këshillon Amaal. "Nëse jeni fillestar fare, mos kini drojë të përdorni cilësimet automatike të kamerës suaj", - thotë ajo.

Cilësimet e dobishme të kamerës si modalitetet Self Portrait dhe Portrait, që vijnë të dyja në Canon EOS M6 Mark II dhe modele të tjera të nivelit fillestar, si p.sh. Canon EOS 250D, ndihmojnë në turbullimin e sfondeve, nxjerrjen e tonalitetit të lëkurës në pah dhe zbutjen e flokëve.

Për më shumë kontroll mbi thellësinë e qartësisë, provoni të shkrepni në modalitetin Aperture Priority (Av). Ky modalitet gjysmautomatik ju mundëson zgjedhjen e aperturës - madhësinë e hapjes në një objektiv përmes së cilës kalon drita - ku aperturat më të ulëta lejojnë më shumë dritë të hyjë brenda. Për një sfond jashtë fokusit, zgjidhni një aperturë të gjerë, si p.sh. f/1.4.

Zgjedhja e një objektivi me aperturë të gjerë të krijuar për portrete do t'ju ndihmojë gjithashtu të arrini një pamje të veçantë. Amaal-ës i pëlqeu veçanërisht të punojë me objektivin Canon EF-M 32mm f/1.4 STM. "Më pëlqen të kem një sfond të turbullt dhe këtë mund ta arrini me aperturë të gjerë. Lënia e më shumë drite brenda ndihmon në izolimin e subjektit nga sfondi,” - shpjegon ajo.

Ajo shpesh përdor një objektiv Canon EF 50mm f/1.8 II (i tejkaluar tanimë nga Canon EF 50mm f/1.8 STM) pasi i pëlqejnë autoportretet që fokusohen mbi fytyrën e saj. "Thjesht ndihet më pranë," - thotë ajo. Në Canon EOS M6 Mark II mund të vendosësh çfarëdo objektivi nga gama e gjerë e objektivave EF dhe EF-S të Canon me anë të Canon Mount Adapter EF-EOS M.

2. Vendndodhja, vendndodhja, vendndodhja

Dy duar rregullojnë cilësimet mbrapa një kamere Canon EOS M6 Mark II të vendosur në stativ.

Amaal udhëzoi të motrën në përdorimin e Canon EOS M6 Mark II për një shkrepje portreti joformal në një park atypari. © Amaal Said

Një portret i një burri që qëndron në një park të inkuadruar nga gjethet e vjeshtës.

Qoftë nëse jeni jashtë në një park me gjethe apo duke punuar në një konfigurim të improvizuar në studio, sfondi mund të përmirësojë atmosferën e pamjeve tuaja përfundimtare. Shkrepur në Canon EOS M6 Mark II me objektiv Canon EF-M 32mm f/1.4 STM në 1/200 sek, f/1.6 dhe ISO100. © Amaal Said

"Është e rëndësishme të dini ç’lloj sfondi dëshironi dhe gjetja e vendndodhjes së duhur është thelbësore për dhënien e atmosferës", - thotë Amaal. "Më pëlqen të shkrep portrete nëpër parqe për të kapur një sërë fotografish në mjedise të ndryshme. Është e rëndësishme të jesh diku më qetë që të mos ndërpritesh nga njerëzit e tjerë gjatë shkrepjes. ”

Një mjedis i ndryshëm mund të transformojë atmosferën e një autoportreti, por ndonjëherë dhe kanavaca bosh ndihmon,” - thotë ajo. "Unë kam një mur të bardhë në dhomën time të gjumit, kështu që zakonisht përdor atë për sfond dhe vesh diçka shumëngjyrëshe për të dalë në pah. Por mund të keni dhe një cep në kopshtin tuaj apo diku tjetër në shtëpi ku mund të vendosni stativin. Është e rëndësishme që sfondi të mos jetë shumë i ngarkuar apo me rrëmujë.”

3. Luani me ndriçimin dhe kompozimin

Një portret nga afër i një gruaje me shami të kuqe që mban një bimë lart në fytyrë.

Amaal-ës shpesh i pëlqen t’i shkrepë autoportretet e saj në një sfond të bardhë të thjeshtë, në mënyrë që të mos ketë shpërqendrime në kuadër, si dhe të pozicionohet paksa jashtë qendrës. Ajo gjithashtu rekomandon të lini hapësirë të mjaftueshme rreth fytyrës që të mund të luani me prerjen e kuadrit. Shkrepur në Canon EOS M6 Mark II me objektiv Canon EF-M 32mm f/1.4 STM në 1/160 sek, f/1.4 dhe ISO200. © Amaal Said

"Mua më pëlqejnë shumë tonalitetet e ngrohta të pjesës së artë të ditës", - thotë Amaal, dhe e ka fjalën për çastet është rreth lindjes ose perëndimit të diellit. "Një diell më i butë është gjithmonë i mirë. Mund dhe ta shmangni shkrepjen nën rrezet e diellit të fortë, sepse krijon shumë hije. Kam shkrepur edhe në ditë me re dhe mund t’ia dalësh mbanë - thjesht sigurohuni që të rregulloni cilësimet për t'iu përshtatur dritës.”

Në rastin e kompozimit, Amaal rekomandon heqjen e elementeve shpërqendruese nga kuadri. "Rregullojini gjërat ndërsa eksperimentoni me pozicionimin në kënde të ndryshme", thotë ajo. "Fotografia ndryshon plotësisht kur jeni pak larg qendrës, kështu që mund të luani dhe me këtë."

Lënia e hapësirës rreth pamjes ofron gjithashtu mundësi të mëtejshme kur prisni kuadro për Instagram. "Zakonisht i bëj autoportretet me kuadër horizontal, sepse më pëlqen të kem hapësirë ​​shtesë në të dy anët për të luajtur", shton ajo.

4. Vizualizoni me ngjyra

Një fotoportret me disa shtresa që tregon Amaal Said me shami rozë, duke parë në dy drejtime.

Eksperimentimi me ngjyrat dhe tekstilet është një mënyrë e mirë për të nxjerrë portrete të arrira – Amaal ka zgjedhur një paletë me nuanca të buta të rozës dhe të vjollcës për këtë autoportret me disa ekspozime. Shkrepur në Canon EOS M6 Mark II me Canon Mount Adapter EF-EOS M dhe objektiv Canon EF 50mm f/1.8 II në f/1.8, 1/30 sek dhe ISO600. © Amaal Said

Eksperimentimi me paletat e ngjyrave mund t'ju ndihmojë të shprehni personalitetin tuaj. "Unë gjithmonë filloj me si ndihem atë çast dhe vazhdoj më tej prej aty," - shpjegon Amaal. "Ndonjëherë dua diçka më atmosferike dhe vishem sipas rastit, ose mund të jem e emocionuar për ndonjë buzëkuq të ri që dua të vendos për një autoportret.

“Më pëlqejnë ngjyrat. E fus si element në autoportretet e mia kryesisht përmes shamisë dhe buzëkuqit tim, por ju mund ta përdorni ngjyrën në shumë mënyra të tjera. Eksperimentoni duke bërë bashkë pëlhura të ndryshme në një mur ose duke i varur mbi diçka të gjatë. Ngjyrat mund t’i fusni edhe përmes luleve.

"Planifikimi i ngjyrave paraprakisht është gjithmonë një mënyrë e mirë për t'u siguruar që të nxirrni autoportrete të forta. Mendoni nëse ngjyrat që vishni përshtaten me sfondin - ose nëse nuk ju veçojnë mjaftueshëm prej tij. Ngjyra është veçanërisht e rëndësishme në autoportretet e fejesave apo të martesave, sepse aty dëshironi që edhe ju, edhe partnerja të jeni elementi kryesor në foto.”

5. Mësoni të relaksoheni

Një autoportret i fotografes dhe poetes Amaal Said në një shami rozë. Fytyra e saj reflektohet në një pasqyrë të vogël, të rrumbullakët, që ajo mban në duar.

Mbajtja e një pasqyre të vogël pranë fytyrës u jep duarve diçka për të bërë dhe gjithashtu ju mundëson të eksperimentoni me disa kompozime krijuese. Shkrepur në Canon EOS M6 Mark II me objektiv Canon EF-M 32mm f/1.4 STM në 1/80 sek, f/1.4 dhe ISO320. © Amaal Said

“E mira e autoportreteve është se nuk ka dikë tjetër pas kamerës që të shikon nga afër fytyrën", - thotë Amaal, e cila shton se rekuizitat, si p.sh. lulet dhe pasqyrat, mund t'i ndihmojnë njerëzit të ndihen të qetë para objektivit duke dhënë kështu mundësinë për disa eksperimente krijuese.

"Zakonisht njerëzit thonë se nuk dinë çfarë të bëjnë me duart dhe kjo është plotësisht normale. Kjo është arsyeja pse dhe rekomandoj të mbani diçka me vete që në fillim. Mund të bëjë punë mbajtja e një palë vathësh të bukur apo ndonjë varëse e madhe, pasi ju jep diçka për të mbajtur në duar.

6. Përdorni një stativ dhe kohëmatësin

Një çift qëndron në pyll, kapur në ekranin me prekje të një Canon EOS M6 Mark II vendosur në stativ.

Amaal e këshilloi të motrën ta vendoste Canon EOS M6 Mark II në stativ dhe të përdorë ekranin e kthyeshëm me prekje për ta ndihmuar në kompozimin e fotografive. © Amaal Said

Një çift që qëndron në një skenë pyjore, inkuadruar nga gjethet vjeshtake të një peme.

Ajo i rekomandoi gjithashtu të vendoste një kohëmatës, në mënyrë që çifti të kishte disa sekonda për t’u pozicionuar e përgatitur. Shkrepur në Canon EOS M6 Mark II me objektiv Canon EF-M 32mm f/1.4 STM në 1/200 sek, f/1.6 dhe ISO100. © Amaal Said

Amaal ka përdorur modelin kompakt e peshëlehtë 32.5MP Canon EOS M6 Mark II me ekranin rrotullues 180° me prekje dhe Wi-Fi të integruar për të shkrepur autoportretet dhe rekomandon ta vendosni në stativ dhe të përdorni kohëmatësin.

"Canon EOS M6 Mark II është një kamerë e bukur për të eksperimentuar dhe konfigurimi i kohëmatësit është më se i thjeshtë,” - shpjegon ajo. "Mund të zgjidhni kohëmatës dy- ose 10-sekondësh, por unë zgjedh 10-sekondëshin, sepse më pëlqen të kem kohë të mjaftueshme për t'u përgatitur", - shton ajo.

Kthimi i ekranit me prekje drejt vetes është gjithashtu një mënyrë e dobishme për kompozimin e pozave ndërsa jeni para kamerës.

7. Shkrepni portrete nga distanca

Një dorë që rregullon ekranin e kthyeshëm me prekje në një Canon EOS M6 Mark II të fiksuar në stativ.

Ekrani i kthyeshëm me prekje në Canon EOS M6 Mark II bën që të mund t’i kompozoni pozat nga çfarëdo këndi ose ta anoni ekranin drejt vetes ndërsa qëndroni përpara kamerës. © Amaal Said

Një grua buzëqesh për kamerën me sytë e mbyllur. Tufa e luleve të kuqe që po mban i errëson pjesërisht fytyrën.

Nëse kamera juaj nuk ka ekran të kthyeshëm me prekje, mund të provoni të rregulloni fokusin ndërsa mbani një send para objektivit, dhe më pas të lëvizni në të njëjtin pozicion. Shkrepur në Canon EOS M6 Mark II me objektiv Canon EF-M 32mm f/1.4 STM në 1/160 sek, f/1.4 dhe ISO250. © Amaal Said

Programi Canon Camera Connect ju mundëson lidhjen e kamerës Canon me Wi-Fi aktiv me pajisjet e Apple apo me Android për shkrepje në distancë. Mundësia e përdorimit të celularit për të parë pamjen e shkrepur kamerën e bënë shumë më të lehtë nxjerrjen e portreteve të bukura e të mprehta. "Nëse nuk doni t’i ktheheni e riktheheni kamerës për të kontrolluar nëse fotografitë i keni fokus, programi Camera Connect ju kursen kohë", - thotë Amaal. "Është gjithashtu me të vërtetë i dobishëm nëse ndryshoni pozicione."

Ekrani i kthyeshëm me prekje te Canon EOS M6 Mark II është gjithashtu praktik për t’u siguruar që fytyrat të jenë në fokus. "Mundësia për kthimin e ekranit për të parë se si dukesh është e pabesueshme - dhe të kursen kaq shumë kohë", - thotë Amaal.

Amaal-ës i pëlqen që pamjet e saj të jenë të mprehta dhe përplot me ngjyra, kështu që ajo përdor një ndërthurje metodash për të siguruar që gjithçka të fokusohet më së miri. "Një mënyrë që kam përdorur në të kaluarën, kur nuk kisha kamerë me ekran të kthyeshëm apo me shkrepje në distancë, ishte të mbaja diçka para kamerës - zakonisht lule - të fokusohesha tek to dhe më pas të lëvizja në të njëjtin pozicion", - shpjegon ajo. Më pëlqen gjithashtu të përdor vetëfokusimin me gjurmim të fytyrës, por kjo nuk është gjithmonë e përshtatshme nëse ke sende në plan të parë."

8. Redaktoni dhe printoni autoportrete me pamje profesionale

Rregullimi i cilësimeve tuaja për të shkrepur edhe në RAW, edhe në JPEG do t'ju japë më shumë mundësi kur bëhet fjalë për redaktimin e fotove tuaja. Mund të përdorni programin falas fotoredaktues Digital Photo Professional (DPP) të Canon për përmirësimin e fotove RAW, me funksione për rregullimin e balancës së të bardhës, fortësisë së ngjyrave, ekspozimin etj.

"Nuk ka pse të jeni profesionist për të redaktuar fotot tuaja", - thotë Amaal. "Gjëja kryesore për mua është ekspozimi, sepse ndonjëherë fotografia nuk është aq e ndritshme sa do të doja. Unë luaj me kontrastin dhe hijet për të arritur pamjen që dua - dhe gjithashtu më pëlqen të shoh se çfarë bën rrotullimi i fotos kur jam duke redaktuar. Më pëlqejnë gjithashtu shumë edhe autoportretet bardhezi”.

Pasi të keni mbaruar redaktimin, mund të provoni t’i printoni fotot direkt nga telefoni në atë printerin kompakt Canon SELPHY Square QX10. Ideal për blloqe kujtimesh, tabela e albume, ai ju ofron një mënyrë të shpejtë dhe argëtuese për të ruajtur autoportretet tuaja të preferuara. Për printime cilësie profesionale, një printer Canon PIXMA G series ju ndihmon të sillni pamjet në jetë.


Shkruar nga Lorna Dockerill

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

  • PARIMET BAZË TË FOTOGRAFISË

    Regjistroni foto estetike

    Figura e rrjeteve sociale, Steffi Marla, tregon se si sigurohet që imazhet e saj të dallohen në internet.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Portrete përrallore

    Dhjetë këshilla eksperteje për të krijuar imazhe të paharrueshme mistike me Rosie Hardy.

  • PARIMET BAZË TË FOTOGRAFISË

    Si të krijoni efekt mahnitës Bokeh

    Ndiqni këto këshilla dhe teknika për t'i dhënë sfondit tuaj një turbullirë të bukur.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Shkrepni portrete abstrakte

    Eksperimentoni me ekspozime të ndryshme, pikturë me drita, lojë me hije etj.