Fotografia e modës është një industri që karakterizohet nga gjallëria dhe energjia e madhe. Megjithatë, ajo shihet shpesh si diçka ekskluzive vetëm për pak njerëz dhe tepër e vështirë për t'u bërë pjesë e saj. Këtu, dy fotografë të rinj flasin për rrugëtimet e tyre, proceset krijuese dhe peizazhin gjithmonë në zhvillim të fotografisë së modës.
Si të bëhesh pjesë e fotografisë së modës
Pasion për historinë
Nina Zimolong jeton dhe punon në qytetin Kejp Taun të Afrikës së Jugut. Dashuria e saj për fotografinë lindi dhe u rrit nga pasioni për të fiksuar në fotografi gratë afrikane, duke u frymëzuar nga natyra dhe hapësirat e pakufizuara. Ian Hippolyte, i cili kryesisht jeton në Londër, Angli, e filloi karrierën e tij krijuese duke shprehur interes për filmin. Shpejt, ai e kuptoi se ajo që e grishte më shumë ishte estetika dhe kinematografia. Kalimi i tij te fotografia e modës u nxit nga besimi që ka, ashtu sikurse Nina, se: rrëfimin e historive e ka fort për zemër.
"Moda është shumë e fuqishme si një instrument për të rrëfyer histori në përgjithësi", shpjegon Iani. Nina është e të njëjtit mendim dhe shton se "Me fotografinë e modës, historia është më e thellë sepse kemi të bëjmë me veshjen e jashtme, me lëvizjen e modeles/it, pozën, vendndodhjen, ndriçimin - gjithçka."
Për Ianin, ndikimi i videos mbetet i pranishëm. Ai priret të bëjë bashkë dritën dhe lëvizjen, duke u dhënë jetë imazheve të tij. Kjo mund të shpaloset si "lëvizje e flokëve, ose mund të jetë lëvizje e veshjeve, ose mugëllimi paksa i dritës për të krijuar një ndjesi lëvizjeje dhe energjie."
Objektivi i tij është të krijojë fotografi që "të japin ndjesinë sikur ke kapur diçka në lëvizje" dhe kjo të tërheq drejt një historie më të madhe.
Ky imazh goditës nga seria "Unë jam grua" nga Nina Zimolong, shkrepur gjatë një stuhie rëre, ilustron shfrytëzimin që u bën peizazheve të Afrikës së Jugut në fotografitë e saj të modës. Modele: Marie-Noelle Graobe. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon Mount Adapter EF- EOS R dhe me Canon EF 70-200mm f/2.8L IS II USM (tani tejkaluar nga EF 70-200mm f/2.8L IS III USM) në 200 mm, 1/2000 sek, f/2.8 dhe ISO 200. © Nina Zimolong
Foto e modës e shkrepur nga Ian Hippolyte që shfaq një modele që ka veshur një kostum firmato dhe një bandanë të gjatë të kuqe duke pasqyruar ndërthurjen kulturore që aq shumë ia pëlqen Londrës. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon Mount Adapter EF- EOS R dhe me Canon EF 70-200mm f/2.8L IS II USM (tani tejkaluar nga EF 70-200mm f/2.8L IS III USM) në 85 mm, 1/200 sek, f/8 dhe ISO 250. © Ian Hippolyte
Nina dhe Iani kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: të dy e marrin frymëzimin nga qyteti ku jetojnë.
Për Ianin, diversiteti që ofron Londra është si ushqim për krijimtarinë. Që nga ndërtesat e vjetra me tulla te qiellgërvishtësit elegant, ndërthurja e historisë së kulturës së qytetit me modernen ofron mundësi të panumërta për të përjetësuar detaje dhe momente në fotografi. Kjo larmi pasqyrohet e fiksuar në imazhet që ai përcjell. Në një fotografi të kohëve të fundit, modelja kishte veshur një kostum të personalizuar, firmato, që e kishte kombinuar me një bandanë të kuqe e të gjatë. Bandana është një tip shamie me bishta të gjatë, e lidhur fort dhe ngjeshur pas kokës.
"Ndërthur një veshje të një shtëpie të modës së lartë franceze me diçka që lidhet me kulturën e afro-amerikanëve", komenton Iani. "Mendoj se këtë pëlqej më shumë te Londra - diversitetin."
Nga ana tjetër, Nina e gjen muzën e saj te bukuritë natyrore të Kejp Taunit, të cilat të lënë pa frymë. "Kemi duna rëre, pastaj një vargmal, më pas plazhe që duken sikur je në Maldive. Kejp Tauni është shumë mbresëlënës në gjithçka që ofron", thotë ajo.
Rrëzimi i barrierave: e ardhmja e fotografisë së modës
Historikisht, ka qenë e vështirë për t'u bërë pjesë e industrisë së fotografisë së modës. Iani tregon nga eksperienca se ka shumë "roje te porta" që nuk të lënë të hysh. Megjithatë, mediat sociale po ndihmojnë që dyert të hapen. Platforma të tilla si TikToku dhe Instragrami u mundësojnë fotografëve të rinj që të shpërfaqin punën e tyre, të publikojnë përmbajtje të veprimeve pas skenës, si dhe të lidhen me audiencat në mbarë botën. "Të lejon që të shikosh punën e shumë njerëzve, veprat e të cilëve nuk publikohen në revista," thotë Iani.
Nina thotë se, në veçanti TikToku, ka nxitur konkurrencë të shëndetshme. "Nëse nuk ka konkurrencë, po ata profesionistë të vjetër do të krijojnë të njëjtat punë të vjetra e të mërzitshme, duke mos ngjallur aspak kërshëri", shton Nina. "Ka punë të reja dhe unike nga njerëz të rinj, dhe kjo është gjë e mirë."
Si Iani edhe Nina shpresojnë që industria të vazhdojë të përqafojë këndvështrime të larmishme dhe krijimtari të freskët. "Shpresoj që në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme kjo industri të hapet pak më shumë," thotë Iani.
Nëse ke krijuar veshje "Bëje vetë" apo ke përdorur vendndodhje të papritura, këto janë disa nga mënyrat e shumta që mund të kapërcesh pengesat dhe të largosh kufijtë e krijimtarisë. "Për imazhin me qese prej letre doja të krijoja bukuri nga diçka e zakoshme dhe e përditshme që nuk shihet si e bukur," thotë Nina. Shkrepur në Canon EOS R me objektiv Canon RF 24-70mm F2.8L IS USM në 46 mm, 1/100 sek, f/2.8 dhe ISO800. © Nina Zimolong
Ky është një shembull i veçantë i mënyrës se si Iani e pasqyron përshtypjen e lëvizjes në fotografitë e modës që ai bën. Shkrepur në Canon EOS R5 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 70-200mm f/2.8L IS III USM në 90 mm, 1/250 sek, f/8 dhe ISO 200. © Ian Hippolyte
Këshilla për aspirantë fotografët
Për ata që duan të bëhen pjesë e fotografisë së modës, Iani këshillon të jesh vetvetja. "Kjo të dallon nga të tjerët; ndaj, gjej stilin dhe zërin tënd, qëndroji besnik dhe zhvilloje më tej."
Për këtë, mund të të duhet të mbështetesh në forcat e tua dhe me burime të kufizuara, të paktën si fillim. Iani tregon se në fillimet e tij ai bënte eksperimente me miqtë e tij në studio të sajuara. "Përgatisnim një qoshe në dhomën e ndenjjes, me një apo dy prozhektorë të lirë nga eBay," kujton ai. Edhe Nina është pro faktit se duhet të gjesh mënyra dhe burime për t'ia dalë. Marka si Maison Schiaparelli e kanë frymëzuar me përdorimin e veshjeve të çmendura, dhe ajo nuk beson se pamundësia për t'u qasur në modën e lartë në Afrikën e Jugut duhet ta kufizojë. "Nëse nuk kam qasje në diçka, nuk do të thotë se unë thjesht nuk mund ta arrij. Pse të mos e bëj vetë?" thotë ajo me siguri në vetvete.
Në të njëjtën kohë, shton Iani, duhet të sigurohesh të mësosh si të punosh me të tjerët. Në një set fotografimi për modën, gjen stilistë, artistë të make-up, dhe shumë profesionistë të tjerë. Prandaj, çelësi është te aftësia për të bashkëpunuar me të tjerët.
Gjithashtu, Iani rekomandon "bëje punën për të cilën ti do që të tjerët të të rezervojnë. Nëse, për shembull, do që të bësh portrete bardhezi, atëherë këtë bëj. Mos iu ndaj dhe bëhu shumë i zoti për këtë. Klientë të mundshëm do të të dallojnë dhe njohin për kush je dhe do të vijnë te ti kur t'u duhet stili yt."
Edhe këshilla e Ninës është e ngjashme: "Thjesht shko dhe bëje. Shikoje një imazh dhe bëji vetes pyetjen: "Si mund ta krijoj këtë me atë që kam?" Edhe nëse njerëzit do ta urrejnë, prapëseprapë do të jetë një person që do ta pëlqejë."
Fotografia është një fushë sa sfiduese edhe shpërblyese. Me mjetet e duhura, vizionin e fortë, dhe me pak fat, është e mundur që të bësh vend për hapësirën tënde. Për Ianin, Ninën e shumë të tjerë, qëllimi është të ketë një industri mode "të demokratizuar", ku fotografët nga sfera të ndryshme të fuqizohen që të tregojnë historitë e tyre nëpërmjet aparatit.
Lexo më shumë:
Shkruar nga Mabinty Taylor-Kamara
Produkte të ngjashme
-
EOS R10
Kryeni hapat tuaja të radhës në fotografi dhe video me një kamerë pa pasqyra EOS R System të krijuar rreth një sensori madhësie APS-C. -
EOS R50
Krijoni përmbajtjen më tërheqëse me këtë kamerë EOS R pa pasqyrë, nga fotot e mprehta deri te filmat 4K dhe transmetimet e drejtpërdrejta. Të gjitha në një pajisje të dedikuar. -
EOS R6 Mark II
Foto apo video, aksion apo portret – ndërthurja e rendimentit me cilësinë e figurës te Canon EOS R6 Mark II jua lë të lirë krijimtarinë -
RF 28-70mm F2.8 IS STM
Një objektiv zmadhimi i vogël, i shpejtë dhe i lehtë f/2,8 28-70 mm për kamerat me korniza të plota, me IS dhe izolim termik. E shkëlqyer për udhëtime, portrete dhe krijimtari çdo ditë. -
RF 35mm F1.8 MACRO IS STM
Një objektiv me aperturë të shpejtë 35mm f/1.8 për perspektivë këndgjerë, fokusim nga afër dhe Hybrid IS. -
RF 50mm F1.8 STM
Një objektiv kompakt, i qetë dhe peshëlehtë 50mm RF fiks, me aperturë të gjerë f/1.8, ideal për shfrytëzimin e vizionit tuaj krijues. -
RF 85mm F2 MACRO IS STM
RF 85mm F2 MACRO IS STM ofron fleksibilitet në plane të afërta me kompresion të lehtë telefoto dhe fotostabilizim 5-nivelësh në një trup kompakt e peshëlehtë.