FOTOGRAFIA E UDHËTIMEVE

Hulumtimi, raporti, respekti - si të jeni një fotograf i ndërgjegjshëm udhëtimesh

Dokumentimi i kulturave të ndryshme shton interesin për historitë tuaja të udhëtimit, por është e rëndësishme të krijoni imazhe me ndjeshmëri. Fotoreporterja, Gulshan Khan, ndan disa këshilla.
Një vajzë e re myslimane bërtet me kënaqësi teksa kalëron një kalë mbi një karusel në një festë në Johannesburg, Afrikë e Jugut.

Duar kapen fort pas kalit të karuselit ngjyrë karamele, fytyra shkëlqen nga emocioni, hixhabi i fryrë si pelerina e një superheroi. Nuk është imazhi tipik që shihni të një vajze të re myslimane – dhe pikërisht për këtë është një nga fotografitë e preferuara të përfaqësueses së nderit të Canon, Gulshan Khan. “Myslimanët, veçanërisht gratë dhe vajzat, nuk përshkruhen gjithmonë si qeniet e larmishme njerëzore që jemi në të vërtetë. Unë përdor 'ne' sepse ky është komuniteti im", - shpjegon fotoreporterja afrikanojugore. “Ne shohim kaq shumë vuajtje dhe ‘tjetërsi’ në imazhet nga kontinenti afrikan. Dhe ja kjo vajzë kaq plot gëzim, e fotografuar me dinjitet”.

Shembulli i Gulshan-it na kujton se kamera është e fuqishme. Fotografitë që krijoni mund të përjetësojnë mënyra njëdimensionale për të parë botën ose mund të zbulojnë diçka më shumë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për fotografimin e kulturave ose të komuniteteve që nuk janë tuajat, pavarësisht nëse janë në lagjen aty pari ose diku ku keni udhëtuar me mijëra milje për të arritur. Për Gulshan-in, kjo është pjesë e punës. Si një fotoreportere e pavarur me botime nga National Geographic, The New York Times dhe The Guardian, dhe një ish-freelancer e Agence France Presse (AFP), Gulshan bën rregullisht fotografi të njerëzve dhe vendeve në vendin e saj dhe më gjerë. Këtu, ajo shpjegon se si mund të krijoni fotografi kulturore goditëse, por të ndjeshme.

Kini parasysh historinë

Një rojtar i Afrikës së Jugut kundër gjuetisë pa leje përdor një pishtar të madh për të vrojtuar për lëvizje në një sektor të jashtëm gjatë natës.

Një rojtar i Afrikës së Jugut kundër gjuetisë pa leje vëzhgon një sektor kafshësh për lëvizje pas errësirës. "Unë jam ende duke mësuar se si të orientohem në situata të ndryshme. Gjithmonë pyesni veten”, - këshillon Gulshan. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III (pasuar tani nga Canon EOS 5D Mark IV) me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L USM (pasuar tani nga Canon EF 35mm f/1.4L II USM) në 1/80 sek, f/1.4 dhe ISO3200. © Gulshan Khan

Në shekullin e 19-të, kur fotografia ishte një teknologji e re, aparati u konsiderua gabimisht nga kolonistët evropianë si një mjet shkencor që ata përdorën për të klasifikuar dhe shtypur njerëzit indigjenë. Kjo trashëgimi vazhdon, beson Gulshan, e mundësuar nga perceptimi se është një medium i paanshëm.

“Fotografitë janë mësimore. Ato na mësojnë se si të shohim veten dhe njëri-tjetrin”, - thotë ajo. “Ekziston ideja se fotoja në vetvete është një e vërtetë objektive, por kjo është e gabuar. Ju jeni gjithmonë në imazhet tuaja. Ideologjia juaj, përvojat dhe vlerat tuaja do të kalojnë në atë që vendosni të përfshini dhe të lini jashtë kuadrit."

Gulshan thekson gjithashtu të drejtën që disa udhëtarë perëndimorë dhe krijues imazhesh mendojnë se kanë për të eksploruar tokat 'ekzotike'. “Nuk është problem të vizitosh vende dhe të bësh fotografi”, - thekson Gulshan. “Është problem kur e bën këtë me supozimin se je më i mirë dhe e njeh më mirë se njerëzit që po fotografon”.

Bëni kërkimin tuaj

Dy persona kërcejnë salsa në një pistë vallëzimi në tarracë, të vëzhguar nga grupe të ulura shikuesish prapa dhe anash tyre.

Njerëzit kërcejnë në një festë salsa në tarracë në Maboneng, Johannesburg, Afrikë e Jugut. “Nëse jeni duke fotografuar në një festival apo aktivitet, duhet të dini se për çfarë janë njerëzit atje, pse po ndodh”, - thotë Gulshan. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L USM në 1/320 sek, f/2.8 dhe ISO50. © Gulshan Khan për Washington Post

Kur dëgjoni fjalën "kulturë", ju prireni të mendoni për kombësinë, racën apo fenë, por për Gulshanin koncepti është shumë më i gjerë se ky. "Mund të jetë një grup me ndonjë sistem vlerash specifike, një kulturë pune ose njerëz që i përkasin një klase shoqërore ose janë pjesë e një nënkulture muzikore, për shembull," - thotë ajo.

Sido që të jetë, duhet të siguroheni që keni bërë sa më shumë kërkime të jetë e mundur përpara se të mbërrini me kamerën tuaj. Kjo do t'ju ndihmojë të identifikoni vendndodhje të pazakonta ose raste të rëndësishme - një festival apo një protestë, ndoshta - që do t'ju japë mundësinë për të bërë fotografi përkatëse.

Bëhet fjalë gjithashtu për të kuptuarit e normave dhe zakoneve dhe çështjeve me të cilat përballen njerëz të ndryshëm, të cilat do t'ju informojnë se si zgjidhni të fotografoni. Ndiqni mbulimin mediatik, lexoni libra, shikoni dokumentarë, njihuni me vendet në Google Maps dhe – më e rëndësishmja – bisedoni me njerëzit, këshillon Gulshan. Nëse jeni jashtë vendit dhe qëndroni në një hotel, bisedoni me stafin. Ose, nëse jeni në një aktivitet, pyesni pjesëmarrësit se çfarë do të thotë për ta dhe pse janë atje. Jini të respektueshëm, mirëkuptues dhe të gatshëm për të mësuar.

Zgjidheni dhe përdoreni kompletin tuaj me mençuri

Një grua e veshur me një fustan të gjatë të bardhë dhe bizhuteri që tërheqin shikimin qëndron ulur në një stol stol jashtë shtëpisë së saj në Johanesburg.

Gulshan-ës i pëlqen të bëjë portrete të inskenuara aty ku është e mundur. Në këtë xhirim për një histori rreth stilit të bizhuterive në Johanesburg, ajo fotografoi individë me prejardhje të ndryshme kulturore - Netsanet Abera Tumssa, pronare e restorantit etiopian Netsi's, është fotografuar e ulur jashtë shtëpisë së saj. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 35mm F1.8 MACRO IS STM në 1/1000 sek, f/2 dhe ISO250. © Gulshan Khan për New York Times

Duhet të arrihet një ekuilibër midis shkrepjes së imazheve me ndikim dhe trajtimit të njerëzve me konsideratën që meritojnë. Në përgjithësi, Gulshan i shmang objektivat e gjatë, duke preferuar t'i kombinojë kamerat e saj Canon EOS R dhe EOS R5 me një objektiv Canon RF 35mm F1.8 MACRO IS STM dhe t'i afrohet asaj që fotografon, duke u zhytur në veprim. “Duhet të flasësh me njerëzit kur je kaq afër dhe doemos që imazhet tuaja janë më intime”, - shpjegon ajo.

Përjashtim nga kjo do të ishte kur ajo punon në hapësira të shenjta dhe tashmë ka leje për të shkrepur atje, por nuk dëshiron të ndërhyjë. "Në vendet shpirtërore duhet të jeni të ndjeshëm ndaj kulturës dhe mënyra më e mirë për t'u siguruar që nuk jeni mosrespektues apo ndërhyrës është të pyesni nëse është mirë të jeni atje," - këshillon ajo. “Pyesni se ku lejohet të qëndroni dhe ku jo, dhe cilat janë rregullat. Në shumë xhami dhe tempuj, për shembull, ju kërkohet të hiqni këpucët, duhet të jeni të veshur në mënyrën e duhur dhe gjithashtu është mungesë respekti të ecni para një personi që po lutet apo të përpiqeni të flisni me ta.

"Në ato raste, unë kam përdorur një objektiv Canon RF 70-200mm F2.8L IS USM," - shton ajo. "Unë e mbaj gjithmonë shkrehësin sa më të heshtur që të mos shqetësoj dhe të jem e respektueshme në situata që kërkojnë një etikë kaq të qetë dhe delikate."

Nuk janë vetëm kamerat e nivelit profesional si EOS R5 që ofrojnë opsion fotografimi të heshtur. Kalimi në modalitetin e shkrepjes së heshtur në Canon EOS R10 pa pasqyrë rregullon të gjitha cilësimet përkatëse në të njëjtën kohë, duke parandaluar çdo tingull ose dritë që të lëshohet nga kamera. Çiftimi i EOS R10 me objektivin fleksibël Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM do t'ju japë gjithashtu një rreze më të gjatë për të minimizuar shqetësimet.

Përfshini njerëzit që po fotografoni

Një burrë i moshuar me dorën e gjeshur në fytyrë është ulur në një mur. Pas tij është një shtëpi me ngjyra të ndezura dhe një mal i mbuluar me mjegull.

Jean Rene, 56 vjeç, fotografuar në qytetin e tij të lindjes Hell-Bourg në ishullin Réunion, një rajon administrativ francez në Oqeanin Indian. “Fotografia e mirë kulturore vjen nga një ndjeshmëri e thellë për atë që po fotografoni. Përndryshe, është thjesht performuese”, - thotë Gulshan. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L II USM (pasuar tani nga Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM) në 35mm, 1/250 sek, f/2.8 dhe ISO100. © Gulshan Khan për New York Times

Një grup grash të ulura rreth një tavoline të gjatë ngrënieje përplot me ushqime dhe shishe pijesh freskuese.

Një grup grash prishin agjërimin e Ramazanit së bashku në xhaminë Nizamiye në Johannesburg – një imazh nga The Things We Carry With Us e Gulshan-it, një seri rreth komunitetit në Afrikën e Jugut. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L USM në 1/2500 sek, f/1.4 dhe ISO10000. © Gulshan Khan

Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis aktiviteteve publike, ku pritet që të bëhet fotografimi, dhe me fotografitë që bëni ndërsa endeni rrugëve anësore ose si pjesë e një projekti personal me një grup të caktuar, "Duhet të merrni pëlqim të informuar.”, - thotë Gulshan. Kjo do të thotë t'u shpjegoni qartë njerëzve pse jeni të interesuar të bëni fotografinë e tyre dhe çfarë keni ndërmend të bëni me imazhet më pas.

Mënyra se si do të veproni për këtë varet nga skenari. Nëse jeni duke bërë një projekt në një mjedis komuniteti, mund të merrni fillimisht lejen dhe të njihni njerëzit, përpara se të kaloni në shkrepjen e sinqertë kur ata janë të qetë në praninë tuaj. Në rrugët e një qyteti, mund të filloni një bisedë me një shitës tezgash në treg dhe më pas të bëni portretin e tij. Nëse nuk e flisni gjuhën, gjeni dikë që mund të përkthejë për ju. Kushtojini vëmendje të vazhdueshme se si reagon personi që po fotografoni. Siç thotë Gulshan: "Mund ta kuptoni nëse po i bëni njerëzit të mos ndihen në siklet." Nëse po, është koha ta ulni kamerën.

Punoni nisur nga fryma e respektit

Një turmë njerëzish të moshave të ndryshme këndojnë, kërcejnë, qeshin dhe pinë ndërsa shikojnë diçka para tyre.

“Gjithmonë pyesni veten se çfarë e jep këtë thellësi? Ku është historia?” - thotë Gulshan. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L USM në 1/400 sek, f/1.4 dhe ISO1600. © AFP Photo/Gulshan Khan

Ndërsa tani ajo përdor kamerën "instinktivisht", Gulshan ka kaluar shumë kohë duke parë imazhe dhe duke menduar se si portretizohen njerëzit. “Është e rëndësishme të jesh i mësuar dhe i ndërgjegjshëm për aspeketet vizuale”, - thotë ajo. "Mendoni për gjëra të tilla si këndet nga të cilat jeni duke shkrepur dhe çfarë i përcjell kjo dikujt që shikon imazhin." Ndiqni profile të ndryshme në Instagram për të kuptuar më mirë se si fotografët zgjedhin të përfaqësojnë komunitetet e tyre. Ndonjëherë nevojitet një sekuencë imazhesh për të dhënë një pasqyrë më të plotë, por, thotë Gulshan, - "është e mundur të thuash diçka të thellë për një popull ose një kulturë në një imazh të vetëm. Vetëm mos harroni se kjo nuk është kurrë e gjithë historia."

Shkruar nga Rachel Segal Hamilton

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • Një ditar udhëtimi është i hapur në një tavolinë të errët prej druri, pranë disa printimeve fotografike, një stilolapsi, shiriti Washi dhe pullave. Faqet janë të mbushura me shkrime shumëngjyrëshe, vizatime dhe fotografi.

    PRINTIM KRIJUES

    Ditar udhëtimesh si profesionist

    Kthejini pozat e pushimeve të shkrepura me Canon Zoemini S2 në një ditar të personalizuar krijues.

  • Një portret në profil i një burri gjysmë të zhveshur në një ambient me ndriçim të zbehtë duke parë drejt kamerës.

    FOTOGRAFI PORTRETI

    Këshilla e teknika të fotografisë së portreteve

    Përmirësoni fotografinë tuaj të portreteve me këto këshilla dhe teknika kryesore.

  • FOTOGRAFIA E UDHËTIMEVE

    Kompleti optimal për udhëtime

    Pajisje fotografike udhëtimi për fillestarët, krijuesit dhe entuziastët.

  • Një grua e veshur me një fustan të kuq pa rripa duke u ulur për të bërë një foto me një Canon EOS R10.

    FOTOGRAFIA E UDHËTIMEVE

    10 këshilla fotografie për udhëtime

    Fotografja dhe blogere, Diana Millos, ndan këshillat e saj kryesore për foto të arrira të udhëtimeve.