Duke luajtur me kohën dhe lëvizjen në videot tuaja mund të nxirrni në pah një botë që është normalisht e fshehur nga pamja – të ngadalësoni aksionin e shpejtë ose të përshpejtoni dukuri të gjata si p.sh. lindja e diellit ose lëvizja e reve në qiell. Këtu regjisori specialist, Matthew Vandeputte, tregon teknikat e tij për shkrepjen në të gjithë spektrin e kohës, nga videongadalësimet te videopërshpejtimet dhe intervalet e gjata.
Thelbi në të gjitha këto teknika është shpejtësia e kuadrove. Kjo përcakton shpejtësinë e regjistrimit dhe të luajtjes së filmimeve me kuadro në sekondë (fps). Shpejtësitë më të zakonshme standarde për regjistrim dhe luajtje janë 25fps ose 30fps. Filmat janë zakonisht 24fps, ndaj 25fps jep një pamje më "kinematografike", ndërsa 30fps është më e qartë dhe preferohet shpesh për shkrepjen e sporteve dhe të lajmeve me lëvizje të shpejtë, për shembull.
Nuk ka rëndësi çfarë zgjidhni, por normalisht shpejtësitë e regjistrimit dhe të luajtjes duhet të përkojnë me njëra-tjetrën. Për të realizuar filmime të ngadalësuara duhet të regjistroni me shpejtësi më të lartë kuadrosh – nëse regjistroni në 50fps, për shembull, dhe e luani këtë me 25fps, atëherë të gjitha lëvizjet do të shfaqen në gjysmë shpejtësie.
Për të përshpejtuar kalimin e kohës duhet të regjistroni në shpejtësi më të ulët kuadrosh. Duke shkrepur 25 kuadro individuale për kohë të gjata dhe duke i luajtur në 25fps, mund të ngjishni minutat, orët dhe madje edhe ditët në një video njësekondëshe. Kështu krijohen videot e përshpejtuara dhe me intervale të gjata. Intervali i gjatë është një lloj videopërshpejtimi ku ka lëvizje të kamerës. Videopërshpejtimi si rregull shkrepet në stativ ose në ndonjë nivelues për kontrollin e lëvizjes, që kamera të qëndrojë thuajse në të njëjtin vend, por për intervalet e gjata lëvizet edhe pozicioni i kamerës për çdo foto.