FOTOGRAFIA URBANE

Këshilla kompozimi për fotografi të qytetit që ju lënë pa mend

Kënde unike dhe perspektiva të freskëta – fotografja Paula Stopka ndan këshillat e saj për kompozimin e fotove mahnitëse të peizazhit urban.
Horizonti i Çikagos gjatë kohës së artë, me ujë para ndërtesave. E gjithë skena është e ngjyrosur me vezullimin portokalli të horizontit.

Nga arkitektura moderne urbane që vezullon përgjatë horizontit deri te strukturat historike me tulla që datojnë shekuj më parë, qytetet ofrojnë një botë perspektivash që ia vlen të shkrepen, secila unike për çdo fotograf.

Grafistja dhe fotografja autodidakte me banim në Londër, Paula Stopka, vjen nga Krakovi i Polonisë dhe shpesh mund të gjendet duke eksploruar qytete në mbarë botën me një aparat fotografik në dorë, së fundmi me Canon EOS R, duke kërkuar perspektiva të reja dhe kënde novatore.

Këtu, ne paraqesim punën e saj frymëzuese së bashku me këshillat tona më të mira për kompozimin e fotove krijuese të peizazheve dhe skenave urbane.

1. Eksploroni këndvështrime të ndryshme

Një pamje e shkrepur për lart përmes qendrës së zbrazët të një strukture të lartë rrethore. Radhët e ballkoneve formojnë rrathë bashkëqendrorë deri në majë të strukturës, ndërsa një avion fluturon në qiell të hapur.

Pika të ndryshme vrojtimi mund të japin një perspektivë krejtësisht të re për ndërtesat e qytetit. Mos kini frikë të zbrisni poshtë e të shkrepni lart. Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/4L IS USM në 16mm, 1/160 sek, f/8 dhe ISO100. © Paula Stopka

Një pamje e shkrepur lart nga një shkallë spirale betoni, e cila formon një motiv dredha-dredha, si guaskë.

Shkallët mund të jenë pika fantastike për të gjetur tekstura, vija orientuese, harkime dhe forma të tjera që ndihmojnë në orientimin e shikimit. Shkrepur në Canon EOS R me objektiv Canon EF 16-35mm f/4L IS USM dhe Canon Mount Adapter EF-EOS R në 16mm, 1/50 sek, f/6.3 dhe ISO320. © Paula Stopka

Pikëvrojtimet e pazakonta mund të ofrojnë një vështrim të ri në pamjet e qytetit kur jeni duke u endur me kamerë në dorë. Shkrepjet për lart përmes arkitekturës së arrirë drejt qiellit dhe përdorimi i niveleve me anë të kateve të ndryshme të një ndërtese mund të shtojnë thellësi dhe të orientojnë shikimin. Përndryshe, provoni pamjet nga lart për një pamje dramatike të tarracave dhe rrokaqiejve, shikoni mes pikave të vrojtimit ose shkrepni skenën tuaj panoramike përtej ujit nga një pikë e ulët vrojtimi për reflektime piktoreske. Ekrani rrotullues me prekje i kamerës suaj është ideal për raste të tilla, veçanërisht kur kombinohet me një stativ, pasi ju mundëson të shkrepni nga pozicione më krijuese.

Ndonjëherë ndërtesat mahnitëse dhe strukturat e tyre unike mund të shfrytëzohen edhe nga brenda. Drejtohuni në katin e fundit dhe shikoni teposhtë ose matanë për të kapur format e tarracave ndërsa përdorni dritën për efekt dramatik. Ose nëse keni një ndërtesë të preferuar në qytetin tuaj, vizitojeni në kohë të ndryshme të ditës – koha e artë pak para perëndimit të diellit mund të këndellë dhe të transformojë skenat. Provoni ta fotografoni nga pika të ndryshme për të gjetur një pamje që është tërësisht e juaja.

2. Krijoni shtigje vizuale përmes një imazhi

Skenat e zakonshme të qytetit mund të gjallërohen kur fotografi krijon një kompozim me shtigje vizuale interesante. Shkallët me kthesa kontrastuale dhe vija të drejta mund të shndërrohen në imazhe të bukura të ngjashme me guaskat kur përdorin këtë teknikë, duke riprodhuar teknikën e raportit të artë, ose të spirales Fibonacci, që fotografët mund t'i përdorin për të orientuar shikuesin përgjatë një fotoje.

Vezullimi arkitektonik nuk është gjithmonë i nevojshëm, pasi mund ta përdorni këtë efekt me eskalatorët e ndezur gjatë natës për të krijuar vija orientimi apo edhe hijet në faqen e një ndërtese për ta drejtuar shikuesin te një pikë qendrore fokale.

3. Jepini hapësirë ​​ballore një skene

Horizonti i qytetit të Nju-Jorkut shihet nga përtej një mase uji, me radhë kolonash të vogla që qëndrojnë jashtë ujit duke krijuar vija perspektive drejt qendrës së shkrepjes. Një qiell i madh dhe bosh mbi ndërtesa është përfshirë në pamje.

Hapësira në krye të një pamjeje mund të ndihmojë për të theksuar pikat kryesore fokale, si p.sh. horizontin e goditur këndor. Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 24mm, 72 sek, f/16 dhe ISO100. © Paula Stopka

Pjesa e brendshme e një ndërtese të madhe e të bardhë, me vështrimin lart nga çatia dhe rreshtat e kolonave që e mbajnë në këmbë.

Arkitektura lineare mund të vijë në jetë në kamerë nëse keni gjetur një kënd unik. Shkrepur në Canon EOS 500D (pasuar tani nga Canon EOS 850D) me objektiv Canon EF-S 10-22mm f/3.5-4.5 USM në 10mm, 1/80 sek, f/7.1 dhe ISO100. © Paula Stopka

Hapësira e frymëmarrjes brenda kreut të një fotografie, veçanërisht kur bëhet fjalë për qiej spektakolarë, mund t'i japë fotos një tjetër dimension dhe të ndihmojë në eliminimin e shpërqendrimeve. Hapësira e zgjeruar mbi kokë është gjithashtu e dobishme nëse dëshironi të fotografoni një qiell nate dhe të theksoni dritat e qytetit që vezullojnë me shpejtësi të ulët shkrehësi për një qiell më të errët.

Kur shkrepni një horizont urban, hapësira negative mbi skenë shton ekuilibrin në imazh dhe nuk e lë të duket i rrëmujshëm. Mos harroni as hapësirën poshtë peizazheve tuaja të qytetit – reflektimet e ujit mund të jenë një mënyrë vërtet krijuese për të shtuar një tjetër element intrigues kur kërkoni të gjeni një perspektivë të re në një vend të njohur fotografik.

4. Përqafoni këndet e gjera

Të gjitha peizazhet e qytetit janë të përshtatshme për objektivin këndgjerë. Objektivat RF të Canon ofrojnë cilësi të shkëlqyer imazhi, fotostabilizim të përmirësuar dhe një motor më të shpejtë vetëfokusimi. Canon RF 15-30mm F4.5-6.3 IS STM ka një diapazon të gjerë zmadhimi me fokusim të ngushtë dhe fotostabilizim të fuqishëm – ideal për peizazhe dhe arkitekturë.

Për panorama mahnitëse, modaliteti Panoramic te Canon EOS R7 dhe Canon EOS R10 i kombinon fotot ndërsa lëvizni kamerën në një drejtim duke shtypur shkrehësin. Është ide e mirë ta mbani kamerën fikse dhe të niveluar kur përdorni këtë modalitet.

Kur shkrepni peizazhe të gjera në përgjithësi mbajeni horizontin drejt duke përdorur vetënivelimin nëse disponohet në kamerën tuaj. Ia vlen gjithashtu të shfaqni rrjetën orientuese në inkuadrues për t'u siguruar që kompozimi të jetë i ekuilibruar.

shkrepja së gjeri në kamerat e rezolucionit të lartë ju jep gjithashtu lirinë ta prisni foton për t'i hequr skajet, për të përmirësuar inkuadrimin apo edhe për të theksuar një pjesë të një ndërtese për rezultate unike.

5. Shkrepni vertikalisht

Këndi i një ndërtese, me radhë çarçafësh të lakuar që dalin nga çdo kat.

Linjat e qarta me dritëhije të kombinuara me buzët e çrregullta mund të japin kompozime me impakt. Shkrepur në Canon EOS R me objektiv Canon EF 16-35mm f/4L IS USM në 26mm, 1/160 sek, f/7.1 dhe ISO100. © Paula Stopka

Radhë eskalatorësh, me ndriçim përkundër errësirës, ​​pasqyrohen në tavanin sipër tyre.

Krijimi i shtigjeve vizuale përmes një pamjeje me karakteristika urbane, si eskalatori, mund t'u japë fotografive një estetikë stili dizajni grafik. Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/4L IS USM në 16mm, 1/50 sek, f/4 dhe ISO800. © Paula Stopka

Një temë konstante në kompozimet urbane të Paula-s është orientimi portret. “Më duket argëtuese dhe sfiduese nxjerrja e fotografive në shtrirje vertikale. Sapo e kthej kamerën anash, më detyron t'i shoh gjërat nga një këndvështrim tjetër. Krijon një ndjenjë thellësie në imazhe”, - thotë ajo. “Për mua, gjithçka ka të bëjë me simetrinë dhe ky është fokusi im kryesor. Simetria e bën çdo gjë vizualisht shumë të këndshme, të ekuilibruar dhe më tërheqëse për syrin e shikuesit. Ajo gjithashtu sjell harmoni në imazh."

Paula përdor funksionet e dobishme në Canon EOS R për imazhet e saj me orientim portreti. Ajo shpjegon: "I kam gjithnjë aktive vijat rrjetë në kamerën time Canon, pasi më ndihmon t'i inkuadroj e kompozoj më mirë pamjet, dhe nganjëherë përdor funksionin e nivelimit elektronik."

Të gjitha kamerat e Canon EOS R System u mundësojnë fotografëve të zgjedhin se si të shfaqet informacioni i inkuadruesit kur shkrepin foto vertikalisht. Mund të kaloni në ekran vertikal në mënyrë që informacioni të rrotullohet automatikisht dhe të lexohet më lehtë.

6. Përdorni dritën për të përmirësuar kompozimin

Një rrugë londineze gjatë natës, me një kabinë të kuqe telefonike në plan të parë dhe katedralen e Shën-Palit në sfond, si dhe gjurmë të gjata drite të kuqe, të bardhë dhe të verdhë që kalojnë përgjatë rrugës mes tyre.

Bëhuni krijues me gjurmët e dritës dhe ekspozimin e gjatë në errësirë për një variacion interesant mbi atraksionet, si dhe për të krijuar vijat tuaja orientuese. Shkrepur në Canon EOS 500D me objektiv Canon EF-S 10-22mm f/3.5-4.5 USM në 13mm, 15 sek, f/14 dhe ISO100. © Paula Stopka

Shkrepja natën mund t'i transformojë skenat e përditshme në pamje të jashtëzakonshme shumëngjyrëshe. Nga ana kompozicionale, kur punoni në muzg ose në errësirë, mund të jetë e dobishme të konfiguroni një pozë me ndonjë pikë referimi duke përdorur ekranin Live View në mënyrë që të mund ta shihni qartë kompozimin, duke ndryshuar ekspozimin me anë të kompensimit të ekspozimit ose modalitetin tërësisht Manual (M) në ekran.

Përdorimi i kapëses së kabllove ju mundëson shkrepjen nga distanca që është e dobishme për kënde të pazakonta dhe ekspozime të gjata. Programi Canon Camera Connect ju lejon të bëni ndryshime në cilësimet dhe ekspozimet e kamerës nga telefoni juaj. Mund madje ta shikoni Live View në pajisjen tuaj.

Ekspozimet e gjata prej disa sekondash janë optimale për të kapur lëvizjen e automjeteve që kalojnë në një pikë mbresëlënëse, thjesht prisni për një fluks trafiku përpara se të tërhiqni shkrehësin për gjurmë drite krijuese nga dritat e pasme dhe fenerët. Eksperimentimi me një kompozim dhe kënd shkrepjeje për të zbuluar se ku do të dalin gjurmët e dritës në lidhje me pikën e interesit krahas shpejtësive të ndryshme të shkrehësit janë gjithashtu pjesë e zbavitjes.

Shikoni videon tonë për fotografimin e peizazheve të qytetit ndërsa perëndon dielli për më shumë teknika dhe këshilla.

Fjala e fundit: si të shtoni GPS në foto

Kur shikoni pamjet tuaja të preferuara të qytetit, memorizimi se ku janë shkrepur mund të jetë vërtet i dobishëm, veçanërisht nëse dëshironi të rivizitoni një vend të caktuar dhe të rijetoni një udhëtim. Disa kamera Canon kanë GPS të integruar, ndaj të dhënat e vendndodhjes do të ruhen në skedarët e imazheve tuaja. Nëse kamera juaj nuk e ka këtë mundësi, programi Canon Camera Connect mund të përdorë të dhënat e pozicionimit të telefonit tuaj dhe të shtojë informacione për vendndodhjen në imazhet tuaja.


Siç konkludon Paula, fotografimi i ndërtesave dhe i peizazheve të qytetit është një mënyrë e shkëlqyer për ta "shtrirë veten si fotograf". Përdorni këshillat tona për të krijuar imazhet tuaja të paharrueshme urbane.


Shkruar nga Lorna Dockerill

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur