FOTOGRAFIA KRIJUESE

7 ditë dhe 7 mënyra krijuese për të zhvilluar stilin tuaj

I apasionuari pas TikTok dhe fotograf e videograf profesionist, Kym Moseley, ndan këshillat dhe teknikat e tij për të krijuar imazhe të paharrueshme.
Një portret i një burri me fytyrën të tërhequr nëpër imazh në paspërpunim mbi një sfond vjollcë.

Zgjerimi i krijimtarisë suaj është çelësin për përmirësimin e fotografisë. Mësimi i eksperimentimit me stilin dhe provimi i teknikave të reja mund të sjellë rezultate të fuqishme dhe shpesh befasuese. Kym Moseley është një përkrahës i thekur i lojës me idetë, të cilat mandej i ndan me ndjekësit e shumtë në TikTok.

Së fundi Kym e ka shtyrë krijimtarinë e tij në limite duke i vënë vetes një sfidë fotografike çdo ditë të javës dhe duke e dokumentuar projektin në një udhëzues në TikTok. Këtu, Kym ndan shtatë teknika të ndryshme që ka përdorur dhe zbulon procesin e mendimit krijues pas secilës pozë të tij të arrirë përfundimtare.

1. Shtoni një element abstrakt

Disa thonë se kamera nuk gënjen kurrë, por programet e redaktimit është e sigurt se mund ta përkulin të vërtetën. "Mua më frymëzon vepra surrealiste e Salvador Dalí-së dhe desha të krijoj diçka të ngjashme," - thotë Kym për foton e goditur që qëndron në krye të kësaj faqeje. "Nuk isha shumë i sigurt se çfarë do të bëja, kështu që thjesht vendosa të bëja një autoportret dhe t'i mbaja gjërat të thjeshta. Programi Canon Camera Connect është shumë i përshtatshëm për këtë, sidomos pasi mund të vetëfokusohesh ndërsa qëndron përpara kamerës, duke e hequr gjithë hamendësimin nga ekuacioni.

"Për mua, portretet përcaktohen nga sytë," - vijon më tej Kym. "Ato janë pika ku përqendrohesh, me plot kuptimin e fjalës, kur shkrep pozën, por janë gjithashtu sytë që rrëfejnë historinë. Nuk mendoj se ka gjë më të keqe se buzëqeshjet artificiale në portret – mund ta dalloj gjithnjë kur sytë nuk janë duke qeshur. Për të dalë me diçka krejt ndryshe në këtë pozë, vendosa t'i heq për fare sytë nga fotoja, duke eliminuar krejt individualitetin dhe personalitetin. E tërhoqa pjesën e fytyrës gjatë redaktimit dhe poza u transformua në portretin e dikujt që mund të jetë cilido. Mendoj se kjo godet mu në shenjë për ta përdorur si punim surrealist."

2. Ndryshoni këndet për ta shkrepur foton më së gjeri

Shkrepur nga toka duke parë për lart, një zog fluturon mes dy rrokaqiejve të lartë përkundër një qielli të shndritshëm blu.

"Shkrepja e ndërtesave me një objektiv ultrakëndgjerë dhe aperturë prej f/4.5 jepte qartësi të mjaftueshme thellësie për t'i mbajtur të gjitha të mprehta, së bashku me një shpejtësi shkrehjeje prej 1/125-n e sekondës," - thotë Kym për këtë imazh që quhet "Look Up" (Shiko lart). "Kjo është lehtësisht dhe mjaftueshëm e shpejtë për shkrepje këndgjerë dorazi pa stativ." © Kym Moseley

"Unë shkrep kryesisht portrete dhe njerëz, por është mirë ta sfidosh veten me diçka ndryshe," - thotë Kym. Ai nuk do të kishte përdorur objektiv ultrakëndgjerë si RF 16mm F2.8 STM apo Canon EF-S 10-18mm f/4.5-5.6 IS STM për portrete, por mendon se këto mund të japin një perspektivë dinamike për peizazhet urbane, si ai më lart. "Në këtë pozë u përpoqa të mendoj diçka ndryshe nga imazhet e zakonshme të ndërtesave dhe pata mendimin sikur të shkrep drejtpërdrejt për lart," - thotë ai.

Kym përdor objektivin Canon EOS R6, dhe objektivat EF apo EF-S mund të përdoren me këtë kamerë përmes një Canon Mount Adapter EF-EOS R.

"Më pëlqen mënyra si rrokaqiejt duket sikur përkulen për brenda drejt njëri-tjetrit me perspektivën për lart, por më dukej se duhej diçka në mes të qiellit, si p.sh. ndonjë zog apo aeroplan. Kjo nuk po ndodhte, kështu që shkëputa një zog nga sfondi i një fotoje të vjetër dhe e vendosa mu aty ku më duhej."

3. Jini krijues me autoportretet

Një portret i një burri me germa kineze ndriçuar mbi fytyrën e tij nga një projektor.

Ndërsa kamerat pa pasqyrë ju bëjnë të mundur të shqyrtoni efektin e ekspozimit dhe cilësimet e balancës së të bardhës në inkuadruesin elektronik, mund t'i përfitoni të njëjtat funksione me të gjitha modelet DSLR të Canon që vijnë me Live View, duke i kompozuar më mirë pozat në ekranin e pasmë. © Kym Moseley

"Mua më pëlqejnë portretet me poza që janë të errëta, kinematografike dhe të vjetra në dukje, si ndonjë kuadër filmi," - thotë Kym për frymëzimin pas rezultateve të arrira të teknikës së tij të tretë. "Desha që shumica e kuadrit të ishte e errët, me vetëm njërën pjesë të tij të ndriçuar në mënyrë dramatike. Për të krijuar efektin, përdora një shufër LED për t'i dhënë pak ndriçim sfondit. Në vijim e lidha telefonin në një projektor dhe i shkrova përmbi germën kineze për "dashurinë" duke e projektuar me plot kuptimin e fjalës mbi fytyrën time.

"Në thelb unë përdor gjithnjë modalitetin e ekspozimit manual që të mund të marr pamjen që më duhet, sidomos me imazhet e errëta," - vijon Kym. "Kalova nga një Canon EOS 6D Mark II në një EOS R6 pak kohë më parë dhe, ashtu si me të gjitha kamerat e Canon pa pasqyrë, të ndihmon goxha që të shikosh një shqyrtim në kohë reale të niveleve të ekspozimit dhe të balancës së të bardhës në inkuadrues. Luajta ca me ngjyrat e dritës LED dhe germat kineze në telefonin tim derisa gjeta balancën që më duhej, me një sfond më në blu dhe tekst në të kuq."

Për portretet, Kym favorizon qartësitë e vogla të thellësisë për izolimin e subjektit përkundër një sfondi të turbulluar. Një objektiv me nivel aperture të shpejtë e bën të mundur këtë, duke i bërë Canon RF 50mm F1.8 STM dhe EF 50mm f/1.8 STM opsione ideale me efikasitet kostoje.

4. Përdorni hijet dhe dritën

Hija e një dore duke zgjatur një trëndafil drejt një dore që pret, gjithashtu në hije.

Kym mendon se format e forta dhe të thjeshta në silueta mund të thonë ndonjëherë më shumë se sa drita dhe ngjyra. "Kjo pozë e dy duarve me një lule përbën thelbin e bashkëveprimit njerëzor," - thotë ai. © Kym Moseley

"Pozat e shndritshme me diell janë kudo, por mua më pëlqen të luaj ca me hijet dhe siluetat," - thotë Kym. Për imazhin e tij të dy duarve dhe të një luleje të projektuara në një mur të hirtë, ai dëshironte t'i mbante gjërat të thjeshta dhe dramatike. "Shumë nga frymëzimi im vjen nga foto që kam parë në filma ose në televizor, ose në platforma si TikTok dhe Instagram. Kjo bazohet mbi dikë që po vendoste një lule në dorën e dikujt tjetër. Mendoj se është një imazh vërtet i fuqishëm me tërheqje emocionale."

Kym vijon: "Imazhin e shkrepa në ambient të mbyllur, duke e drejtuar kamerën nga dritarja dhe duke përdorur një nivel mbiekspozimi për të hequr detajet nga sfondi i shndritshëm. Shkrepa dy poza të ndryshme, fillimisht të njërës dorë, pastaj të dorës tjetër. Ato janë në fakt duart e mia, ndaj përdora programin Canon Camera Connect për të kontrolluar të gjitha cilësimet dhe për t'i shqyrtuar pozat nga larg në telefon. Së fundi i bashkova fotot me njëra-tjetrën në një aplikacion redaktimi për të krijuar një imazh të kombinuar."

5. Eksperimentoni me kompozimin

Një skejtbordist duke shtyrë përmes një parkingu të errësuar shumëkatësh.

Njerëzit shpesh mendojnë se të duhet shpejtësi e lartë e shkrehësit për fiksimin e aksionit, por Kym ka bërë të kundërtën dhe ka përdorur një shpejtësi të ulët shkrehësi prej 1/30-n e sekondës për t'i shtuar turbullim lëvizjeje kësaj poze, duke krijuar ndjesinë e lëvizjes. © Kym Moseley

"Më pëlqen që shumë prej kamerave të Canon kanë ekran rrotullues. Këtë mund ta përdorni për të kompozuar poza nga kënde të pazakonta, duke e mbajtur kamerën shumë lart ose shumë poshtë," - thotë Kym. Për këtë imazh të një skejtbordisti në një parking të errët, kamera ishte në nivelin e tokës, çka dukej se jepte një perspektivë interesante. "Pata mundësinë ta bëj trupin e skejtbordistit të dukej i madh dhe i vogël në vendet ku më nevojitej, ndaj këmba e tij që është më pranë objektivit duket e stërmadhe, ndërsa pjesa tjetër e trupit është duke u larguar në distancë," - shpjegon ai. "Nëse do ta kisha shkrepur nga niveli i zakonshëm i syrit, do ta kishte humbur të gjithë impaktin.

"Shpejtësia e lartë me 20 kuadro në sekondë e Canon EOS R6 është një ndihmesë tjetër e madhe për këtë lloj poze," - vijon Kym. "Shkrepa një seri imazhesh të shpejta që sigurohesha që të shkrepja momentin vendimtar. Çfarëdo kamere që të përdorni, thelbi qëndron te përdorimi i shpejtësisë maksimale të kuadrove për këtë lloj imazhi."

6. Zbutja e egërsisë

Një pëllumb duke u ngritur nga një dorë e zgjatur që mban fara.

Kym përdori vetëfokusimin njëpikësh për këtë imazh, por mund të kishte përdorur edhe modalitetin fantastik të vetëfokusimit me pikasje zogjsh të inteligjencës artificiale me trajnim të thelluar të kamerës Canon EOS R6, që e kanë edhe kamerat EOS R5 dhe EOS R3. Ky e fikson zogun dhe i gjurmon lëvizjen, duke ndjekur trupin dhe duke fokusuar te koka, si edhe sytë, teksa hyjnë në pozë. "Më pëlqen mënyra se si EOS R6 është kaq intuitiv dhe i lehtë në përdorim," - thotë Kym. © Kym Moseley

Nuk keni pse shkoni në safari për të realizuar imazhe të arrira të kafshëve të egra, pozat e arrira mund të shkrepen edhe në oborrin tuaj – ose, në rastin e Kym, në parkun që ka pranë. Fotografi në TikTok thotë për foton e tij të pëllumbit që largohet pasi ka marrë ushqim: "Jam frymëzuar gjithnjë nga pozat e pëllumbave që nisen për fluturim dhe fotot e njerëzve që mbajnë ndonjë shpend ekzotik në dorë. Vendosa t'i kombinoj të dyja me këtë imazh.

"Ka një kafene në park që shet paketa me fara për zogjtë për të ushqyer rosat, por kjo bën dhe për të afruar pëllumbat rreth vetes. Unë thjesht e mbaj kamerën në njërën dorë dhe manovroj me pëllumbin në tjetrën. Kam përdorur një shpejtësi të lartë prej 1/1600-n e sekondës për të fiksuar lëvizjen teksa pëllumbi largohet."

7. Shkrepje dyshe

Një imazh bardhezi me ekspozim të dyfishtë i një të riu me flokë të prera në plan të afërt.

Kym thotë se kjo foto ekspozimi të dyfishtë nuk do të ishte bërë e mundur pa lehtësinë që jep Canon EOS R6 me shfaqjen e "fotos hije" të pozës së parë mbi të cilën mund të mbivendoste pamjen paraprake të pozës së dytë që të drejtonte sytë siç duhej. "Është thjesht një kamerë e mrekullueshme," - thotë ai. Funksioni ofrohet edhe në një sërë kamerash të tjera të Canon, duke përfshirë EOS 90D, EOS 6D Mark II dhe EOS RP. © Kym Moseley

"Kjo është një pozë tjetër që frymëzohet pjesërisht nga puna e dikujt tjetër," - thotë Kym për foton e tij të arrirë përfundimtare. "Ekspozimet dyshe tërheqin gjithnjë vëmendjen dhe desha të krijoj një imazh ku syri i martë dhe i djathtë mbivendoseshin me saktësi në dy poza të ndryshme," - shpjegon ai. "Kishte njëfarë procesi provim-gabimi këtu, pasi pashë se bebet e syrit duheshin vendosur me saktësi të madhe.

"Modaliteti i ekspozimit të shumëfishtëCanon EOS R6 ishte ndihmesë e madhe," - vijon Kym. "Pasi të shkrepni foton e parë, ajo shfaqet në inkuadrues ose në ekranin e pasmë si ndonjë lloj imazhi të hijezuar, që të mund ta përdorni për vendosje me saktësi kur kompozoni pozën e dytë."

Qoftë nëse i vendosni vetes një sfidë njëjavore si Kym duke provuar një nga këto teknika të ndryshme çdo ditë, qoftë nëse i provoni këto me kalimin e kohës, mund të nxirrni gëzim e kënaqësi të madhe kur shtyni më tej limitet tuaja si fotografë. Mos harroni t'i ndani rezultatet me etiketën #FreeYourStory, duke etiketuar @canonemea.



Shkruar nga Matthew Richards

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • Pika spërkatëseje lëngu në një hark nga një kupë qelqi e mbajtur me dorë të ngritur, me siluetë përkundër një qielli portokalli.

    FOTOGRAFIA KRIJUESE

    Teknika krijuese për rrjetet sociale

    Dy fotografë në TikTok ndajnë këshillat e tyre kryesore për krijimin e imazheve që dallojnë nga turma.

  • Gjurmë shumëngjyrëshe dritash përsillen rreth një modeleje me duart në ijë, përkundër një sfondi të zi.

    FOTOGRAFI PORTRETI

    Shkrepni portrete abstrakte

    Eksperimentoni me ekspozime të ndryshme, pikturë me drita, lojë me hije etj.

  • Një grua me kapëse flutur në flokë vendos dhe kapëse të tjera flutur në fije që varen nga një shufër gri.

    PROJEKTE PËR SHTËPINË

    Imazhe frymëzuese në shtëpi

    Transformojeni shtëpinë në studio me këshillat nga ylli i TikTok, Michaela Efford.

  • FOTOGRAFIA E RRUGËS

    Portrete për printime

    Fotografi dhe anëtar i TikTok, Kym Moseley, ndan këshillat e tij për kapjen dhe shpërndarjen e fotove mahnitëse të njerëzve të rastit.