Sports photographer Dave Rogers stands next to rugby player Martin Johnson on the pitch.

FOTOGRAFI SPORTIVE

Shkrepni poza fitimtare sportive me këto këshilla fotografie nga ekspertët

Gjatë karrierës së tij 40-vjeçare, Dave Rogers (fotograf i "Getty") ka shkrepur disa nga fotot më emblematike të historisë së ragbisë. Ai ka qëndruar ndanë fushës në çdo kupë botërore të ragbisë që prej vitit 1987 dhe në Japoni sivjet do të jetë çdo çast pranë ekipit të Anglisë. Cilido qoftë sporti juaj, ja cilat janë 10 këshillat kryesore të Dave-it për t'u përmirësuar në fotot tuaja sportive.

Interesi i Dave-it ndaj fotografisë u shfaq gjatë adoleshencës në fillim të viteve 1970 teksa ndiqte lojën e ekipit anglez të futbollit "Wolverhampton Wanderers". Ai kujton se si ishte i interesuar jo vetëm te loja, por edhe se çfarë ndodhte në prapaskenë - sidomos duke parë fotografët në vijat anësore.

Që kur iu dha rasti për herë të parë të punonte në një gazeta lokale - përmes një ndërthurjeje aftësie, këmbënguljeje dhe pak fati të mbarë, siç thotë ai vetë – Dave ka fituar tanimë një vend në tabelën e nderit të fotografisë sportive. Ai ka shkrepur mposhtjen e Mike Catt të Anglisë nga Jonah Lomu i Zelandës së Re në përplasjen e tyre të Kupës së Botës 1995 në ragbi; Nelson Mandela-n që i dorëzonte trofeun e 1995 kapitenit të "Springboks", Francois Pienaar, duke bashkuar Afrikën e Jugut pas një historie të gjatë aparteidi; golin dramatik në kohë shtesë nga Jonny Wilkinson që i dha Anglisë fitoren në Kupën e Botës 2003 në ragbi; dhe shumë të tjera.

Sports photographer Dave Rogers holding a Canon camera.

Pamja më mbresëlënëse e Dave-it është ajo e Kupë së Botës 2003 të ragbisë. Në foto, kapiteni i asokohshëm i Anglisë, Martin Johnson, ngrihet përmbi fotografin duke mbajtur me madhështi trofeun në ajër pak çaste pas fitores së turneut nga skuadra e tij. Kapitenin thuajse mund ta dëgjosh të ulërasë nga gëzimi teksa bashkëlojtarët e tij dhe tifozët në stadium fitojnë të gjithë fitoren. Në duart e stërmëdha të lojtarit të ragbisë, trofeu duket si një lodër, por vezullon këndshëm në lumin e dritave që bien mbi skenë.

Kur e takuam Dave-in, ai sa po fillonte përgatitjen për Kupën e Botës 2019 të ragbisë në Japoni, ku do të qëndrojë me ekipin e Anglisë. Në përgatitje e sipër, ai po organizonte itinerarin dhe aksesorët fotografikë, duke marrë dhe lejet për të pasur mundësinë të shkrepë foto në distancë në stadiume. Po ashtu dhe tre aparate profesionale, objektiva, këmbalecë trekëmbësh e njëkëmbësh, madje na tha se do të merrte dhe një tufë aksesorë kundër shiut për t'i bërë ballë stinës së lagësht.

Veç kësaj, ishte tashmë duke menduar dhe se çfarë pozash shpresonte të shkrepte. Mes mijëra fotove që parashikon të nxjerrë gjatë zhvillimit të kupës, ai shpreson sidomos për njërën: "Poza që ëndërroj më shumë do të ishte Anglia teksa ngre sërish trofeun 'Webb Ellis', Kupën e Botës!"

Ai ndan me ne këshillat e tij prej eksperti për të përmirësuar fotografinë tuaj sportive, në cilindo sport për të cilin shkrepni.

1. Ta njihni sportin tuaj me rrënjë e dhëmballë

"Sfida më e madhe është të njohësh sportin," thotë Dave. "Mëso rregullat e lojës, që të dish se çfarë po përpiqen të bëjnë lojtarët." - Nëse nuk arrini të parashikoni lëvizjen e radhës së lojtarit, mund ta keni të vështirë të ndiqni zhvillimet.

Çdo sport është i ndryshëm. Në krahasim me ragbinë, "futbolli është lojë që luhet dhe fotografohet më shpejt," vijon ai. Por nga ana tjetër, ndërsa ragbi ka më shumë lojtarë dhe njerëz që mund të të pengojnë rrezen e shikimit duke të mos lejuar të shkrepësh poza të mira, në futboll "ka më pak lojtarë në fushë, kështu që aty ke më shumë pamje të lirë."

2. Blini aparatin më të mirë që mund të përballoni

Kur Dave ishte në hapat e tij të parë, ai arriti të siguronte një vend në kursin për trajnimin e fotoreporterëve të Këshillit Kombëtar Britanik, pavarësisht se nuk kishte ende aparat. Iu desh të blinte aq sa mund të përballonte asokohe: një kamerë të vjetër 35 mm me film. Nëse sapo jeni duke i hyrë fotografisë, ai rekomandon të merrni parasysh si faktorë kyçë "lehtësinë e përdorimit, qëndrueshmërinë dhe raportin e vlerës reale që përfitoni kundrejt çmimit të paguar". "Thjesht blini më të mirën që keni mundësinë të merrni," thotë ai, dhe ruhuni nga kursimet false.

Nëse një aparat DSLR i mirëfilltë ende ju tremb apo s'e arrini dot, synoni për një kamerë semipro me funksione që u përgjigjen kërkesave të fotografisë sportive. Canon PowerShot SX70 HS, kryesuesja e gamës së aparateve semipro të "Canon", ka zmadhim optik 65-herësh, mund të shkrepë me 10 kuadro në sekondë dhe ka vetëfokusim të shpejtë e të saktë me një opsion për vetëfokusim të vazhduar që ju ndihmon të shkrepni zhvillimin e aksioneve.

Port ama, për ta shfrytëzuar në maksimum përzgjedhjen e larmishme të objektivave të "Canon", investimi në kamerat DSLR si p.sh. Canon EOS 80D është një zgjedhje optimale për fotografinë sportive.

3. Zgjidhni një objektiv robust

"Objektivi standard në fotografinë sportive është Canon EF 400 mm f/2.8L IS II USM [dhe varianti më peshëlehtë dhe më i ri i këtij objektivi, Canon EF 400 mm f/2.8L IS III USM], i cili është fantastik, dhe unë përdor shumë gjithashtu edhe Canon EF 70-200 mm f/2.8L IS II USM. Këto janë të besueshme dhe mund të durojnë goxha goditje. Kur keni të bëni me sportet, ju duhet t'i lini aparatet shpejt përtokë e t'ia vishni vrapit sa lart poshtë – kështu që duhet të jenë mjaft robuste që t'u bëjnë ballë këtyre.

"Nëse jeni në hapat e parë, është më i dobishëm një objektiv 70-200 mm. Nuk ka shumë njerëz që përdorin objektiva 400 mm pa u bërë specialistë përpara."

Për të arritur rezultate të ngjashme me buxhet më të ngushtë, mund t'i hidhni sytë dhe nga Canon EF 70-300 mm f/4-5.6 IS II USM ose Canon EF-S 55-250mm f/4-5.6 IS STM. Të dy vijnë të integruar me teknologjinë e mirënjohur të "Canon" për stabilizimin e figurës (IS) që ju ndihmon të evitoni problemin e fotove të turbullta nga dridhja e aparatit. Me këtë teknologji nëse ju dridhet pak dora, si kundërveprim dridhet dhe një element brenda aparatit. Që do të thotë se edhe kur shkrepni duke e mbajtur aparatin në dorë dhe jo mbi këmbalec, fotot tuaja dalin po njësoj të qarta.

Martin Johnson raises the trophy after England wins the 2003 Rugby World Cup. © Dave Rogers / Getty Images

4. Përqendrohuni tek aksioni dhe jo në sfond

"Zgjidhni shpejtësi më të lartë shkrehësi dhe aperturë të gjerë [vlerë më të ulët të "f"], pasi sfondet mund të jenë shumë të rrëmujshme dhe tërheqëse të vëmendjes me tabelat e reklamave e të tilla. Kini parasysh, se sa më e gjerë apertura, aq më pak gjëra do të ketë në fokus. Thjesht turbulloni sfondet e mbingarkuara dhe provoni ta përdorni objektivin sa më shumë kohë të mundeni në gjatësinë fokale maksimale. Zgjidhni një vlerë tepër të ulët ISO, që t'ju duhet të përdorni shpejtësi të lartë të shkrehësit me aperturë të ulët."

Një stil që rekomandon Dave për heqjen e sfondit për fare është "të ngjiteni pak më lart në pozicionin ku ndodheni që ta shikoni fushën si nga lart. Nëse e shkrepni foton nga lart duke parë për poshtë, do të arrini një sfond të pastër të gjelbër."

5. Qëndroni nga ana e diellit

Kushtet më të mira për të shkrepur janë "kur ka dritë me re", sipas Dave, pasi drita do të jetë e përhapur më njëtrajtshëm nëpër fushë dhe nuk ju duhet të ripërshtasni aq shpesh parametrat e ekspozimit. Por nëse shkrepni në ditë me diell kur ka kontrast të theksuar midis zonave në hije dhe atyre në diell, "zgjidhni të qëndroni në anën me diell dhe punën e keni nga ana me hije," vazhdon ai. Në këtë mënyrë do të jeni duke punuar me ndriçimin nga mbrapa vetes. "Po të qëndroni në hije dhe të punoni me anën me diell, është e vështirë. Shumë shpesh do të nxirrni siluetat e lojtarëve përkundër sfondit të shndritshëm. Kështu që rrini gjithnjë nga ana me diell. Ashtu do të merrni dhe nga pak ngjyrë."

Kjo mund të bëhet më lehtë në aktivitetet sportive lokale, ku spektatorëve u lejohet të çohen e të lëvizin nëpër ambientin e gjerë, dhe në këto raste mund të shikoni përreth derisa të gjeni vendin e duhur. Në aktivitetet me vende të përcaktuara në biletë, mund ta zgjidhni paraprakisht se në ç'anë të ambientit dëshironi të uleni. Shihni e nga cila anë është vendosur ambienti dhe në çfarë ore zhvillohet aktiviteti, për të zgjedhur një vend që do të jetë në diell gjatë asaj kohe. Për ndihmë mund edhe të shkarkoni një aplikacion që ndjek diellin, të menduar për fotografët.

6. Ndiqni siluetat

Ndonjëherë mbase dhe do të donit të arrini efekt siluete. Për diçka të tillë, ulni ISO, rrisni shpejtësinë e shkrehësit dhe ngushtoni aperturën (përdorni vlerë më të lartë të "f"). "Do t'ju duhet një sfond me dritë," këshillon Dave. "Nënekspozojeni gjithë pamjen. Silueta mund të jetë efikase vetëm nëse nuk e bëni më shpesh se ç'duhet. Përndryshe do të katandiset në klishe."

7. Bëhuni krijues me turbullimin

Pasi të keni shkrepur një dorë të mirë pozash bazë, keni kohën të çlironi krijimtarinë tuaj. Disa fotografë të rinj sportivë fiksohen me fiksimin e pozave të aksionit, por Dave rekomandon të përqafoni më mirë turbullimin për të theksuar shpejtësinë. Për t'ia arritur kësaj, provoni ta caktoni shpejtësinë e shkrehësit në 1/15 sek. Por, thotë ai: "Nuk ju bën punë turbullim aq i lartë sa të mos kuptohet se çfarë po bëjnë lojtarët. Fytyrat e tyre ju duhen sa më të qarta të jetë e mundur."

Sidomos në sportet me lëvizje të parashikuar lineare, si p.sh. në garat me kuaj, atletikë apo sportet motorike, lëvizja me aksionin (lëvizja e aparatit për të ndjekur personin apo automjetin në lëvizje) ju ndihmon që ta ruani subjektin relativisht të qartë dhe të turbulloni gjithçka tjetër, duke e shprehur mirëfilli përshtypjen e shpejtësisë.

8. Uluni sa më poshtë

Për të dhënë më dramatizëm, Dave sugjeron: "Ulni këndin. Nëse uleni kur lojtarët po hidhen drejt jush, duket sikur ata fluturojnë në ajër."

Kjo është një teknikë që Dave ka përdorur për pamjen e tij mbresëlënëse të kapitenit të Anglisë, Martin Johnson, që mbante në duar Kupën e Botës 2003 të ragbisë. Duke e vendosur veten më poshtë se Martin-i, perspektiva theksonte edhe më lartësinë e forcën e lojtarit të ragbisë.

Artikujt e lidhur
Two cross-country skiers makes their way up a mountain in low sunlight.

AKSIONI

"Gjithmonë bëni më shumë përpjekje për fotografinë tuaj"

Fotografi e sporteve ekstreme Richard Walch për gjërat që e nxitin atë të realizojë fotografitë e tij mbresëlënëse të skive dhe snoubording.

Two young men dressed in black leap around on a rooftop between Turkish domes with stone lanterns on top.

AKSIONI

Si të xhiruar parkour: Këshilla të lartë Samo Vidic

Ambasadori i Canon ndan se si të siguroheni që ju të përcjellni eksitim dhe spektakël të sporteve të veprimit urban.

Dave Rogers' kitbag containing two Canon DSLR bodies and a number of lenses.

9. Merrni me vete gjithçka për të gjitha rastet

"Unë marr dy aparate, madje kohëve të fundit shpesh edhe tre, për çdo rast. Nëse bie shi, i mbaj të mbështjella si të mundem. Shumë të tjerë marrin çanta të përforcuara, por unë thjesht i fus në çantën e shpinës. Marr një objektiv Canon EF 400 mm f/2.8L IS II USM, një Canon EF 70-200 mm f/2.8L IS II USM, dy aparate dhe dy objektiva me zmadhim të ulët. Marr gjithashtu edhe tre e katër bateri rezervë, sidomos kur bën ftohtë, pasi shkarkohen më shpejt. Merrni izolues kundër ujit dhe kapakë për objektivat - janë gjithnjë të nevojshëm. Nëse nuk keni të tilla, thjesht vishini aparatet me qese celofani. Do të kurseni shumë para në riparime."

Dave përdor modelin e specifikimeve të larta Canon EOS-1D X Mark II, por modeli më ekonomik Canon EOS 80D ka skelet me aliazh magnezi dhe u reziston pluhurave e lagështirës, duke e bërë të qëndrueshëm në kushte nga më të ndryshmet. Madje ka dhe një sistem të sofistikuar vetëfokusimi me 45 pika e shpejtësi të lartë shkrepjeje të vazhduar prej 7 kuadrosh në sekondë, me gjurmim subjekti, që e bën sidomos ideal për fotografi sportive aksioni të shpejtë.

10. Bëni durim dhe vazhdoni të shkrepni

Mesatarisht, Dave shkrep rreth 2000 foto në ndeshje ragbie për të marrë ato pak me të cilat është vërtet i kënaqur, kështu që mos u dekurajoni nëse pozat tuaja të para s'janë aq emocionuese sa ç'i prisnit. "Ajo frika më e madhe është kur njerëzit rrinë diku pranë teje saqë nuk shikon dot përtej tyre, ose kur të vrapojnë para pozës e të bllokojnë pamjen," thotë ai. Dave-it do i duhet të fshijë shumë prej këtyre fotove, por ai vazhdon të shkrepë në pritje të çasteve që mund të shfaqen. "Ka shumë pamje që shkojnë kot, por tani me aparatet dixhitale e di se çfarë po shkrep dhe mund ta shohësh çfarë ka dalë duke i hedhur një sy ekranit."

Dhe kur shikon atë pozën fitimtare në ekranin e aparatit, e di që mundi nuk të shkon kot. Me durim, imagjinatë dhe pajisjet e duhura në çantë (Canon EOS 80D DSLR me objekti Canon EF 70-300mm f/4-5.6 IS II USM ose Canon EF-S 55-250mm f/4-5.6 IS STM, ose aparat semipro Canon PowerShot SX70 HS si rekomandimet tona kryesore) mund të shkrepni foto sportive madje për t'u mburrur!

Shkruar nga Matthew Bowen

Artikujt e lidhur



"Get Inspired" është burimi juaj kryesor i këshillave të dobishme të fotografisë, udhëzuesve të blerësit dhe intervistave inteligjente - gjithçka që ju nevojitet për të gjetur kamerën më të mirë ose printerin më të mirë dhe të krijoni ide të ardhshme krijuese.

Kthehu tek të gjitha këshillat e teknikat

Produktet e lidhura