BAZAT E RETUSHIMIT

Përmirësoni momentet e veçanta me këto këshilla të thjeshta për retushimin e fotove

Zbuloni se si fotografimi në RAW dhe retushimi me Digital Photo Professional nga Canon ose me Adobe® Lightroom® mund t'ju ndihmojnë të merrni më shumë nga fotografia juaj dhe t’i paraqisni rastet e shënuara në dritën e tyre më të mirë.
Canon Camera
Si një entuziast i fotografisë, ju ndoshta jeni mësuar të përdorni cilësimet dhe opsionet e aparatit për të përsosur fokusin, ekspozimin dhe kompozimin e fotove tuaja, dhe mund t’i shqyrtoni rregullisht fotot në ekranin LCD të aparatit e më pas t'i rinxirrni përsëri me cilësime pak më të ndryshme për t’i marrë siç duhet. Me kaq shumë kujdes për shkrepjen, fotoja drejtpërdrejt nga aparati shpeshherë mjafton për të dokumentuar përvojat tuaja - por ka disa raste të veçanta që sjellin nevojën për më shumë vëmendje. Dasmat, përvjetorët, festat e ditëlindjeve, diplomimet, hapat e parë të fëmijës suaj... momente që shfaqen një herë në jetë e që ia vlen të mbahen mend në dritën më të mirë të mundshme, kjo është dhe arsyeja përse është e rëndësishme të mësoni se si t’i retushoni fotot tuaja. Do të thotë që mund të rregulloni shumë gabime, të kompozimin dhe ndriçimin, dhe aspekte të tjera teknike, t'u jepni një pamje të veçantë të gjitha fotove tuaja nga një aktivitet e shumë më tej.

Për t'i dhënë vetes më shumë hapësirë kur bëhet fjalë për retushimin e fotove, ia vlen të fotografoni në RAW - domethënë ta konfiguroni aparatin që t’i ruajë fotot si skedarë RAW, në vend të JPEG, kur shkrepni. Skedari RAW në thelb është një negativ digjital që përmban të dhëna bruto të paprocesuara nga sensori i aparatit tuaj, nga i cili mund të prodhoni interpretime të ndryshme të pamjes. Skedarët JPEG janë përpunuar tashmë nga aparati dhe mund t’i shpërndani me lehtësi prej tij, por ju japin shumë pak hapësirë ​​për retushim apo korrigjim. Një mënyrë praktike për të marrë më të mirën e të dy botëve është ta konfiguroni aparatin të ruajë në RAW dhe JPEG - kështu keni një foto që mund ta shpërndani lehtë, si edhe një skedar RAW të cilin mund ta përmirësoni dhe me të cilin mund të eksperimentoni më vonë. Por bëni kujdes ndërkaq se do t’ju duhet më shumë hapësirë ​​në kartën e memories për aparatin që të ruani të dyja versionet e çdo shkrepjeje.

Për të krijuar një foto nga një skedar RAW, duhet ta procesoni. Këtë mund ta bëni në aparat dhe madje të bëni edhe disa rregullime, duke ndryshuar ndriçimin, duke korrigjuar aberracionin e objektivit, duke zbatuar efekte presetesh si p.sh. Vivid ose Soft etj. Por ka kuptim sakaq ta bëni procesimin në ekranin (shumë më të madh) të kompjuterit me programe të specializuara retushimi për RAW, si p.sh. programi falas Digital Photo Professional (DPP) nga Canon ose Adobe® Lightroom®. Kjo bëhet lehtësish dhe ju jep mundësinë të zbatoni një Picture Style të ndryshëm, ekuilibrin e së bardhës, cilësimin e zvogëlimit të zhurmës dhe shumë më tepër. Çdo retushim që bëni në skedarin RAW (qoftë në aparat apo në kompjuterin tuaj) nuk është shkatërrues, që do të thotë se skedari origjinal nuk ndikohet dhe çdo rregullim mund të zhbëhet, ndryshohet ose hiqet në çdo kohë, edhe nëse e mbyllni skedarin dhe rihapni më vonë.

Përmirësimi i ekspozimit

Një pamje ekrani e Adobe® Lightroom®, që tregon dy ekspozime të ndryshme të fotos së një gruaje që vë grim duke qëndruar në një dritare në një dhomë të errët.

Skedarët RAW kanë një gamë dinamike më të gjerë sesa JPEG dhe mund të ruajnë detaje në hije dhe shndritje që përndryshe mund të duken të humbura në aparat. Ndriçimi i hijeve mund të zbulojë dhe zhurmë ama, kështu që jini të gatshëm të përdorni reduktimin e zhurmës.

Një pamje ekrani e DPP që tregon foton e një nuseje që po bëhet gati. Zonat e nënekspozuara janë të theksuara me ngjyrë blu, zonat e mbiekspozuara me të kuqe.

Me paralajmërimet e shndritjes dhe të hijes të aktivizuara në DPP, zonat e dritës që rrezikojnë të priten kanë një mbivendosje të kuqe. Zonat që janë në dukje më të errëta dhe prandaj rrezikojnë t’u priten tonalitetet e hijes, kanë një mbivendosje blu.

Ekspozimi është një aspekt që mund ta rregulloni imët kur procesoni një skedar RAW. Ndonëse nuk mund ta ndryshoni aperturën, shpejtësinë e shkrehjes apo ISO-n, mund të rregulloni ndriçimin e përgjithshëm, si dhe të përmirësoni në mënyrë selektive hijet dhe shndritjet. Kjo është veçanërisht e dobishme kur bëhet fjalë për retushimin e fotove tradicionale të dasmës të shkrepura në një ditë me diell, kur mund të jetë sfiduese për të kapur detaje edhe në veshjen e bardhë e të ndritshme të nuses, edhe në kostumin e errët të dhëndrit.

Skedarët RAW kanë një gamë dinamike më të gjerë sesa JPEG, kështu që shpesh mund t’i rikuperoni detajet e humbura në dukje duke përdorur komandat Highlight dhe Shadow. Këto ofrohen si nivelues të veçantë në modulin Develop në Lightroom® dhe nën seksionin Picture Style në DPP. Nëse përdorni DPP mund të ndryshoni gjithashtu forcën e Auto Lighting Optimizer, i cili do të rrisë automatikisht ekspozimin dhe kontrastin për ju.

Shmangia e prerjes

Një pamje ekrani e cilësimeve të ekspozimit në DPP duke u zbatuar në fotn e një çifti në një bregdet të shkretuar duke mbajtur duart.

Kontrolloni histogramin ndërsa rregulloni ekspozimin, ngjyrat dhe kontrastin në programin tuaj të retushimit në RAW. Nëse grafiku shtyhet lart në skajin e djathtë dhe duket i prerë në vend që të zbresë gradualisht, kjo tregon se pjesët e fotos do të jenë të bardha të pastra. Kryesorja është të sigurohemi që subjekti të ekspozohet në mënyrë korrekte.

Një pamje ekrani e Adobe® Lightroom® që tregon funksionin Tone Curve duke u përdorur në një foto të një çifti të sapomartuar që qëndron para një ujëvare.

Përdoreni Tone Curve në programin tuaj për të shtuar kontrastin dhe për ta nxjerrë foton më në pah. Një kurbë e cekët S është një pikë e mirë fillestare. Këtë mund ta arrini në Lightroom® (në foto) duke lëvizur niveluesit Highlights dhe Lights në të djathtë dhe niveluesit Darks dhe Shadows në të majtë. Në DPP, klikoni dhe tërhiqni grafikun për të errësuar hijet dhe për të shndritur tonet e ndritshme.

Kur zonat e hijes që duhet të përmbajnë detaje të hollësishme tonale bëhen e zezë e padallueshme, ose zonat e ndritshme shpërthejnë për të zbardhur të bardhën, thuhet se ato priten. Këtë mund ta shihni në histogramin e figurës në kamerën tuaj ose në softuerin tuaj të retushimit RAW: në vend që të bjerë në të dy anët, kurba e histogramit do të duket e prerë. Pra, mbani një sy në histogram ndërsa bëni rregullime të ekspozimit. Kur lëvizni niveluesit, histogrami do të zhvendoset në të djathtë ndërsa fotoja bëhet më e ndritshme, ose në të majtë ndërsa fotoja errësohet. Në përgjithësi, duhet të shmangni shtyrjen e histogramit nga skaji i ekranit, sepse do të humbni detaje në zonat e figurës që priten. Sigurisht, do të ketë disa fotografi ku një rezultat më i ndritshëm ose më i errët jep një efekt më interesant, por normalisht do të dëshironit t’i ruanit shumë detaje në zona si veshja e nuses.

Për ta bërë më të lehtë vlerësimin e rregullimeve të ekspozimit, mund të aktivizoni paralajmërimet praktike të shndritjeve dhe hijeve. Këto do të tregojnë çdo zonë në foto që do të paraqitet në të zezë të pastër (e treguar në blu) ose në të bardhë të pastër (me të kuqe). Këtë opsion do ta gjeni në menynë Preview në DPP dhe mund të aktivizoni dhe çaktivizoni paralajmërimet te Lightroom® duke klikuar në kutitë e vogla në krye të histogramit.

Nëse i keni ndriçuar hijet dhe i keni zvogëluar shndritjet, mund të vëreni që fotoja nuk ka kontrast. Mund të përdorni panelin e kontrollit Tone Curve për t’i rikthyer disa nga këto. Për të rritur kontrastin, provoni një kurbë të cekët në formë S si fillim: klikoni në mes të vijës që kalon në qendër të grafikut për të vendosur pikën e mesit, pastaj klikoni më poshtë në vijë dhe tërhiqeni pak poshtë për të intensifikuar hijet, dhe klikoni në pjesën e sipërme të vijës dhe tërhiqeni pak lart për të forcuar të bardhat.

Korrigjimi i ekuilibrit të së bardhës

Një pamje ekrani e DPP që tregon ekuilibrin e ngjyrave duke u korrigjuar në foton e një çifti të sapomartuar që qëndron në dëborë.

DPP ju jep një sërë mjetesh për heqjen e ngjyrimeve mbi figurë, duke përfshirë pikatoren Click White Balance, të cilën mund ta përdorni për të klikuar direkt në një zonë që duhet të jetë neutrale e bardhë ose gri. Këtu, u shtua ca më shumë portokalli duke përdorur niveluesin te “Fine tune”, për ta ngrohur më tej pamjen e ftohtë.

Para se të bëni rregullime me ngjyrat e fotos, ia vlen të vendosni ekuilibrin e saktë të së bardhës. Fotografitë e shkrepura gjatë një rasti festiv, si p.sh. ndonjë dasmë e madhe, ka të ngjarë të jenë bërë nën lloje të ndryshme ndriçimi - nga drita e ditës ose dritat artificiale për vetë ceremoninë, deri te dritat e diellit dhe të diskos gjatë mbrëmjes. Mund të përdorni kompletin e funksioneve të ekuilibrit të së bardhës në DPP ose Lightroom® për të hequr ngjyrimet e shkaktuara nga dritat e ndryshme - ose edhe për të shtuar ndonjë për efekt krijues.

Presetet e ekuilibrit të së bardhës në DPP pasqyrojnë ato që ofrohen në aparatet EOS të Canon, dhe mund ta rregulloni rezultatin duke ndryshuar manualisht përzierjen e ngjyrës blu/portokalli dhe rozë/të gjelbër për t’u siguruar që ngjyrat të jenë sipas realitetit. Përndryshe, mund të përdorni funksionin e pikatores së ekuilibrit të të bardhës (Click White Balance) dhe të klikoni në një zonë të fotos që duhet të jetë e bardhë ose gri neutrale për të hequr një ngjyrim të hedhur mbi të gjithë foton. Një grup i ngjashëm komandash ofrohet edhe në Lightroom®.

Ngjyra e dritës mund të jetë ajo që ju tërhoqi fillimisht të nxirrni dhe vetë pozën, kështu që mos u ndjeni se ju duhet ta neutralizoni detyrimisht. Përveç kësaj, një ekuilibër i bardhë paksa më "i ngrohtë" (më shumë i kuq dhe më pak i kaltër) mund t’i japë më shumë hijeshi lëkurës.

Rritja e fortësisë

Një pamje ekrani e Adobe® Lightroom® që tregon presetet e profilit duke u zbatuar mbi foton e një nuseje që qëndron para një fari të verdhë.

Lightroom® ka një përzgjedhje presetesh (në të majtë) dhe profilesh (në të djathtë), që ju mundësojnë zbatimin e një pamjeje specifike në fotot tuaja me vetëm një klikim. Mund dhe të përdorni niveluesit dhe mjete të tjera retushimi për të përsosur rezultatin. Picture Styles e DPP dhe recetat e personalizuara funksionojnë në të njëjtën mënyrë.

Me temperaturën e ngjyrës të caktuar, është koha të kaloni te përmirësimi i ngjyrave. Kur hapni një skedar RAW në DPP, Picture Style që u përdor për të nxjerrë foton do të zgjidhet automatikisht, por mund të përdorni dhe menynë zbritëse për të provuar një tjetër. Seksioni Advanced ju mundëson të ndryshoni edhe parametrat e Picture Style, duke përfshirë ndryshimin e tonalitetit të ngjyrave dhe rritjen ose zvogëlimin e fortësisë së ngjyrave.

Në vend të komandëns Picture Style, Lightroom® ka një sërë profilesh dhe presetesh figure që ju japin një pamje të plotë me vetëm një klikim larg. Këto mund të përdoren edhe si pikë fillestare për retushimet e mëtejshme dhe mund ta ruani pamjen tuaj të përfunduar si një preset të ri të personalizuar që mund ta përdorni në fotografi të tjera. Përdorimi i preseteve mund të kursejë shumë kohë, dhe shumë fotografë të dasmave që u duhet të modifikojnë qindra fotografi mbështeten tek to si një mënyrë e shpejtë për të marrë një pamje të preferuar me filtrim apo cilësi tradicionale.

Procesimi i fotove në grup është një mënyrë tjetër për të njësuar ciklin tuaj të punës. Në DPP, në vend që ta procesoni secilën foto individualisht, mund të kopjoni recetën e retushimit nga njëra foto dhe t’ia zbatoni një fotoje tjetër ose një grupi fotosh. Për ta bërë këtë, zgjidhni miniaturën e fotos nga e cila dëshironi të kopjoni cilësimet dhe shkoni tek “Edit > Copy recipe” në shiritin e sipërm. (Përndryshe, përdorni “Edit > Select and copy recipe settings” dhe mund të zgjidhni saktësisht se cilat cilësime dëshironi të kopjoni.) Pastaj zgjidhni fotografinë ose miniaturat në të cilat dëshironi të zbatoni të njëjtën pamje dhe shkoni tek “Edit > Paste recipe”. Pasi të keni zbatuar një recetë apo Picture Style në foto, mund t’i bëni gjithnjë rregullime të mëtejshme, ose t'u riktheheni cilësimeve me të cilat është shkrepur - mos harroni, të retushimet nuk janë të pakthyeshme.

Përforcimi i ngjyrave individuale - dhe kalimi në bardhezi

Një pamje ekrani e DPP që tregon rritjen e ndriçimit në foton e një çifti të sapomartuar që përqafohen.

Përdorimi i niveluesve Hue, Saturation dhe Lightness (HSL) në DPP ju mundëson rregullime të fokusuara në ngjyra specifike. Nëse e tërhiqni niveluesin portokalli Lightness pak për djathtas mund t’u jepni ndriçim tonaliteteve të lëkurës.

Një pamje ekran e Adobe® Lightroom® që tregon një foto njëngjyrëshe të një çifti të sapomartuar përpara një kasolleje trekëndore.

Konvertimi i një sërë fotosh dasme në bardhezi është një mënyrë e mirë për t’i bërë së bashku në një koleksion. Pas konvertimit, përdorni niveluesit për kanalet e ngjyrave për të ndryshuar përzierjen e toneve dhe për të shtuar kontrastin.

Si DPP, ashtu edhe Lightroom® kanë një sërë komandash rregullimi të ngjyrave Hue, Saturation dhe Lightness (HSL). Këta nivelues ju mundësojnë të përsosni ngjyrat individuale të një fotoje për rezultate delikate ose më thelbësore. Nëse po punoni për një shkrepje në natyrë, për shembull, mund të dëshironi të rregulloni niveluesit blu për të thelluar dhe pasuruar një qiell blu, ose për ta ndriçuar dhe ulur fortësinë, në varësi të stilit të veçantë që kërkoni. Mund dhe të përmirësoni atmosferën e një dasme vjeshte duke theksuar portokallitë, të verdhat dhe të kuqet. Lëvizja e niveluesit portokalli Lightness vetëm disa hapa në të djathtë është një teknikë e dobishme për të përmirësuar tonalitetine lëkurës në portrete.

Sigurisht që mund dhe të dëshironi të mos ketë fare ngjyrë. Ndërsa fotografitë e ditëlindjeve shpesh përfitojnë nga nuancat më të gjalla, kthimi i fotove të dasmës në bardhezi u shton një cilësi të përjetshme që u mundëson shikuesve të përqendrohen tek emocionet e momentit. Kalimi në njëngjyrëshe gjithashtu mund t'ju ndihmojë të zgjidhni disa probleme teknike. Mund t’i japë njëfarë konsistence një koleksioni pozash të nxjerra në kohë të ndryshme të ditës së një dasme, dhe në vende të ndryshme, për shembull, dhe gjithashtu mund të shpëtojë disa fotografi të nxjerra me ISO të larta ose në ndriçim të ulët në ambientet e brendshme.

Në vend që të zgjidhni Monochrome Picture Style në DPP, klikoni në butonin Monochrome në krye të panelit të rregullimit të ngjyrave Hue, Saturation dhe Lightness. Nëse e bëni këtë do të mund të vazhdoni të përdorni niveluesit H, S dhe L për të rregulluar ngjyrat themelore dhe rrjedhimisht tonet e ndryshme të grisë në foton e konvertuar. Disa fotografi mund të duken pa sharm dhe dinamikë kur konvertohen në bardhezi, por mund tëarrini rezultate më dinamike duke përdorur niveluesit Lightness për të shtuar kontrastin dhe veçimin.

Ndërsa përparoni nëpër fazat e ndryshme të retushimit të një fotografie, jini të gatshëm të ktheheni disa hapa dhe t’i rregulloni më imët ndryshimet që keni bërë më parë. Mund të vëreni se ju duhet të rregulloni ekspozimin ose kontrastin pasi të keni ndryshuar ngjyrat, për shembull. Faza përfundimtare është t’i jepni ca mprehtësim. Më pak shpeshherë rezulton më shumë kur bëhet fjalë për mprehjen, prandaj zmadhoni një detaj të rëndësishëm në 100% për t'ju ndihmuar të gjykoni nëse i keni dhënë nivelin e duhur.


Shkruar nga Marcus Hawkins


Adobe® dhe Lightroom® janë ose marka të regjistruara tregtare, ose marka tregtare të Adobe në SHBA dhe/ose shtete të tjera.

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • Si të shkrepni dasma në natyrë

    FOTOGRAFIA PËR DASMA

    Si të shkrepni dasma në natyrë

    Fotografja e dasmave, Steph Zakas, ndan këshillat e saj për fotografimin e ditës së shënuar.

  • Një pozë para dhe pas e një fushe me bar të lartë, e errët dhe e paretushuar në të majtë, me variantin e ndriçuar në të djathtë, të retushuar në DPP.

    FOTORETUSHIM / FOTOMONTAZH

    Retushimi i fotove RAW me DPP

    Zbuloni si të retushoni, rafinoni e përmirësoni fotot tuaja RAW duke përdorur softuerin DPP nga Canon.

  • Dekorime të printuara dhe tabela dore për ditën e dasmës pranë një portreti të një nuseje dhe dhëndri në një kornizë.

    FOTOGRAFIA PËR DASMA

    Printoni dasmën tuaj

    Nga shkrimet me porosi deri te tabelat e stilit rustik, ka shumë mënyra krijuese për të personalizuar ditën tuaj të shënuar.

  • Një portret i fotografes dhe poetes Amaal Said me sytë mbyllur, me një shami të kuqe të hedhur së gjeri mbi supe.

    FOTOGRAFIA E AUTOPORTRETEVE

    Paraqisni autoportrete të përsosura

    Zbuloni se si ta shndërroni një autoportret të zakonshëm në autoportret mahnitës.