Barcelona street photographed by Christopher Anderson using the Canon EOS M5

Kreu

Fotogazetari autodidakt Christopher Anderson ka lindur në Kanada, është rritur në Teksasin perëndimor dhe ka quajtur Nju Jorkun shtëpinë e tij për pjesën më të madhe të jetës si një i rritur. Një anëtar i agjencisë prestigjioze Magnum Photos dhe, deri së fundi, fotografi i parë i brendshëm i revistës New York Magazine, ai tani ka Barcelonën shtëpinë e tij të re me familjen e tij. Ne e ndoqëm atë ndërkohë që ai eksploronte rrethinat e tij të reja për të zbuluar konceptin e tij të shtëpisë, metodën e tij në fotografinë e rrugës dhe se çfarë e bën një kamerë të mirë për të.

Udhëtimi për në shtëpi

Për Chris, shtëpia ka të bëjë në fund të fundit me lidhjen - me familjen e tij, me tingujt dhe ritmet e rrugëve dhe me njerëzit që e rrethojnë në vendin ku jeton. Por ai ka kaluar një udhëtim të gjatë për të zbuluar se ku është aktualisht.

"Unë u largova nga shtëpia ku u rrita në një moshë mjaft të vogël dhe kam jetuar në shumë vende të ndryshme - duke udhëtuar nëpër botë në kërkim të ekzotikes. Kurioziteti dhe një ndjesi aventure më kanë shtyrë përpara - por kur shikoj prapa, kjo më ka ndihmuar që të zbuloj se çfarë do të thotë "shtëpi" për mua."

"Para se të kisha familjen time kam qenë thuajse vazhdimisht në udhëtime - duke e jetuar jetën në lëvizje të përhershme - dhe "shtëpia" ime ishte kudo ku zgjohesha atë ditë. Në të vërtetë isha pa shtëpi, megjithëse paguaja qira diku, pasi nuk e kisha ndjesinë e përkatësisë. Por pas asaj lëvizjeje të vazhdueshme kisha ndjesinë se isha në kërkim të atij vendi të cilit i përkitja, një ndjesi e kërkimit të shtëpisë."

"Lindja e djalit tim, dhe libri SON që bëra për të, më bënë që për herë të parë të shikoja ambientin që më rrethonte. Vetëm atëherë e kuptova se shtëpia ka të bëjë më shumë me vendin personal që ndaj me ata që dua dhe më pak me një vend specifik, një qytet apo një ndërtesë të veçantë."

"Por të gjitha udhëtimet dhe fotografitë deri në atë pikë ishin përgatitja për të realizuar ato imazhe të djalit tim. Dhe ato më dhanë atë që kërkoja gjithmonë në një fotografi - një lidhje të vërtetë me një eksperiencë universale që ishte po ashtu plotësisht personale në mënyrë unike."

"Që nga realizimi i librit SON për djalin tim, ndjej po ashtu se shumë nga punët e mia vazhdojnë të eksplorojnë idenë e shtëpisë - duke dalë në rrathë koncentrikë nga bërthama e familjes time. Barcelona është një vazhdim tjetër i atij udhëtimi personal. Unë jam akoma duke fotografuar shtëpinë time dhe ky është thjesht një vend tjetër ku po e bëj këtë."

Realizimi i lidhjeve emocionale

Chris e përshkruan aktin e fotografisë si "një pajisje që më siguron ndërveprimin me gjërat që kam lidhje" dhe si "një justifikim për t'u lidhur dhe për të zbuluar më shumë për veten time". Por ai e pranon se mund të duhet pak kohë që t'i afrohesh asaj lidhjeje emocionale ose cilësisë që ai kërkon gjithmonë - atij elementi të rrallë që vjen e të kap për fyti.

"Kur shikoj fotografitë e para që kam bërë në një vend që është plotësisht i panjohur për mua - mund të shikoj se ato kanë elementin e zbulimeve të reja. Gjithçka duket e mrekullueshme me një ndjesi freskie dhe risie ekzotike - por kur e kalon këtë dhe kaloj te diçka më e thellë dhe me më shumë ngjyra, atëherë fillojnë të ndodhin vërtet fotografitë."

"Për shembull, kur fillova të bëja fotografitë për projektin që u bë libri im SON, nuk e shikoja në kontekstin profesional - isha thjesht një baba që po bëja fotografitë e familjes së vet. U befasova kur zbulova se sa organike ishin ato fotografi dhe kuptova se kjo ishte ajo që kisha kërkuar gjithmonë në një fotografi. Nuk po përpiqesha të bëja një fotografi të bukur - thjesht po shikoja diçka me të cilën isha vërtet i lidhur. E njëjta gjë vlen për çdo gjë që fotografoj. Sa më shumë që e kuptoj diçka, aq më organike janë fotografitë dhe aq më e madhe është e vërteta emocionale në imazh."

"Kështu që, kur kaloj nëpër imazhet e mia gjatë redaktimit, nuk kërkoj për dritën, kompozimin ose ekspozimin e përsosur - kërkoj për një imazh që më ndalon dhe më godet fort; një që më lë mbresa emocionale. Dhe kjo është po ashtu mënyra e vetme se si do të jetë interesante për dikë tjetër - në rast se jep të njëjtin kuptim për ta."

"Të gjitha marifetet e kombinimeve të dritës, ngjyrës etj. në fund të fundit janë thjesht elemente tërheqëse. Nuk janë ato që e bëjnë fotografinë të lidhet me dikë - të gjitha këto gjëra janë thjesht zbukurime. Shpresoj që thelbi i vërtetë i fotografisë të jetë diçka me të cilën mund të lidhet çdo person. Ndonjëherë është diçka që as nuk mund ta shpjegosh, ta thuash me fjalë apo ta tregosh me gisht, por është përsëri aty. Është ajo magjia që e bën një imazh të dalë mbi të tjerët dhe të dallohet në gjithë zhurmën që e rrethon. Çdo person mund të bëjë një fotografi të bukur, por kjo nuk është e mjaftueshme për mua - unë dua që fotografitë e mia të lidhen në një mënyrë më të thellë"

"Punët e mia kanë përfshirë çdo gjë, nga fotografia e luftës e deri te portretet, si dhe çdo gjë në mes tyre me shumë gjuhë të ndryshme vizuale - por më pëlqen të mendoj se ka një gjë të vetme që i bashkon të gjitha dhe se kjo është ndjesia e njëjtë e një lidhjeje emocionale."

Poezia e rrugëve

Duke u lidhur me njerëzit e panjohur dhe vendet në Barcelonë, Chris shpjegon se qëllimi i tij ishte të kapte atë që e përshkruan si sensualiteti dhe poezia e rrugëve:

"E bukura e fotografisë së rrugës është se ajo të jep këtë leje për të vëzhguar dhe për të krijuar lidhje. Kjo praktikë në vetvete është po ashtu një disiplinë - si të luash në një instrument muzikor - që bazohet në një përsëritje të caktuar të vëzhgimit në praktikë. Është pak a shumë si të sintonizosh radion - në fillim gjen vetëm një zhurmë statike dhe më pas papritur gjen tingullin e muzikës dhe e ndjen ritmin e vendit ku ndodhesh. Një kënaqësi sensuale është mënyra e vetme se si mund ta përshkruaj."

"Dhe aty në rrugë është ai pluhuri magjik që bie mbi një fotografi - ndoshta janë dritat, ndoshta është kompozimi ai që i jep jetë. Por në veçanti drita ka atë mundësinë që ta ndryshojë një skenë dhe t'i japë diçkaje këtë ndriçimin shpirtëror - duke e mbushur një situatë me diçka që shkon përtej ngjyrave, veprimit apo gjeografisë së atij vendi. Unë e kërkoj shpesh dritën, por mendoj se drita është intuitive, diçka që ndjehet dhe jo që shikohet. Drita shkon përtej momentit."

"Si përfundim, fotografitë e mia janë ose jo një pasqyrim i eksperiencës time dhe kur jam në rrugë shpresoj të kap poezinë, jo thjesht të bëj një raport gazetaresk! Kur të gjitha këto vijnë bashkë - si vajza me bluzë bardhë e zi dhe flokë të kuqe tërheqëse që ecën nëpër hijet e zeza e të pabesueshme dhe dritën e bukur të një rruge të ngushtë - kjo është poezia"

Një kamerë e mirë

Për të kapur poezinë në rrugët e Barcelonës, Chris ka përdorur kamerën EOS M5, kamera e re kompakte dhe e lehtë e Canon, e cila përfshin shumë nga cilësitë që ai kërkon në një kamerë të mirë - lehtësinë e përdorimit, mundësinë e shkëlqyer të transportit dhe rendimentin që godet aty ku duhet.

"Një kamerë e mirë duhet të jetë e natyrshme në përdorim. Unë kërkoj të reagoj me shpejtësi për një skenë dhe jo të mendoj për veçoritë mekanike - kjo e prish magjinë e fotografisë për mua. Një kamerë që mund të ndihmojë në kapjen e asaj lidhjeje emocionale është më e rëndësishme se specifikimet teknike. Një kamerë e vogël dhe e lehtë si kamera EOS M5 është jashtëzakonisht e mrekullueshme kur duhet të eci në distanca të mëdha - si 8 kilometrat që bëra për fotografitë në Barcelonë!"

"Unë kam punuar në ndërtim, ku secili kishte çekiçin e tij që e njihte dhe që ishte mësuar me të. Është e njëjta gjë me një kamerë; unë duhet ta di se si do të më përgjigjet dhe të reagoj dhe të ndjehem mirë me të - kështu që mund t'i besoj se është një zgjatim i syve dhe duarve të mia. Duhet ta di se do të godasë aty ku duhet! Kamera EOS M5 e bëri këtë."