Berlini është i njohur në të gjithë botën për jetën e tij të natës, nga klubi legjendar Berghain e deri te festat spontane. Por netët plot gjallëri të qytetit kërcënohen me rritjen e presionit për hapësira së bashku me rritjen e qirave. Disa klube janë mbyllur në muajt e fundit dhe shumë të tjerë pritet të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo histori shikon një pjesë të vogël të jetës së natës në Berlin, duke u përqendruar te njerëzit që e bëjnë atë kaq të gjallë, nga ata që dalin për të festuar e deri tek ata që punojnë në ekonominë e jetës së natës.
Nga kërcimet swing, salsa, seksi dhe tango, transvestitët dhe tekno, jeta e natës e Berlinit ka diçka për të ofruar për këdo.
Çdo natë mijëra berlinas dhe vizitorë drejtohen për në zonat më të frekuentuara si RAW, një qendër e vjetër e riparimit të trenave e mbuluar me grafiti në pjesën lindore të qytetit që dikur ka qenë në regjimin komunist, por sot është vendi i klubeve, bareve dhe një pishine, mbushur me kopshte birre.
Aty, në sallat dhe strehët përgjatë shinave të trenave, njerëzit kërcejnë reggae, punk rok, dancehall, hardcore, metal, rap dhe hip-hop e tekno në klube me emra si Cassiopeia dhe tekno në Suicide Circus.
"Jeta e natës e Berlinit është si një aventurë e madhe. Çdo ditë mund të eksplorosh diçka të re", -thotë Richard Shawn, një britanik në migrim që jeton në Berlin.
Nico Brodersen, shefe e sigurisë në Bassy Club, thotë se janë njerëzit ata që kanë rëndësi.
"Jashtë mase, të çmendur, të lirë dhe pa ndalim - mund t'i harrosh emrat e tyre, por asnjëherë ato fytyra", - thotë ajo për ata që pëlqejnë të dalin në mbrëmje në klubet e Berlinit.
Ka disa shqetësime se sa mund të zgjasë kjo në një qytet ku qiratë po rriten dhe kërkesa për hapësirë po shtohet me rritjen e popullsisë. Disa klube janë mbyllur së fundi dhe klube të tjera pritet të bëjnë të njëjtën gjë.
Në Prenzlauer Berg, një zonë dikur e pjesës lindore komuniste që u shndërrua në parajsën e atyre që kërkonin festat pas rënies së Murit të Berlinit, ankesat për zhurmën kanë sjellë disa mbyllje të klubeve.
Banorët flasin për "Clubsterben", ose "vdekja e klubeve".
Një nga viktimat e fundit është në rajonin lindor Friedrichshain - një klub me emrin Pogo Tussy, i cili u shkatërrua për të liruar hapësirat për apartamente të reja.
"Është shumë trishtuese të heqësh dorë pas 13 viteve, por ndodh kështu", - thotë Simone Braun, ish-pronari i klubit.
Por për momentin, në shumë pjesë të qytetit, festa vazhdon.
Për admiruesit e teknos, një natë në klubin legjendar Berghain është e detyrueshme - nëse arrijnë të hyjnë aty. Radhët që zgjaten deri në njëqind metra janë diçka e zakonshme jashtë këtij impianti energjetik të dikurshëm. Vendasit me shpirtin e sipërmarrjes sigurojnë një tregti të habitshme duke shitur birra për ata që presin në radhë.
Për ata që nuk arrijnë të hyjnë, ka shumë alternativa. Si thoni për Salon Zur wilden Renate - një klub i shtrirë në disa kate në një ndërtesë të vjetër banimi? Ose About Blank - një klub ku festa shtrihet edhe në një kopsht? Ose Sisyphos, në fabrikën e dikurshme të biskotave të qenve?
Në një klub të çuditshëm me ndriçim të zbehtë me emrin Insomnia disa njerëz ndërrojnë rrobat e tyre të ditës me lateks ose lëkurë në dhomat e veshjes pranë hyrjes, ndërsa të tjerët zhvishen dhe drejtohen për te një vorbull. Disa kryejnë seks në mënyrë të hapur, ndërkohë që vazhdojnë ritmet e muzikës të lartë.
"Këtu njerëzit mund të jenë plotësisht të lirë dhe mund të realizojnë ëndrrat e tyre të fshehta. Ne i kapërcejmë kufijtë. Rregulli i vetëm i rëndësishëm është: Jo do të thotë jo!" thotë Dominique, e cila e drejton klubin Insomnia bashkë me bashkëshortin e saj.
Në klube të tjera, "drag kings" dhe "drag queens" prezantohen në shfaqje nën ritmet e diskos.
Por për ata që preferojnë të kalojnë natën në bare të thjeshta dhe sallone, është edhe rruga plot lëvizje me emrin Simon-Dach-Strasse në Friedrichshain, e mbushur me bare dhe restorante, me tavolinat dhe karriget në radhë mbi trotuaret me kalldrëm.
Ata në kërkim të darkës mund të zgjedhin mes kuzhinës meksikane, mesdhetare dhe aziatike ose - duke qenë në Gjermani në fund të fundit - Currywurst, një suxhuk derri me feta plot salcë keçapi dhe erëza.
Shkrimi nga Michelle Martin, redaktimi nga Angus MacSwan/Jeremy Gaunt