"Muzika është dashuria dhe fotografia është mjeti," - thotë fotografi muzikor holandez, Bart Heemskerk. Ai fotografon festivale e koncerte të mëdha anembanë Evropës, duke nxjerrë në pozat e tij emra të mëdhenj të skenës si Nick Cave, Lana Del Rey dhe Dua Lipa – një rol ky që e ka shpënë drejt ftesës së lakmuar për të fotografuar dhe grupin Rolling Stones.
Kësaj vere ai do të shëtisë përreth 40 festivaleve të ndryshme për t'i fotografuar, i prirë nga pasioni i tij për muzikën. Këtu ai na tregon historinë e tij frymëzuese, shoqëruar plot këshilla që mund t'i provoni me një kamerë tuajën kompakte nëpër aktivitetet e hapura të kësaj vere.
"Gjithnjë dëgjoja radion dhe regjistroja emisionet me sukseset e kohës kur isha fëmijë. Më vonë fillova të shkoj nëpër koncerte me babanë dhe u apasionova me skenën e koncertit kur ndoqa festivalin "Pinkpop" në Holandë në moshën 15-vjeçare," - thotë fotografi tani 33 vjeç.
Disa vite pas përjetimit të tij të parë të festivaleve muzikore, Bart i ra rasti të merrte hua një "Canon EOS 400D" (një version i mëhershëm i Canon EOS 800D). Ai shpejt kuptoi se duke pasur një kamerë me vete, mund të argëtohesh edhe më shumë gjatë ndjekjes së festivaleve - duke shkrepur gjithë argëtimin që ndodh edhe larg skenës, përveç fotove krijuese të grupeve më të mira të botës.
Pas kohës së kushtuar krijimit të një katalogu me aktivitete muzikore të fotografuara për pasion, ai e la punën si mësues për t'iu përkushtuar karrierës si fotograf: "Dhjetë vite pas ndjekjes së festivalit tim të parë, isha kthyer tanimë te "Pinkpop" i nënkontraktuar për të fotografuar grupin Kensington, të cilët i kisha njohur kur u ofrova t'i fotografoja falas kundrejt hyrjes falas në koncertet e tjera të tyre," - thotë Bart. Vitin tjetër, ai mori një telefonatë që nuk e priste – nga legjendat ndërkombëtare të muzikës rok, Rolling Stones, të cilët i kërkuar që t'u bënte fotografi.
"Rolling Stones po shkonin në një turne në 2014 dhe më kishin parë në internet – kishin kërkuar atje për fotografë në Holandë. Kështu që kontaktuan me festivalin "Pinkpop" dhe pyetën atje. Ai ka qenë një çast surreal!"
Grupi e ftoi t'u fotografonte turneun evropian, çka i siguroi atij hyrjen në kuintat e disa prej muzikantëve më në zë të botës. "Turnetë me Rolling Stones të jepnin ndjesinë e familjes," - thotë Bart. "Ne bënim shakara. Keith [Richards] ishte tipi më i veçantë për të punuar. Kishte shumë humor. M'u desh të fotografojë edhe takimet e përshëndetjet me adhuruesit dhe prenotuesit, si dhe mora një lejekalim për të gjitha zonat që të mund të lëvizja lirisht - në kuinta, përpara skenës. Isha pjesë e grupit, darkonim së bashku, shkonim së bashku në provat e fonisë e kështu me radhë."
Bart i ruajti kontaktet me Rolling Stones pas kësaj dhe madje dhe iu bashkua sërish në turne në vitin 2017.