FOTOGRAFIA E NATËS

Astrofotografia: këshilla për fotografinë e qiellit të natës dhe të yjeve

Një udhëzues për fotografimin e pozave yjore të qiellit të natës, nga koha optimale për të kapur Udhën e Qumështit deri te cilësimet, kamerat dhe objektivat e rekomanduar.
Një imazh peizazhi pishash, një liqen dhe male të pudrosura me dëborë nën një qiell me yje.

Të qëndrosh jashtë natën duke parë yjet është një eksperiencë vërtet magjike. Ditët e sotme, falë avancimeve në teknologjinë e kamerave, është më e lehtë se kurrë të dilni në natyrë dhe të shkrepni mrekullinë e qiellit të natës.

Këtu eksplorojmë se si funksionon astrofotografia, pajisjet e nevojshme për fotografinë e natës, duke përfshirë fotointervalet dhe imazhet me gjurmë yjore, si dhe teknikat e fotografisë së natës dhe cilësimet optimale të kamerës.

1. Kontrolloni parashikimin e motit

Para se të dilni për të fotografuar, mos harroni të kontrolloni motin pasi ju duhet një qiell i pastër gjatë natës për të realizuar fotografi të pastër të yjeve. Duke pasur parasysh këtë, mbulimi i pjesshëm me re mund të shtojë në fakt atmosferë në fotot tuaja të qiellit të natës, ndaj jini krijues dhe përdoreni motin në avantazhin tuaj. Mbani një sy nga era: nëse retë janë relativisht të palëvizshme nuk do të duken shumë të turbullta në poza ku përdorni ekspozim të gjatë.

Merrni bateri dhe karta memorieje rezervë, një elektrik koke dhe rroba të ngrohta. Mos harroni t'i mbani bateritë në xhepa pasi shkarkohen më shpejt kur ekspozohen ndaj të ftohtit.

2. Gjeni vendndodhjen e duhur dhe zgjidhni orën e duhur

Një qiell nate me yje, horizonti me vijëzim portokalli dhe një bredh i dukshëm në plan të parë majtas.

Astrofotografia kërkon durim dhe pak kërkim. Për të arritur rezultate optimale duhet të gjeni kombinimin ideal të motit, vendit, orës dhe ditës. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 15-35mm F2.8L IS USM në 22mm, 8 sek, f/3.5 dhe ISO1250. © Ulla Lohmann

Udha e Qumështit në qiellin e natës me një siluetë të një peme të pajetë në plan të parë.

Yjet dhe Udha e bukur e Qumështit sidomos, shikohen me vështirësi në vende që kanë dritë. Udhëtimi në periferitë apo zonat me natyrë atypari ju jep një avantazh të madh kur fotografoni qiellin e natës. Shkrepur në Canon EOS R me objektiv Canon RF 28-70mm F2L USM në 28mm, 30 sek, f/2 dhe ISO3200.

Për të realizuar fotografitë më të mira të qiellit të natës, do të duhet t'i drejtoheni natyrës dhe larg nga ndërhyrjet e dritave. Kërkoni për një vend të qetë pa ndriçim artificial. Dritat e qytetit ua kalojnë yjeve, por kështu ndodh edhe nëse ka hënë të plotë apo edhe gjysmë, ndaj kontrolloni kalendarin tuaj hënor kur planifikoni shkrepjen tuaj të yjeve.

Koha më e mirë për të fotografuar Udhën e Qumështit në hemisferën veriore është midis marsit dhe shtatorit, kur shfaqet më lart në qiell. Synoni të shkrepni mes mesnatës dhe 5 të mëngjesit, idealisht netëve me hënë të re. Sezoni i Udhës së Qumështit zgjat më shumë në hemisferën jugore, nga shkurti në fund të tetorit.

3. Provoni cilësime të ndryshme të kamerës

Formacione të thepisura shkëmbore në ngjyrë portokalli në siluetë përkundër një qielli nate me yje.

Do t'ju duhet t'u merrni dorën cilësimeve të kamerës për t'ia dalë mbanë me shkrepjen e yjeve natën. Mos kini frikë të eksperimentoni dhe të provoni kombinime të ndryshme cilësimesh për të parë çfarë efektesh kanë këto në fotot tuaja të qiellit të natës. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon EF 14mm f/2.8L II USM në 15 sek, f/2.8 dhe ISO3200.

Për të fotografuar qiejt me yje do të duhet të keni kontrollin e kamerës, ndaj zgjidhni modalitetin Manual (M) dhe provoni disa parametra të ndryshëm siç përshkruhen më poshtë.

  • Shpejtësia e shkrehjes: Yjet lëvizin ndërsa Toka rrotullohet, ndaj nëse synoni të kapni ndriçime precize, caktojeni shpejtësinë e shkrehjes në një maksimum prej 20 sekondash. Nëse e bëni më gjatë do të nxirrni gjurmë yjore.
  • Apertura: Do t'ju duhet të përdorni gjithashtu një cilësim aperture më të gjerë. Kjo do të bëjë të mundur të lejoni sa më shumë dritë në kamerë ndërkohë që koha e ekspozimit qëndron relativisht e shkurtër. Mos harroni se një aperturë e gjerë do të sjellë thellësi të ulët qartësie, që do të thotë se çdo gjë që është menjëherë në plan të parë do të jetë e shfokusuar.
  • ISO: Faktori i tretë që ndikon në ekspozimin e fotografive tuaja është parametri juaj ISO. Sa më i lartë të jetë numri ISO, aq më i ndjeshëm do të jetë sensori ndaj dritës që hyn në aperturë. Nëse e çoni shumë ama, imazhet tuaja do të fillojnë të duken me zhurmë. Sigurohuni që të jeni të kënaqur me aperturën dhe shpejtësinë e shkrehjes përpara se të eksperimentoni me cilësimet ISO. Provoni një ISO prej 1600 në fillim dhe rregulloni prej aty për të parë se si i ndikon kjo rezultatet tuaja.

Një qiell nate me yje, me një formacion shkëmbor në ngjyrë portokalli në plan të parë.

Kalimi në një sensor kuadërplotë ju mundëson kapjen e imazheve të arrira në ndriçim të ulët. ISO-t e larta maksimale të Canon EOS RP dhe të EOS R6 mundësojnë ruajtjen e detajeve dhe të ngjyrave me zhurmë minimale. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 28-70mm F2L USM në 28mm, 15 sek, f/2 dhe ISO3200.

4. Qëndroni të fokusuar kur i shkrepni yjet natën

Fotografia e qiellit të natës mund të jetë sfiduese për aftësitë e vetëfokusimit të cilësdo kamerë. Kini parasysh të kaloni në fokus manual duke anasjellë çelësin AF/MF në grykën e objektivit tuaj Canon. Kamerat pa pasqyrë, si p.sh. Canon EOS R6 dhe EOS RP ofrojnë një shqyrtim të zmadhuar të skenës dhe në inkuadruesin elektronik , dhe në ekranin e pasmë, duke mundësuar fokusim manual ultrapreciz. Një e mirë tjetër është se ndriçimi i inkuadruesit përforcohet automatikisht. Mund të përfitoni të njëjtat të mira me të DSLR-ve, si p.sh. Canon EOS 90D duke i kompozuar pozat tuaja në modalitetin Live View me anë të ekranit të pasmë LCD.

Kamerat që vijnë me shifra të larta në megapikselë, si p.sh. Canon EOS R5, mund të kenë një impakt të madh në fotografinë e qiellit të natës, duke ju mundësuar të ruani detajet ultra të imëta kur fotografoni yjet. Mund të përbëjnë diferencën mes shfaqjes ose jo të yjeve më të vegjël dhe më të zbehtë. Ky nivel detaji është veçanërisht i rëndësishëm nëse doni të realizoni printime të imazheve tuaja të qiellit të natës me yje*.

5. Zgjidhni astroobjektivin më të mirë

Pemë me siluetë përkundër një qielli nate me yje.

Një objektiv magjik për astrofotografinë, Canon RF 28-70mm F2L USM ka një aperturë tejet të shpejtë në të gjithë diapazonin e saj të zmadhimit, duke rivalizuar me atë të shumë objektivave fiksë "të shpejtë". Shkrepur në Canon EOS R me objektiv Canon RF 28-70mm F2L USM në 28mm, 75 sek, f/2 dhe ISO1600.

Pemë të gjata palme me siluetë përkundër Udhës së Qumështit në qiellin e natës.

Kërkohet një kënd shikimi ultra i gjerë dhe një aperturë e shpejtë për kapjen e shtrirjes së gjerë të Udhës së Qumështit në kamerë. Kjo në përgjithësi do të thotë nevojë për një objektiv të madh, të rëndë dhe shumë të shtrenjtë, por Canon RF 16mm F2.8 STM është relativisht peshëlehtë, kompakt dhe ekonomik duke e bërë ideal për astrofotografi me efikasitet kostoje. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 16mm F2.8 STM në 25 sek, f/2.8 dhe ISO6400.

Objektivat me specifikim "të shpejtë" aperture janë gjithnjë të preferuar për fotografinë e yjeve dhe nuk ka pse të kushtojë sa qimet e kokës. Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM prodhon p.sh. objektiva fantastike për astrofotografi. Fushëpamja relativisht e gjerë e këtij objektivi përfshin një shtrirje të madhe të qiellit të natës, ndërsa apertura e shpejtë tërheq shumë dritë, teksa fotostabilizimi mundëson poza dore natën. Për shkrepjen e pozave edhe më të gjera të Udhës së Qumështit, Canon RF 16mm F2.8 STM është ideal, duke kombinuar një fushëpamje ultra të gjerë dhe aperturë të shpejtë me konstrukt kompakt.

Nëse preferoni fleksibilitetin e shtuar të një objektivi zmadhues, Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM kalon nga një fushëpamje e bollshme në gjerësi në gjatësitë fokale telefoto, duke e bërë këtë objektiv të veprojë dhe për portrete dhe për kafshët në natyrë. Ai vjen dhe me fotostabilizim, duke ju mundësuar të ngadalësoni shkrehësin gjatë shkrepjes dorazi. Për fotografët që kërkojnë cilësi edhe më të lartë në diapazon fokal, Canon RF 24-105mm F4L IS USM ofron optikë niveli profesional L-Series dhe izolim të plotë atmosferik.

Canon RF 28-70mm F2L USM është një zmadhues standard spektakolar për astrofotografi, me një aperturë tepër të shpejtë maksimale f/2. Për ekstra gjerësi në anën e gjerë, ku ato pak milimetra ju japin shumë, provoni Canon RF 24-70mm F2.8L IS USM.

Canon RF 15-35mm F2.8L IS USM, një zmadhues ultrakëndgjerë ju mundëson të shkrepni shtrirjet e pamasa të qiellit të natës, ndërsa vijoni të përfitoni nga apertura e shpejtë dhe rrezja fleksibël e zmadhimit. Modeli më kompakt Canon RF 14-35mm F4L IS USM është një alternativë e mirë – vetëm një gradë f/ më i ngadaltë dhe duke ofruar fushëpamje maksimale edhe më të madhe. Mësoni më shumë përse objektivat RF ju japin optimumin kur shkrepni natën në udhëzuesin tonë për kompletin më të mirë të Canon për fotografinë në ndriçim të ulët*.

Nëse kërkoni të blini një zmadhues ekonomik për t'iu përshtatur DSLR-së me format APS-C, Canon EF-S 17-55mm f/2.8 IS USM realizon cilësi të patëmetë imazhi dhe një aperturë konstante të shpejtë prej f/2.8, diçka kjo e pazakontë në këtë kategori.

6. Përmirësoni kompozimin e qiellit të natës

Udha e Qumështit harkon nëpër qiell mbi brigjet e gurta të një liqeni.

Një qiell plot yje mund të përforcohet shpesh nëse përfshini peizazhin rrethues në fotografinë tuaj. Kjo shton një element unik në imazhet tuaja dhe e bën punën tuaj të dallohet nga fotografitë e tjera të qiellit të natës. Shkrepur në Canon EOS 6D (tejkaluar tani nga Canon EOS 6D Mark II) në 20mm, 30 sek, f/2.8 dhe ISO5000.

Një pemë halore në siluetë përkundër një qielli nate me yje.

Provoni ta inkuadroni pozën që ndërsa kamera të jetë e drejtuar nga qielli, të qëndrojë mbi kuadër një element i gjatë në plan të parë, si p.sh. ndonjë formacion shkëmbor apo kjo pemë. Shkrepur në Canon EOS R me objektiv Canon RF 28-70mm F2L USM në 28mm, 30 sek, f/2 dhe ISO3200.

Përmirësojeni fotografinë e qiellit të natës duke përfshirë elemente të tjera për të ngjallur më shumë interes vizual – ndërtesat, pemët, malet ose liqenet pasqyruese janë të gjitha opsione të mira. Ndonjëherë yjet e fotografuara më vete mund të japin imazhe të cilave u mungon perspektiva ose personaliteti, ndaj kërkoni për diçka unike që mund të shkrepni për t'ia shtuar imazhit tuaj.

Një teknikë tradicionale për ruajtjen e qartësisë në një skenë nga plani i parë në sfond është të caktoni objektivin në distancën e vetë hiperfokale, por kjo është jopraktike me shumë objektiva modernë që nuk kanë shkallë distance fokusi. Kontrolli i zonave të ndryshme të ekranit të pasmë të kamerës me një shqyrtim të zmadhuar mundëson fokusim të saktë manual, por duke pasur parasysh thellësinë e ulët të qartësisë në apertura të gjera, mund të jetë e pamundur të futet e gjithë skena në fokus. Një alternativë është të nxirren dy a më shumë poza në cilësime të ndryshme fokusi dhe ekspozimi, të përshtatura më vete për zonat në plan të parë dhe qiellin e largët me yje, dhe t'i bashkohen në një imazh të vetëm me një program redaktimi që vjen me maska të shtresuara, si p.sh. Adobe Photoshop.

Nëse preferoni të shkrepni më mirë gjithçka në një pozë të vetme, por zonat e planit të parë janë shumë të errëta, provoni t'i ndriçoni me blic, si p.sh. Canon Speedlite 430EX III-RT, duke shkrepur një a më shumë pulse drite gjatë një ekspozimi të gjatë. Mund të bëheni dhe krijues duke hedhur dritë mbi sende të caktuara dhe zona interesi në plan të parë gjatë një ekspozimi të gjatë me një elektrik dore ose edhe me fenerët e makinës suaj nëse jeni me makinë në vendin e shkrepjes.

7. Shkrepja e imazheve me gjurmë yjore

Shkrepja e vijave fantastike të dritës që tregojnë lëvizjen e yjeve është sfidë më vete, por zotërimi i teknikës është i mundur duke ndjekur pak hapa të thjeshtë. Filloni duke pikasur polin e veriut, që arrihet lehtë duke përdorur një aplikacion hartografik në celular. Duke e pozicionuar veten që poli i veriut (ose i jugut, nëse jeni në gjysmërruzullin jugor) të jetë pika fokale e fotos suaj dhe duke përdorur një ekspozim të gjatë do të rezultojë në formimin e një motivi rrethor përreth një pike qendrore. Mos harroni, për çfarëdo poze me ekspozim të gjatë është e rëndësishme të përdorni një stativ për të evituar turbullimin e lëvizjes.

Yjet nuk lëshojnë shumë dritë, kështu që përdorni një ISO të lartë (800, 1600 ose më shumë) për të nxjerrë gjurmë të qarta të tyre. Bëni disa shkrepje eksperimentale para se të provoni një ekspozim të gjatë pasi, sa më e lartë ISO, aq më shumë mundësi ka t'ju shfaqet "zhurmë" në foto.

Ndonëse duhen 24 orë që yjet të kryejnë një rrotullim të plotë në qiell, paraqitja e një efekti rrethplotë të gjurmës së yjeve mund të arrihet me ekspozim të gjatë prej rreth 60-90 minutash. Nëse shkrepni në gjysmërruzullin verior, pikasja e yllit polar në qiellin e natës ju jep një pikëreferim se ku do të fillojnë të duken se rrotullohen yjet.

Shpejtësia maksimale e shkrehësit e disponueshme në shumë kamera është 30 sekonda, kështu që do t'ju duhet të përdorni cilësimin e ekspozimit Bulb në modalitetin Manual (M). Kjo ju lejon ta mbani shkrehësin të hapur për sa kohë që dëshironi. Caktojeni fokusin në pafundësi dhe kur të jeni gati, provoni një ekspozim prej rreth 30 minutash. Më pas rishikojeni përsëri fotografinë tuaj. Mund të duhen disa përpjekje - dhe pak durim - por në fund do t'i arrini rezultatet që kërkoni.

Një opsion tjetër është të krijoni një videointerval të qiellit të natës. Shumë kamera të Canon, duke përfshirë Canon EOS R6, EOS R5 dhe EOS 90D, vijnë me një modalitet shkrepjeje Timelapse Movie, që përdor një intervalometër të integruar. Montojeni kamerën në një stativ dhe vendosni një shpejtësi shkrehësi prej rreth 20 sekondash e më shpejt, duke e caktuar aperturën dhe ISO-n përkatësisht (f/4 dhe ISO640 kanë prirjen të punojnë mirë). Bëni një shkrepje provë dhe shikoni rezultatet, duke u bërë ndryshimet e mundshme të nevojshme cilësimeve tuaja të ekspozimit. Në vijim, caktojeni intervalometrin që të nxjerrë poza të njëpasnjëshme çdo dy minuta a diçka e tillë.

Koha gjithsej e shkrepjes për sekuencën do të varet nga sa të gjatë e dëshironi videointervalin, si dhe nga shpejtësia e kuadrove. Për shembull një sekuencë me gjithsej 60 poza në shpejtësi kuadrosh prej 30fps do të japë një videointerval dysekondësh.

Një videointerval i realizuar bukur me yje mund të jetë mahnitës ku qielli duket sikur rrotullohet gradualisht përpara syve tuaj. Nëse jeni me fat apo e planifikoni pozën që të drejtohet sipas një stuhie meteorësh, meteorët do të kalojnë nëpër kuadrin tuaj duke i shtuar edhe më shumë mrekullisë galaktike. Mësoni se si e kanë shkrepur profesionistët këtë shfaqje mahnitëse qiellore në udhëzuesin tonë për fotografimin e stuhive të meteorëve*.


Shkruar nga Matthew Richards


* Ofrohet vetëm në gjuhë të zgjedhura.
Adobe dhe Photoshop janë marka të regjistruara tregtare ose marka tregtare të Adobe në SHBA dhe/ose shtete të tjera.

Produktet e lidhura

  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R6 Mark II

    Foto apo video, aksion apo portret – ndërthurja e rendimentit me cilësinë e figurës te Canon EOS R6 Mark II jua lë të lirë krijimtarinë
  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R8

    Kaloni në fotografinë dhe videon kuadërplotë dhe realizoni ambiciet tuaja krijuese.
  • Objektiv fiks këndgjerë

    RF 24mm F1.8 MACRO IS STM

    Një objektiv kompakt, peshëlehtë, fiks, 24mm që është ideal për fotografinë e peizazheve, videoblogime dhe hapësira të brendshme – plus pamje fantastike makro.
  • Objektiv zmadhues ultra i gjerë

    RF 14-35mm F4L IS USM

    Objektivi ultra i gjerë RF nga Canon sjell detajet me precizionin e serisë L, nga 14-35mm, ndërsa mbajtja në dorë është e lehtë me fotostabilizimin 5.5-nivelësh.
  • Lentë me kënd të gjërë

    RF 16mm F2.8 STM

    Një objektiv kompakt dhe ekonomik, ultra i gjerë, kuadërplotë, 16mm për serinë EOS R, krijuar për videoblogerë dhe krijues përmbajtjesh.
  • Artikuj të ngjashëm

  • FOTOGRAFIA E NATËS

    Fotografimi i hënës

    Një udhëzues hap pas hapi për fotografim krijues të hënës.

  • TEKNIKA TË NDRIÇIMIT

    7 këshilla për fotografi në ndriçim të ulët

    Zbuloni teknika thelbësore për shkrepjen e fotove të mprehta në ndriçim të ulët dhe të kompletit më të mirë të Canon për fotografinë në ndriçim të ulët.

  • PARIMET BAZË TË FOTOGRAFISË / AMBIENTET E JASHTME

    Këshilla për shkrepje në kushte ekstreme të motit

    Që nga mbrojtja e pajisjeve deri te kujdesi për veten, ja këshillat dhe marifetet tona kryesore për përvetësimin e fotografisë në kushte ekstreme të motit.