PRINTONI

Modifikimi i fotografive tuaja për printim

Udhëzuesi juaj hap pas hapi për të arritur rezultatet më të mira kur të printoni fotografitë.
Një grua që po mban një pako me letër printeri Canon në një dorë, shqyrton disa printime fotografish mbi një tavolinë përballë saj, me një laptop të hapur pranë tyre. Në sfond duket një printer Canon mbi një komedinë.

Printimet e fotografive janë dhurata dhe kujtime të mrekullueshme. Mund të përdorni fotografitë tuaja për të krijuar kartolina urimi, kalendarë dhe zbukurime për shtëpinë, për të përpiluar albume me ngjitje fotografish, ose për të personalizuar sendet tuaja me ngjitëse të imazheve të preferuara. Printimet shërbejnë gjithashtu si kujtime jetëgjata të udhëtimeve, të mbledhjeve familjare ose të momenteve të rëndësishme të jetës së familjes suaj.

Mund të zgjidhni nga një gamë aplikacionesh për printim. Për kartolina dhe kalendarë, Easy-PhotoPrint Editor i Canon ju mundëson që të modifikoni, të prisni, të ndryshoni sfondet, të shtoni tekst ose korniza dhe të përdorni shumë mjete të tjera krijuese të tilla si, shabllone, pulla dhe simbole për të përmirësuar dhe printuar më pas imazhet tuaja. Aplikacioni Canon PRINT lehtëson gjithashtu prodhimin e një game projektesh printimi, duke shpalosur një botë me mundësi krijuese.

Përveçse të jenë shprehje e krijimtarisë dhe të detajeve tuaja personale, printimet duhet të kenë cilësinë më të mirë të mundshme, me detaje të qarta, me një gamë të pasur tonalitetesh dhe me ngjyra si në jetën reale. Këtu do të fokusohemi se si të optimizoni imazhet tuaja duke përdorur Digital Photo Professional (DPP) të Canon ose softuerin tuaj të preferuar të modifikimit për të marrë rezultatet më të mira në printim.

Një laptop qëndron i hapur në një tryezë me softuerin Canon Easy-PhotoPrint në ekran, letrën Canon në të majtë dhe një printer Canon në të djathtë.

Easy-PhotoPrint Editor i Canon e bën të thjeshtë shtimin e tekstit, kornizave, motiveve dhe elementeve të tjera kreative në fotografitë tuaja përpara se t'i printoni në printerët e përputhshëm PIXMA dhe MAXIFY. Softueri ka po ashtu mjetin Auto Photo Fix (Rregullimi automatik i fotografisë) që hapet me një klikim, i krijuar për të optimizuar fotografitë për printim.

Një burrë mban në dorë një fotografi të printuar të Kanalit të Madh në Venecia, me një printer Canon mbi tryezë në sfond.

Zgjidhni një lloj letre që do të paraqesë më së miri fotografitë tuaja të udhëtimeve me familjen në vende të veçanta, duke u siguruar që printimet përfundimtare të kapin esencën e këtyre momenteve të bukura që do të zgjasin për një kohë të gjatë.

Zgjedhja e printerit

Cilin printer duhet të përdorni? Nëse po kërkoni të blini një, shihni udhëzuesit tanë në lidhje me printerët më të mirë Canon për printimin e fotografive dhe printerët për çdo skenar. Për momentin, do të supozojmë se po përdorni një printer me bojë për përdorim të përgjithshëm.

Megjithatë, diçka që duhet të mbahet mend është se ngjyrat mund të jenë më reale nëse përdorni një printer me më shumë ngjyra se katër ngjyrat bazë të bojës. Për shembull, seria Canon PIXMA TS8750 përdor gjashtë fishekë individualë që përfshijnë pesë bojëra me ngjyra me bazë ngjyruesi për cilësi të shkëlqyer të fotografive, me një spektër të zgjeruar të ngjyrave dhe të tonaliteteve. Për ta përmbyllur më së miri, Canon PIXMA PRO-200, i cili përdor tetë fishekë individualë boje me bazë ngjyruesi, ofron printim në format të madh A3 me cilësi profesionale me një çmim relativisht ekonomik.

Zgjedhja e letrës

Çfarëdolloj printeri të përdorni, zgjidhni llojin e përshtatshëm të letrës për t'iu përshtatur karakterit të imazhit dhe llojit të printimit që dëshironi. Në përgjithësi, letrat e fotos me shkëlqim si, GP-501 Glossy Photo Paper e Canon mund të mbështesin një spektër më të gjerë tonalitetesh sesa letrat pa shkëlqim, duke i bërë kështu një zgjedhje të mirë për fotografitë me ngjyra të gjalla dhe me cilësi studioje. Letrat pa shkëlqim, si p.sh. MP-101 Matte Photo Paper e Canon, janë të mrekullueshme për imazhe më melankolike, me kontrast të ulët, veçanërisht në bardhezi. Letrat artistike, kanavacë dhe me bazë pëlhure ofrohen me tekstura dhe finitura të ndryshme dhe mund të jenë të përsosura për një dhuratë të paharrueshme ose për zbukurime të veçanta.

Faktori kryesor është se media të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme të nivelit të thithjes së bojës dhe të reflektimit, duke e bërë kështu shumë të rëndësishëm përdorimin e cilësimeve të duhura kur printoni. Përveç kësaj, për të marrë rezultatet më të mira, mbani mend synimin tuaj dhe optimizoni imazhin për median në të cilën po printoni.

Një përdorues po mban një fotografi të printuar në njërën dorë bashkë me një laptop, i cili shfaq fotografi të të njëjtës skenë. Printime të tjera fotografish janë vendosur në të dyja anët e laptopit mbi tavolinë.

Laptopët e kohëve të fundit kanë tendencën që t'i shfaqin ngjyrat me tonalitet shumë të ftohtë (shumë blu) dhe ofrojnë një raport kontrasti që arrin deri në një milion me një, duke tejkaluar me mijëra herë atë të një printimi fotografie. Për një përputhje më të mirë midis asaj që shihni në ekran dhe produktit të printuar, ulni ndriçimin e ekranit dhe kalibroni ngjyrat. Si fillim, rregulloni të bardhën që shihni në ekran që të përputhet me të bardhën e letrës që po përdorni.

Menaxhimi i ngjyrave

Përpara se të modifikoni fotografitë, është ide e mirë të kalibroni monitorin, gjithmonë nëse është e mundur. Kjo do të thotë që printimet do të përputhen më mirë me atë që shihni në ekran, duke parandaluar provat e vazhdueshme joefektive dhe që marrin kohë. Mënyra më efektive për ta bërë këtë është përdorimi i një kompleti kalibrimi, por nëse ky është një investim i madh për vetëm një printim të zakonshëm fotografish, më poshtë do të gjeni disa rregullime të shpejta që mund t'i provoni.

Së pari, është shumë e zakonshme që printimet të duken shumë të errëta, kjo sepse monitori zbulon më shumë detaje në zona me hije se sa mund të printohen. Të gjitha ekranet moderne mbështesin një gamë shumë herë më të madhe ndriçimi sesa printimet, me një raport kontrasti të paktën 1000:1 dhe shpesh edhe më të madh. Nëse i krahasojmë, letrat me të mira të fotos me shkëlqim mund të arrijnë një raport kontrasti 200:1 midis të zezës më të errët dhe të bardhës më të ndritshme, ndërsa një letër pa shkëlqim mund të arrijë vetëm një raport 100:1. Për të marrë një përfaqësim më të saktë në ekran se si do të duket printimi juaj, thjesht ulni ndriçimin e monitorit.

Së dyti, ekranet moderne LCD kanë tendencën të jenë shumë blu, sidomos kur janë të rinj (me vjetërsimin e ekranit, ngjyrat zakonisht bëhen më të ngrohta dhe më të verdha). Për ta kompensuar këtë në Windows, shkoni te Settings (Cilësimet) > Display (Ekrani) > Calibrate display color (Kalibro ngjyrat e ekranit). Në një Mac, shkoni te menyja Help (Ndihma) dhe kërkoni opsionin Display Calibrator Assistant (Asistenti i kalibrimit të ekranit). Ekranet zakonisht kanë një cilësim të paracaktuar të pikës së bardhë (temperatura e ngjyrave) në D65 ose 6500K – provoni ta ndryshoni në D50 ose 5000K. Ose, për ta bërë më të thjeshtë, caktojeni pikën e bardhë në një mënyrë që e bardha në ekran të përputhet me të bardhën e letrës mbi të cilën po printoni, sipas kushteve të ndriçimit në të cilat do të shihet, si edhe tregoni kujdes që ndriçimi i ekranit të mos ju shkaktojë iluzion optik.

Në fund, kontrolloni cilësimet e ngjyrave. Te DPP, shkoni te Tools (Mjetet) > Preferences (Preferencat) dhe klikoni Color Management (Menaxhimi i ngjyrave). Mos u shqetësoni për opsionin e parë, Work color space (Hapësira e ngjyrave të punës) – fotografët profesionistë me raste fotografojnë në Adobe RGB, që ofron një hapësirë më të madhe ngjyrash, por nëse fotografitë tuaja janë sRGB atëherë nuk ka ndonjë përfitim praktik nëse i ndryshoni. Në dritaren kërcyese Printing profile (Profili i printimit), zgjidhni printerin që do të përdorni. DPP zbaton menaxhimin e ngjyrave duke përdorur profile ICC për printerët që i mbështesin, të cilat përmbajnë detaje të kapaciteteve të pajisjeve në lidhje me ngjyrat dhe mundësojnë besueshmëri më të madhe ngjyrash.

Pas kësaj, për Rendering intent (Paraqitja e ngjyrave) zgjidhni opsionin Relative Colorimetric (Përputhja kolorimetrike). Ky cilësim nënkupton që nëse një imazh përmban ngjyra që janë jashtë gamës ose spektrit të ngjyrave të printerit, atëherë ato do të konvertohen në ngjyrat më të afërta të printueshme por pjesa tjetër e imazhit do të mbesë e pandryshuar. Nëse zgjidhni opsionin Perceptual (Perceptuese), të gjitha ngjyrat e imazhit do të rregullohen në mënyrë që të ruajnë lidhjen mes tyre dhe kjo është arsyeja pse shpesh imazhet me ngjyra bëhen të pangopura dhe shfaqen të turbullta. Ngjyrat në përgjithësi do të ndryshojnë më pak nëse përdorni Relative Colorimetric (Përputhja kolorimetrike).

Një pamje ekrani e softuerit DPP të Canon që tregon rritjen e ndriçimit në fotografinë e një çifti të sapomartuar që po përqafohen.

Softueri Digital Photo Professional (DPP) i Canon ju ofron më shumë opsione të zgjeruara sesa aplikacionet e smartfonëve, duke ju mundësuar, për shembull, të bëni rregullime të fokusuara te ngjyrat specifike me çelësat rrëshqitës të Hue (Nuanca), Saturation (Ngopja) dhe Lightness (Ndriçimi) për çdo gamë ngjyrash.

Bazat e modifikimit

Nëse mund të filloni me një skedar RAW, i cili përmban të gjitha të dhënat e ngjyrave dhe të tonaliteteve të kapura nga sensori, do të keni më shumë hapësirë për modifikim. Megjithatë, nëse nuk keni fotografuar në RAW, mundeni ende të përdorni DPP për të përmirësuar imazhin tuaj për printim (edhe pse disa mjete dhe opsione nuk do të jenë të disponueshme). Nëse do të filloni me një TIFF ose JPEG, praktika më e mirë është të punoni në një kopje të imazhit, për të ruajtur origjinalin.

Me skedarët RAW, ajo që duhet të bëni fillimisht është të rregulloni shtrembërimet optike me Digital Lens Optimizer (Optimizuesi dixhital i objektivit) të DPP (nëse keni përdorur një kamerë të mbështetur me objektiv të mbështetur) ose mjetet në panelin Lens Correction (Korrigjimi i objektivit), që mund të rregullojnë mangësitë, si p.sh. errësimi dhe deformimet nga objektivi. Skedarët JPEG do të kenë pasur një larmi korrigjimesh të objektivit të zbatuar te kamera.

DPP 4.17 ka Neural Network Image Processing (nevojitet abonim), i cili përdor AI me opsione të mësimit automatik për të analizuar në mënyrë inteligjente zonat e ndryshme të secilit imazh dhe për të zbatuar përmirësime të përzgjedhura në bazë të përmbajtjes së imazhit. Mund të rafinojë zonat me detaje, të zbatojë pakësimin e zhurmës me performancë më të lartë në zonat me më pak detaje dhe të korrigjojë mangësitë dhe deformimet të shkaktuara nga defektet e objektivit. Nëse printoni shpesh fotografi, ose nëse dëshironi të printoni fotografi të momenteve të rëndësishme që ndodhin veç një herë në jetë siç është martesa, atëherë ia vlen të merrni në konsideratë një abonim.

Një pamje ekrani e softuerit DPP të Canon që tregon fotografinë e një nuseje që po bëhet gati. Zonat e nënekspozuara janë të theksuara me ngjyrë blu, zonat e mbiekspozuara me të kuqe.

DPP ka një ekran shumë të dobishëm paralajmërimi për theksimin e ngjyrave dhe hijet, i cili mund t'ju sinjalizojë për zonat me rrezik të çrregullimit të ngjyrave (humbja e detajeve të tonaliteteve). Mbivendosja e ngjyrës së e kuqe tregon zonat e theksuara që mund të printohen si imazhe me ngjyrë të bardhë uniforme dhe mbivendosja e ngjyrës blu tregon zonat e hijezuara që rrezikohen të printohen pa detaje të dallueshme. Ky ekran mund t'ju ndihmojë të bëni rregullimet e duhura të ndriçimit dhe të tonalitetit të ngjyrave.

Prerja dhe rafinimi i kompozimit

Më pas, kontrolloni kompozimin e imazhit. Nëse po planifikoni të printoni me një raport pamjeje të ndryshëm nga ai i imazhit origjinal, si p.sh. portret katror 1x1 ose peizazh i gjerë 16x9, atëherë priteni imazhin për t'u siguruar që inkuadrimi të jetë si e dëshironi dhe që asnjë element i rëndësishëm i fotografisë të mos pritet. Gjithashtu, mund ta prisni imazhin për efekte krijuese, pavarësisht nëse dëshironi të hiqni zonat e padëshiruara ose shpërqendruese të fotografisë apo për të fokusuar vëmendjen te një element specifik. Mund ta rrotulloni imazhin për ta bërë më interesant ose për të niveluar një horizont të anuar.

Parimet e kompozimit, siç është rregulli i të tretave, mund t'ju ndihmojë të krijoni inkuadrim efektiv që orientojnë syrin. Në një portret, prerja për të inkuadruar vetëm subjektin mund të shtojë ndikimin, por zakonisht opsioni më i mirë është të shmangni pozicionimin e subjektit në qendër të kuadrit, pasi kompozimet asimetrike duken më dinamike.

Shmangni prerjen në një zonë shumë të vogël të imazhit që mund të mos përmbajë detaje të mjaftueshme për një printim të kënaqshëm. Përveç kësaj, Canon ka prezantuar mjetin revolucionar Neural Network Upscaling Tool (nevojitet abonim),1, i cili mund të dyfishojë rezolucionin e një imazhi me më shumë rezultate fotoreale sesa përshkallëzimi tradicional. Ky mjet, i mundësuar nga teknologjia e vetëpërmirësimit të përpunimit të imazhit e Canon, mund të jetë ideali nëse një fotografi është prerë disa herë ose nëse nuk ka mjaftueshëm pikselë për printim në format të madh.

Ose, a do ta merrnit në konsideratë turbullimin në vend që të prisnit një sfond me detaje shpërqendruese? Në këtë pikë mund të vazhdoni zbatimin e modifikimeve më krijuese, ndoshta të rregulloni tonalitetet e ngjyrave me veçorinë White Balance Adjustment (Rregullimi i balancimit të së bardhës) të DPP, të hiqni njollat ose detajet e padëshiruara ose të përdorni filtra dhe Picture Styles (Stilet e fotografisë) për stilizim të shpejtë dhe të thjeshtë. Për shembull, ju mund ta bëni një fotografi të duket sikur të jetë shkrepur me një kamerë të vjetër njëpërdorimëshe, ose t'i jepni një finicion të vjetër sepia, ndërmjet shumë efekteve të tjera.

Një pamje ekrani e softuerit DPP të Canon që tregon histogramin dhe opsione të tjera në panelin e mjeteve Gamma Adjustment (Rregullimi i faktorit gama).

Në panelin e mjeteve Gamma Adjustment (Rregullimi i faktorit gama) të DPP, nëse imazhi duket shumë i errët ose shumë i zbehtë, provoni të klikoni në butonin Auto (Automatik) (A) sipër histogramit për një rregullim të shpejtë. Kontrolloni nëse histogrami shtrihet plotësisht nga ana e majtë në të djathtë, duke u zvogëluar gradualisht në secilin skaj. Nëse ndalon para se të arrijë secilin skaj, (si në këtë shembull), tërhiqni shënuesit poshtë tij (B) nga brenda derisa të prekin skajin e grafikut. Kjo i bën hijet më të errëta në të zezë solide dhe theksimet më të ndritshme në të bardhë të pastër. Kjo gamë e plotë ngjyrash nga të errëtat tek ato të ndritshmet do ta bëjë imazhin të duket me ngjyra më të pasura dhe më të thella kur të printohet, veçanërisht në letër fotoje me shkëlqim.

Një pamje ekrani e softuerit DPP të Canon që shfaq kontrollet në panelin Advanced tool (Mjetet e përparuara), duke përfshirë Contrast (Kontrasti), Color saturation (Ngopja e ngjyrave) dhe Sharpness (Qartësia).

Paneli Advanced tool (Mjetet e përparuara) i DPP përfshin kontrollet për rregullimin e tonalitetit, ngjyrës dhe qartësisë. Në DPP mbulimi i zonave dhe zbatimi i qartësisë lokalisht nuk është i mundur siç është në disa softuerë modifikimi, si p.sh. Adobe Photoshop,2 por përdorimi i opsionit Unsharp Mask (Maska e qartësimit) të DPP (disponohet për skedarët RAW), caktimi i cilësimit Fineness (Përsosmëria) në nivel të ulët dhe rritja e cilësimit Threshold (Pragu) do të kufizojë efektin e qartësimit në skaje të ndryshme dhe do të shmangë ashpërsimin e teksturës së lëkurës dhe të zonave të tjera relativisht të padetajuara të imazhit.

Rregullimi i tonaliteteve dhe gamës dinamike

Nëse imazhi është i errët ose kontrasti është i ulët, mund të përdorni veçorinë Auto Lighting Optimizer (Optimizuesi automatik i ndriçimit) për të korrigjuar automatikisht ndriçimin dhe kontrastin. Nëse dëshironi të merrni më shumë kontroll, hapni panelin e mjeteve Gamma Adjustment (Rregullimi i faktorit gama) të DPP. Këtu, ashtu si kamera, DPP shfaq një histogram – një shfaqje grafike e tonaliteteve të imazhit, nga më të errëtat tek ato më të ndritshmet. Nëse grafiku është i prerë në secilin skaj, kjo do të thotë që pamja vizuale dhe detajet e tonaliteteve të imazhit kanë humbur në theksimet më të ndritshme të ngjyrave ose në hijet më të errëta.

Filloni duke klikuar butonin Auto (Automatik) (sipër histogramit), i cili rregullon automatikisht pikën e bardhë, pikën e zezë dhe pikën e mesit dhe rivendosni Auto Lighting Optimizer (Optimizuesi automatik i ndriçimit) dhe Contrast (Kontrasti). Më pas mund të ndryshoni manualisht ndriçimin, balancimin e së bardhës dhe cilësime të tjera.

Disa persona pëlqejnë ta përforcojnë ngopjen dhe kontrastin për t'i bërë fotografitë më interesante. Për ta bërë këtë, provoni panelin Advanced tool (Mjetet e përparuara) të DPP. Mund të ndryshoni gjithashtu ekspozimin e përgjithshëm me çelësin rrëshqitës të Brightness (Ndriçimi). Ndonjëherë është ide e mirë që t'i jepni imazhit një ndriçim i përgjithshëm nëse printoni në letra pa shkëlqim, çka e bën imazhin të duket më pak i bardhë, por mos e tejkaloni nivelin e ndriçimit, ndaloni atëherë kur zonat e bardha duken të bardha dhe jo në ngjyrë gri. Nëse imazhi fillon të duket jonatyral, reduktoni shkallën e rregullimit të hijezimit dhe theksimit të ngjyrave me anë të çelësave rrëshqitës.

Nëse është e nevojshme, mund të përdorni panelin Partial Adjustment Tool (Mjeti i rregullimit të pjesshëm) të DPP për të rregulluar ndriçimin, kontrastin, nuancat dhe ngopjen e pjesëve specifike të imazhit.

Një pamje ekrani e softuerit DPP të Canon që shfaq detajet e një fotografie të një bregu lumi në kohën e muzgut, ku retë në fotografi përmbajnë zhurmë të imazhit e cila është evidente në dritaren e detajeve të DPP.

Fotografitë e shkrepura në ndriçim të ulët mund të përmbajnë zhurmë të imazhit, veçanërisht në zonat me hije, dhe qartësimi i tepërt mund ta bëjë akoma më keq zhurmën, siç shfaqet në pamjen nga afër të dritares së detajeve në panelin e djathtë të DPP.

Një pamje ekrani e softuerit DPP (Digital Photo Professional) i Canon që shfaq të njëjtën fotografi të një bregu lumi në kohën e muzgut me një zhurmë imazhi shumë të reduktuar.

DPP përfshin mjete shumë efektive për reduktimin e zhurmës, të cilat mund të rregullojnë si zhurmën e ndriçimit (kokrrizimi), ashtu edhe zhurmën e ngjyrimit (ngjyra pika-pika). Krahasoni detajet e pamjes nga afër këtu me atë origjinale.

Qartësimi i imazhit për printim

Qartësimi duhet të jetë gjithmonë hapi i fundit. Do të merrni rezultate më të mira nëse imazhi është sa më i pastër të jetë e mundur, kështu që në fillim merruni me zhurmën e imazhit (dhe shmangni rihapjen dhe riruajtjen e përsëritur të skedarëve JPEG – cilësia e imazhit përkeqësohet sa herë që bëni këtë). Për qartësimin ose pakësimin e zhurmës, shikojeni imazhin me zmadhim 100% në mënyrë që t'i shihni sa më qartë efektet.

Të gjitha fotografitë do të dalin më mirë nëse aplikohet pak qartësim, sepse printimi gjithmonë e zbut paksa imazhin, por kjo varion sipas llojit të letrës; sa më shumë të thithet dhe të shpërndahet boja, aq më i madh do të jetë efekti i zbutjes. Kjo nënkupton që printimi në kanavacë kërkon më shumë qartësim sesa printimi në letër me gjysmë shkëlqim ose me lustër dhe printimi në letër fotoje me shkëlqim do të kërkojë akoma më pak qartësim.

Mjeti Sharpness (Qartësia) i DPP përmirëson kontrastin përgjatë skajeve të fotografisë, për të krijuar përshtypjen e një qartësie më të madhe, por Unsharp Mask (Maska e qartësimit) ju jep kontroll më të imët - ky mjet ka kontrolle të ndara për Strength (Fuqia), Fineness (Përsosmëria) dhe Threshold (Pragu). Megjithatë, ndryshe nga ekuivalenti i tij në softuerë si Photoshop, mjeti Unsharp Mask (Maska e qartësimit) në DPP ofrohet vetëm me skedarët RAW.

Çfarëdolloj mjetesh të përdorni, qartësojeni imazhin aty ku duhet, shmangni qartësimin atje ku dëshironi tranzicione të buta, tonalitete të buta të lëkurës ose sfonde të turbullta. Qartësimi i zonave me ngjyra uniforme mund të shkaktojë zhurmë jo të këndshme të imazhit. Me Neural Network Image Processing Tool në DPP 4.17, tekstura dhe detajet e imta mund të qartësohen automatikisht për efekt më të mirë ndërkohë që zonat relativisht të padetajuara të imazhit do të ruajnë gradacione të buta dhe do të shfaqen pa zhurmë.

Cilësimet për rezultat optimal të printimit

Gati për të printuar? Në vend që të zgjidhni thjesht Print (Printo), shkoni te File (Skedari) > Print with detailed setting (Printo me cilësimin e detajuar). Lëreni rezolucionin në 350 dpi, opsioni i paracaktuar i DPP për printim. Për rezultatet më të mira, gjithmonë caktojeni Print Quality (Cilësia e printimit) në High (E lartë). Përdorimi i cilësimeve të sakta të Preferences (Preferencat) (si më lart) duhet ta rregullojnë përputhjen e ngjyrave, por në listën zbritëse Paper Type (Lloji i letrës), është thelbësore që të zgjidhni llojin e letrës që po përdorni - zgjedhja e cilësimeve të gabuara këtu mund të zhbëjë të gjithë punën tuaj.

Ndiqni këtë udhëzues për të maksimizuar potencialin e fotove tuaja në çdo rast dhe bëni printime për të cilat do të ndjeni kënaqësi që t'i tregoni ose t'i ndani, si edhe hidhini një sy këshillave më të mira të një profesionisti për të shfaqur fotografitë familjare.


Shkruar nga Alex Summersby

  1. Softueri Neural Network Upscaling Tool është vetëm për Windows dhe për përdorimin e tij nevojitet abonim (ofrohet një muaj provë falas). Nëse abonoheni për Neural Network Processing Tool, nuk nevojitet abonim shtesë për softuerin Neural Network Upscaling Tool.
  2. Adobe dhe Photoshop janë marka të regjistruara tregtare ose marka tregtare të Adobe në SHBA dhe/ose shtete të tjera.

Produktet e lidhura

  • Pozë e parme e "Canon Pixma Pro-200"

    Printera të fotografive profesionale

    PIXMA PRO-200

    Fokusuar në printimin e fotove me ngjyra vibrante, fleksibilitet dhe prakticitet "PIXMA PRO-200" është zgjedhja ideale për entuziastët e fotografisë dhe fotografët aspirantë.
  • Printerë për shtëpi

    PIXMA TS7450a Series

    Një printer shumëfunksional me stil për të mësuarit me teknologjinë, me një larmi trajtimesh printimi krijues, plus teknologjinë ADF për thjeshtimin e procesit të kopjimit dhe të skanimit të fletëve të ndryshme.
  • Printerë për shtëpi

    Seria PIXMA TS5350

    Ekspozoni kredencialet tuaja të dizajnit me administrimin fleksibël të materialeve, aplikacionet interesante krijuese dhe mundësitë praktike të lidhjes me celularët inteligjentë të printerëve të serisë "PIXMA TS5350".
  • PIXMA G640

    Printerë për shtëpi

    PIXMA G640

    Printeri i parë shumëfunksional në gamën PIXMA G me gjashtë depozita boje me bazë ngjyruesi, me rimbushje, PIXMA G640 ndërthur printimin në cilësi fotografike të parivalizuar me kapacitetin për të nxjerrë volume të larta në kosto tejet të ulëta.

Artikuj të ngjashëm

  • BAZAT

    Fotografime për printime

    Shtatë këshilla kryesore për fotografimin e kujtimeve që doni t’i ruani duke i printuar.

  • BAZAT E RETUSHIMIT

    Si të retushoni foto të veçanta

    Përmirësoni fotografitë tuaja për raste të veçanta me këto këshilla të thjeshta për retushimin e fotove.

  • FOTOGRAFIA PËR DASMA

    Krijoni albumin tuaj të dasmës

    Krijimi i albumit tuaj të dasmës mund të jetë diçka tepër e vyer. Mësoni se si me këshillat tona të ekspertëve.

  • FOTORETUSHIM / FOTOMONTAZH

    Retushimi i fotove RAW me DPP

    Zbuloni si të retushoni, rafinoni e përmirësoni fotot tuaja RAW duke përdorur softuerin DPP nga Canon.