UDHËZUESI I BLERJEVE

Shkrepni si profesionist: kompleti thelbësor për të përmirësuar fotografinë tuaj

Tre përfaqësues të rinj nderi të Canon, që punojnë në zhanre të ndryshme, diskutojnë për kamerat dhe objektivat më të mirë për fotografët e ardhshëm dhe studentët e fotografisë që synojnë të ecin në hapat e tyre.
Një grua e re me një kapele dimërore fotografon gjethet e vjeshtës me një kamerë Canon dhe objektiv të madh.

Për të shkrepur si profesionist, do t'ju duhen pajisjet e duhura. Por me një larmi kaq të madhe zgjedhjesh për kamera dhe objektiva falë teknologjisë në avancim të shpejtë të kamerave, si ta kuptoni se cili komplet u përshtatet më së miri nevojave tuaja?

Qoftë nëse jeni diplomant në hapat e parë të sektorit, amator i apasionuar që kërkoni të zgjeroni gamën tuaj apo profesionist i ri që synoni të ngjisni shkallët e karrierës, një nga elementët më të mëdhenj për t'u marrë parasysh është lloji i fotografisë që dëshironi të kryeni. Një fotograf dokumentarësh që mund të ketë nevojë të punojë qetë dhe pa u ndier në një larmi të gjerë ambientesh do të ketë kërkesa të ndryshme për kompletin në krahasim me, p.sh., një fotograf mode që punon në skenarë të përgatitur me kujdes dhe me modele profesioniste.

Kapaciteti i një kamere për të shkrepur video është një faktor tjetër i rëndësishëm. "Po bëhet një vegël gjithnjë e më e rëndësishme," - thotë specialisti i produkteve i Canon Europe, Mike Burnhill. "Videoja është një pjesë thelbësore e platformave të rrjeteve sociale, p.sh., dhe pasja e aftësive për të shkrepur poza dhe video hap së tepërmi tregje për punë në sektorin e fotografisë."

Këtu tre profesionistë të rinj, të tre të specializuar në fusha të ndryshme, ku secili ka histori të veçantë se si është bërë pjesë e sektorit, flasin për kamerat dhe objektivat e Canon që përdorin dhe përse këto janë ideale për stilin që ka zgjedhur gjithsecili. Ata janë: fotografi nigerian i modës dhe i portreteve, Emmanuel Oyeleke, fotografja gjermano-ruse e dokumentarëve, Nanna Heitmann, dhe fotografi me qëndrim në Austri, Ingo Leitner, pjesë e dyshes së fotografimit të dasmave, Carmen and Ingo. Së bashku me njohuritë e tyre vetjake, këshillë e mëtejshme prej eksperti ofrohet nga Mike Burnhill.

Kompleti më i mirë për fotografinë e modës

Një grua me fund me rruaza sipër dhe disa pala poshtë qëndron në një divan, duke mbajtur njërën dorë mbi fytyrë. Tym i kuq dallgëzon pas saj.

Fotografi i modës dhe i portreteve, Emmanuel Oyeleke, thotë se funksionet e kamerës EOS R System, si p.sh. vetëfokusimi i shpejtë dhe i saktë, dhe fotostabilizimi i integruar (IBIS), u japin fotografëve të modës lirinë për të qenë krijues. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM në 28mm, 1/125 sek, f/4.5 dhe ISO160. © Emmanuel Oyeleke

Një grua me një kësulë në të kuqe të ndezur qëndron në një qilim me lule vjollcë-blu përpara një guri në gri të errët.

Emmanuel-it i pëlqen ta shkrepë punën e tij në modë me objektiva fiksë. "Kryesisht kam përdorur modelet e reja fikse RF dhe mund t'i rekomandoj," - thotë ai. "Unë përdor Canon RF 50mm F1.2L USM, por modeli EF 50mm f/1.8 STM është gjithashtu fantastik nëse je me buxhet." Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/400 sek, f/5 dhe ISO400. © Emmanuel Oyeleke

Një ish-lojtar profesionist i Scrabble që ra në dashuri me fotografinë ndërsa udhëtonte nëpër turne përreth botës, Emmanuel Oyeleke, ka fituar çmime të ndryshme, duke përfshirë dhe "ASFA Fashion Photographer of the Year" në vitin 2019. Më së shumti autodidakt, ai hyri në sektorin e fotografisë së dasmave (disa me 3000 të ftuar) në vendin e tij, Nigerinë, përpara se të kalonte në fotografinë e stilit të jetesës, ndërsa tani realizon rregullisht editoriale të fuqishme dhe të bukura për revistat kryesore të modës në Afrikë, si dhe punë komerciale për marka si Coca-Cola dhe Unilever.

"Unë nisa ta përdor EOS R System në vitin 2018 dhe ishte një risi për mua," - thotë ai. "Nuk ke pse shqetësohesh për anën teknike pasi kamerat thjesht japin rezultat, duke të dhënë lirinë të jesh krijues pa kufizime." Ai ka përdorur kryesisht Canon EOS R5 që kur ka qarkulluar në vitin 2020. "Sensori 45MP shkrep një sasi të madhe informacioni dhe më jep mundësinë të bëj prerje të kuadrit ndërsa vijoj të kem imazh me rezolucion të lartë.

"Nëse ke buxhetin do të thosha se EOS R5 është ideal për punë mode, por nëse jo do të rekomandoja EOS R6 pasi bën thuajse çdo gjë nga çfarë bën R5, por me një rezolucion më të vogël."

"Ndonëse fotografia e modës është për rrobat, kur shikojmë fotot e njerëzve ne kemi prirjen të tërhiqemi nga fytyrat përpara, ndaj gjurmimi i fytyrës/syve në EOS R5 dhe EOS R6 është i rëndësishëm," - shton Mike Burnhill. "Funksione të tjera të dobishme për punën në modë përfshijnë ekranin rrotullues, që ju mundëson të shkrepni nga kënde të ndryshme për imazhe interesante dhe dinamike."

Objektivat e rregullt të Emmanuel-it janë Canon RF 50mm F1.2L USM dhe RF 85mm F1.2L USM, si dhe ai i rekomandon që të dy për studentët e modës. "Ata janë të mprehtë, të shpejtë, me konstrukt shumë të mirë dhe ia vlejnë të investosh tek to – një objektiv i mirë të zgjat shumë vite," - pohon ai.

"Këto janë objektiva të mirë për të shkrepur gjithçka nga pozat me gjatësi të plotë deri te portretet me një perspektivë lartësuese," - pohon Mike. "Alternativa tjetër do të ishte një zmadhues, si p.sh. RF 24-70mm F2.8L IS USM ose EF 24-70mm f/2.8L II USM montuar me një adaptor."

Kompleti më i mirë për fotografinë dokumentare

Dy burra duke ecur përmes një pylli të errët, të ndriçuar vetëm nga thëngjijtë rreth tyre.

Kamerat Canon EOS R System kanë kapacitet të shkrepin në ISO të lartë me zhurmë të ulët. Është një funksion që fotografja e dokumentarëve, Nanna Heitmann, e konsideron thelbësore për punën e saj, pasi i lejon të shkrepë me konfidencë në ndriçim të zbehtë. Këtu ajo ka fotografuar dy vullnetarë që luftojnë me zjarrin pyjor në Magras, Siberi në 2021. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM në 1/100 sek, f/1.8 dhe ISO8000. © Nanna Heitmann/Magnum Photos

Një grup grash të moshuara të gjitha të veshura më së miri me rroba dhe shami të bardha, e shkrepur nga poshtë.

Nanna e përdor rregullisht funksionin e shkrepjes pa tingull të Canon EOS R5 dhe të EOS R për ta ndihmuar të punojë pa u ndier. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM në 1/1600 sek, f/2.8 dhe ISO200. © Nanna Heitmann/Magnum Photos

Fotografja e dokumentarëve Nanna Heitmann ka lindur në Gjermani në 1994 dhe ka blerë DSLR e saj të parë, një Canon EOS 400D (tani i tejkaluar nga Canon EOS 850D), kur ishte 14 vjeç. Teksa rritej u frymëzua nga imazhet e National Geographic dhe iu vu punës për të marrë diplomë si fotoreportere dhe fotografi dokumentare në Universitetin e Hanoverit për Shkencat e Zbatuara dhe Arte. Puna e saj që prej asokohe është publikuar në National Geographic, TIME Magazine dhe Volkskrant, mes të tjerash. Në vitin 2019, atë e ftuan të kandidonte për çmimin Magnum.

Vitet e fundit, Nanna, e cila punon kryesisht në projekte afatgjata, si p.sh. dokumentimin e komunitetit rreth minierës së fundit të qymyrit të Gjermanisë, ajo ka përdorur Canon EOS R dhe Canon EOS R5. "Më parë kam përdorur Canon EOS 5D Mark III, por tani më pëlqen të punoj me kamerat pa pasqyrë të Canon," - pohon ajo. "Teksa i mbaj aksesorët me vete tërë ditën, është më mirë kur punon me një kamerë të lehtë."

Nanna thotë se risitë e sjella në modelet EOS R dhe EOS R5, duke përfshirë vetëfokusimin në ndriçim të ulët deri në -6 EV, kanë përfitime të mëdha për punën dokumentare. "Ndjeshmëria e ndriçimit të ulët është e rëndësishme kur punon në ndriçim të ulët pa blic dhe mundësia e përdorimit të modalitetit të shkrepjes pa tingull të kamerës të lejon të punosh pa u ndier," - thotë ajo. "Do të rekomandoja edhe EOS R, edhe EOS R5 për studentët e dokumentarëve, kjo është e sigurt."

Për ata që kanë buxhet disi më të ngjeshur, opsion do të ishte një kamerë tjetër EOS R System, modeli EOS RP. "Është një kamerë më e vogël, më e lehtë dhe ka shumë funksione fantastike, duke përfshirë modalitetin e shkrepjes pa tingull, dhe ashtu si kamerat e tjera të EOS R System, është plotësisht e pajtueshme me objektivat EF," - thotë Mike.

"Nëse buxheti ju shkon deri te EOS R6, kapaciteti i saj mahnitës në ndriçim të ulët ju mundëson të punoni me një sërë kushtesh ndriçimi, ndërsa gjurmimi i fytyrës/syve ju lejon të mos ju duhet të shqetësoheni për fokusimin, por të përqendroheni më mirë në ruajtjen e çasteve, kompozimin dhe shprehjet."

Ndërsa Nanna-s i pëlqen t'u afrohet njerëzve që fotografon, ajo thuajse gjithnjë përdor objektivat Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM dhe RF 50mm F1.2L USM. "Dy objektiva janë gjithçka që kam nevojë," - thotë ajo. "Më pëlqejnë më shumë fiksët se zmadhuesit, pasi të detyrojnë të lëvizësh rrotull dhe të punosh më shumë me imazhet."

Mike bie dakord se këta objektiva janë kombinimi ideal. "Gjatësitë fokale 35mm dhe 50mm kanë qenë gjithnjë popullore në punën dokumentare dhe me reportazhe, pasi të japin perspektivë natyrale," - thotë ai. "RF 35mm F1.8 Macro IS STM është i vogël, me çmim të arsyeshëm dhe ka fotostabilizues 5-nivelësh për poza të mprehta dorazi."

Kompleti më i mirë për fotografinë e dasmave

Një çift qeshin dhe kërcejnë, të kapur përdore, në një fushë me kashtë të prerë dhe një pemë të vetme pa gjethe.

Fotografët e dasmave me destinacion, Carmen dhe Ingo Leitner, shkrepin një larmi fotosh dhe videosh në modelet e tyre Canon EOS R5 dhe EOS R6, duke përfshirë pozat spontane kur njerëzit janë në lëvizje. Mike shpjegon përse janë kamerat ideale për rastet e veçanta: "Gjurmimi i fytyrës/syve në EOS R5 dhe EOS R6 është tejet i besueshëm, çka do të thotë se mund të përqendroheni në inkuadrimin dhe shkrepjen e çastit." Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L II USM dhe Canon Mount Adapter EF-EOS R në 1/1600 sek, f/1.4 dhe ISO160. © Carmen and Ingo Photography

Një nuse dhe dhëndër puthen me pasion në një ambient të mbushur me drita dekorative dhe tryeza të shtruara.

Ingo rekomandon objektiva të shpejtë fiksë me gjatësi fokale prej 35mm dhe 50mm për fotografinë e dasmave, të përdorur me aperturën të hapur deri në fund kur dëshironi të veçoni subjektin nga sfondi. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/200 sek, f/1,4 dhe ISO4000. © Carmen and Ingo Photography

Carmen dhe Ingo Leitner janë njohur në një plazh italian në vitin 2003. Pasi zbuluan dashurinë e përbashkët për fotografinë teksa udhëtonin së bashku, ata filluan duke fotografuar dasmat e familjes dhe të shoqërisë së tyre, përpara se të kalonin në nivel profesional duke hapur biznesin e tyre në vitin 2009.

Skuadra burrë-e-grua, që e nisën karrierën përkatësisht si inxhinier teknik dhe artiste grimi, kanë fotografuar që atëherë dasma në disa nga vendet më të bukura të botës. Modeli i tyre i parë DSLR, të cilin e kanë ende, ishte një Canon EOS 350D (tejkaluar tani nga Canon EOS 850D) ndërsa tani përdorin kamerat EOS R5 dhe EOS R6, duke punuar shpesh në të njëjtën kohë, me njërin që shkrep foto ndërsa tjetra video.

"Funksioni më i rëndësishëm për ne është sistemi super preciz i fokusimit në të dyja, EOS R5 dhe EOS R6," - thotë Ingo. "Edhe me objektivin të hapur deri në fund, fotot janë tejet të mprehta. Avantazhi tjetër i madh, edhe për videon, është pasja e fotostabilizimit të integruar (IBIS), që na jep deri në 8 nivele stabilizimi me objektiva të caktuar dhe bën që të mos kemi nevojë për stativë apo këmbalecë."

Për ata që aspirojnë të punojnë si fotografë dasmash, Ingo mendon se ia vlen vërtet të investojnë tek EOS R5. "Nëse nuk ju duhen skedarë 45MP, ju bën punë më së miri edhe modeli EOS R6," - shton ai.

"Dy të mirat më të mëdha të këtyre kamerave për fotografi dasmash janë gjurmimi i fytyrës/syve dhe funksioni i shkrepjes pa tingull, që ju mundëson të shkrepni foto pa u kuptuar nga njerëzit, sidomos nëpër vende të qeta," - shton Mike. "Gjithashtu janë kamera hibride, që mund të shkrepin video deri në 8K RAW dhe 4K në 120p tek EOS R5 dhe 4K UHD e deri në 60p tek EOS R6."

Carmen dhe Ingo përdorin kryesisht Canon EF 35mm f/1.4L II USM, RF 50mm F1.2L USM dhe RF 85mm F1.2L USM, plus RF 28-70mm F2L USM. Për dikë që është në hapat e parë në fotografinë e dasmave, Ingo ka këtë këshillë: "Do të sugjeroja në objektiv 35mm dhe 50mm, me apertura të gjera maksimale – objektiv të L-Series nëse e keni mundësinë."

"Kur jeni në hapat e parë si fotograf dasmash, një zmadhues shumëfunksional, si RF 24-105mm F4L IS USM, është goxha i dobishëm. Është një objektiv që mund të bëjë pak nga të gjitha," - sugjeron Mike. "Në vijim mund ta shoqëroni me një RF 50mm F1.8 STM ose EF 85mm f/1.8 USM – diçka të shpejtë, të vogël dhe të shndritshme. Kjo do t'ju mundësonte të bënit imazhe të llojeve të ndryshme, si p.sh. duke përdorur aperturën më të gjerë të mundshme për ta izoluar subjektin nga sfondi. Me një objektiv zmadhues dhe një fiks të shpejtë, jeni gati për shumicën e situatave."

Cilido qoftë drejtimi që zgjidhni, qoftë fotografi e modës apo e portreteve, fotografi dokumentare, fotografi dasmash apo më tej, investimi në një komplet është një investim në të ardhmen tuaj. Aventura juaj profesionale fillon këtu...


Shkruar nga David Clark

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • Një fotografi bardhezi e një foshnje që prek një libër.

    FOTOGRAFIA FAMILJARE

    Këshilla për fotografinë e familjes

    Zbuloni se si përfaqësuesja e nderit e Canon, Helen Bartlett, gjeti pasionin e saj për fotografinë familjare.

  • Një portret i një gruaje që mban një gjerdan të madh të gjelbër dhe një beretë blu në një sfond vjollcë.

    PROJEKTE PËR SHTËPINË

    Krijoni studion tuaj në shtëpi

    Zbuloni se si të bëheni krijues me blicin dhe të shkrepni portrete mahnitëse pa shpenzime.

  • Një portret i një gruaje me gërsheta të gjatë, veshur me një triko të prerë rozë dhe xhinse gri, duke ecur përgjatë një rruge qyteti.

    FOTOGRAFI PORTRETI

    Si të nxirrni tonalitete perfekte të lëkurës në portretet tuaja

    Zotëroni artin e ndërlikuar të nxjerrjes së ngjyrave natyrale të lëkurës me profesionisten e modës, Jade Keshia Gordon.

  • Një pamje mbi supin e fotografit e ekranit LCD të një Canon EOS R10, që tregon dy valltarë flamenkoje duke u filmuar.

    TEKNOLOGJIA

    DSLR apo pa pasqyrë

    Po mendoni të kaloni në modelet pa pasqyrë? Ne krahasojmë dallimet për t'ju ndihmuar të vendosni.