FOTOGRAFIA KRIJUESE

Pamje nga sipër: gjashtë këshilla për shkrepjen e fotove të goditura nga sipër

Fotografi dhe anëtar i ndjekur në TikTok, Chris Priestley, tregon si ta shpini fotografinë nga sipër drejt lartësive të reja.
Një person duke sistemuar një skenë për foto nga sipër, me një orë rozë, një laptop, një tastierë dhe biskota rozë në një pjatë.

Fotografia nga sipër është një mënyrë krijuese për të ekspozuar subjekte dhe produkte nga më të ndryshmet – nga makijazhi dhe bizhuteritë, deri tek ushqimi dhe njoftimet për lindje. Bloguesit dhe krijuesit e përmbajtjeve në rrjetet sociale ofrojnë një burim të pasur frymëzimi për këto lloj fotosh, por nga t'ia nisni kur vjen puna te projektimi dhe stilizimi i pozave tuaja nga sipër dhe si të siguroheni që pamjet tuaja të dallojnë në buletinet e rrjeteve sociale?

Mbajini gjërat të thjeshta, sugjeron fotografi i produkteve komerciale dhe i stilit të jetesës, Chris Priestley, i cili ka si profesion shkrepjen e pozave nga sipër dhe numëron 54,000 ndjekës në Instagram dhe mbi 1 milionë ndjekës në TikTok. "Kur nxjerr më pak, vlen më shumë kur vjen puna te rekuizitat në fotot nga sipër, si dhe sfondet shpërqendruese mund ta prishin pozën."

E mira është se fotografia nga sipër është e hapur për këdo. Nuk ju duhen pajisje të specializuara – një objektiv standard kompleti apo edhe kamerë kompakte mjafton për ta provuar këtë teknikë mahnitëse. Në fakt gjithçka fillon me një laps e letër, siç shpjegon Chris-i në këshillën e tij të parë nga gjashtë të tillat më poshtë.

1. Planifikoni kompozimin

Një pozë nga sipër e një ore kuqezi të vendosur mbi gurë të vegjël të bardhë, me gjethe të bardha dhe rekuizita të tjera të shpërndara përreth.

"Më pëlqen të punoj me një temë ngjyrash kur shkrep poza nga sipër," - thotë Chris Priestley. "Filloj duke parë për ngjyra theksuese në produktin kryesor. Me këtë orë të kuqe, dhëmbëzat e numrave ishin të theksuara me të bardha, ndaj e kuptova që sfondi i bardhë do t'i shkonte më së miri. Nuk munda t'i gjej të gjitha rekuizitat që kërkoja në të bardhë, ndaj e leva me spërkatje kapësen, busullën dhe gjethet artificiale për ta njësuar imazhin." Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/200 sek, f/5.6 dhe ISO100. © Chris Priestley

Chris-i fillon duke skicuar skema në një letër për ta ndihmuar me kompozimin, pasi, siç thotë ai, mund të jetë shumë e vështirë të fillosh nga fillimi pasi ke pozicionuar kamerën.

"Kur skicoj pozën nga sipër, synoj të sigurohem që objekti kryesor të jetë në një pozicion që e bën të dalë në pah," - shpjegon ai. "Sfondi dhe rekuizitat e tjera shoqëruese duhet të plotësojnë subjektin, qoftë estetikisht, për nga funksioni apo përmes stilit të jetesës së audiencës së synuar."

Të kuptuarit nëse imazhi nga sipër po ngarkohet dhe bëhet shpërqendrues vjen përmes provës dhe gabimit, shton Chris-i. Ai sugjeron të poziciononi gjithçka rreth objektit kryesor dhe sfondit që keni zgjedhur. "Më pëlqen të përdor rregullin e të tretave dhe ta ndaj pamjen në nëntë kuadrate. Pastaj sigurohem që secila rekuizitë apo element dizajni të ketë kuadratin e vet."

2. Krijoni koleksionin tuaj të rekuizitave

Ekrani LCD i një kamere Canon tregon një imazh nga sipër të një ore rozë dhe rekuizita plotësuese në rozë dhe të bardhë.

"Më pëlqen t'i pres rekuizitat që të mos jenë plotësisht në kuadër, si p.sh. tastierën dhe laptopin këtu," - thotë Chris-i. "Gjithashtu desha që rekuizitat të krijojnë forma që do të drejtonin syrin për tek imazhet, ndaj e drejtova tastierën, shtrojën e tryezës, laptopin, stilolapsin dhe orën për t'ia arritur." © Andy Holbrook/ Chris Priestley

Një imazh nga sipër i një ore rozë me një tastierë, laptop, stilolaps dhe petale dhe biskota të vendosura përreth - të gjitha me ngjyrë rozë dhe të bardhë.

"Nuk më pëlqen të kem shumë hapësirë negative, pasi ma çekuilibron imazhin," - thotë Chris-i. "Me tastierën në pozicion në këndin djathtas lart të këtij imazhi, desha të gjej diçka për këndin e majtë poshtë, edhe sikur të ishte thjesht petal. Do të thotë se zona nuk duket sikur sapo e kanë braktisur dhe i gjithë imazhi duket i përfunduar." Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/200 sek, f/8 dhe ISO100. © Chris Priestley

Chris-i këshillon të mos i hidhni kurrë rekuizitat që blini për pozat nga sipër. "Nuk e dini se kur mund t'ju duhen prapë," - thotë ai. "Tani p.sh. kam një kuti të madhe rekuizitash nga mund të marr gjëra. Ia vlen të kesh gjëra atypari, thjesht për të mbushur hapësirat që nuk funksionojnë në poza."

Në vend që të mbani sfonde të panumërta e të sikletshme, ama, Chris-i sugjeron të përdorni sfonde të lehta fotografike që qarkullojnë në treg. "Mund të blini tablo fotografike madhësie A1 që vijnë me stile të ndryshme, me efekte druri, mermeri dhe rrasash." Këto ka përdorur dhe ai për sfondin e mermerit në pozat e orëve nga sipër si më lart.

Rekuizitat në pozat nga sipër ndihmojnë për të rrëfyer historinë dhe për t'i dhënë kontekst subjektit tuaj, duke ekspozuar se kujt duhet t'i përkasë produkti.

Cilatdo rekuizita që të zgjidhni për foton nga sipër, Chris-i rekomandon që të siguroheni gjithnjë që të jenë plotësisht të pastra. "Një gjë që kam mësuar nga puna me klientët e mëdhenj është se nëse ke ndonjë njollë apo pluhur apo të tilla, fotoja në thelb s'bën më. Pavarësisht sa e mirë është fotoja, syri i shikuesit tërhiqet natyrshëm drejt imperfeksioneve.

"Nëse ka gërvishtje dhe shenja, provoni t'i fshihni me rekuizita të tjera dhe sigurohuni që gjithçka të jetë në optimum përpara se të shkrepni," - vijon Chris-i. "Vërtet që s'bën t'u ktheheni imazheve pas fotografimit për t'i pastruar të gjitha një nga një se do të ishte tmerr."

3. Përgatitja e kamerës dhe cilësimet për pozat nga sipër

Një burrë përgatitet për të shkrepur një imazh nga sipër të një ore të zezë duke përdorur një kamerë Canon mbi stativ. Një dritë e madhe studioje ndriçon skenën.

"Mbajeni pjesën e pasme të kamerës paralele me sfondin e skenës," - thotë Chris-i. "Nëse është sadopak ndryshe atëherë imazhi deformohet." Disa stativë kanë nivelues të integruar në kokën e stativit, çka mund të jetë tejet e dobishme për t'u siguruar që kamera të jetë në pozicionin e duhur. © Andy Holbrook/ Chris Priestley

Nuk ju duhen komplete specialisti për të shkrepur foto të arrira nga sipër, por stativi jua mban kamerën në pozicion kur rregulloni rekuizitat.

Chris-i përdor një Canon EOS R5 dhe thotë se pesha kishte avantazhin e vet gjatë shkrepjes së pozave nga sipër në këtë artikull. "Bëri që të mos kisha probleme me animin mbi tryezën. Me kamerat më të rënda, do të më duhet t'i shtoja peshë stativit që të mos rrëzohej. Ekrani rrotullues i nyjëtuar më ndihmoi të lëvizja në pozicion ku mund dhe ta shikoja imazhin."

Kur vjen puna te zgjedhja e objektivave për poza nga sipër, Chris-i rekomandon një 50mm standard si p.sh. Canon RF 50mm F1.2L USM. "Arsyeja përse do të zgjidhja 50mm përkundër një objektivi më të gjerë është se nuk sjell deformim nga objektivi në distancat nga ku do të shkrepni. Nëse shkrepni pozë nga sipër me objektiv 16mm, për shembull, atëherë keni deformim perspektive rreth skajeve, gjë që nuk duket bukur në pozat e produkteve."

Një kamerë si Canon EOS RP është gjithashtu një zgjedhje e mirë për këtë lloj imazhi, së bashku me një objektiv kompleti si p.sh. Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM – kjo do të mbulonte edhe rrezen 50mm, edhe aperturat që rekomandon Chris-i këtu. Mund të përdorni edhe një kamerë kompakte, si p.sh. Canon PowerShot G7 X Mark III sidomos nëse jeni me buxhet më të ulët. Ajo peshon vetëm 304g (së bashku me baterinë dhe kartën e memories), por do të shkrepë detaje të bollshme me sensorin mahnitës 20.1MP.

Ndonëse aperturat e vogla, si f/16 dhe f/22 sjellin më shumë pjesë të pozës në fokus të mprehtë, Chris-i rëndom përdor cilësime f-stop midis f/5.6 dhe f/8. "Nuk më pëlqen të shkoj më lart, përndryshe një pjesë e mirë e imazhit do të ishte e detajuar," - thotë ai. "Dua të krijoj pak më shumë thellësi, që ndërsa ke ende mundësi të dallosh qartë se cili është sfondi, është gjithsesi pak jashtë fokusit – çka tërheq natyrshëm syrin te subjekti kryesor."

4. Ndriçojeni skenën nga këndi 45°

Një burrë i veshur tërësisht me të zeza rregullon një dritë të madhe studioje brenda një kuzhine.

Kur vjen puna te ndriçimi i imazheve për poza nga sipër, Chris-i rekomandon të përdoret një burim i vetëm drite, qoftë dritë studioje si ajo në figurë apo natyrale nga dritarja. "Drita natyrale është vërtet e mirë për shkrepje imazhesh të shndritshme, si në ëndërr," - thotë ai. © Andy Holbrook/ Chris Priestley

Një fotograf duke përdorur programin Canon Camera Connect në smartfon për të shkrepur një foto të një ore të kuqe rrethuar nga pajime alpinizmi.

Chris-i përdori programin Canon Camera Connect për pozat e tij. "Natyrisht kur i sistemon gjërat nuk do më t'i lëvizësh," - thotë ai. "Përdorimi i programit më mundësoi të ndërveproj me kamerën pa e prekur. Kisha mundësi të ndryshoja aperturën dhe shpejtësinë e shkrepjes, ta shkrep dhe të zmadhoj pamjen për të kontrolluar imazhin e rezolucionit të lartë." © Andy Holbrook/ Chris Priestley

Kur vjen puna te ndriçimi, Chris-i rekomandon t'i mbani gjërat bazike. "'Për shumë punë të miat, unë shkrep me një dritë të vetme të pozicionuar në kënd 45°, edhe horizontalisht edhe vertikalisht nga subjekti. Kjo krijon normalisht një dritë vërtet të këndshme në imazh.

"Ka shumë lloje të ndryshme ndriçimesh që mund të përdorni," - vijon ai. "Duke qenë se vetë punoj në nivel profesional, zakonisht përdor ndriçim studioje, pasi e kam të lehtë të përdor modifikim për t'i dhënë formë dhe për ta zbutur dritën. Ndriçimi i vazhduar është gjithashtu një opsion i mirë, pasi mund të shikosh ku bien hijet, çka e bënë shumë më të lehtë sistemimin e rekuizitave në pozën nga sipër."

Një Canon Speedlite, si Canon Speedlite EL-1, me shkrepje nga distanca përmes Canon Speedlite Transmitter ST-E3-RT V2, ju jep gjithashtu kontrollin krijues mbi ndriçimin e pozave nga sipër, sidomos kur përdoret me çadër apo kuti zbutëse për të shpërhapur dritën.

Përndryshe, thotë Chris-i, mund të përdorni edhe dritën natyrale. Shpesh është më mirë të shkrepësh në ditë me re se në diell të fortë, pasi retë veprojnë si shpërhapës natyralë, duke e zbutur dritën. "Nëse e sistemoni skenën me kënd 45° nga dritarja," - thotë Chris-i, "në thelb do të ishte i njëjti rezultat që do të arrinit me dritën artificiale."

5. Personalizojini skemat për kanale të ndryshme sociale

Një imazh nga afër dhe sipër i një ore të zezë me rripa të zinj vendosur nga anët e saj në një sfond me rrasa të thyera.

Për shumicën e fotove të tij nga sipër Chris-i preferon ta inkuadrojë imazhin përfundimtar brenda kamerës. Por për këtë konfigurim atmosferik me rrasa, ai shkrepi pak më së gjeri që të mund të kishte pak vend për ta prerë imazhin më pas. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/100 sek, f/8 dhe ISO100. © Chris Priestley

Një imazh nga sipër i një ore të zezë dhe i dy rripave të zinj në rrasa guri. Një kamerë në stativ mund të dallohet në plan të parë.

Chris-i planifikoi fillimisht të përdorte një pllakë rrase si sfond për këtë pozë nga sipër, por nuk doli dhe aq interesante. Kështu që e theu me çekiç dhe i sistemoi pjesët e thyera përpara se të mbushte hapësirat me zhavorr të zi akuariumi. Ai rekomandon plastelinë ngjitëse kur poziciononi dhe ripoziciononi gjërat. "Ju ndihmon vërtet kur vjen puna te pozat nga sipër dhe fotografimi i produkteve. Pasi vendos për sfondin, më pëlqen të pozicionoj të parin produktin kryesor, përpara se të vazhdoj me pjesën tjetër të sistemimit. Për t'u siguruar që të mbetet në vend, përdor një copë plasteline që të mos duket." © Andy Holbrook/ Chris Priestley

"Një gjë që më pëlqen nga Canon EOS R5 është se ka numër të lartë megapikselësh dhe kam mundësi të bëj prerje pa humbur cilësinë e imazhit," - thotë Chris-i. Por ai pohon gjithashtu se kanalet e ndryshme të rrjeteve sociale kanë kërkesa të ndryshme për madhësitë dhe specifikimet. Në vend të shkrepjes së një poze nga sipër dhe thjesht prerjes së një sërë imazhesh alternative prej saj në një program editimi, Chris-i sugjeron t'i kushtoni kohë stilizimit të një poze për çdo lloj përdorimi në internet.

"Unë shkrep në format kuadri 3:2 pasi pozat nga sipër përdoren zakonisht për imazhe blogu ose faqesh interneti," - shpjegon ai. "Por një gjë që do të merrja parasysh është se nëse do të përshtatni imazhin për kanale të ndryshme sociale, si p.sh. 4:5 për Instagram ose edhe 9:16, atëherë do të duhet të ndryshoni se ku janë vendosur rekuizitat. Do të rekomandoja edhe heqjen e disa rekuizitave, pasi do të punoni me një hapësirë shumë më të vogël."

6. Eksperimentoni me lëvizjen e elementeve

Nëse dëshironi vërtet t'i shtyni limitet kur vjen puna te pozat nga sipër, mund të provoni të eksperimentoni me lëvizjen, siç ka bërë Chris-i në pamjen më sipër. Për të arritur këtë efekt mahnitës, ai rekomandon t'i shkrepni elementet lëvizëse veçmas, në vend që të përpiqeni për të shkrepur gjithçka me një pozë. Hidhini një sy punimeve të tij të mëtejshme në TikTok.

Një burrë duke përgatitur kamerën në një stativ me pamje për poshtë për të fotografuar një orë rozë në një dërrasë të bardhë rrethore me petale trëndafili rozë që i bien përreth.

"Unë përgatita rripin e orës dhe sistemova petalet përreth, pastaj hodha me ngadalë petale ndërsa shkrepja një sërë fotosh," - shpjegon ai. "Pastaj i hoqa në Adobe Photoshop petalet që më bënin punë dhe krijova një imazh të kombinuar. © Andy Holbrook/ Chris Priestley

Një kamerë në stativ me shikim për poshtë për të fotografuar një pamje nga sipër të një ore rozë në një dërrasë të bardhë rrethore me petale trëndafili rozë që i bien përreth.

Nëse i shtoni lëvizje pamjes nga sipër do të ishte një mënyrë e mirë për ta bërë më dinamike. Një mënyrë e thjeshtë për të përfshirë lëvizjen është të shtoni rekuizita dhe t'i hiqni në mënyrë që videoja përfundimtare të tregojë një produkt që lëviz ose zhduket. © Andy Holbrook/ Chris Priestley

"Një nga të mirat e krijimit të një kompoziti në Photoshop është se mund t'i vendos petalet në shtresa të ndryshme," - vijon Chris-i. "Unë kisha kështu mundësinë t'i vendosja këto shtresa në Adobe After Effects, ku shtova një kamerë virtuale. Në vijim e lëviza kamerën përmes këtyre shtresave drejt orës, për të marrë efektin 3D që shikoni këtu."

Nëse dëshironi t'i mbani gjërat të thjeshta, atëherë mund të provoni të shkrepni elemente lëvizëse në pozicionin e djathtë në një foto të vetme. Kjo do të ketë pak provë e gabim, ndaj caktojeni kamerën në modalitet shkrepjeje të vazhduar teksa shtoni lëvizje. Për t'i sjellë imazhet në jetë, provoni t'i kombinoni në GIF të animuar duke përdorur Adobe Photoshop ose editorin tuaj të preferuar të imazheve.

Ndiheni të frymëzuar? Provoni një pozë nga sipër dhe ndani rezultatet me etiketën #FreeYourStory, duke përmendur @canonemea.



* Adobe, After Effects, Lightroom dhe Photoshop janë marka të regjistruara tregtare ose marka tregtare të Adobe në SHBA dhe/ose shtete të tjera.



Shkruar nga Marcus Hawkins

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur